Magjia e Lindjes së Ditës së Re… Jozef Radi

Deti Adriatik, mëngjes 16 prill 2013

Deti Adriatik, mëngjes 16 prill 2013

Magjia e Lindjes së Ditës së Re…

nga Jozef Radi

Nji nga magjitë e Natyrës, sa e përditshme aq edhe e zakontë, sa e papërsritshme aq edhe solemne asht bash Lindja e Ditës së re…
Asht kjo Lindje Dite, ose e thanun ma ndryshe: ky riciklim i jetës që merr frymë prej çastit të shfaqjes së Diellit dhei jep kuptim gjithçkaje, duke fillue prej vetë çastit, orës, mëngjesit, datës, muajit, vitit, shekullit, jetës, lëvizjes, qenies dhe jetës së çdonjenit prej nesh, ndjenjave dhe frymëve të nji pafundsie njerzish, ekzistencës së nji pafundësie krijesash që e bajnë kët botë të rrallë e të pashoqe… po edhe gjithçkaje statike e gjithçkaje që lëviz, e të marra të tana së bashku përbajnë dinamikën e ekzistencës sonë…
Por… ndodh shpesh që Lindja e Ditës së Re, Nana e të gjitha Lindjeve, kalon ma së shumti e pavumere… (le ta pyesi secili prej nesh vedin sa herë asht ndalë dhe e ka ndjekë me konteplim lindjen e ditës së re!?) Kjo, ndodh pse shpesh zgjimet tona janë pak ma të vona se dielli, po edhe kur na ndodhin zgjime të hershme, nguti i cilitdo zgjimi njerzor, s’na lejon me e shijue si dhe sa duhet magjinë solemne të Lindjes së Ditës së Re… at ngjitje madhështore drejt altarit të njatij Disku të Artë të Jetës… Le mandej me u persiatë, e me nis me shkrue n’ato derdhje fantaste ngjyrash e flakësh të pabesueshme…!!!
Po magjia e vërtetë e Lindjes së Ditës së Re, ajo ma madhështorja e madhështoreve, ajo ma sublimja bahet e plotë veç nëse ndodhesh diku në detë e në ndonji prej atyne ditve kur deti vetë deti në paqe me vedin dhe me krejt botën, po edhe kur ti je jo veç udhtar i ngeshëm, po nji adhurues i thekun natyre dhe mundesh me e sakrifikue gjumin e nji dite tande të rehatshëm e me dalë atje në popë a në bash të anijes, dhe me e ndjekë njashtu si vetmitar magjinë e papërsëritshmë të Lindjes së Diellit… i gozhduem bukurie… Veç aty dhe ashtu mundesh me e kuptue pse natyra përsosjen e ka në shpirt, e ne s’jemi tjetër veçse të pazotë me i lexue si duhet leksionet e palodhuna të saj, bile edhe ma keq: të paaftë me e imitue atë edhe kur ajo na përplaset e derdhet njaq dehse para syve tonë…
Deti Adriatik, mëngjes 16 prill 2013

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Pasione-Foto  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook