back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Majta apo djathtas – si orientohemi sot? – Editorial Revista Medius – 8

Gazeta

Revista Kulturore - Medius 8
Revista Kulturore – Medius 8

Majta apo djathtas – si orientohemi sot?

Revista Medius – 8

Medius 8 vjen përpara publikut me disa pyetje dhe analiza që rrekin të shpjegojnë kufijtë e brishtë që ndajnë sot të majtën me të djathtën nga aplikimi i përditshëm jo vetëm në realitetin shqiptar. Por, a rrezikojmë ne nga kjo zhdukje kufijsh mes së majtës dhe së djathtës? Ky debat mbetet gjithnjë një vëzhgim i rëndësishëm, sidomos për atë çka do mendojmë ne lidhur me kulturën, pronën, të drejtën, oligarkinë, e mbi të gjitha, për praninë apo jo në jetën tonë të besimit në Zot. Në këtë rrugëtim, ne mund të përfitojmë shumë nga debati i sotëm i ndeshjeve ideologjike në mbarë botën, por njëkohësisht na lipset të lexojmë edhe atë që thuret në përditshmërinë tonë që rrallë herë e lexon të shkuarën.
 
Në Medius 8 do të lexoni shkrime nga
Redi Shehu/ Artan Fuga/ Selami Xhepa/
Fitim Zekthi/ Armand Bora/ Brenton Kotorri/
Lulzim Hoxha/ Jozef Radi/ Fabian Zhilla/
Agim Baçi/ Ervin Hatibi/ Oltion Kadaifçiu/
Ergys Mërtiri (Design Rudi Janku)
.
Redi Shehu
Redi Shehu

Ideologji politike apo tribalizëm politik?

Editorial i Medius 8 nga Redi Shehu

Politikisht, sot, gjallojmë kryesisht mes dy ideologjish, të cilat gjenden në anë të kundërta me njëra-tjetrën. Djathtas apo majtas? Kjo dilemë përbën esencën e çarjes së thurjes sonë sociale, e cila lehtësisht gjendet në të gjitha artikulimet, debatet politike e mediatike, në jetën akademike, në rrugë e deri tek rrjetet sociale. Kjo dilemë, më shumë sesa konflikt politik, ka shkaktuar tek ne një konflikt social. Pikërisht, konflikti është e përbashkëta e të gjithëve. Ky konflikt është i vetmi konsensus që gëzojmë të gjithë sot, e vetmja e vërtetë në kohën kur ideologjitë politike, përveç fluiditetit të tyre, janë kthyer në mekanizma ndërmjetësimi që çojnë drejt fuqisë dhe jo drejt së vërtetës.
Konservatorë apo progresistë?
Në kohët e sotme këto kanë përfunduar thjesht në nocione, sepse ajo çka u ka mbetur shoqërive të sotme nuk ia vlen që as të konservohet. Progresistë me vizion që ndërtojnë të ardhmen? Pra, progresistë që ditkan se çfarë ishin, çfarë janë dhe se ku do shkojnë? Ironike! Si konservatorët, ashtu dhe progresistët sot janë në ballë të përpjekjeve për shpenzime ushtarake, për ndryshimet në taksim, për abortin dhe martesat e së njëjtës gjini, duke bërë që dallimet mes tyre tashmë të mos qëndrojnë në thelbin, por në mënyrën se si këto ndryshime duhet të bëhen. Me pak fjalë, sot, spektri i ideologjive politike na mëson se si palët e kundërta shpesh janë e njëjta gjë, të përziera në një inkoherencë të vazhdueshme dhe luhatëse brenda aksidentit të historisë. Nëse pyet sot njerëzit e thjeshtë se çfarë është e majta dhe e djathta, do të gjesh mijëra përgjigje, që sigurisht nuk do të jenë të njëjta. Përgjigje që luhaten më shumë mbi personazhet politike, sesa mbi ideologjitë që ata përfaqësojnë.
Botë ku paragjykimet dhe ideologjitë nuk dallojnë më nga njëra-tjetra. Kuptimet e tyre falsifikohen, modifikohen, duke sjellë, në fund, më shumë sesa dallime ideologjike, dallime identitare grupesh të ndryshme sociale në evolucion të vazhdueshëm. Identitete grupesh të cilat lulëzojnë brenda një ideologjie tribalizmi, sesa një ideologjie politike, një tribalizëm që justifikon por nuk logjikon, që të jep një përkatësi, por jo domosdoshmërisht vërtetësi dhe qartësi. Atëherë, brenda tribalizmit tonë, neve nuk na mjafton përpjekja për të mos rënë dakord me tjetrin, por ama na mjafton përpjekja për ta shkatërruar përfundimisht atë.
I gjithë ky deformim ideologjik, që vjen si kamatë me hua të lartë nga historia, humb kuptimin e vet në kohën kur origjina e së majtës dhe së djathtës buron nga qëndrimi i ndryshëm për të njëjtin thelb. Atëherë, rizbulimi i thelbit, i zanafillës është edhe mënyra më e mirë për të dalë nga tribalizmi politik drejt qëndrimeve të pastra dhe të vërteta.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.