Linda Ihsani: Portret Postume Klara Buda

Linda Ihsani 2007

Linda Ihsani 2007

Linda Ihsani: Portret Postume Klara Buda – New York,

Falenderoj autoren Buda, në përkujtimin e mikes time, Lindës…jr

Linda Ihsani, jeta dhe vdekja e saj, janë metaforë e asaj pjese intelektuale që dekurajohet, izolohet e vdes çdo ditë nën kërbaçin e ëe paaftëve, pseudodemokratëve dhe të dominantes që ata përbëjnë me përkufizim, që po mbyt përditë vlerat qytetare, në emër të fitores së atij që çirret e gënjen më shumë. Ajo punoi në hije, por fitoi betejën më të madhe të egzistencës, atë të të qenit në çdo kohë vetvetja…
Një muaj me parë u nda nga jeta Linda Ihsani. U trondita kur e mësova, por pas chock-t të këtij lajmi të hidhur, informacioni: “…ndahet nga jeta këshilltarja e…” i publikuar në një faqe Facebooku dhe i riprodhuar shabllon nga shumë agjensi e gazeta në linjë më trishtoi edhe më. Komunikatat zyrtare – sa shumë të tilla kishte shkruar Linda! – nuk patën vend për një idividualitet kaq të spikatur. Qenkesh ende në mode kulti i individit në institucionet shqiptare? Por po i lë pyetjet retorike për pyetjen qendrore të këtij shkrimi: kush ishte Linda?

Linda Ihsani është personaliteti, rrugëtimi i të cilit – sado paradoksale që kjo mund të duket – mjafton i vetëm, për të bërë radiografinë e demokracisë shqiptare dhe më tej, të të djathtës, të cilës Linda i shërbeu deri në fund.
Që prej vitit 1990, kur u largova nga Shqipëria, si shumë nga ne që u shpërndane nëpër botë, kisha humbur shumë miq. Por Lindën, sa herë që kthehesha me shtypin e huaj, e gjeja aty, të qeshur, të palodhur e pa pretendime. Ishte gjithmonë në trendin e kohës, me besim e optimizëm për ndryshimet që po ndodhnin, gjithmonë duke vrapuar dhe gati për të ndihmuar. Më kujtohet kur bënte pjesë në treshen e ngushtë të Presidentit demokrat (se bashku me Z. Genc Pollo dhe Z. Fatos Bejo,) dhe gjithë horizontet dukeshin atëhere të hapura për një vajzë aq të lexuar sa Linda Ihsani. Poliglote që në vitet 80-të, në një kohë që, në Shqipërinë e sapodalë nga izolimi kjo cilësi ishte e rrallë dhe për këtë arsye e çmuar, Linda fliste si shqipen, frëngjishten, anglishten, italishten dhe prej 89-ës, kur punonte si cicerone në Muzeun Historik Kombëtar, edhe gjermanishten. Ajo spikaste për bagazhin e gjerë intelektual. Së bashku kishim shpesh këndvështrime të ndryshme për botën, madje shpesh edhe mendime diametralisht të kundërta, por kjo nuk e kishte ndryshuar respektin tonë të ndërsjelltë, pasi ajo ishte e vërtetë dhe pa dredha, thoshte atë që mendonte, ishte mishërimi i ndershmërise intelektuale.
Kuptova herët se Linda ishte perfeksioniste dhe e vetmja gjë që parapëlqente ishte konforti intelektual, koha për të lexuar, për të shkuar më tej në studime. Ky perfeksionizëm dhe kërkesa ndaj vetes e kanë bërë shpesh të qëndrojë e tërhequr e të mos shfaqej publikisht, por t’i përkushtohej punës duke tentuar gjithnjë më të mirën. Kjo aspirate do ta çonte ne vitin 2006-2007, ne ëashington University, USA.
Duke qënë se e thoshte mendimin e saj hapur, nga ky këndvështrim mendoja se ajo do të përbënte një vlerë në çdo ekip duke i dhënë atij dimensionin pluralist. Por kjo aftësi ndoshta nuk do t’i shërbente karrierës së Lindës. Një numër miqsh të tjerë, të saj e të mi, që ishin renditur në fillim në krah të PD-së, iu larguan asaj në dhjetvjeçarin e parë. Ky nuk mund të ishte një ogur i mirë, pasi gjithë këta njerëz, shpesh pasardhës të opozitës historike shqiptare, po humbnin besimin tek partia që inicioi pluralizmin. Për mua që analizoja çdo gjë nga larg (Franca) me një distancë të detyruar e të dëshiruar, ky fakt ishte nje tregues i pamohueshëm për “horizontet” drejt të cilave po tentonte të shkonte PD-ja. Shumë personalitete iu larguan asaj, por jo Linda, ajo vazhdoi të punojë krah kreut të PD-së, me një lloj besnikërie jashtëkohore të një dimensioni idealist. Vazhdoi kështu, në kohën më të frytshme të karrierës së saj dhe për plot 13 vjet, gjithmonë me përkushtim e aq më shumë në kohën kur kjo parti ishte në opozitë.
Gjate viteve që punoi për kreun e PD-së, i kisha bërë shpesh pyetjen vetes se si nuk ishte joshur të kandidonte në një funksion të ri, jo detyrimisht për t’u ngjitur më lart, por për të diversifikuar e për të qënë protagoniste, në një vend ku të mund ta vinte më mirë në shërbim kapacitetin e saj. Atëhere për mua ishte e pakuptueshme se pse qëndronte në një pozicion aq të tërhequr, kur njerëz të rinj dhe shpesh të paaftë ngjiteshin si me katapultë?
U largua nga kreu i PD-së pa dhënë asnjë shpjegim dhe pa u shprehur kurrë publikisht se pse ishte larguar. Diçka ishte thyer brenda saj. Mister! shprehen disa, por a ka vërtet mister? Sot duket se ky mister nuk është veçse një secret Polishineli (Polichinelle).
Pas një viti në një kompani private do të kthehej pranë parlamentit shqiptar. “Kurrë nuk kërkoi gjë!” vetëm kjo shprehje e trishtimit apo e pendimit të Kryetarit të Parlamentit flet shumë në të dyja kahjet, pëer Linden dhe për natyrën e pushtetit. Në lidhje me këtë të fundit kjo shprehje mjafton për të treguar se kërkesat e jo meritat janë baza e funksionimit të pushtetit. Ndërsa Linda nuk kërkoi, por meritoi dhe meqë meritoi nuk kishte pse të kërkonte.
Gjate 22 vjetëve që punova në Paris, sa herë që ndërrohej Ambasadori Shqiptar, automatikisht kisha menduar për Lindën, pasi me bagazhin e saj dhe si francofone e shkëlqyer ajo përbente një kandidate të përkryer.
Gjithmonë kam pyetur pse individë me aq aftësi dhe integritet sa Linda nuk emëroheshin kurrë në këto poste. Po këtë pyetje ja kam bërë vetes sa e sa herë, edhe kur të rinj e të reja pa asnjë eksperiencë dhe ndonjëherë pa formim adeguat universitar janë emëruar, në Paris, duke u bërë barrë e Ambasadës e duke shtuar më shumë punën e pjesës tjetër të stafit.
Po i shkruaj këto rreshta jo për Lindën, por për atë çfarë ajo përfaqsonte: një egziztencë qytetare e të emancipuar në aspektin intelektual e moral të fjalës, fati i së cilës nuk duhet të kalojë pa u vënë re, në shoqërinë shqiptare ku po gjeneralizohen, vlerat e cubit të dikurshëm të maleve apo ato të një tradite zakonore të ndonjë zone të jugut, ku nëse s’kishe vjedhur një dash, a ku-di-une, nuk të jepnin nuse në fshat…
Fatkeqsisht fati i saj është fati i meritës ne shoqërinë bashkëkohore shqiptare, që nuk mund ta mohojmë se aspiron pluralizmin e demokracinë, por po vonon të çlirohet nga pushteti i klaneve, nepotizmi dhe kulti i individit. Ja pse rrugëtimi i Linda Ihsanit mjafton i vetëm, për të bërë radiografinë e demokracisë shqiptare dhe më tej, të së djathtës në pushtet. Kjo për faktin e thjeshtë, se drejtuesit e PD-së, nuk mund të thonë se nuk e njihnim kapacitetin e Linda Ihsanit, siç mund të thonë për shumë intelektualë të tjerë të aftë dhe integer si ajo, por që ky pushtet nuk i promovon duke i kthyer postet më të rëndësishme të shtetit apo përfaqsimit tonë në botë, në trofe për nipërit dhe klanin.
Linda Ihsani, jeta dhe vdekja e saj, janë metafore e asaj pjese intelektuale që dekurajohet, izolohet e vdes çdo ditë nën kërbaçin e të paaftëve, pseudodemokratëve dhe të dominantes që ata përbejnë me përkufizim, që po mbysin, përditë vlerat qytetare, në emër të fitores së atij që çirret dhe gënjen më shumë.
E kisha ndjerë të njejtën grisje në shpirt, një vit me parë kur mësova largimin nga jeta të Ardian Klosit, lajm që më përpiu e më plasi në vend nga trishtimi. Adrianin e kisha ndjekur përmes shkrimeve dhe dashuria për shqipen na kishte afruar. Herën e fundit e takova në stendën e tij të shtëpisë botuese në Panairin e librit 2009. Ai, njeriu i letrave, intelektuali i mirëfilltë, ishte ulur i vetëm në rolin e shitësit të librave të shtëpisë së tij botuese. Edhe ajo stenda e vogël ku Klosi shiste librat atëhere, me qe shfaqur si metafore e fatit të vlerës intelektuale në Shqipërinë tonë.
“Të jesh vetvetja në një botë që bën natë e ditë ç’është e mundur, për të të bërë ty dikë tjetër, do të thotë të përballosh betejën më të ashpër që një qenie njerzore mund të përballë; dhe të mos ndalosh kurrë së luftuari.” Kjo thënie e e.e.cummings, autori i cili, në shenjë modestie, imponoi një ndryshim në tipografinë e emrit të tij, duke kërkuar që ai të shkruhet gjithmonë me shkronjë të vogël i përshtatet kaq mirë Linda Ihsanit. Ajo ruajti gjithashtu një imazh minimalist, vetëm një foto e saj, këtu me (poshtë/sipër), si studente në Uashington University gjendej në Internet, të tjerat janë botuar pas ndarjes nga jeta.
Po e mbyll këtë requiem për vlerat që humbim, me fitoren më të madhe të Lindës, që është edhe beteja më e madhe e një egzistence njerzore, ajo e të të qenit në çdo kohë vetvetja.
Kjo pjesë e vyer e shoqërisë sonë, kjo “specie” e rrallë e lojit të Lindës duhet stimuluar e mbështetur, duhet vënë në krye të punëve, pasi mbështetja e meritës intelektuale dhe moralit qytetar do të evitoje që ky shtet të bëhet edhe më tej një shtet tribu… (Gazeta Tema, 18 Maj, 2013)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook