Major Abaz Kupi i përgjigjet Buletinit të Nacional-Shlirimtares (1943)

Major Abaz Kupi - 1940

Major Abaz Kupi – 1940

Major Abaz Kupi i përgjigjet Nacional-Shlirimtares… (1943)

Njoftim i posaçëm i 24 Dhjetorit 1943, ku Major Abaz Kupi

i përgjigjet Buletinit  lëshue nga Partia Nacional-Shlirimtare…

“Buletini i naltpërmëndur mbasi ma fort ka lidhje e flet për personin tem, po i përgjigjem personalisht…” a. kupi
“S’ka shembull në botë që shumica e një kombi të mbetet jashtë kufive të shtetit tij…” a. kupi

Abaz Kupi - Facsimile 24 Dhjetor 1943

Abaz Kupi – Facsimile 24 Dhjetor 1943

Në buletinin në fjalë me habi të madhe lexova disa dekllarata që nuk puqen aspak me të vërtetën, e prandaj me këtë rast due me vue në gjendje çdo shqiptar për me konstatue si qindron realiteti.
Siç kam shpallun dhe me njoftimin lëshue prej meje me datën 19 Nanduer të këtij viti unë kam vendosur dhe jam heqë me inisiativën time nga Kryesija e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Shlirimtar për arsyenat e treguese në njoftimin tim të porsapërmëndur dhe për ato arsyena qi kam më poshtë:
Në të vërtetë unë jam largue nga Partija Nacional-Shlirimtare më rastin e shpalljes së Legalitetit më 21 Nanduer 1943, e jo pas kapitullimit të Italisë, se pas këtij evenimenti, unë jam që kam ba luftën e Krujës, tue pasë pranë edhe një çetë komuniste.
Asht e vërtetë që unë të kem mbajtun nji qëndrim të ftofët kundrejt Partisë Nacional-Shlirimtare qysh nga data e Mbledhjes të bame në Labinot më 25 Qershuer 1943, ku nga vendimet e marruna në Konferencën e Pezës, më 16 Shtator 1942, konstatova shumë ndryshime, si p.sh. Këshilli që duhej të formohej prej 5 nacionalistash e 2 komunista, u paraqit prej 8 komunistash e 2 nacionalistash! Kjo gja më dha me kuptue se komunistat nuk donin me mbajt nji qëndrim të sinqertë, kundrejt nacionalistave, por nën maskën e luftës së përbashkët, kanë dasht me zbatue nji propagandë për me realizue programin e vet me parime thjesht komuniste. Këtë fakt ma forcoj edhe ma tepër prova e dhanun nga ana e Partisë Komuniste me prishjen e vendimit të marrun në Mbledhjen e Mukajt, mbasi nuk u pa e arsyeshme nga ana e drejtuesave të tyne të huaj, që gjithë shqiptarët pa dallim ideje të realizonin një bashkim në interes të Kombit Shqiptar.
Në buletinin, që i përgjigjem, midis tjerash, përmëndet se “Abaz Kupi edhe përpara mbante në radhët tona një pozitë jo të kjartë!” Kanë të drejtë të thonë tash kështu për mua, se të kaluemet duhet të quhen të harrueme. Kur i harruan kaq shpejt ndihmat e mija të bame në shuma të konsiderueshme të hollash me anën e miqve të mij nacionalista pa pranue për vedi deri më sot asnji santim? A s’ka qenë vepër e imja ndihma e përkrahja që u bahej haptas komunistave nga ana e oficerave, nënoficerave dhe ushtarëve të gjendarmërisë, shokë e bashkëpunuesa të mij të maparshëm? A s’ka qenë vepër e imja ndihma e përkrahja nga ana e nacionalistave, duke i fshehur dhe ushqyer brenda ndër familjet e tyre? Mirëpo sot këto ndihma e përkrahje shpërblehen me vrasjen e gjendarmëve dhe të nacionalistave nëpër rruga si qentë, pse ndoshta nuk janë komunista.
E din gjithkush se unë as kam ba, as baj as që dhe kam ndërment me ba një politikë oportuniste. Qëndrimin tim të premë kundër çdo okupatori e kam tregue me fakte tue fillue qysh nga data 7 Prill 1939, që Italija tradhëtisht okuponte Shqipëninë. Po këtë qëndrim kam mbajt deri më sot, dhe do të vazhdoj me e mbajt derisa jo vetëm Shqipnija e Vjetër të lirohet nga zgjedhja e huej po edhe gjith tokat e banueme prej vllazënve shqipëtarë që në luftën e parë kanë qenë dënue me vdekje, tue mbetun ndënë zgjedhjen e huaj.

Majoret Abaz Kupi e Murat Basha ne mal

Majoret Abaz Kupi e Murat Basha ne mal

Partija Nacional-Shlirimtare tue thanë se “unë mbaja një politikë personale e bajraku” don me mshefë të vërtetën. Kur unë kam qenë bashkue me atë Parti u kisha dekllaruar se, bashkohem me juve vetëm sa me luftue armikun, dhe në rast se Partitë e tjera do të veprojnë në bazë të programeve të tyre, at’herë unë kam me u nda për me veprue në bazë të programit të organeve legjitime të Legalitetit mbretëror para okupasionit. Derisa unë kam vendosë me u sakrifikue për Atdhe, në fjalorin tim nuk ekziston fjalë “frikë” Unë kurrë nuk kam sabotue formimin e Këshillave Nacional-Shlirimtare gja që e kam provue dhe me njoftimin t’im, si dhe me gojë; sa herë që kam pasë kontakt me popull u thosha që janë të lirë me marrë pjesë në Partinë që iu pëlqen. Këshillat Nacional-Shlirimtare nuk janë formue gati në të gjithë Shqipëninë, mbasi populli nuk i pranon nga shkaku se, e ka kuptue që ato nuk kanë frymë nacionaliste dhe nuk synojnë mirëqenien e Shqipnisë, por të nji ideje që masa e popullit shqiptar e urren. Partija Komuniste tue përfitue nga ndihma dhe përkrahija që në fillim që i bëri populli shqiptar, pa dallim ideje për me luftue anmikun, kujtoj se vuri në dorë gjithë popullin shqiptar dhe me anën e Këshillave Nacional-Shlirimtare desh me vue në dorë dhe pushtetin e Shqipnisë; sikur dhe këtij qëllimi të mos ia mrrinte me të mirë e me politikë, të bante imponime me anën e terrorit. Partija e naltpërmendur në këtë pikë është fort e gabuar se populli shqiptar i ka frikë e nuk mund të imponohet. Gjithashtu ma vonë ka për ta pa, se çfarë dëshiron populli shqiptar. Partija Nacìonal-Shlirimtare thotë se formimin e Këshillave Nacional-Shlirimtare në Mat e në Krujë, i kam penguar unë, kjo nuk është aspak e vërtetë, se siç thashë ma sipër, nuk i pranon populli, se ajo që ngjet në Mat e në Krujë ngjet në të gjitha krahinat e Shqipnis. Populli ka plotësisht të drejtë të mos i pranojë këto Këshilla, se nuk formohen me votën e popullit, por tue u emnue nga Partija sipas qejfit të saj.

Major Abaz Kupi dhe Maclean

Major Abaz Kupi dhe Maclean

Organizimi ushtarak më pëlqen mbasi dhe vetë jam një ushtar i vjetër. Çetat që përbëjnë ushtrinë e Lëvizjes së Legalitetit, pse u mungon petku ushtarak, nuk mund të quhen bashibozukë; duhet ta dini se ndër ato çeta marrin pjesë qindra oficerë të ushtrisë e gjindarmërisë kombtare, të cilët për hir të profesionit të tyre, kanë dijtë me rranjosë ndër pjestarët e çetave tona ndiesinë e sakrificës për Atdhe, të dishiplinës dhe të moralit. Ushtrija e jonë po të ishte e frymëzuar me parrullën: “Kur të vijë koha” si mundi me e depërtue anmikun në Qafë Shtambë, me shpartallimin e Regjimentit të Kavalerisë “Guide” tue mbet i vramë edhe Komandanti i tij kolonel Skarpa; si mundi me vijue në Mat për gjashtë javë rresht luftrat Burrel, Liqen i Gërmanit, Zall i Gërmanit, Gjurë e Vogël, Dam-Shilbatër, Kurdari e Qafbuell dhe ma në fund Luftën e Krujës. Përveç luftrave të Qafshtamës e të Krujës në mënyrë të sipërfaqëshme, buletinat e Partisë Nacional-Shlirimtare nuk kanë shpallë aspak luftrat e tjera të bame nga ushtrija e jonë. “Pse-në” le ta thonë ata vetë. Megjithëkëtë, rreptësinë e këtyne luftrave e provojnë djegia e rrënimi i gati 2000 shtëpijave në Mat, që familjet e tyre edhe pse vuajnë pa strehë nën kërcnimin e dimrit, nuk janë aspak të pendueme, por krenare për sakrificën e bame për Atdhe. Partija Nacional-Shlirimtare mund të pretendojë se në këto luftra të kenë marrë pjesë edhe çeta partizane; asht e vërtetë, por këto çeta janë ajo e Nikoll Elezit që në Qafë Shtambë la pozicionet e caktueme qysh në pushkat e para, dhe ajo e Mustafa Kaçaçit në Kurdari, e përbame me nja 10 a 15 veta e jo tjetër. Ndër luftrat e Matit që i kanë qenë shpallur ndër buletinat e Nacional-Shlirimtares, kur takuam gjeneralin italian në Burrel, me rastin që kapitulloj Italija, na tha që kishin pasë humbje të randa, duke shtuar se në Kurdari kishin luftue me një ushtri të rregullt. Damet që armiku ka pasë prej ushtrisë sonë, nuk mund t’i ketë pasë kurrë në të gjitha aksionet e bame nga çetat komuniste tue pre ndonji makinë rrugës. Rëndësinë e një lufte së paprerë, jo vetëm çetat e maleve, por e ka kuptue i gjithë populli shqiptar, që nga ma i madhi deri tek ma i vogëli, tue luftue me gjithë shpirt si me pushkë, me ndihma të hollash, me strehime, me ushqime etj.

Konferenca e Mukjes - (1-3 gusht 1943)

Konferenca e Mukjes – (1-3 gusht 1943)

Tash le ta gjykojnë lexuesit nëse unë kam një luftë demonstrative, difensive ose për të mbajtur autoritetin dhe prestigjin personal.
E gjith Shqipnija e din se Organizata në të cilën unë baj pjesë (Lëvizja e Legalitetit) asht me parime krejt të veçanta nga ato që ndjek ajo e Ballit Kombëtar; por me qëllim që lufta kundër Okupatorit të bahej ma depërtuese, kam dasht të jenë të bashkueme të gjitha Organizatat shqiptare, si për rrjedhim të këtij parimi kemi Mbledhjen e Mukajt që u ba me propozimin tim dhe me pranimin e dy Organizatave që ekzistonin në atë kohë (Nacional-Shlirimtare) dhe (Balli Kombëtar).
Sa për afrimin me ata që ishin në kompromis me okupatorin, më duket se Partija Nacional-Shlirimtare asht në gabim duke thanë për mua, passi ajo Parti ka agjentët e saja edhe sot në çdo dikaster dhe ent qeveriar, si në Kryeqytet ashtu dhe jashtë nëpër Prefektura e Nënprefektura që bashkëpunojnë dhe bëjnë kompromise si me okupatorin ashtu dhe me qeveritarët që ajo i quan tradhëtarë. Neve këta agjenta i njofim fort mirë dhe kemi në dorë listat me emnat e tyre.
Përmbajtja e kryerreshtit tretë të shtyllës së parë të buletinit të cilit i gjegjem nuk i konformohet aspak së vërtetës. Unë kam qenë në bashkëpunim me Partinë Nacional-Shlirimtare vetëm me luftue okupatorin, dhe që kjo luftë të bahej ma depërtuese të bashkoheshim të gjitha Partitë shqipëtare duke ruajtur secila tendencën e saj, deri në shlirimin e Atdheut. Sa për pikat e tjera të përmendura në këtë paragraf nuk kemi patur ndonjë marrëveshje.
Çështja e regjimit as që duhet diskutue pse de jure ekziston ay i para 7 Prillit 1939, mbasi Mbreti ZOG nuk ka abdikue dhe ndonjë asamble kombtare nuk e ka trazue. Sjelljen e Mbretit Zog I në Shqipëri duhet ta quajmë të domosdoshme nga një anë për me psue në vend nderin e Shqipërisë, që na e cënoj një shtet i byrosë tue shtrëngue Mbretin Zog të largohej përkohësisht nga Shqipënija dhe nga ana tjetër pse nevoja e tij për me bashkue Shqipninë e me e shpëtue nga anarhija sot ndjehet edhe nga kundërshtarët e Tij. Përveç sa thamë, nuk mund të quhet vepër e ndershme me përfitue nga një okazion i armikut për me ndryshue regjimin, i cili mund të ndryshohet vetëm me anën e një asambleje të kërkueme nga ana e popullit shqiptar e në një kohë kur Shqipnija të jetë e shlirueme.

Major Abaz Kupi 1944 (foto e fundit ne Shqiperi)

Major Abaz Kupi 1944 (foto e fundit ne Shqiperi)

Me popujt fqinjë çdo shqiptar dëshëron marrëdhanie të mira, por natyrisht duke hequr dorë ata nga tokat e banueme prej shqiptarëve. Kët të drejtë shqiptarët kurdoherë e kanë pretendue dhe do të vazhdojnë me e pretendue se s’ka shembull në botë që shumica e një Kombi të mbetet jashtë kufive të shtetit tij. Ky qëllim i shqiptarëve që nuk kanë përfitue lirin’ e tyre qysh tash 500 vjet e realizohet me këtë luftë, o kurrë. Prandaj asht detyra e çdo shqiptari që Kosovën e Çamërin jo vetëm t’i pretendojë, por të luftojë e të shkrihet deri në pikën e fundit të gjakut përderisa këto të bashkohen me Nanën Shqipni.
Sa për qëndrimin kundrejt Aleatëve nuk ka nevojë të përmëndet pse nuk ka shqiptar të mos e dijë se interesat e Shqipënisë janë të mbështetuna vetëm në politikën e aleatëve të mëdhenj.
Për shpalljen e Legalitetit nuk ka qenë nevoja të bëj as më të voglën propagandë e përpjekje, pse kjo ekzistonte dhe nuk ka qenë shue ndjenja e saj në shumicën e popullit shqiptar.
Përkundrazi unë kam qenë ay që e kam pengue shpalljen saj për mos me shkaktue përçarje, dhe mora inisjaticën për me e shpallë vetëm atherë kur pashë shenjat e para të vëllavrasjes, pse nuk doja me ba ma pjesë në një Organizatë që vret shqiptarë për hatrin e të huajve e ndoshta dhe me urdhën e dorën e të huajve (për këtë kam fakte). A ka mëkat ma të madh që shqiptarët të vriten si qentë nëpër rrugë pa kalue prej gjyqit. Nuk jam tue folë këtu për spiunët dhe ata që me vepra pengojnë luftën për shlirimin e Shqipnisë, por për ata që vetëm pse kanë shfaqë ndonjë mendim ndonjë Partije ose tjetrës dhe për politikanët si Idomene Kosturí, bir i një shtëpije patriote të vjetër që ka dhënë disa dëshmorë për çështjen shqiptare. Kët kategori personash duhet ta gjykojë populli shqiptar kur të shlirohet dhe historia, por jo një Kryetar çete pse ashtu i teket!
Nuk asht aspak e vërtetë që unë të kem ba ndonjë marrëveshje qoftë me Ballin Kombëtar ose me të tjerë.
Për Mbledhjen e Lurës jini informue keq, se ajo asht ba prej Mit-hat Frashërit, ku me një letër private të këtij të fundit, jam thirrun edhe unë. Kam shkue në Lurë dhe u ngarkova me ndërmjetësue për bashkimin e Parisë së Dibrës për një luftë imediate kundër okupatorit.

Mit'hat Frashëri e Abaz Kupi - Londër 1949

Mit’hat Frashëri e Abaz Kupi – Londër 1949

Sa për Organizatën e “Lëvizjes së Legalitetit” nuk ka nevojë ta cilësoni juve pse na e dimë vetë se në çfarë pozite të naltë qindron ajo, dhe juve do ta shifni e do ta kuptoni rëndësinë e saj kur rasti ka për ta prue.
Urdhëni që kini dhanë për nji fushatë sistematike me shtyp e me gojë kundër Organizatës sonë, nuk na bani as ma të voglën përshtypje, pse jemi të sigurtë për karakterin prej graniti të njerëzve që marrin pjesë në Organizatën tonë. Vetëm këshillojmë Partinë Nacional-Shlirimtare që fushatën e saj kundër nesh ta kufizojë me aq sa ka urdhënue, e jo ta shtyjë ma tutje deri në ekstrem, se kundërveprimi i jonë në një rast të atillë ka për të qenë aq i rreptë, sa jo vetëm ka për ti çuditë pjesëtarët e Partisë Nacional-Shlirimtares, por ka për t’i ba që të pendohen se ka me iu kushtue shum shtrenjtë.
Në qoftë se Organizatës së Legalitetit vjen t’i bahet një provokim me masa ekstreme, ajo nuk do të mundë me pranue asnjë përgjigjësi përpara popullit shqiptar për kundërmasat që do të marrë për mbajtjen dhe hakmarrjen e pjesëtarëve të saj.
Major Abaz Kupi
24 Dhetuer 1943

Ramiz Lushaj

Ramiz Lushaj

Pasthanie nga Ramiz Lushaj

Gjithsesi nuk është e rastësi që Major Abaz Kupi të lëshojë një trakt të tillë pikërisht më 24 dhjetor 1943, pasi kjo datë ka të bajnë me “Triumfin e Legalitetit” dhe prej vitit 1925, me dekret të Presidentit Ahmet Zogu ishte shpall “Festë Kombëtare Zyrtare”.
Në këtë periudhë, rreth tre muaj pas kapitullit të Italisë Fashiste, Partia Komuniste Shqiptare (në trakt: Partia e Nacional-Çlirimtares) hidhet në sulm frontal kundër Partisë Monarkiste “Lëvizja e Legalitetit” të drejtuar nga Major Abaz Kupi 51 vjeçar, pasi ky u largua zyrtarisht (sipas deklaratës të 19 nëntorit 1943) nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshënm Nacional-Çlirimtar.
Në këtë trakt të panjohun, që publikohet i plotë sipas origjinalit (jepet edhe një faksimile e pjesshme e tij) Major Abaz Kupi i ban të qarta publikisht arsyet e largimit nga Fronti Nçl. i dalë nga Konferenca e Pezës (16 shtator 1942).
Ftohja politike e ideologjike e Abaz Kupit si përfaqësues i Legalitetit me PKSH kishte nisun prej kohësh duke u thellue, ashpërsue e diferencue në Konferencën e Mukjes në gusht 1943, e në atë të Labinotit në shtator 1943, derisa çoi në largimin e tij më 21 nëntor 1943, me themelimin e Partisë Mbretnore.
Në këtë trakt jepet qëndrimi i Abaz Kupit e partisë së tij lidhur me Çështjen Kombëtare Shqiptare për Kosovën e Çamërinë, për vazhdimin e Luftës Nacional-Çlirimtare kundër pushtuesve naziztë gjermanë, për rikthimin e Mbretit Zog I në Atdhe pas çlirimit, për aleancë parësore me anglo-amerikanët etj.
Në qëndrime të tilla Abaz Kupi mbeti i vendosur deri në fund të jetës së tij (1976) dhe gjatë mërgimit politik në Nju York ia bani më dije disa herë Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ky trakt i publikuem për herë të parë në të përditshen “Republika” përbën një dokument me vlera për historikun e Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një përgjigje
  1. lola shehi Tha:

    Ajo që më bën përshtypje është se politika shqiptare vazhdon të vuajë nga sindroma e përjashtimit! Nëse dikush del me një mendim tjetër nga grupi ose të quajnë tradhëtar dhe të përjashtojnë ose të përbaltin. Nuk kemi nxjerrë asnjë mësim nga historia. Eshtë për të ardhur keq! Politikanët janë si pikturat që e kanë efektin nga larg… Sa më afër t’ju afrohesh aq më shumë dalin në pah difektet… “të mos më keqkuptojnë piktorët!”

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook