back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Lisi dhe Lashtësia jonë nga Ilir Seci

Gazeta

Legjenda e Lisit dhe Ilir Seci
Legjenda e Lisit dhe Ilir Seci

Lisi dhe Lashtësia jonë

nga Ilir Seci

“Les forêts précèdent la civilisation
et les déserts la suivent”  
(Pyjet u paraprijnë qytetërimeve,
kurse shkretëtirat i pasojnë ato…)
François-René de Chateaubriand

Gjithmonë me ka intriguar fakti pse në mitologjinë shqiptare, Lisi, është druri më i përmendur, druri më i njohur, që haset thuaj në krejt traditën tonë folklorike, që nga lashtësia e deri më sot. Pse vallë kjo vëmendje e posaçme për një dru si Lisi?!
Kur njeriu nis e thellohet në kërkime, gjëja e parë që i shkon në mendje është Lisi i Dodonës! Dhe pyetja lind: “Pse Lisi është konsideruar kaq i shenjtë në të kaluarën?! Pse Lisi ishte druri simbol i Zeusit?! Pse Orakujt e Dodonës i merrnin kumtet e Zeusit pikërisht nga Lisi, (Lisi i Dodonës), kumte që përcilleshin përmes fëshfërimës së gjetheve të Lisit të Shenjtë, kumte që kuptoheshin vetëm nga priftërinjtë dhe priftëreshat e Dodonës!? Pse ka pasur gjithëherë këtë peshë të kaq rëndësishme Lisi?!

Qarri i Ograjes
Qarri i Ograjes

Druri quhet “Lis-/i”, Lis – në shumicën e krahinave shqiptare, por ka edhe tjera sinonime si “Bung-/u” kryesisht ne Gegni, apo “Dushk-/u” kryesisht në Toskëri. Por përdorimi i këtyre emrave nuk është i ndarë prerazi sepse edhe në gegnishte përdoret termi “Dushk”, por më tepër në rastet kur është fjala për gjethet e Lisit. Por si në Gegni edhe Toskëri përdoret njësoj Lis. Pra, janë sinonime që emërtojnë të njejtin dru. Interesante është të theksohet se trajta dialektore e gegnishtes “Bung-/u” haset edhe në Keltishten e vjetër, fjalë arkaike, kryesisht si emër për vozat, (butet), e verës që bëheshin prej drurit të lisit. Si duket emri “Bung-/u” vjen nga kohët e lashta, kur të parët tanë Ilirë ndanin kufinjtë me Keltët.
Në këtë sprovë mendova të le mënjanë mitologjinë dhe të përqëndrohem në një rrafsh tjetër, në rrafshin praktik, duke u rrekur të gjej pse ka gjithë këtë rëndësi Lisi.
Lisi është ndër drurët më të përhapur në botë. I përket familjes “Fagaceae”, që rritet në hemisferën veriore. Në familjen “Fagaceae” përfshihen drurë dhe shkurre, lendet, (farat) e të cilëve janë të mbështjella me lëvozhgë. Kjo familje gjithashtu përfshin Ahun, Gështenjën, të gjithë gështenjat e Amerikës së Veriut. Kjo familje “Fagaceae” e ka origjinën nga Azia. Për herë të parë ndeshet në fosilet e gjetura të epokes “Cretaceous i Hershëm”, më shumë se 100 milionë vjet më parë. Ndryshimet klimaterike si rezultat i rrezatimit diellor në rritje, ngrohja në Evropë dhe Amerikë të Veriut, ndikuan në shfaqjen e llojeve të reja të lisave. Lloji “Dryophyllum” është, një nga llojet më të hershme dhe më të njohur të “Fagaceae” në Evropë dhe mendohet të jetë paraardhës i Lisit të sotëm. Bazuar në analizat gjenetike molekulare, lloji “Quercus” gjykohet të jetë ndarë nga “Castanea” rreth 60 milion vjet më parë. Lisat e parë shfaqen në fosilet e gjetura në Amerikën e Veriut gjatë epokës “Paleogene” diku mes 55 milion deri ne 50 milion vjet më parë. Brenda specieve “Quercus” në harkun kohor prej 22 milion deri në 3 milion vjet më parë kanë ndodhur dhe ndarjet më specifike. Gjatë kësaj periudhe, Lisi-Dushku u bë lloji më dominues i drurit të familjes “Fagaceae”. Në varësi të skemës së klasifikimit, mendohet se janë dikund nja 450 deri ne 600 specie Lisash; megjithëse ka disa pika konfuzioni dhe një nga pikat kryesore të konfuzionit është statusi taksonomik tek lisat hibridë. Amerika e Veriut përmban numrin më të madh të llojeve të lisit, me rreth 90 lloje vetëm në Shtetet e Bashkuara. Meksika ka 160 lloje, nga të cilat 109 janë endemike. Qendra e dytë më e madhe e diversitetit lisi është Kina, e cila përmban rreth 100 lloje. Megjithatë shkencëtarët janë dakortësuar që të gjithë llojet e lisave mund të ndahen në dy grupe të gjëra, në:
1.-Lisa të bardhë
2.-Lisa të kuq dhe të zi.

Vidhi (ulmus foliacea)
Vidhi (ulmus foliacea)

Lisi i bardhë gjendet në Evropë, Azi dhe Amerikën e Veriut. Lendet e këtij Lisi duan 6 muaj të piqen dhe kanë shije të ëmbël, (paksa të hidhur). Mbasi hiqet lëvozhga lendja e lisit të bardhë është pa push. Gjethet e këtij lloji janë më shumë të rrumbullakosura. Ndërsa për Dushkun e Kuq dhe të Zi në Evropë, Amerikë dhe Azi lendet e tyre duan 18 muaj për t’u pjekur dhe kane shijë shumë të hidhur. Përbrenda, mbasi hiqet lëvozhga mund të jenë pa push, por në shumicën e rasteve kanë push. Gjethet e këtyre llojeve kanë ngjyrë të gjelbërt të errët dhe maja të mprehta.
Në Evropë, jane gjetur edhe fosile poleni që tregojnë se gjatë fundit të “Glacial Maximum”, dmth fazës së fundit akullnajore rreth 20 mijë vjet më parë, speciet e lisit ishin përmbledhur në tre lloje: “Pleistocene refugia” – dhe gjendeshin në Evropën Jugore, në Iberi, në Itali dhe në Gadishullin Ballkanik, ku shkencëtarët janë të mendimit se filloi të shfaqet Lisi, menjëherë sa filluan të shkrihen akujt në fillim të epokës “Holocen”, 12 mijë vjet më parë. Që atëherë druri i Lisit ka qenë një element i rëndësishëm i vegjetacionit në shumicën e Evropës. Dominimi i Lisit në pyje gjatë prehistorisë dëshmohet nga gjetjet e shumta arkeologjike në qymyr dhe është i pranishëm në të gjithë të dhënat arkeologjike të shumicës së kulturave prehistorike. Në periudhën “Boreal”, 9 mijë – 7 mijë e 500 vjet më parë, pyjet e përziera të lisit mbisundonin Evropën… Pyjet e përziera zgjeroheshin që nga ligatinat ku u shfaq lloji i lisave “Acidophilous”, Qarri (Quercus cerris), Verri, (Quercus trojana), Valanidhi (Quercus aegilops), Vidhi (Ulmus foliacea) në shqip, e deri te pyjet masive të dushkut – Bungajat – si thonë në Shqipërinë e Veriut dhe Kosovë për pyjet e Bungut, (Quercus petraea) dhe Bungebuta (Quercus pubescens)…

Lende e Lisit të Bardhë
Lende e Lisit të Bardhë

Një lloj i ri filloi të dominojë pyjet në periudhën “Subboreal”, kohë në të cilën Ahu dhe Bredhi bëhen llojet dominante, kjo ngjet më vonë në Epokën e Bronzit dhe në fillim të Epokës së Hekurit, 5700-2600 vjet më parë. Megjithëse shkencëtarët pajtohen se procesi i degradimit të pyjeve të përziera dushkut dhe përhapja e pyllnajave moderne nuk ka ndodhur gjithkund në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin ritëm. Në trojet shqiptare pyjet e lashta të Lisit mbijetuan ashtu masive deri në shek. e 19-të. Lisi si çdo lloj tjetër ka arealin e vet të përhapjes që përkon me naltësinë mbi nivelin e detit në kuadrin e zonave fitoklimatike. Nisur nga përhapja e tij në zonat e ulta kodrinore dhe malore i takon të zerë një hapsinë të konsiderueshme ku zhvillohet veprimtaria njerëzore. Nuk gjindet as në ekstremet klimatike të klimës së egër malore dhe as në atë të butë bregdetare. Në ndarjen e zonave të bimësisë në vendin tonë, nga përhapja e tij e madhe zona ka marrë edhe emnin “Zona e Dushqeve”, (e Lisit). Kërkesat e lisit ndaj tokës janë të konsiderueshme dhe në vendet ku gjen shtrirje të kënaqëshme pylli i lisit do të thotë se është i vendosun mbi toka me cilësi, mesatarisht të thella e të pasuna. (boniteti i tokës)… Duke qenë një lloj i përhapur në këto kushte klimatike e në këto lloj tokash Lisit i ka takuar që të jetë shoqërues kryesor i njeriut në të gjithë veprimtarinë e tij jetësore. Prandaj ka një lidhje të fortë ndërmjet qytetërimeve njerëzore dhe Lisit, (dushkut, bungut), të paktën që 30 mijë vjet më parë në Evropë dhe Azi si dhe 14 mijë vjet më parë në Amerikën e Veriut.
Këtë lidhje të qytetërimeve me Lisin e dëshmon shumë bukur një shprehje malsore, shprehje që është përdorë nga malsorët shqiptarë të cilët Lisin e merrnin si reference kohore të fillimit, (gjenezës), kur shpreheshin: “Prej se ka mbi Lisi!”
Shprehje që dëshmon se si malësorët tanë e përdornin Lisin si pikë referimi për zanafillën e jetës! Në folklorin e Malsive të Veriut, simbolika e Lisit ndeshet shpesh, jo vetëm në mite e legjenda, por edhe në veshje siç janë zbukurimet e Xhubletës mijavjeçare. Fjalë të urta mbi Lisin hasen kudo ndër viset shqiptare siç është shprehja proverbiale: “Dru Lisi dhe vajzë Fisi”.
Kaq shumë e kanë glorifikuar shqiptarët Lisin sa e kanë parë si simbol të qëndrueshmërisë dhe virtyteve njerëzore!
Sipas shumë etimologëve edhe emri i qytetit të lashtë të Lezhës, vjen nga Lisi si e quanin Ilirët Lisitan, kjo tezë nuk është pranuar plotësisht por siç e thashë mbrohet nga shumë studiues.
Nuk është e rastit që Poeti ynë i madh, Jeronim De Rada e fillon me Lisin poemën “Këngët e Milosaos”:

“Ljis jeta kishe ndërruar,/ uj të ri nde dejtit/
kaljtheruar te dit e re;/ por llumbardh e Anakreontit/”

Pojata me rrfata bungu
Pojata me rrfata bungu

Simboli i Lisit gjendet edhe në Heraldikën shqiptare, siç është Emblema e Katafiqit që ka në qendër të saj një Shqiponjë dykrenare me tre gjethe Lisi. Kjo emblemë është gjetur në kalanë e Katafiqit në Kuç, Vlorë, dhe vlerësohet të jetë e shekujve 12-14-të. Ka qenë në dorëzim të Muzeut të Vlorës prej nga është transferuar në Tiranë. Në vitet 1980-1981 ky artifakt i jashtëzakonshëm zhduket nga mjediset e Akademisë së Shkencave se Shqipërisë. Dhimitër Pilika e përmend këtë pllakë guri, kur flet për shqiponjën dykrerëshe.
Edhe Keltët e lashtë adhuronin me të madhe Lisin në besimin pagan Druid. Ata adhuronin jetëgjatësinë e Lisit dhe e konsideronin si fisnike praninë madhështore të tij. Tek Keltët një person nderohej duke i vendosur kurorë me gjethe lisi, shenjë e statusit të veçantë. E njejta gjë ndeshet edhe te Grekët e Lashtë dhe më vonë te romakët. Gjatë Republikës Romake dhe Principatës pasuese të saj, “Kurora Civile”, (Latinisht “Corona Civica”) ishte kurorë e thurur me gjethe lisi dhe konsiderohej si dekorata e dytë më e lartë ushtarake për të cilën mund te aspironte një qytetar romak. Mbas reformës kushtetuese të gjeneralit Sulla u vendos që mbajtësit të “Kurorës Civile”, (Kurores së Lisit”), ti lejohej hyrja në Senatin Romak.
Arsyeja përse Lisi ka gjithë këtë vëmendje është krejt e thjeshtë: “Lisi është një nga drurët më të dobishem në botë!”
Druri i Lisit është një nga drurët më fortësine më të naltë që mund të gjindet sepse ka densitetin më të lartë siç kanë konkluduar studiuesit, si për nga rezistenca ashtu edhe nga qëndrueshmëria. I fortë e rezistent si dru Lisi është gdhendur për mjete pune siç janë plugjet e drurit për të pluguar tokën, po ashtu për vegla pune si bishta sopatash dhe kmesash, (kosoresh) . Përmbajtja e lartë e “Tanin” e bën rezistent ndaj të dy shkaktareve kryesorë që sjellin sëmundje në pyje – kërpudhave dhe insekteve – gjë që e bën të rezistojë dhe të jetë i përhapur anembanë. Për shkak të të gjitha këtyre cilësive, Lisi ka gjetur përdorim që nga kohërat më të lashta në ndërtimtari, si shtylla për kasollet, Furkëza për kulme shtspie, landë bungu për dërrasa mbuloje të çatisë dhe dërrasa shtroje të odave. Po ashtu edhe për orenditë shtëpiake nga enët e kuzhinës e deri te mobiljet si arkat, sënduqet, magjet e bukës, furrat e bukës, sofrat, etj.

Kamina e qymyrit të drunit
Kamina e qymyrit të drunit

Gjetjet arkeologjike kanë provuar se Lisi ka qenë materiali kryesor drunor i përdorur për shtëpite dhe orenditë shtëpiake që nga kohët e Neolitit. Mjafton të kundrohen me vëmendje kullat e vjetra në Malësitë tona me çardakun, ahurin për kafshët, mjafton të shikohen mjetet e transportit, qerret, (kerret), të shikohen plugjet që janë përdorur për lërimin e tokës. Çardaqet e kullave kanë qenë gdhendur prej dru Lis. Në ndërtimet e hershme të shtëpive, përpara se të përdorej gëlqerja, muret ndërtoheshin me gurë të thatë dhe përforcoheshin nga trenë, (trarë) lisi për qëndrueshmëri dhe stabilizim. Sidomos kjo ka qenë përdorur në stanet në bjeshkë.
Lëndët e Lisit janë përdorur që mijra vjet me parë për ndërtimin e lundrave, varkave, anijeve, kujtojmë këtu Fiset Ilire si Liburnët që u bënë të famshëm për anijet e tyre. Që ndërtoheshin me dru Lisi. Flotat detare të kombeve evropiane deri vonë ndërtoheshin me dru Lisi. Në kohën e Perandorisë Romake pyje të tëra u pastruar për të përmbushur kërkesat e ndërtuesve të anijeve të flotës romake.
Për shekuj me rradhë portat hijerënda të kështjellave bëheshin me dru Lisi.
Druri i Lisit është përdorur për ngrohje, si dru zjarri pasi bëjnë zjarrin më të mirë. Në kullat shqiptare, mikpritja fillonte me një zjarr buçitës me dru bungu! Gacat e zjarrit me dru bungu qëndrojnë gjatë para se të bëhen hi. Dihet që në shekuj zjarri ka mbajtur gjallë njerëzimin në dimërat e acartë.

Dushk për bagëti në dimër
Dushk për bagëti në dimër

Prej drurit të Lisit përgatitet lloji më i mirë i qymyrit të drurit. Qymyri i drurit, është prodhuar zakonisht përmes procesit të pirolizës që kryhet nga ngrohja graduale e drurit, në kushte të caktuara dhe në mungesë të oksigjenit. Për këtë qëllim ngrihet një kaminë ku stivosen drutë e Lisit që mbulohen me dhè deri sa izolohen plotësisht dhe u vihet zjarri. Pastaj për ditë me rradhë ndodh piroliza, karbonizimi i drurit deri sa kthehet në qymyr druri. Prodhimi i qymyrit të drurit është bërë në vendet ku ka Lisa me bollëk dhe kjo praktikë daton nga periudha shumë të lashta gjë që është provuar nga gjetjet arkeologjike. Malsoret në Malësi të Gjakovës, në Dukagjin dhe në Malesi të Madhe edhe sot e kësaj dite ende e praktikojnë përgatitjen e qymyrit të drurit. Përmendëm më sipër se Lisi është i pasur me “Tanin” që gjendet në lëvozhgën e Lisit ndaj për këtë gjë është përdorur edhe për regjien e lëkurëve të kafshëve. Kur lëkura e bagëtive regjet me “Tanin” ajo është më e qëndrueshme dhe nuk dekompozohet lehtë. Shekuj më parë malsorët tanë e dinin vlerën e “Tanin”-it, njihnin ndikimin e tij kimik përmes acidit që kryente regjien më të mirë të lëkurës së bagëtisë!
Një tjetër përdorim i dobishëm i lisit janë Goglat, (Gogliqat), ndryshe njihen si mollëzat e Lisit që kanë madhësisë 2 deri në 5 cm diametër. Goglat, (Gogliqat), shkaktohen nga larva e grenzës së familjes “Cynipidae”, kjo grenzë lëshon vezët e veta në gjethet e lisit, larvat e grenzës që ushqehen në indet e tëmthit të Lisit krijojnë një soj mutacioni që prodhon Gogliqat. Gogliqat e Lisit janë përdorur për prodhimin e bojës së shkrimit të paktën që në kohën e Perandorisë Romake. Nga mesjeta deri në fillim të shek. të XX, boja që përdorej për të shkruar në botën perëndimore vinte nga gogliqat e Lisit.

Eshka e lisit
Eshka e lisit

Një tjetër dobi e lisit është Eshka, një lloj kërpudhe që rritet në Lis, (Bung), “Eshka e Bungit” si quhet në Malsitë tona, ka emrin shkencor “Fomes fomentarius” dhe është një specie e “Patogjen fungal” e bimëve dhe gjendet në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikën e Veriut. Rritet në trungjet e shumë lisave, rritet mbasi kërpudha i infekton duke shkaktuar kalbjen. Kjo specie zakonisht vazhdon të vegjetojë në lisa për një kohë të gjatë, edhe pasi Lisi është tharë, duke ndryshuar nga një parazit në një dekompozues. Kërpudha “Fomentarius”, nuk është e ngrënshme, por ka pasur një përdorim mjaft të dobishëm në historinë e njerëzimit. Pasi thahej Eshka kthehej në material që është përdorur për të ndezur zjarrin. Zjarri ndizej nga fërkimi i dy drurëve ose ndizej nga përplasja e dy gurëve të gurgacit, (kuarcit), përplasja shkaktonte shkëndijën dhe shkëndija binte në eshkën e tharë që mbahej pranë për të kapur shkëndijëzën. Mënyra e ndezjes me dy gurë Kuarci ka qenë mënyra më e përhapur me të cilën është ndezur zjarri në lashtësi! Me Gurgac dhe Eshkë Lisi! Malsorët e kanë quajtur “Gurgac” gurin që bën gacat, është interesante të theksohet se emri me të cilin e njeh bota është “Quartz-Kuarc” ka ngjashmëri onomatopeike me emrin “Gurgac”, mund të thuhet se vijnë nga një rrënjë! Gjithsesi “Kuarc” apo “Gurgac”, ashtu me ato gurë është ndezur zjarri në shekujt mbas “Epokës së Akullit” dhe këtë e përfundim e bën krejt bindës gjetja e kësaj Eshke në mes gjërave që ju gjetën “Njeriut Otzi”. Kur Njeriu – Ötzi, njeriu i ngrirë në akull në kufirin italiano-austriak, që u gjet në Alpe, pasi ishte ngrirë dikund në vitet 3359 dhe 3105 para Krishtit, mes tjerash u gjet se ai kishte Eshkën e Lisit me vete!? Pra ai njihte përdorimin e eshkës në ndezjen e zjarrit dhe e mbante me vete si mbajmë ne shkrepsen sot!
Pyjet e Bungajave, (Dushnjet), krijojnë kushte ideale për rritjen e kërpudhave. Disa prej këtyre kërpudhave rriten në trungjet e pemëve të rëna, të rrëzuara, disa pranë rrënjëve, disa nën gjethe. Lloje të ndryshme piqen në kohë të ndryshme të vitit. Në vartësi të klimës gjithëherë do të gjendet të paktën një lloj i përzier kërpudhash pyjore – kërpurdha lisi – çka do të thotë që kërpurdhat mund të mblidhen në çdo kohë të vitit, por sezoni kryesor i kërpudhave është nga fundi i pranverës deri në fund të vjeshtës. Kërpudhat kanë qenë një nga burimet kryesore të ushqimit gjatë kohrave të lashta, ato kanë pasur proteina të mjaftueshme për ushqimin e njerëzve. Në viset ilirike lloji ma i njohur i kërpudhave të ngrënshme që gjinden në Bungaja janë:
“Truffles” (Tartuf – “Ascomycete Fungus”, se çfarë vlere ka turtufi të gjithë e dimë, – Porcini, “Boletus Edulis”, “Amanita Caesarea”, “Trametes Gibbosa”, -“Butyriboletus Regius”, -“Clitopilus Prunulus” , “Russula”, etj.
Tjetër vlerë e Lisit janë gjethet e thara, Dushku! Në Malsitë tona ende është ruejtë dhe ende gjallon tradita e Premjes së Dushkit, Lisave të Bungit u krasitën degët çdo tre-katër vjet, degët lihen të thahen për disa ditë dhe pastaj palosen dhe vihen në mullarë njësoj si vihet në mullarë sana e livadheve. Quhen “Dushk” njejës, “Dushnje” në shumës, (njësoj si mullarë) dhe ruhen si ushqim për bagëtinë gjatë dimrit.
Në Dukagjin, në Pukë dhe Tropojë ende mund të shihen edhe sot Dushnjet nëpër Bungaja, është jetike kjo soj zahireje për bagëtinë, zahire që përgatitet nga gjethet e Bungut, (Lisit).

Tpia e Tlyenit (Dybeku i Gjalpit)
Tpia e Tlyenit (Dybeku i Gjalpit)

Lendet, (farat) e Lisit janë përdorur si ushqim, gjë që është provuar nga gjetjet arkeologjike, si figurina balte të pjekur ku dallohen njerzit duke shtypur Lendet e Lisit. Në disa kultura në Kaukaz ende përgatisin bukë me Lendet e Lisit. Jo vetëm njerzit janë ushqyer me Lendet e Lisit, përveç njerëzve Janë ushqyer edhe kafshët e egra sidomos Derri i Egër që në mjedisin e pyjeve të Bungut gjendet me shumicë duke u dhënë mundësinë njerëzve të asaj kohe të sigurojnë mish përmes gjuetisë së derrit të egër. Për të gjuajtur derrat e egër gjetjet arkeologjike dëshmojnë se përdoreshin heshtat e bëra me dru lisi… heshta, maja e të cilave forcohej me djegie në zjarr. Para se të përdoreshin metalet heshtat bëheshin duke mprehur dhe forcuar në prush të zjarrit degët e Lisit. Në të njejtën mënyrë me thupra lisi bëheshin dhe shigjetat e harqeve deri sa u zbulua shkrirja e metaleve!
Lëvozhga e Lisit, trungut ose degëve, ka veti kurative, është përdorur në medicinë kundër diarresë kronike, kundër ashpërsimit të lëkurës, ose bllokimit të muskujve. E zier lëvozhga e lisit është përdorur për shërimin e plagëve të lëkurës, po ashtu lëngu i zier është bërë gargarë për ënjtjet e fytit siç shkruan Alma Hutchens, autore e librit “Indian Herbology” – libër mbi Medicinën e Indianëve të Amerikës së Veriut (Merco, Kanada, 1973).
Lëvozhga e Lisit nuk është përdorur vetëm në medicinë dhe regjien e lëkurës, por ka gjetur përdorim edhe në gatim, përdorej si erëz, aromatizues për peshkun e tymosur.

Shkam (stol) me dru lisi.
Shkam (stol) me dru lisi.

Mjaft studiues kanë dalë me mendimin se Lisi është përhapur nga vetë njerezit! Domethënë është kultivuar. Farat, (Lendet) e Lisit janë marrë nga Mesdheu dhe janë mbjellur nga njerëzit e parë shumë më përpara se të zhvillohej bujqësia. Mbjellja e Lisit është një nga gjërat më të lehta për të bërë, thjesht fute farën, (lenden) e lisit nëntokë dhe harroje… Mbin vetë pa u kujdesur kush për të. Filizat nuk kërkojnë ndonje vëmendje, rriten vetë. I duhen 25 vjet një Lisi për t’u rritur që të fillojë të lëshojë farat, (lendet). Sapo ato do të fillojnë për të prodhuar lende, lisat do të përhapen në mjedisin ku u mbollën dhe për qindra vjet krijojnë pyje. Mjaft shkencëtarë mendojnë se kjo duhet të ketë qenë e njohur për njerëzit në kohen “Mesolithic” dhe përditë e më shumë po gjinden dëshmi se njerëzit e kohës “Mesolithic” kanë mbjellur Lisat me qëllim, gjë që mund të quhet kultivimi i parë bujqësor, primitiv por Kultivim! Ndoshta forma më e lashtë, disa mijëvjeçarë para se njerzimi të mbrrinte deri te bujqësia e mirëfilltë…
Ndoshta pikërisht nga këto kohra të lashta vjen edhe adhurimi për Drurin e Jetës, LISIN këtë dru kaq të dobishëm. Gjetjet arkeologjike të kulturave shumë të lashta si “Kultura Vinca” dhe “Çatalhöyük” sjellin dëshmi se Lisi adhurohej. Ndoshta të parët tanë e trashëguan adhurimin për Lisin pikërisht nga brezat e përparshëm, që vinin thellë nga koha Mesolitiku kur vazhdimësia e racës njerëzore u garantua nga ky dru. Adhurohej si të gjitha besimet që vijnë nga thellësitë e shekujve, nga kohrat e lashta, pa u diskutuar! Lisi i Dodonës në Mesdhe ose Lisi në besimin Druid… Dihet që Lisi ka një histori të gjatë si pema e shenjtë për Etruskët dhe deri në shek. e XI-të për Druidët në Evropën Veriore dhe ishujt britanikë…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.