back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Magji e letërsisë dhe e librit në Mantova 2015 – nga Jozef Radi

Gazeta

Festivaletteratura: Mantova 9 -13 shtator 2015
Festivaletteratura: Mantova 9 -13 shtator 2015

Magji e letërsisë dhe e librit në Mantova

nga Jozef Radi

Shenime dhe refleksione nga Festivaletteratura

Mantova 2015

Mantova - Piazza Erbe 2015
Mantova – Piazza Erbe 2015

Në botën e sotme të letrave, po flitet gjithnji me shqetësim për ditët e vështira që kalon libri… e ndërsa ti je në udhë drejt Mantovës, drejt Festival Letteratura 2015, sheh trenin që çan përmes Ultësirës Padane ashtu i patrazuar, ndërsa ti ndjehesh i përhumbur në shumçka, dhe rrekesh t’i japësh ndonji përgjigje dilemës: “A do t’i mbijetojë, libri letër përballë librit virtual; dhe a do të munden evenimentet e mëdha të letërsisë, si ky drejt të cilit ti shkon, ta nxisin leximin dhe lexuesin në vitet që vijnë të mos e shthurë dashurinë për letrën…? O mos ndoshta tashmë jemi pjesë e nji betejë e humbur dhe vetëm rezistojmë pa shpresë, derisa ta shpallim haptas mundjen e librit letër!!??”
Si lexues i hershëm, ende e dëshiroj peshën e librit, e dua atë kartën që shfletohet qetësisht e mund të vihet nën jastëk; ende e ndjej delikatesën e kthimit mbrapsht, të ndalem e të nënvizoj nji fragment që mund t’më shërbejë ndonjëherë; po edhe të reflektoj me libër hapur, pse libri mbetet gjithnji nji mundësi shpëtimi në mbushjen e asaj pak kohe të lirë, që edhe pse reduktohet përdita mbetet gjithnji e vyer në nxitje të fantazisë së secilit prej nesh…
Si njeri i hershëm i shkrimeve guxoj të them se pena as duhet thyer dhe as duhet flakur… duhet përdorur, ashtu si tastiera apo ekrani, me qëllimin e vetëm që bashkarisht alternativat të mos rreshtin asnjiherë, që komunikimi ndërshpirtëror, ndërkulturor e ndërnacional ta vazhdojë misionin e vet përbashkues edhe ndër kohra që do vijnë…
E ndërsa ti, i rikthehesh këtij qyteti ku ke qenë edhe tjera herë bash në kët stinë, e bash si sot ndjehesh i emocionuar, beson se i kthehesh nji magjie, e cila kurrë s’ka për ta dhuruar të plotë misterin e saj mahnitës… mbetesh i bindur se kalldrëmet e gurta e të zajta të qytetit të Virgjilit të Madh do të vazhdojnë të hollojnë ndër kohra që do të vijnë, jo veç shojet e këpucëve të të ftuarve të afërt e të largët, me misionin e Madh të Shkrimit, po edhe të krejt asaj shumice që i derdhet këtij qyteti çdo fillimshtator për të dëshmuar se: “Të mbështesës të Shkruarën është si t’ia sigurosh themele nji të arthmeje sado e panjohur dhe kërcënuese që mund të shfaqet ajo…
E ndërsa ti vazhdon i përhumbur në kët rikthim të ri, nga brenda trenit ndjehet thirrja se je i mbrritur në stacionin e Mantovës… dhe se Ajo, me nji magji mbi të tjerat kaluar shfaqet rishtas para teje…

Radi & Hajdari - Nen hijen e Virgjilit
Radi & Hajdari – Nen hijen e Virgjilit

***
Të takosh nji mikun tënd të hershëm, me të cilin miqsia daton diku te gjysma e shekullit… është si të kthehesh në muzeun e kujtimeve e t’i gjesh gjurmët primordiale vetvetes, të gjesh grimca ditësh të thyera e të spërkatura herë me trishtim e mosbesim, herë me humor e gallatë, herë me përpjekje e shqetësime përtej veteve tona… me atë kënaqësinë se gjithçka që ndodh sërish… mbas pak çastesh do të jetë diçka e futur aty në Muzeun e Kujtimeve…
Me poetin Gëzim Hajdarin, dhe mjekrrën e tij tashma proverbiale, (e cila bëhet gjithnji e më e thinjtë), na bashkojnë shumë gjëra… Mbi të gjitha na bashkon koha e përbashkët, ëndrrat, mendimet dhe sakrificat e përbashkëta, na bashkon vetë jeta me gjithë ngjyrat e rrethanave të saj… na bashkon nji dëshirë e përbashkët komunikimi, përkushtimi e kontribuimi… jashtë nënshtrimeve, po mbi të gjitha e mbi gjithçka na bashkon poezia, ajo hyjnorja e heshtur që edhe kur mbledh krejt pak vetë rreth saj, i jep edhe heshtjes nji solemnitet të tillë, që ata që s’janë ndodhur ndonjiherë nën pushtetin e saj, kurrë s’do mbrrijnë ta kuptojnë se çka i kanë bërë vetes…!
Sigurisht nji takimi mbas kohësh pak të gjata, ka brenda mijra vogëlsi rrëfimesh, ngjarjesh, humori, dhimbjesh… e mbi të gjitha ka atë ndjesinë dhe shqeteësimin se misioni i poetit për nji botë më të mirë e më të drejtë nuk do të shterrë kurrë… dhe ndërsa ecim në parkun e madh të Virgjilit, të shpëton nji “ah” i pamundësive tona, dhe natyrshëm thua: “…pa nji Virgjil, Italia nuk do të kishte nji Dante… dhe se pa nji Dante shumë prej nesh edhe mund të mos ishim… ndoshta edhe keqja e kësaj bote do të ishte ca më e madhe, dhe se njeriu vetë, do të lexohej ca si me lente, në vlerat e tij…”
Është fat që paska nji Virgjil… pa ka edhe nji Mantova të Leteraturës!!!
, Miku im i vjetër, posa ka dalë nga nji intervistë “masakrante” me Avvenire-n, (që u pasqyrua në gazeten e së dielës), ndërkohë që ndajmë nji bisedë të gjatë me Davide Bregola-n, gazetarin e “Il Giornale-s” për çmendurinë e emigrimeve biblike të shekullit të Njizetenji… Bisedë e gjatë, e bukur, e shtruar, e trazuar… plot mendime, vlerësime… plot dhimbje dhe shpresa që e mbush tavolinën me debat dhe krijon në vazhdimësi atë atmoferën e shqetësimit, se në kët vorbull tragjike tashmë s’është thjesht nji popull apo nji zonë… po bota mbarë, së bashku me ne…
Edhe takimi i sotëm në Sangristinë e Shën Barnabës… kët mision ka… Libri i fundit i Hajdarit “Delta del tuo fiume” (Deltë e Lumit Tënd) është konsideruar si “…nji klithmë në kërkim të mirkuptimit dhe harmonisë midis popujve… nji shtegtim ndër kohra i poetit në këto realitete vuajtjesh dhe luftrash…” Aty është edhe Shqipëria, edhe Ballkani, po edhe Europa, Mesdheu, Afrika, Azia… dhe biseda duhet ndërprerë në kulmin e saj, për t’u vazhduar ndonjiherë tjetër!!!! Kushedi!! Pse Fahrenhait e Radio Rai 3, e pret Hajdarin në trasmetim të drejtpërdrejtë… për më shumë se nji orë…

Nga takimet ne sheshe - Mantova 2015
Nga takimet ne sheshe – Mantova 2015

***
Ndërkohë kam kohë të shetis qetësisht nëpër Mantova, të dehem ca me energjinë e fillimshtatorit të këtij qyteti… Janë 1000 studentë që i sheh gjithkund, në shërbim vullnetar ndaj letërsisë… O Zot 1000 studentë vullnetarë… në Emër të Letërsisë… eh, në vendin tim ku lindin përditë Universitete… ka shumë studente po jo vullnetarë që t’i shërbejnë devotshëm kulturës së vendit të tyre!!!
Të shetisës Mantovan në kët javë fillimshtatori, është diçka që fjala sado e zonja të jetë, mbetet gjithnji e paplotë, sepse sheh nji makinë e madhe organizimi e këtij qyteti kaq të vogël që të mahnit, aq sa ty të duket e pabesueshme se kjo që ndodh para syve të tu është e vërtetë… Dhe ti ndalesh në nji tavolinë dhe e pyet Wole Soyinka-n nëse është e lirë karrigja dhe e kundron pamjen kokës së tij si nji pemë e zezë me rrënjë dhe kurorë të thinjur, teksa të lëshon nji buzëqeshje paksa fëminore, sikur do të thotë se “Mund ta marrësh dhe tavolinën po deshe…!!”
Ti je pjesë e këtij qyteti që jeton si ndër ethe, që vlon i gjithi nga djem e vajza të nji mirsie dhe mirsjellje të pashoqe, ku vrapojnë gjithkah biçikleta, këto zonja përhershme të këtij qyteti letrash… e ku solemnitetit të Pallatit Dukal, Piazza Erbe-s e Kështjellës e Gonxagave buzë liqenit i rri gjithkund në roje krejt mikpritja dhe tradita mantovane…
Në orën gjashtë, të së premtes, në hyrje të Sagristisë së Shën Barnabës ka mjaft njerëz për të ndjekur poezinë e Hajdarit. Poezi e lindur në dy gjuhë dhe ende sot e tillë… si nji çelës komunikimi! Kanë ardhur edhe mjaft shqiptarë nga larg e nga afër, nji dëshmi se poezia shqipe është pjesë e trazimeve të botës… është pjesë e dhimbjeve të saj dhe jo si daulle e dikurshme lavdesh… Në hyrje krijohet krejt natyrshëm ajo atmosfera miqsore e bisedës së autorit me Iskrën dhe të birin Gridin, me Mondën dhe Irisin, me Suzana dhe Engjëllin, me Anitën e të tjerët që ishin aty jo vetëm si ndjekës të poezisë së Hajdarit, po edhe si mbështetës të vlerave të kulturës shqipe…
Në nji sallë të mbushur plot, (ku hyrja ishte me pagesë), mbi 120 vendet e ulura janë të zëna. Mjaft njerëz që janë të detyruar të mbeten në këmbë… Pse poezia zakonisht nuk mbledh shumë njerëz, por ja që ajo salla s’ka mjaftuar edhe pse takimi qe lajmëruar për orën 21, dhe zhvillohet në 18…!!! Televizionet janë aty… edhe gazetarët… edhe ajo shumësi dashamirësh. Gjithçka në Shën Barnaba është në pritje të fillimit…

Mes miqve shqiptare - Mantova 2015
Mes miqve shqiptare – Mantova 2015

***
Elia Malago, nji grua trupvogël, mbetet nji zonjë përmasash të paimagjinueshme… Ajo është paraqitësja e Hajdarit dhe poezisë së tij në kuadër të librit të fundit “Delta del tuo Fiume” edhe e Antologjisë Gjithpërfshirëse 1990-2015, e sapodalë nga shtypi… Elia është studiuese, kritike, organizatore po edhe poete e mirë. Me atë qetësinë e saj të thellë dhe autoritare, me atë zërin e saj të mëndafshtë, i bën nji kornizë të admirueshme poetit Hajdari. Ajo i është futur thellë shpirtit të poemës dhe me nji qetësi olimpike përcjell nji nga nji mesazhet e saj… Biseda midis autorit dhe kritikes është e shlirët, e hapur, e thellë… shpesh ka edhe nuanca humori dhe shpotie, shoqëruar prej nji muzike që e përcjell takimin, mjaft e gjetur dhe prekëse… Kështuqë leximi i mjaft prej poezive zgjon jo vetëm emocione po edhe duartrokitje…
Si pa u ndjerë takimi kish zgjatur gati dy orë… Dalim… Mbrëmja ndjehet e freskët po edhe mjaft më poetike… Jashtë na presin të tjerë të habitur mbasi e dinin se takimi do të niste në ora nëntë…!!! Eh… Me ta Autori konsumon nji kafe në nji nga baret më të afërta, si të ishte fjala për nji ndjesë… mes tyre edhe dy profesorë filozofie që me shumë respekt u bënë pjesë e asaj tavoline me më shumë se 15 vetë…

Gezim Hajdari dhe Elia Malago - Mantova 2015
Gezim Hajdari dhe Elia Malago – Mantova 2015

***
E shtuna e ka zgjuar Mantovan… duk e bërë të ndjehet si zgjua!
Nga të gjitha anët derdhen grupe të organizuara dashamiresh të letërsisë… Befas të duket sikur qyteti ka më shumë njerëz se zaje… Autobuzët, taksitë shërbimi i navettave që lidhin hotelet jashtë qytetit me qendrën është në përfeksionin e vet… Biçikletat të parat ama!!! Në bisedë me nji grup të ardhurish nga Venecia ajo që më mbeti në mendje ishte fjalia “Ne i kemi të gjitha mundësitë, po kët Mantovën e Letrave nuk e kemi!” Ishte edhe vlerësim, edhe zili, edhe dashuri! Ngado flitet për librin, po dëgjon shpesh të flitet edhe për krizën, sepse krizë është vërtetë, ndjehet… po ama në Librarinë e Madhe ku janë ekspozuar veprat e gjithë të ftuarve është e vështirë të ecësh!
Ne jemi pjesë e atij lumit njerëzor që vërtitet në Piazza Erbe… futemi aty, dhe ndalojmë te rafti i Hajdarit… Shtatë vepra të vitit 2015, janë të ekspozuara njera pas tjetrës… dhe nuk vonojnë as blerësit që të kërkonin autografe prej autorit.

Poeti Hajdari te rafti i botimeve te tij - Mantova 2015
Poeti Hajdari te rafti i botimeve te tij – Mantova 2015

Drekojmë me Elian…
Elia Malago, është edhe nji ndër organizatoret më të vjetra e më të përkushtuara të kësaj Feste. Ajo na rrëfen mjaft nga historiku i Festival Letteratura i Mantovas. “Ishim pak në fillim. Veç nji grup vullnetmirësh mes të cilëve edhe unë, këtu e 19 vite të shkuara. Kishim shumë dëshira e shumë ëndrra, për të bërë diçka të madhe pë qytetin tonë! Ishim të vegjël, ishim provincialë, dhe të pafajshëm… ndaj vendosëm të fluturojmë ulët, mbasi dihet se në Itali fluturohet kryesisht “alla grande”… Në themel të këtij projekti që edhe mund të dështonte, vendosëm vullnetin e mirë, dashurinë për letërsinë, dashurinë për qytetin tonë, dhe nën hijen e Virgjilit të Madh kërkuam të shohim sa mv larg… Luftuam të shohim diku edhe përtej egoizmave tona. Pjesa tjetër është punë, punë dhe punë… Nji përkushtim pa orë, pa shmangie, pa lodhje… dhe dashuri, shumë dashuri… Dhe ja ku jemi sot! Diçka e pabesueshme… Po prej sot na duhet të mendojmë vitin që vjen pse është Edicioni i XX i këtij Festivali… Ia kemi mbrritur nji ëndrre me mijra vështërsi… Nuk është pak, por as shumë nuk është… pse mbetet nji betejë për ta tejkaluar çdo vit vetveten, edhe pse kohrat bëhen gjithnji e më kërcënuese…
Dhe ti e ndjek ngultshëm bisedën e asaj gruaje të vogël… asaj milingone të palodhur dashurie dhe përkushtimi… e ndjen se ta adhurosh Atë është diçka krejt e vogël, e padrejtë dhe e sipërfaqshme…
Ndahemi me Elian me dëshirën për t’u takuar nji herë tjetër, në nji sukses tjetër… Dhe ajo ashtu e vogël, i ka hypur nji biçiklete të brishtë dhe është bërë njish me gurët dhe zajet e kalldrëmëve, me tullat e pallateve mantovane dhe ka tretur ashtu e vogël në misionin e saj të madh… Jo nuk ka tretur, ajo tashmë është pjesë e madhështisë së këtij qyteti ku besohet të jetojë edhe për shumë vite lavdia e Letrave dhe e Letrës…

Nobeli i Letersise Wole Soyinka - Mantova 2015
Nobeli i Letersise Wole Soyinka – Mantova 2015

***
E diela është dita e siparit të Festivalit, dhe qiellit të Mantovas i vërtiten retë e shiut si dhimbje lamtumire…
E ndërsa ndalesh për pak në takimet e shumta diku të kap syri nji figurë të njohur, diku i jep dorën nji të panjohuri, diku të kap veshi nji frazë që të mbetet në mendje… E përtypa gjatë fjalinë e Stefano Rodotas: “Nëse bëhen të vështira kohët për solidaritetin, do të bëhen edhe më të vështira kohët për demokracinë…” dhe ti ecën me kët fjali dhe tund kokën. Duhet solidaritet… duhet…!!
Festivali, të dielën ka edhe dy takime të rëndësishme së pari me nobelistin nigerian Wole Soyinka, dhe mbyllet në mbrëmje me nobelistin perujan Mario Vargas Ljosa. Ndërkohë mbasdite poeti Hajdari ka takimin e tij të dytë në shoqëri të poetes franceze Maylis de Kerangal. Ajo ka zgjedhur fjalën Etranger – i Huaj ndërsa Ai: Fjalën Besa – Fjala e dhënë… Nji tjetër takim i suksesshëm ku prej nji Fjale të shprishur tjerret me kujdes filli  që përfaqëson nji nga nocionet bazë të mbijetesës së nji populli mjaft të lashtë…

Nate e mbi liqenin e Mantovas
Nate dhe nostalgji ne liqenin e Mantovas

Ka nisur pak shi në Mantova… Si nostalgji, po edhe si romantikë e dy njerzve të kapur përdore që ecin ashtu qetësisht të patrazuar nëpër shi…
Diçka delikate në itineraret e Hajdarit në kët festival të sivjetëm… diçka e pandodhur në Festivalet e mëparshme ku Hajdari ka qenë pjesmarrës: Ai shfaqet me nji zonjë… Zonjën e Tij… pse thuhet që: Në krah të nji artisti të madh duhet gjithnji nji grua e përkushtuar… Ajo tashmë është… gjithkund, në poezinë, në jetën dhe veprën e tij…
Sigurisht edhe në Mantova të tjera të Festletteraturës…!
Mantova, 11 – 13 shtator 2015

Gezim dhe Iris Hajdari - Mantova 2015
Gezim dhe Iris Hajdari – Mantova 2015

Fotot janë të gjitha të radiandradi.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.