back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Lumi i kohës… Cikël Poetik nga Desantila Qerimaj

Gazeta

Desantila Qerimaj
Desantila Qerimaj

Desantila Qerimaj –

pjesë e nji fenomeni poetik…

nga Jozef Radi

Desantila Qerimaj, asht artiste ende e papërcaktueme qartë… po me vizione të qarta në gjithçka merr përsipër, nëse asht fjala për artin…
Desantilën, mundesh me e ndigjue me andje kur i bjen violonçelit (edhe pse jeta shpesh e shtyn me e lanë mbasdore), me e shijue skrupolozitetin e saj të përkthimit në kambnguljen me e gdhendë çdo frazë e mendim (si fjala vjen letrën e Chekovit drejtue të vëllait); Desantilën mundesh me e ndigju me andje kur këndon kangë të ambla Shkodret, po edhe me ja ndje shpirtin të derdhun në blues-in e saj të rafinuem; mundesh me diskutue me të me orë të tana probleme nga ma të ndryshmet, po edhe me e shijue si prozën njashtu edhe poezinë e saj fine, e cila asht e tana gjendje… e me të grabitë me at të veçantën e saj dhe me ato ngjyrosje shpesh delikate e pa nji grimë teprie…
Desantila Qerimaj kahera asht hallkë e nji vargu poetesh të talentueme shkodrane… sa mundet me u thanë se kurrë qyteti i Shkodrës, as edhe ndonji qytet i Shqipnisë, (apo edhe ma gjanë) s’kanë pasë nji larmi kaq të madhe poetike cilsore e femnore si kjo e sotmja… Ajo tashma asht za i nji kori vajzash Rozafe, që e thurin dhe e këndojnë aq ambël lyrën e poezisë shqipe, sa padyshim ky qytet në themele femnash të mëdha, asht sot në ditët e nji tjetër lavdie…  Mes emnash si Ledia Dushi, Elona Culiq, Arjola Zadrima, Entela Tabaku – Sorman, Letizia Gargjola, Tini Qerraxhija, Rozafa Shpuza, Melita Vjerdha, Eri Omari e mjaft tjerave asht padiskutim edhe ai i Desantila Qerimajt… nji za ku s’ban nyje veç poezia… po shumë ma tepër…

Desantila Qerimaj
Desantila Qerimaj

Shpesh jam përpjekë me e kuptue kët fenomen të pangjashëm me askund tjetër, e shpesh mbetem përkrahës i kësaj fryme, e cila me siguri ka me mbetë nji faqe e madhe drite jo vetëm për qytetin e Shkodrës, po shumë ma gjanë
Falenderoj ditën që Desantila Qerimaj po kërkonte ndihmë në rrjet, nëse ndokush mund t’ia bante ma të lehtë leximin e Fishtës… E prej asaj dite përditë e ma tepër asht gjetë pak kohë e përbashkët me folë për kahjen ka shkon edhe poezia e saj
T’u priftë e mbara Desantilë, në kët rrugë të vështirë e plot trazime, në kët rrugë të bukur e plot emocione…
18 maj 2015

Desantila Qerimaj mes muzikantesh
Desantila Qerimaj mes muzikantesh

Lumi i kohës…

Cikël Poetik nga Desantila Qerimaj

***

Tanë trishtimet që s’ti kam thanë
i kam ndrye n’nji yll të heshtun
mbrue prej ujnash t’ngatrruem.
Por… m’shoqnon shija e mjaltit
që sytë tuej, m’kapërdijnë prej zemret.

Qiejt janë gadi, me lëshue borë

Qiejt janë gadi, me lëshue borë
atje nalt asht qyteti i eshtnave,
ngjyra e naltsive, Hyjni që mendon.
Nji tingull lotësh vjen prej përtej
e prin për kah toka në ajrin:
“Violinçela gjunjëzue”.
Lëviz prirja e akullit
dhe tisi pa gjak si mërzia e fmive
kur s’munden me luejt nën shi
ma robnon gjallninë… dicka thotë
për përhumbjen e ftyrave,
ather më ngjan se nuk kam harrue
çka asht bari i maleve, shpirti i tyne
tue shpërbá dramën e korbave n’ikje.
Lakoj, shkumoj, asgja…
Veç do kristale borë që pres me ardhë
n’dhomën teme ngjyrë-bakër e shije-gjumë
n’kërcitjen e shkallëve, drunin e çamë
si t’ishin brishtësi e s’kaluemes t’gjithkujt…
Diku sirenat rrugëve paralajmrojnë,
çdo britmë, çdo ankth, çdo njeri dhe ecë
rreth rrezesh prej kujtimesh t’amla
të diellit cipëplasun e hanës krahëmjaltë.

Tingull i paharruem

N’mes lulesh e degësh
jeton heshtja për me ma mësue
rishtas flakën e ndezun t’lindjes.
Dhe i thrras… lumenjve me krahë
që kanë përqafue ditët e netët
si nji rrjedhë e fortë me t’cilën
s’mbrrin me u shkeputë.
Vizione, nana… lumtunia,
mishi trup e shpirt, era e andrrës
tejkalimi n’rrugët e papjekuna,
zani që ther t’ardhmen
dhe asht kaq dhimbje
pasqyra, e vdekjes së tingullit
ma të paharruem.

Pranverë…

Ti i depërton jetës me u takue
me masën e dashnisë teme të lashtë
që s’ka asnji tokë të thatë, po veç
vende ku mbijnë limoj e portokaj,
me at aromën dehëse të lehtsisë
aromë, ku ndjen gjithçka veç asgjasë
dhe aq e ngjyrueme bota n’jermin tem
të mallit, e të frymës që ulurin për ty…
Andërr e bukur dheu edhe e nesërmja
edhe e djeshmja edhe çdo gjá… që bahet përjetsi
në puthjen me zhgjandrrën e syve.

loje drite...
loje drite… (foto marjan bunaj

***

Nata u shue mrendë universit
të lkurës teme prej gurit,
mu qetsue brendia e saj në zemër
dhe nadja çliroi nji lëndinë
prej poleni që unë me pá
përditë e ma kjartë se si
ndjenjat shpalosin
kambanat e trishta të kohës,
bashkë me botën e njeni tjetrit në agim…

Eklips

Jam rrotullue sa herë,
n’eklipsin e dashnisë
shpesh kam vizatue,
tokë ajër e terr
për prekjen që veç njashtu,
siç din ti me shpërndá
e diellin e kam shtrëngue,
fort në pllambë të dorës,
me rreze t’ashpërsueme,
që njena-tjetrën shtyjnë
drejt cakut të rrugës,
ku koha asht yll i pikëlluem
ndërtue ujnash të shpikun,
prej përrallave bosh
për me ndje se edhe aty,
si e çmendun rreh jeta…

Në male

Në male peisazhi
sqaron diejt e keqkuptuem
e kaprojt tue vrapue…
atje janë kaq andërr
sa duket nji pikë kurgja
lumtunia jeme krejt njerzore.

Perendim (foto Adnan Ramadani)
Perendim (foto Adnan Ramadani)

Të pashë…

Të pashë,
nuk e di çfar syshë m’kishte dhanë qyteti
por prej meje në ty, shkundej veç qelq.
Kujtimi: sprovue nën andrrën përdhé.
E rrethue me njerëz, zhurmat përçonin në mue
vetëm refrenin: Që un të pashë…
Krahve t’mi iu rrotullue horizont i paqtë
dhe zgjodha me iu amshue ajrit
si zogu ndër re që kurrë s’ka kenë i lumtunisë.
Rrugës vlonte murrlá dëshirash,
t’gjith të gzuem, me atë lloj shprese
që t’shtyen për n’mish pasionesh.
Dhe un prap të pashë, atje larg, tej…
Thellë përhumbjes tande t’zakonshme
të pashë qindra herë n’nji të vetme,
si mungesë e harrueme prej zinxhirëve
të ndamjes shpirt-kërrusun…

***

Dikush qau
zanin e ernave të mjelluna
vjetve t’gjatë.
Unë shtrëngoj grushtat
e uli kryet me pa në to
sa e vyshkun asht kuisja,
e dyerve ku kam kalue…

Lumi i kohës

E lidha trupin mbas lumit t’rrëmbyem
dhe u lirova n’vorbullat e mia.
Kur mbërrita në breg m’kishte humbë
fjala e kahershme në gur
e ftyra që pyeste në qiell.
Në duer mu bá se mbaja
nji tufë t’dendun flokësh
që ishin kohë e preme
tue pikue gjak…

ngjyra e mendimit...
ngjyra e mendimit…

***

I jam gëzue…
thatsinës t’arave në zheg
blerimit t’kopshteve që andrroj,
poteres s’lotit, përzie me jetë
e dashnisë që kam ça me daltë,
tue marrë frymë,
tej retinave të botës…

***

Nuk mërzitem
për asgjatë mbi krye…
m’grryen thellë krymi i tanësisë
pse s’asht e thjeshtë
me i jetue malet,
e me i vdekë hijet
duhet sosë çdo pikë drite.
Mkati ma i dënueshëm
asht mos me njoftë zemrën
at zemrën që shkallëve
për n’anën e ftoftë t’dheut
ulet përditë,
e që anës tjetër të qiellës
përditë i njitet…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.