back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Lufta e Klasave – Kanceri i Politikës Shqiptare – nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Thanas L. Gjika
Thanas L. Gjika

Lufta e Klasave – Kanceri i Politikës Shqiptare

nga Thanas L. Gjika

Gjatë shekujve XIX dhe XX mbisunduan dy mënyra qeverisjeje, ajo e qeverisjes sipas kushtetutës borgjeze, krijuar prej Napoleon Bonapartit, dhe ajo e qeverisjes diktatoriale provuar së pari prej Komunës së Parisit dhe pastaj prej Partisë Komuniste Bolshevike e partive nazifashiste. Vladimir Iliç Lenini, për të marrë dhe mbajtur pushtetin me partinë e tij si forcë e vetme politike ngriti në parim luftën e klasave për të eliminuar partitë e tjera politike dhe individët që nuk ndiqnin programin e partisë së tij. Kështu Lenini arriti të instalonte Pushtetin e Sovjetëve. Pasuesi i tij, Josif Visarjonoviç Stalini e zbatoi me zell më të madh parimin e luftës së klasave, duke u shkaktuar popujve të Bashkimit Sovjetik 20 milion viktima, pra shumë më tepër viktima sesa u shkaktoi L2B. Një rrugë të tillë ndoqën për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit edhe partitë e tjera komuniste, të cilat deri në vitin 1990, e rritën numrin e viktimave të sistemit komunist në 100 milion njerëz.
Nga ana tjetër demokracitë borgjeze ishin qeverisur sipas parimeve kushtetuese, të cilat i pati pasuruar Abraham Linkolni në mbarim të Luftës Civile, kur ky dha një shembull human për të shuar urrejtjen midis forcave kundërshtare. Ai u tha ushtarëve të tij se kundërshtarët e mundur nuk duheshin parë e trajtuar me urrejtje, sepse ata “janë bashkëqytetarët tanë”. Pak kohë më vonë, kur u zgjodh president për të dytën herë, Linkolni theksoi: “Vendi do të qeveriset me drejtësi, pa keqdashje për askënd”. Këto thënie u kthyen në parime dhe kështu u krijua uniteti kombëtar i kombit të ri amerikan, i cili u mobilizua i gjithi pa asnjë dallim për zhdukjen e pasojave të luftës dhe për zhvillimin e vendit.
Në këtë rrugë, në rrugën e krijimit të unitetit kombëtar, hyri dhe populli shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, kur intelektualët atdhetarë, për të kapërcyer ndarjet dhe përçarjet e shkaktuara nga pushtuesi osman, përpunuan ideologjinë tonë nacionaliste. Ata krijuan parulla mobilizuese si “Atdheu mbi të gjitha”, “Liri, a vdekje”, “Për lirinë e atdheut jap jetën”, etj. Ky lloj morali vijoi të frymëzonte rininë tonë edhe gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare, kur nëpër shkolla këndohej: “Do vijë koha përsëri/ kur flamuri kuq e zi/ do valojë mbi Kosovë e Çamëri”.
.
Ibrahim Kodra - Lufta për Paqen (vaj mbi kanavacë)
Ibrahim Kodra – Lufta për Paqen (vaj mbi kanavacë)
Më 7 prill 1939, sulmit të ushtërisë fashiste iu kundërvunë forca shqiptare të ushtrisë mbretërore, të xhandarmërisë dhe disa vullnetarë popullorë. Në luftimet e asaj dite ranë 15 dëshmorë: dhjetë në Durrës, dy në Vlorë, një në Sarandë, një në Berat dhe një në Shkodër. Shumë shpejt atdhetarë të krahinave të ndryshme si Abaz Kupi, Safet Butka, Selim e Myslim Peza, Muharrem Bajraktari, Riza Kodheli, Haxhi Lleshi, etj krijuan çetat e para të armatosura dhe filluan luftën për ta kundërshtuar pushtimin fashist. Natyrisht rezistenca e 7 prillit dhe çetat e para të armatosura, kishin mungesa në organizimin e tyre. Çetat e para atdhetare që u pasuan më vonë dhe nga çetat që krijoi organizata patriotike “Balli Kombëtar” ishin të ngjashme me çetat e Rilindjes Kombëtare. Disiplina dhe ndërlidhja e tyre ishin të dobëta. Kurse çetat partizane që krijoi Partia Komuniste gjatë pranverës së vitit 1942 e më vonë, u shquan për organizim, disiplinë, ndërlidhje dhe komandë të përqendruar. Pikërisht me këto tipare çetat partizane korrën suksese dhe fituan simpatinë e aleatëve dhe të shtresave të varfra të popullit shqiptar. Dihet se Partia Komuniste Shqiptare dhe çetat e saj të armatosura u krijuan sipas udhëzimeve të Stalinit, udhëzime që i vunë në zbatim tek ne të dërguarit e Josif Broz Titos. Enver Hoxha, i vënë në krye të PKSH-së prej tutorëve jugosllavë, Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, u nxit prej tyre që të bashkohej me forcat antifashiste nacionaliste me qëllim që shpejt a vonë të delte mbi to dhe t’i eliminonte. Me këtë synim ai dhe forcat e tij morën pjesë në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, ku u zgjodh Këshilli i Përgjithshëm Nacional, i cili u quajt pak më vonë prej PKSH-së Këshilli Nacional-Çlirimtar. Më tej të dërguarit e Titos e shtynë Enver Hoxhën që të dërgonte përfaqësuesit e PKSH-së në Tapizë e Mukje, ku më 3 gusht 1943 u hartua Marrëveshja e Mukjes, e cila zgjodhi Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do të luante në fund të luftës rolin e një qeverie provizore deri në zgjedhjet popullore kur do të përcaktohej forma e regjimit politik. Mirëpo tutorët jugosllavë e detyruan Enver Hoxhën që ta mohonte Marrëveshjen e Mukjes dhe brenda shtatorit 1943 me anë të një shkresë sekrete të firmosur nga “Shpati”, pseudonimi i Enver Hoxhës, u urdhëruan organizatat bazë të PKSh-së që ta shpallnin tradhëtar “Ballin Kombëtar” në mbarë Shqipërinë londineze dhe ta luftonin si armik edhe pse deri atëhere forcat e kësaj organizate kishin luftuar në bashkëveprim me forcat partizane kundër pushtuesve italianë. Disa javë më vonë udhëheqja e PKSH-së shpalli “armiq” edhe forcat që drejtonte Abaz Kupi, udhëheqësi i rezistencës së 7 prillit 1939 dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm Nacional/ Këshillit Na-Çl.
Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha e mësuan Enver Hoxhën që me çdo kusht të luftonte që PKSH-ja të zbatonte pa hezitim parimin e “Luftës së klasave”, luftës për asgjësimin e të gjitha forcave politike e ushtarake dhe të individëve që nuk përputheshin me vijën politike të PKSH-së. Duke shfrytëzuar rrethanat e luftës, PKSH-ja filloi veprimet për t’u shpallur si forca e vetme luftarake antifashiste me qëllim që të merrte në fund të Luftës Antifashiste pushtetin si forcë e vetme politike. Kështu ajo arriti që në fund të L2B të delte fitimtare dhe të instalonte qeverinë e vet komuniste. Kjo qeveri e konsideroi luftën e klasave motor lëvizës të shoqërisë shqiptare, ndonëse kjo lloj politike dëmtonte unitetin kombëtar dhe nuk sillte çlirimin e forcave të brendshme të kombit për t’u mobilizuar për zhvillimin e vendit. Enver Hoxha, thirrjet e rilindasve “Atdheu mbi të gjitha”, “E jap jetën për atdheun” i zëvendësoi me parullat “Partia mbi të gjitha”, “E jap jetën për partinë”. Sipas tij partia ishte më e rëndësishme se atdheu.
Me arrestime, burgime, internime, pushkatime të atyre që mendonin ndryshe, ose që i dukeshin Enver Hoxhës se mendonin ndryshe, vijoi sundimi i diktaturës së proletariatit deri në vitet 1990-1991, kur u pranua edhe tek ne kapitullimi i këtij regjimi.
Në vitin 1992 intelektualë të shquar shqiptarë menduan se erdhi koha që politika shqiptare të largohej nga urrejtja që kishte mbjellë politika e luftës së klasave dhe të ndiqej një politikë humane për të realizuar pajtimin midis dhunuesve dhe të dhunuarve (përndjekësve dhe të përndjekurve), pra për të arritur paqësisht tek uniteti kombëtar, aq i nevojshëm për popullin tonë të përçarë nga ideologjia komuniste.
Para se të largohej nga jeta në mars 1992, Martin Camaj, poeti i lartësive, si e quan Frank Shkreli, shkroi:
“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!/ Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë/ Si bima prej fare në pranverë”.
Ky mesazh human dëshmonte se poeti qëndronte larg hakmarrjes, larg inatit e zemërimit që mund t’i shkaktonin një njeriu të zakonshëm përndjekja dhe mohimi që i kishte bërë regjimi komunist.
Po ashtu, luftëtari i të drejtave të njeriut, Profesor Sami Repishti, ish i burgosur, në gusht 1992 shkoi nga Amerika në Shqipëri për të ndihmuar në ecurinë e proceseve për demokratizimin e jetës e të pushtetit. Sapo zbriti në Rinas ai deklaroi para gazetarëve: ‘Kthehem në atdhe me dashuni për të gjithë dhe me urrejtje për asnjeri’.
Studiuesi i talentuar, Profesor Rexhep Qosja, shkoi nga Prishtina në Tiranë për të diskutuar mundësinë e arritjes së pajtimit kombëtar midis përndjekësve dhe të përndjekurve. Nga Parisi shkroi dhe Ismail Kadareja për këtë problem. Mirëpo Partia Socialiste, forca politike që mbante në gjirin e vet ish-komunistët dikur të pushtetshëm në formacionet e PPSH-së, të shtetit dhe të Sigurimit, nuk kërkoi të falur për bëmat kriminale dhe gabimet e shumta që kishin shkaktuar lëndime të rënda në më shumë se një të tretën e popullit. Gjatë vitit 1992 e më vonë, kur kishte ardhur koha e tyre, të përndjekurit nuk shprehën asnjëherë ndjenja hakmarrjeje ose revanshi. Visar Zhiti, Atë Zef Pëllumbi, Eugjen Merlika, Lek Pervizi, Lazër e Jozef Radi, Uran Butka e shumë të dënuar të tjerë botuan vepra memuaristike, poezi, analiza e romane, ku zotëronte humanizmi dhe jo urrejtja klasore. Por, përderisa shkaktarët e krimeve nuk kërkuan të falur, viktimat nuk kishin si dhe pse t’i falnin përndjekësit e tyre të papenduar. Kështu në shoqërinë shqiptare paskomuniste nuk u arrit pajtimi kombëtar për shkak se në Partinë Socialiste nuk pati intelektualë largpamës që të ngriheshin mbi urrejtjen klasore dhe të vlerësonin si duhej nacionalistët, ballistët, legalistët dhe dëshmorët e tyre që kishin rënë gjatë Luftës Antifashiste nuk u vendosën në panteonin e Vorrezave të Kombit. Për fat të keq edhe Partia Demokratike, Partia Republikane etj të mbushura me ish-komunistë e ish-sigurimsa, nuk patën intelektualë vizionarë për të gjetur rrugën e pajtimit kombëtar. Lufta e dikurshme e klasave nuk u shua, nacionalistët, ballistët e legalistët urreheshin si më parë. Pronat që ua kishte marrë regjimi komunist, partitë e reja sa herë erdhën në pushtet nuk ua kthyen, por u dhanë disa copa letrash dhe i sorollatën e po i sorollatin nëpër gjykata. Ata u lanë jashtë lojës politike, asnjë post me rëndësi vendimmarrës nuk iu dha të përndjekurve të komunizmit. Të përndjekurit nuk u trajtuan si bashkëqytetarë të barabartë, si veproi A. Linkolni.
Në vitet 1991-1992 dhe më pas parimi i luftës së klasave zbatohej në heshtje pa bujë. Tashmë ai u pasurua dhe me luftën midis anëtarëve e simpatizantëve të partive të reja politike. Anëtarët dhe simpatizantët e PS-së sulmonin e sulmojnë me sharje e shpifje anëtarët dhe simpatizantët e PD-së, PR-së e partive të tjera opozitare dhe anasjelltas. Kjo luftë e re bëhet sa për tym e tifozllëk për t’ia marrë mendjen popullit, ndërkohë që sipas planit katovica, besnikët e PKSH/PPSH-së gëzojnë pasuritë dhe pushtetin.
Kjo luftë vijon dhe sot duke e gërryer shoqërinë shqiptare si kanceri. Kjo luftë pas vitit 1992, kur u ndërrua sistemi ka qenë dhe është absurde. Atë e mban gjallë plani Katovica, i cili duhet shkatërruar bashkë me klasën e korruptuar politike, që e zbaton. Uroj që Vetingu dhe Reforma në Drejtësi ta shpëtojë politikën shqiptare nga mendësia e luftës së klasave dhe korrupsioni. Përndryshe populli, sidomos rinia, ka për detyrë të ngrihet në një lëvizje demokratike të re më serioze e më të programuar se lëvizja e studentëve të dhjetorit 1990. Duhet krijuar një qeveri me njerëz që konkurojnë sipas aftësive dhe jo sipas besnikërisë ndaj kryetarëve të partive politike. Njerëz që, jo vetëm të thonë me fjalë se janë aleatë të SHBA-ve, por të zbatojnë parimet e kushtetutës amerikane që të qeverisin vendin me drejtësi, pa keqdashje për askënd, që të jenë të barabartë përpara ligjit dhe të kontrollueshëm. Dhe kur të kërkohen për të dalë para gjyqit të dorëhiqen nga posti, si ka vepruar e veproi zoti Ramush Haradinaj, ish-kryeministri i Republikës së Kosovës…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.