back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Lufta e Shkodrës 1912-1913 – Ditar Anonim Parathënie – nga Hasan Bello

Gazeta

Lufta e Shkodres - Ditar Anonim
Lufta e Shkodres – Ditar Anonim

Lufta e Shkodrës 1912-1913 – Ditar Anonim

Parathënie nga Hasan Bello

Të dashur miq!
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se sapo ka dalë nga shtypi
një ditar anonim për Luftën e Shkodrës 1912-1913.
Bashkëngjitur, për më tepër informacion,
po botojmë parathënien e përgatitur nga ana jonë.
Hasan Bello

Parathënie

Lufta e Shkodrës kundër agresionit serbo-malazes në vitet 1912-1913-të, është një ngjarje madhore në historinë tonë kombëtare, së cilës nuk i është kushtuar rëndësia dhe vëmendja që meriton. Një problem tjetër lidhur me pasqyrimin historiografik të kësaj ngjarjeje është edhe mungesa e burimeve vendase. Në radhë të parë me këtë kemi parasysh memorialistikën dhe ditaret e personaliteteve të njohura që kanë qenë pjesë e kësaj lufte. Prandaj botimi i këtij ditari anonim, u pa si një kontribut modest për të hedhur dritë për një nga luftrat më të mëdha që shqiptarët kanë zhvilluar në shekullin e XX-të për mbrojtjen e atdheut të tyre.
Ky ditar gjendet i fotokopjuar në Arkivin Qendror të Shtetit dhe në origjinal në Arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës. Ai është botuar fillimisht në tre numra të revistës “Kumtari”, por rëndësia që ai ka si burim autentik dhe vështirësia që hasim për shfrytëzimin e periodikëve, na shtyu që ta përgatisnim si libër më vete. Kjo edhe si një përpjekje, që Lufta për mbrojtjen e Shkodrës, të gjejë vlerësimin e merituar nga institucionet shkencore, studiuesit dhe historianët.
Ditari përfshin harkun kohor nga 10 tetori 1912 deri më 27 prill 1913, kur lufta mer fund dhe qyteti kalon nën kontrollin e forcave malazeze. Ai konsiderohet anonim për shkak se emri i autorit nuk njihet. Nga të dhënat konstatohet se ai i përket besimit katolik. Kjo vihet re gjatë gjithë ditarit dhe shënimeve që ai përcjell lidhur me ngjarje të ndryshme.
Në përgjithësi ky ditar është objektiv. Të dhënat përputhen me dokumentacionin e kohës, studimet dhe librat memorialistikë që autorë të tjerë vendas e të huaj kanë shkruar për Luftën e Shkodrës. Sigurisht, që rrethanat e luftës nuk e kanë lejuar autorin të paraqesë një fotografim nga sipër. Por nga pozicioni ku ai ka jetuar (në lagjet katolike), hapësirën dhe personat me të cilët ai ka patur kontakt gjatë rrethimit. Për këtë arsye, do të përqendrohemi tek disa momente kryesore që pasqyrohen në këtë ditar.
Në shënimin e datës 12 tetor 1912, që përkon me fillimin e luftës, autori përshkruan sulmet e më pas hyrjen e forcave malazeze në Koplik me ndihmën e malësorëve shqiptarë. Këta të fundit ishin mikluar nga mbreti i Malit të Zi, Nikolla për të luftuar sëbashku me forcat e tij kundër ushtrisë osmane dhe redifëve (rezervistëve) shqiptarë, që luftonin për mbrojtjen e Shkodrës. Ai tregohet objektiv kur shkruan, se që në ditët e para, drejt këtij qyteti vërshuan redifë nga Durrësi, Kavaja, Elbasani, Tirana etj. Këta të fundit ishin thirrur nga Esat Pashë Toptani, i cili ishte komandant i tyre dhe konsideroheshin si mbështetës të tij. Kjo tregon se Lufta e Shkodrës ishte kthyer në një çështje kombëtare, për jetë a vdekje për shumë shqiptarë. Gjeografia e mobilizimit të këtyre forcave është një çështje e patrajtuar siç duhet në historiografi. A erdhi kjo vetëm për shkak të pamundësisë së Qeverisë së Përkohëshme e Vlorës dhe Ismail Qemalit për të ndihmuar Shkodrën? Kjo mbetet për t’u konfirmuar.
Në shënimin e datës 20 tetor 1912, autori shkruan për një letër që Hasan Riza Pasha, me cilësinë e komandantit dhe valiut, i kishte dërguar argjipeshkvit të Shkodrës, Jak Serreqit, në të cilën kërkonte mbështetje. Ai shkruan se nga letra nuk merrej vesh nëse valiu kërkonte ndihmë materiale apo njerëzore. Katolikët shkodranë, të frikësuar, kishin mbledhur një shumë prej 700 lirash. E vërteta është se, Hasan Riza Pasha kërkonte nga argjipeshkvi mbështetje politike. Kjo për shkak të asaj që u përmend më sipër, se malësorët katolikë, që nga kryengritja e vitit 1911, ishin implikuar me politikën malazeze. Prandaj një nga taktikat që do të ndjekë Hasan Riza Pasha dhe më vonë Esat Pashë Toptani, është bashkëpunimi me drejtuesit e klerit katolik për të influencuar tek kryetarët e malësorëve që të shkëputeshin nga forcat serbo-malazeze.
Në një shënim tjetër, autori thekson se drejtuesit e klerit edhe më përpara kishin bërë përpjekje për t’i pajtuar malësorët me administratën osmane. Por këto tentativa nuk kishin patur asnjë rezultat. Me kalimin e kohës, krerët e fiseve e kuptuan se po përdoreshin nga mbreti Nikolla. Prandaj, siç shkruhet në këtë ditar, malësorët të zhgënjyer, i kërkuan Nikollës që kësaj radhe të merrte angazhime me shkrim.
Nga ky ditar konfirmohet ajo që thuhet dhe në burime të tjera, se në Luftën e Shkodrës janë përdorur mjetet e para aeronautike për bomabardim, siç ishin balonat, nga malazezët dhe dy nga katër aeroplanë që posedonte ushtria serbe për vëzhgim. Nga ky këndvështrim, ajo ka shërbyer dhe si eksperiment për testimin e metodave bashkëkohore të luftës.
Në shënimin e datës 14 nëntor 1912, autori shkruan se “kisha dhe shkolla e shkjeve” në Shkodër, për t’u ruajtur nga bombardimi i artilerisë malazeze, kishte ngritur flamurin francez. Ky veprim u përsërit dhe pas disa ditësh, por kësaj radhe duke vendosur flamurin rus. Një polic i forcave të mbrojtjes e ngatërroi atë me flamurin malazez dhe e hoqi me forcë. Kjo bëri që konsulli rus të protestonte tek valiu, duke i thënë: “Nuk ma kanë njoftë bajrakun tem…”.
Në fletët e këtij ditari konfirmohet vështirësia ekonomike e popullsisë shkodrane dhe e forcave të mbrojtjes. Autori jep të dhëna interesante rreth çmimit të produkteve ushqimore; inflacionit, abuzimit me çmimet, luhatjes së tyre nga dita në ditë dhe rreth përpjekjeve të komandës për të burgosur tregtarët që përpiqeshin të abuzonin.
Në ditar, autori flet për presionin që propaganda malazeze bënte direkt ose indirekt nëpërmjet personave të infiltruar, të cilët përhapnin disfatizëm në mesin e popullsisë. Për këtë, ajo shfrytëzoi nënshkrimin e paqes mes Perandorisë Osmane dhe aleatëve ballkanikë, dorëzimin e Edirnesë dhe Selanikut, madje ende pa u nënshkruar këto marrëveshje.
Nga shënimi i datës 18 dhjetor 1912, ku flitet për autonominë e Shqipërisë nën kujdesin e Austro-Hungarisë dhe Italisë, nxjerrim konkluzionin se autori ishte i mirëinformuar për mbledhjen e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (17 dhjetor 1912) dhe, për vendimet që ajo do të merrte lidhur me statusin e ardhshëm të shtetit shqiptar. Këtë informacion mund ta kishte vetëm një person, i cili kishte raporte konfindenciale ose me konsullatën austro-hungareze ose me atë italiane.
Në të gjitha shënimet konstatohet se bombardimi i qytetit është bërë kryesisht gjatë natës. Kjo për të ngjallur panik në mesin e popullsisë dhe për ta detyruar komandën e mbrojtjes që ta dorëzonte qytetin sa më shpejt.
Autori shkruan se në fund të dhjetorit 1912, mes komandantit Hasan Riza Pasha dhe, zëvendëskomandantit Esat Pashë Toptani kishte patur dy përplasje “por i kishin hi ndërmjet asqeria e të mdhajt”. Kjo tregon se mosmarrëveshjet mes tyre lidhur me taktikën e luftës dhe çështje të tjera kishin shpërthyer hapur në sy të ushtarëve dhe drejtuesve kryesorë të shtabit.
Por një nga shënimet më interesante të këtij ditari është ai datës 26 janar 1913, ku autori shkruan: “Do thonë edhe qi Hasan Rizaja, komandari i Shkodrës, i ka thirrë t’parët e myslimanëve e u ka thanë: “Çka doni me ba se unë po dal e po e la!”. Ata i kanë thënë qi “kur t’vinë koha me dalë, na dona me ju pshtetë Austrisë”. Valiu i paska sha tue ju thanë se, “si nuk ju vjen marre me thanë ashtu. Kështenimi i Shkodrës me rrethe thonë me kenë n’vedi e ju doni Austrinë”. Kjo konfirmon faktin se Hasan Riza Pasha kishte vendosur që të tërhiqej nga Shkodra bashkë me ushtrinë osmane dhe këtë ia kishte bërë të qartë parisë myslimane, e cila shpëtimin e shihte tek vazhdimi i qëndresës dhe mbështetja austro-hungareze. Të njëjtën gjë mendonte edhe Esat Pashë Toptani e oficerët shqiptarë. Sipas tyre, tërheqja e forcave osmane nga Shkodra do të shoqërohej me masakrimin e popullsisë. Përpjekja për ta bindur Hasan Riza Pashën që të hiqte dorë nga ky plan absurd rezultoi e kotë. Kjo bëri që të mos i mbetej asnjë alternativë veçse ta vrisnin Hasan Rizain dhe të vazhdonin qëndresën derisa Fuqitë e Mëdha të vendosin përfundimisht për fatin e Shkodrës. Në këtë ditar ngjarja e mësipërme përshkruhet me këto fjalë: “Sonde në nji e gjysë sahatin natë, Hasan Rizaja, komandari i Shkodrës, tue dalë prej Esat Pashë Tiranës bashkë me javerin e vet, kje gjue pushkë e vra. Nuk dihet se kush e ka vra, sado qi rrugët u mbyllën me të shpejt. Do thonë se qenë 4 asqerë shqyptarë, do tjerë thonë ndonji mysliman shkodran e do tjerë thonë qi ka ardhë ndonji prej anmikut, ka hi n’sheher dhe e ka vra” (30 janar 1913). Qëndresa për të mbrojtur qytetin pas vrasjes së Hasan Riza Pashës vazhdoi më me intensitet. Ajo tashmë drejtohej nga Esat Pashë Toptani.
Autori përshkruan ardhjen e negociatorëve malazezë për ta bindur Esat Pashën që ta dorëzonte qytetin, por ai e refuzoi. “Thonë qi ata kanë bisedue me Esat Pashën për me e lëshue Shkodrën, por Esat Pasha nuk i ka ndigjue!” (3 shkurt 1913). Në fakt, betejat më të ashpra për mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni serbo-malazez do të zhvillohen në periudhën kur komandonte Esat Pasha. Kjo konfirmohet nga dokumentacioni dhe dëshmitarët okularë. Një fakt i tillë pranohet në librin e dy oficerëve turq, gjeneral lejtënant Abdurrahman Nafiz dhe gjeneral brigade Kiramettin, bashkëpunëtorë të Hasan Riza Pashës e Esat Pashë Toptanit dhe anëtarë të shtabit drejtues.
Ky libër është botuar për herë të parë në vitin 1933, dhe ribotuar në vitin 2007. Prandaj akuzat për “shitje”, “dorëzim” etj, etj, me qëllimin denigrimin e Esat Pashës a priori nuk kanë bazë faktike. Kjo dëshmohet dhe nga shënimi i datës 8 shkurt 1913: “U fol qi Esat Pasha kishte shkue me ndej n’nji vend e kishte gjetë edhe nji prej korculladesh, qi e kishte pyetë se “çka ke n’mend me ba?”. Esati i kishte thanë se, “deri kur t’mundem po e mbaj e kur ta shoh se s’mundem ma, po e çoj flamurin e Shqypnisë e t’vijnë e hinë mbasandej mbrendë!”.
Sipas mbrojtësve të Shkodrës, një nga shkaqet e epërsisë së forcave malazeze ishte mbështetja ushtarake që ato merrnin nga Serbia, por pse jo edhe përkrahja e malësorëve shqiptarë. “Po thonë qi serbi i ka çue nja 20.000 vetë asqerë Malit t’Zi për ndihmë. Asqerët (është fjala për ushtarët që mbronin qytetin – H.B.) qi kanë ik thoshin se “na batisi malcija qi vjen e na këcen ndër istikame, se për malazezët nuk kena zor”.

Doreshkrimi i Ditarit Anonim
Doreshkrimi i Ditarit Anonim

Pavarësisht rrethanave ekstreme dhe kequshqyerjes, në radhët e mbrojtësve nuk mungonte humanizmi. “Kur i kanë çue me hangër nishanxhi-taborit, ata nuk e kishin mbajtë bukën tue i thanë: “Danje nëpër fukara se nuk asht koha me hangër bukë” (9 shkurt 1913). Kjo deklaratë rrënqethëse vinte kur armiku kishte 72 orë që bombardonte qytetin dhe popullsinë pa pushim.
Lufta po kalonte limitet e mbijetesës njerëzore nga dita në ditë. Megjithëse Perandoria Osmane kishte nënshkruar paqe me aleancën ballkanike, drejtuesit e mbrojtjes dhe paria ishte e vendosur për të rezistuar në maksimum. Në shënimin e datës 10 shkurt 1913, autori shkruan: “Sot nade duel tellalli e tha: ‘Emni i hyqymetit, për hatër të Pejgamberit, t’Zotit e t’Vatikanit, kush t’jetë mysliman qi asht i zoti për pushkë, t’vinë n’Fushëqelë e t’marrin pushkën’ Thonë qi dje i ka mbledhë (Esati-H.B.) t’parët e myslimanëve e i ka thanë: ‘Çka doni me ba se Stambolli na ka lëshue?’ Por këta i kanë thanë se ‘deri ku t’mundena duem me e mbajtë!’ Ajo që të bën përshtypje është fakti se vendimet e marra nga shtabi i mbrojtjes që drejtohej nga Esat Pasha, konsultoheshin me parinë e qytetit. Kjo hedh poshtë akuzat për tradhëti. Kështu, në shënimin e datës 13 shkurt 1913, shkruhet “Kësaj jave janë mbledhë asqeria e myslimanët e i paska thanë Esat Pashë Tirana “çka doni me ba?”. Thanë qi tri hise janë ba razì me ja lëshue e nji hise ka thanë jo. Do tjerë thonë qi të tanë janë ba razì salldé. Tepia (lagje – H.B.) nuk ndigjon”.
Situata u rëndua me depërtimin e forcave serbe afër Beltojës dhe Bërdicës. Në qytet nuk gjendeshin më as dru, as lakër, as purri, as mish, as bukë, as bereqet e shumë sende të tjera. Ndërsa çmimet shkuan në stratosferë dhe monedhat nuk hynin më në punë, aq sa lypësat thonin “Nuk due pare, por due bukë se u fika unit”. Kjo gjendje po e çonte qëndresën drejt fundit. “Edhe Esat Pasha paska mbledh t’parët e t’kshtenëve e t’myslimanëve e i paska thanë: “A mundeni me qindrue edhe 15 ditë?” Myslimanët i paskan thanë se, “edhe 15 ditë mundena me qindrue, por ma tepër jo!”. E t’kshtenët i kanë thanë se: “edhe 4 ditë s’dijmë a mundena me qindrue!”. Po thonë qi nja 50 kuaj i paskan vra se kashta e elbi asht marue e s’kanë me çka me i mbajtë” (2 mars 1913).
Për të shtuar presionin mbi banorët, nuk u kursyen nga bombardimet as lagjet e katolikëve. Vetëm më 4 mars, në qytet u hodhën 200 gjyle të mbushura me dinamit, të cilat i shkulnin shtëpitë me themel. Njëra prej tyre ra mbi Kishën e Madhe dhe, një tjetër në një shtëpi pas asaj të ipeshkvit.
Krahas kësaj, ushtria malazeze vazhdoi negociatat për të bindur Esat Pashën që ta dorëzonte qytetin. “Duket se kanë ardhë me i thanë “çka po ban, a po don me na lshue, apo ta baj ma zi”. Por Esat Pasha, – çka duket terezia, – i ka thanë: “ban çka të duesh se unë s’ta l’shoj”. Po thonë qi edhe nji herë tjetër kur paskan ardhë, i ka thanë kumandari i Taraboshit qi “si s’keni marre me ardhë, edhe s’keni pse vini me na lutë për kët punë, se pa gjak s’e l’shojmë” (14 mars 1913).
Për shkak të mungesës së bukës, ushtria dhe popullsia filloi të ushqehej me mullaga, hithra, farë lini, lëkura pemësh, breshka, bretkosa, kaçamill, kafshë të ngordhura etj, etj, duke shkaktuar çdo ditë shumë të vdekur për shkak të helmimit. Në radhët e disa mbrojtësve pakënaqësia shpërthye hapur. Esat Pasha u përpoq t’u jepte zemër. “Sot, tue bisedue me nji asqer shqyptar prej Elbasanit, tha: “Qi sot presin se kto punë marojn, edhe flamurin e Shqypnisë kena ba gadi e asht sa kiameti!” Dje janë mbledhë muhaxhirët e Postribës, t’Krajës e anëve tjera e kan shkue me kja hall te Esat Pasha, tue thanë qi: “ne ma nuk mundena me qindrue!”. Por Esat Pasha i ka thanë: “Duroni deri t’dielë”. E muhaxhirët i kanë thanë: “Jo, na po t’presim deri t’hanën. T’hanën s’na banë derman, ne t’lamë pushkën!”. Dje e pardje kanë ik nja 50 vetë shqyptarë e kanë dalë n’hudude t’serbit e po thonë qi po s’u krye më shpejt, kanë me ik e me i ra anmikut n’dorë” (21 mars 1913).
Afërsisht tre javë mbasi Konferenca e Ambasadorëve në Londër kishte vendosur që Shkodra t’i mbeste shtetit shqiptar, Esat Pashë Toptani, ushtria dhe popullsia shkodrane vendosi të nënshkruante marrëveshjen e armëpushimit dhe të dorëzimit të qytetit tek malazezët. Misioni ishte realizuar. Austro-Hungarisë dhe Italisë iu dha preteksti të luftonin në favor të çështjes shqiptare. Ndërsa në aspektin diplomatik, hyrja e ushtrisë malazeze, ishte vetëm një skenar i përkohshëm.
Në historinë e artit ushtarak marrëveshja për dorëzimin të Shkodrës është nga më të rrallat dhe më dinjitozet. Për dorëzimin e kalasë, sipas dy oficerëve turq të shtabit drejtues, u ndoqën të gjitha protokollet e luftës.
Hyrja e forcave malazeze nuk u prit njësoj nga të gjithë banorët.
Sipas shënimit të datës 24 prill 1913: “T’parët e koçobashi i t’kshtenve deri n’pazar edhe fmija, djelm e vajza t’shkollës s’shkjeve e nji shkja Shkodre i kishte pri me bajrak t’Malit t’Zi edhe dy bajrakë tjerë fejet mbrapa. E shkojshin tue këndue e tue bërtitë: “Zhivio krajl Nikolla” (“Rroftë mbreti Nikolla” – H.B.), por kërkush nuk i ndihmonte e u dukshin keq”. Fatkeqsisht disa krerë të malësorëve katolikë që kishin mbështetur agresionin serbo-malazez filluan të lëviznin lirshëm bashkë me “çlirimtarët”. “Sonde kan ardhë kah Shtoji krenët e Grudës e thanë qi t’shtunën vjen edhe Dedë Gjo (Luli) me t’parët e Malcis”; “{…} mramë kanë ardhë Sokol Beg Baci, Mehmet Shpeni, Mirash Luca, t’birt krent e Grudës” (25 prill 1913).
Me 26 prill, komandanti i ushtrisë malazeze vendosi një shpallje në të katër anët e qytetit ku, pasi lavdëronte veten, deklaronte se: “po gzohem qi m’keni pritë mirë edhe mos kujtoni se kam me ju kqyrë me sy t’mirë e kam me ju shikjue të tanve njisoj, e un kam ardhë për t’mirën tuej, me ju skapullue prej osmanllisë, prej t’cilit t’parët tuej kan hjekë keq e u mushnë n’kët muaj 435, vjet qi osmanllija ka hi n’kto vende e shum të tjera fjalë t’mira flitte për ne”. Thotë qi thoni t’gjith me një gojë me ushtrinë teme, tri herë: “Zhivio, zhivio zhivio krajl Nikolla” (“Rroftë, rroftë, rroftë mbreti Nikolla” – H.B.) Kjo letër ishte e shkrueme nashke (në gjuhën malazeze – H.B.) e shqyp”.
Ky ditar anonim i shkruar nga një shqiptar katolik mbetet një nga burimet më autentike dhe më objektive për Luftën e Shkodrës. Ai radhitet, për nga rëndësia, krahas ditarit të gazetarit italian Gino Berri dhe atij të gruas së konsullit austro-hungarez, Hortense von Zambaur.
Hasan Bello

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.