back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Lukë Kaçaj (1924 – 2001) – guxoi me i ra Lahutës nga Fritz Radovani

Gazeta

Artisti i Operas Luke Kaçaj (1924-2001)
Artisti i Operas Luke Kaçaj (1924-2001)

Lukë Kaçaj (1924 – 2001) – guxoi me i ra Lahutës

nga Fritz Radovani

“Luka i kaloi vitet e fundit të jetës
si një Yll që digjet duke lënë gjurmë në qiellin tonë…”.
Me 7 shtator të vitit 2001,
kollosi i belkantos shqiptare dhe botërore
do të mbyllte sytë përgjithmonë nga kjo jetë,
të cilës i dha gjithshka dhe i mori thuajse asgjë…
Lukë Kaçaj do të mbetet përjetsisht yll vezullues
i qiellit të belkantos shqiptare e botërore,
drita e të cilit nuk do të zbehet kurrë…
Alfred Çapaliku
.
Shkodra Muzikore (Martin Gjoka ne fund)
Shkodra Muzikore (Martin Gjoka ne fund)

Ndër bjeshkët tona seicili lis ka një emën! E për me e gjetë atë lis ndalohu tek Shenjat e pushimit, ku mendja për pak minuta shetit tek rrugat e thepisuna mjedis shkambijve…

Kalldramet e tyne të bajnë me hupë ndër mendime e me kërkue me mend se, kush ishin të Parët e atyne Fiseve që, me “daltat e veta” lanë gjurmët e qytetnimit të hershëm!
Pa u kuptue aspak dikund hapet një grykë e veç, kur fillon me ndigjue përzi me kangë bylbylash fyellin e nji çobani që të ban me harrue ku je!
Brez mbas brezi ata këndojnë!
E ka disa shekuj që kanga e tyne nuk njeh mort! Notat muzikore fluturojnë me gjethët e ahut e të lisave nalt në ajër, veç kur i gjen të ruejtuna ndër arkat e stajanicave plaka…
Kur oxhakut asaj kullë i shtohet një djalë, kanga aty s’ka ma fund!
Ashtu pat ngja edhe në vitin 1924, me 24 Shkurt, në Bajzë të Kastratit në Malsi të Madhe, kur u le Lukë Kaçaj.
Luka porsa mor mend, ju kushtue Urdhnit Fretënve të Vegjël (OFM), dhe shkoi me vazhdue shkollën e tyne në Gjuhadol të Shkodrës, ku spikati zani i Tij…
Ishte i pari At Martin Gjoka, që dalloi talentin e rij dhe i tregoi rrugën e artistit të madh.
Ishte në Liceun “Illyricum” Luka, kur Mjeshtri i Madh i muzikës At Martini i vuni në ballë djaloshit Bajzës së Alpeve shenjën e përjetshme, të cilin Luka e mori me vete.
Gjejmë të shkrueme nga nxanësi i tij muzikant Loro Sata se: “Ato vite ai i kujtonte si kohën ma të bukur të jetës së Tij!” Kujdesi për Lukën nuk mungoi asnjiherë.
Mbas vdekjes së papritun të At Martinit, punën me Lukën e vazhdoi At Filip Mazrreku, i cili e mësoi me luejtë në armonio, organo dhe violinë, vegla të cilat ndodheshin edhe këto në Kuvendin Françeskan të Shkodres, ku Luka vazhdoi studimet deri në 1946.
Ishte viti 1996, kur e kam takue Lukën në shtëpinë e At Konrrad Gjolaj, në Shkodër…
Me hapjen e temës nga At Gjolaj, Luka më tregoi sesi kur po përmbytej Shqipnia nga komunizmi, në vitin 1946: “At Mati Prennushi thrret në Kuvend të Gjuhadolit babën e Lukës dhe i thotë: Koha sa vjen e bahet ma e rrezikshme për xhakoj ashtu si për ne, prandej, merre Lukën në shtëpi, sikur ai nuk do me ndejë ma këtu dhe mundohu me i dhanë rrugën e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu i ynë të mbyllet nga komunistët dhe të mos hapet ma… Kjo këshillë e At Matisë dhanë babës sim, më shpëtoi nga arrestimi i sigurt që në 1946… Gjithmonë e kam kujtue At Matinë me mirnjohje… ” (Dëshmi gojore e të ndjemit Lukë Kaçaj, Shkodër 1996).
.
Lukë Kaçaj - Moskë 1955
Lukë Kaçaj – Moskë 1955
Luka niset për Tiranë porsa hapet Liceu Artistik. Komisioni i pranimit mbetë i habitun nga përgatitja kulturore e muzikore e Lukës. Pranohet në 1947, në orkestrën e Radio Tiranës, por mbas dy muejsh pushohet nga puna si “ish nxanës i françeskanëve”, dhe shkon hamall në një magazinë në Yzberish. E ndihmon kompozitori Kristo Kono, asokohe deputet, tue e angazhue me korin e Filarmonisë. Luka fillon punën në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me njohuni si pakkush në disa gjuhë të hueja si, italisht, latinisht, greqisht dhe në mënyrë të përsosun gjuhën amtare, tue i vue në përdorim të vazhdueshem me leteratyrën botnore dhe kryeveprat e saja ma të njoftuna, si pasojë e studimeve fillestare, në vitin 1951 i hapë rrugën për studime jashta shtetit, në Moskë, në konservatorin “P. I. Çajkovski” në B.S., me një grup muzikantësh shqiptarë.
Luka paraqitet në konkurs dhe porsa përfundon së kënduemi, Drejtori i Konservatorit u çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkëlqyeshëm)”… E nuk do të vonojë, kur Shaporin deklaron: “Ky bas asht nji Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten, frëngjishten dhe gjermanishten. Në një turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja.
Me 28 Nandor 1958, ishte në “Balshoj Teatër” të Moskës dhe ka interpretue Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes” i Rosinit, ku populli moskovit e përshëndeti “tue e krahasue të një niveli me interpretimin e Shaljapinit, po në atë skenë”. Nga B.S. u kthye dhe bani disa turne në disa shtete ku, edhe ju kërkue “qëndrimi atje”… Luka nuk pranoi si para tij i madhi Loro Boriçi. Dashunia për Shqipni nuk i lente asnji shteg largimi.
Më 1966, emnohet pedagog i kantos në Institutin e Naltë të Arteve dhe jep kontributin e tij me vlerë në përgatitjen e brezit të ri të kangtarëve.
Po, nuk shkon gjatë…
Po me 1966… Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena!
“Mos vallë… ky asht fundi im…!?” Një pyetje që ju ngul në krye Lukës…
Parandjente atë që do të ngjiste me 28 Maji 1973… kur sigurimi i shtetit do t’i vinte hekrat në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura, me etiketën tashma të njoftun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i tij…”
Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e terroristë, kur Nana Tone me lot për faqe i lutej “trupit gjykues” për djalin e vet të pafajshëm. Tashma dënimi i tij asht i pashmangshëm. Luk Kaçaj u dënue me 5 vjet heqje lirie…

Revolucioni Kultural burgosi edhe artistin Lukë Kaçaj…

Luka ishte “armik i popullit” se kishte recitue vargjet e At Gjergj Fishtes, mësuesit të vet, dhe nuk kishte “harrue endè” me i ra në gjuhën e Tij “Lahutës së Malësisë”, të cilën e adhuroi deri në vdekje. Vargjet e saj rrethonin zemrën e madhe të Lukës!
Nuk munguen dishmitarët e angazhuem nga Ramiz Alia, si muzikanti Avni Mula, e të tjerë… Dosjet e artistëve ndoshta, do t’ishin ma befasueset se as nuk merret me mend kush ta bante gjamën për gjithë jetën, tue vazhdue pasojat edhe sot mbas 27 vjetësh…
.
Luke Kaçaj dhe Ana Jakova
Luke Kaçaj dhe Ana Jakova
Ana, zonja e Tij e nderueme nuk mungoi as ndër telat rrethues me gjëma të kampeve.
Luka u lirue nga burgu i “vogël” në vitin 1978, për me vazhdue dënimin e tij në burgun e “madh” me të gjithë Popullin Shqiptar. Artisti i Madh ishte i pa punë. Dyert ishin të mbylluna! Nji ditë nji shef kuadri “zemërmirë” i ofroi punë: “Kemi punë edhe për ty, vetëm hamall…” Luka tregonte: “Vetëm në ngarkim shkarkim të makinave, të karrocave mund ta fitojshe bukën për vete dhe për Anën… Lodhja fizike po, por ajo shpirtnore ma dërmonte shpirt e zemër!” Vazhdoi disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë… Në vitin 1988, e bukura Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun” për me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, mbylli vuejtjet e jetës e mbështetun për gjoksin e basit të njohun në Botë, me sy të ngulun tek Luka!
Gjendja shëndetsore e Lukës ishte e vështirë me u kuptue. Burri i madh e mbante veten!

.

Luke Kaçaj (1924-2001)
Luke Kaçaj (1924-2001)

7 shtator 2001, Luk Kaçaj nuk këndoi kurrma!

Komunizmi kërkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat botnore që e dishruen praninë e tij.
Luka me të vërtetë që interpretonte rolin e Gjinit tek opera “Mrika” e Prenkë Jakovës, tue i dhanë edhe vlerat e veta të malësorit të Veriut, po rolet që luente Luka ishin pjesë nga jeta e tij. Në kjoftë se arti botnor krenohet me artistët e Mëdhej Xhino Beki, Nikola Rosilomeno, Kolja Giaurov, Boris Kristov, Fjodor Shaljapin, edhe arti Shqiptar “një ditë” ka me rreshtue me ata kolosë, një shkamb të daltuem me kulturë Shqiptare e Europiane, që ra e u ba ortek nga majët e Atyne Maleve e, që na i thrrasim Bjeshkët e Nêmuna…
Sot nga luginat e atyne Maleve vazhdojnë me burue prroje me ujna të kthjellta…
Ne njohëm nji brilant të muzikës shqiptare që rrokollisen ata burime…
Po, Lukë Kaçaj, vështirë se i vjen ma atyne Alpeve Kreshnike… as Shqipnisë Europiane!
Melbourne, Maji 2017
 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. I dashur dhe i nderuar miku im i shtrenjtë dhe i vyer Jozef!
    Ju falenderoj përzemërsisht për vlerësimin e shënimit tim për të Ndriturin artist Lluk Kaçaj.
    Motra ime Rozmaria, ka shumë kujtime të shtrenjta me të. Ajo ishte vetëm 15 vjeçare kur fitoi konkursin në Konservatorin e P. I. Çajkovskij të Moskës për këngëtare dhe dirigjente kori. I ndrituri Llukë e donte dhe e vlerësonte shumë, aq sa i therriste “O Beci im!” Motra ka dhe një foto me të nga opera “Mrika” ku i ndrituri Llukë luan rolin e Gjinit dhe motra atë të Nënë Marës (motrës së Gjinit). Nëse ai vinte tek shtëpia e motrës këtu në Trieste dhe i hapte zemrën për shumë gjëra, që vehtem vehtes së tij ia thoshte do të thotë, që ata kanë qenë miq shumë të mirë dhe të vërtetë. Na erdhi shumë keq që ai nuk mori sado pak nga ç’ka meritonte kur ishte në këtë jetë. Ishte shumë krenar, por edhe krenaria ka një kufi, kur shikon se nuk vlerësohesh të paktën nga ata që gjoja sot iu vjen keq e thurin dithirambe për këtë Artist Gjigand. Ai fliste me shumë dashuri dhe krenari për nipërit me mua, dhe tek ata shpresonte të kishte mbështetje kur tha se do të kthehej. Na dhëmbi në shpirt ndarja me të, të gjithëve. Di dhe këtë, që me ka thënë motra: Ai e dinte kush e pat spiunuar etj., por përsëri si besimtar i krishterë që ishte i kish thënë: “Që i kanë detyruar…” , pra në një farë mënyrë i kishte falur…
    Ju uroj shëndet të plotë familjarisht dhe Penë të Artë! Suksese!
    Ju përqafoj familjarisht
    Zhuliana Jorganxhi

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.