back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Llesh Lleshi (Lleshi i Zi i Gjomarkajve) (1772-1837) kapidan i shquar, drejtues i luftëtarëve mirditas . nga Nikollë Loka

Gazeta

Llesh Lleshi (Lleshi i Zi 1772-1837)
Llesh Lleshi (Lleshi i Zi 1772-1837)

Llesh Lleshi (Lleshi i Zi i Gjomarkajve) (1772-1837)

kapidan i shquar, drejtues i luftëtarëve mirditas

nga Nikollë Loka

Lindi në Orosh, në atë vit kur i ati, Llesh Gjon Marku ishte vrarë në një betejë të zhvilluar me Begollajt e Pejës, në Lakun e Pyllës mbi Thirrën e Fanit, aty ku ndahej kufiri me Shëmrinë. Lleshi u rrit nën përkujdesjen e vëllait, Preng Lleshi, u bë shumë i zoti dhe e shoqëroi atë në të gjithë betejat. Për shkak të ashpërsisë me të cilën luftonte, por edhe të pamjes zeshkane, u quajt Lleshi i Zi. I frymëzuar nga bëmat e tij, Fishta e ka përshkruar Lleshin e Zi me përmasa mitologjike në veprën e tij “Lahuta e Malcis”. Lleshi ka formuar degën e Gjomarkajve që vazhdoi me të birin Markun, nipin Gjonin dhe stërnipin Kapidan Marka Gjonin e pasardhësit e tij.
Lleshi i Zi mori pjesë në shumë beteja kundër malazezëve dhe pashallarëve Bushatas; udhëhoqi forcat e Mirditës që shtypën rebelimin e bejlerëve tiranas, si dhe fitoi luftën me Pashë Sakatin e Matit (1821), duke ia bashkangjitur Mirditës tre bajrakët e Kthellës.
Bashkë me Kapidan Dodë Prengën, nipin e tij dhe me një repart mirditasish shërbeu në oborrin e Ali Pashës si Garda personale e tij. Mirditorët e komanduar nga Lleshi i Zi nuk pranuan t’i masakronin kardhiqiotët dhe hormovitët e lidhur, por i kërkuan Ali Pashës që t’i zgjidhte, t’u jepte armët dhe atëherë ata (mirditasit) do të ndesheshin me ta.
Problemet lindën pas vdekjes së nipit, Dodës, të helmuar në Kotorr në vitin 1828. Sipas Kanunit, paria i takonte Bibë Dodës, atëherë 8 vjeç, ndërkohë në komandë të punëve ishte Kapidan Lleshi i Zi, xhaxhai i të atit. Një kapërcim i tillë parie dukej i papranueshëm, por pas shumë debatesh midis krerëve të Mirditës, paria i kaloi Bibë Dodës, atëherë 8 vjeç dhe, deri sa të burrërohej ai, do të drejtonte xhaxhai Nikollë Prenga, si regjent.
Në ato vite, Lleshi i Zi u angazhua në krye të forcave të Mirditës që bashkë me forcat e tjera gege, të udhëhequra nga Mustafë Pashë Bushati shkuan për të shtypur revolucionin grek. Me 21 gusht 1823, në Karpenisi, ku ishte vendosur shtabi i luftëtarëve shqiptarë, heroi arvanitas   më pak luftëtarë, pasi vrasin rojet e jashtme të kampit, në nxitim e sipër, vetë futet gabimisht në çadrën ku ishte Lleshi i Zi, i cili i alarmuar nga krismat e pushkëve, ishte zgjuar dhe e vret Marko Boçarin në vend.
Pas ekspeditës së Greqisë trupat e Mustafë Pashë Bushatit dhe të Lleshit të Zi shkuan në Filipe (Plovdiv) të Bullgarisë, ku i zuri dita e Pashkëve. Lleshi dërgoi priftin që e kishte me vete për t’u interesuar se kur mund ta jepte meshën për mirditasit, por kleriku kishte marrëpërgjigjen se mesha do të jepej natën, pasi nuk e lejonin ortodoksët vendës. Lleshi i Zi dha urdhër që mesha të jepej publiksht ditën. Me këtë rast Mustafa Pasha shpalli lirinë e katolikëve në Bullgari dhe u kërkoi vendasve që ta respektonin besimin fetar të secilit. Që nga ajo kohë u legalizua besimi katolik në Bullgari.
Pas përfundimit të luftës, në vitin 1831, Sadrazemi Reshid Pasha, i hoqi Pashait Bushatas një pjesë të sundimit të tij, por ai nuk e pranoi dhe, bashkë me ushtrinë që komandonte dhe me forcat mirditase si aleate, e sulmoi ushtrinë turke në mars të vitit 1831, në Sofje dhe e pushtoi qytetin, por në maj Reshit Pasha mundi t’i nxirrte nga qyteti. Beteja tjetër u zhvillua në Kodrat e Babunës (1832), ku falë qëndresës së forcave mirditase të udhëhequra nga Lleshi i Zi, ushtria shqiptare mundi të tërhiqej deri në Shkodër e të futej në kala, ku u rrethua nga ushtritë turke të komanduara nga Daut Pasha (1832). Pas një rrethimi të gjatë, në kushtet e pamundësisë për të rezistuar, ushtria shqiptare dorëzohet. Lleshi i Zi internohet në Janinë, ndërkohë që Mustafa Pasha qe dënuar me vdekje, por me ndërhyrjen e Austrisë i falet jeta dhe emërohet Vali i Medinës. Lleshi i Zi lirohet qëllimisht nga burgu pas vrasjes së dy të bijëve dhe si rezultat i intrigës turke, plasi vëllavrasja në familjen e Gjomarkajve, ku mbeti i vrarë edhe Kapidan Lleshi i Zi (1837).
Ndër veprat e kryera nga Lleshi i Zi janë blerja e livadheve të Ndërfushazit prej banorëve të Ndërfanës dhe ndërtimi i kanalit me gjatësi 5,5 km që dhe sot mban emrin e tij, i cili vadit tokat e Ndërfushazit, Ndërfanës dhe Shterrës. Kanali i Lleshit të Zi ka një artitekturë të veçantë që e dallon nga të gjitha veprat e tjera ujitëse në Mirditë dhe në krejt veriun e Shqipërisë.

Marrë nga Muri i Fb i Nikollë Lokës, 1 prill 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.