Lin Delija – Piktor i Përmasave Ndërkombëtare – nga Ndoc Selimi

Lin Delija -

Lin Delija -

Lin Delija – Piktor i Përmasave Ndërkombëtare

nga Ndoc Selimi

Emni i piktorit shkodran Lin Delija qëndron sot përkrah të mëdhenjve të Nëntëqindës europiane. “Gjithë jeta e tij ishte një dikotoni ndërmjet lirisë artistike dhe robërisë kolektive të popullit tij, izolimit shqiptar dhe braktisjes nga ana e perëndimit, trinisë biblike dhe njeriut të zakonshëm…” – thotë analisti Agron Gjekmarkaj në një artikull kushtuar këtij personaliteti të pikturës.
Lin Delija u lind në Shkodër më 1926, me nji lidhje të breznisë së largët nga Temali i Dukagjinit, të fisit Kalisë e vllaznisë Garraj, stërgjyshërit e të cilit ishin shpërngulur dy shekuj me parë për arsye ekonomike dhe vendosur në Shkodër (sipas Ndoc Ndoja “Dushman – Temali në rrjedhjë të kohëve” 2008, fq 253).
Ai u rrit dhe u edukua ne Kolegjin Françeskan, ku mori hov edhe talenti i tij artistik. Pak vite më vonë do të shifte me sytë e tij burgimet, torturat, vrasjet dhe internimet e bashkëmoshatarëve së bashku me profesorët dhe priftërinjtë e pafajshëm, të cilat në kohë të mëvona do të ishin tema e preferuar e tij e përjetsuar në telaio.
.
Lin Delia - Skllaveria moderne

Lin Delia – Skllaveria moderne

Viti 1948, e gjen ushtar në Gjirokastër i survejuar dhe i ndjekur në çdo hap nga sigurimi dhe nga ana tjetër lajmet e trishtueshme që vinin nga Shkodra e largët për arrestimet në masë të kolegëve dhe meshtarve. I ndodhur midis dualizmit të burgut e vdekjes që nuk do të vononin të vinin, ai zgjedh sakrificën më supreme; rrugën e largimit nga atdheu. Vendoset në Zagreb në Akademinë e Pikturës për ta vazhduar më vonë studimet në Romë i tërhequr nga Ernest Koliqi. Aty pat fatin të kishte profesorë me emër në arenën e skenës italiane si Mafei dhe Bartoli, të cilët më vonë do të ishin krenar për arritjet e nxënësit të tyre. Pas studimeve i propozojnë drejtimin e katedrës së pikturës në Akademinë e Firences, detyrë të cilën e refuzon për t’iu kushtuar pikturës, ku spikat individualiteti i ngjyrave për të tërhequr gjithnjë e më tepër vëmendjen e të mëdhenjve të pikturës italiane e më andej. Këtë e tregojnë ekspozitat në metropole si Romë, New York, Paris, Monako, Gjermani, Kanada si dhe ne qytete italiane Breshia, Palermo, Ankona, etj.

Lin Delija - Portret Malesori

Lin Delija – Portret Malesori

Në pikturat e Lin Delisë asht shpirti shqiptar. Penelit tij nuk i ka shpëtuar as në modernizmat pa pasë disi frymën e vendit të vet. Aty asht i pranishëm malsori, nusja, grueja shkodrane, vallja shqiptare, por edhe krimet e komunizmit. Në veprën “Martiri” që asht konceptu si biografia ose kujtesa e fundit që mori me vete kur iku, piktori i përmasave të mëdha, jep tabllonë e kjartë të asaj që përjetonte Shqipëria e vet nën komunizëm; dy njerëz të gjymtuar prej torturave e mbi paterica, nji prift katolik i vrarë dhe shkrimi “Rrnofte Shqipnia”. Po ashtu tabllotë e Lin Delisë të lanë pa fjalë; diku nji malsor me sy nga qielli para pushkatimit; diku vargu i të internuarve në lëvizje nën kërcnim të bajonetave e diku litari në qafën e të pafajshmit me nji qëndrim epik të personazhit. Te “Krishti” asht fytyra e malsorit tonë, ku përreth ndodhen persekutorët e kohës sonë. Lin Delija ishte sinonim i atdheut vet; ai vuan bashkë më të dhe gjithmonë në ambjentet intelektuale ngrinte në qiell emnin shqiptar, krenohej për origjininën duke e hyjnizuar popullin e vet. Ai i fali Galerisë së Arteve të Shqipërisë 27 tabllo të koleksionit privat, të cilat u sollën nga miku i tij më 2004.

Lin Delija - Dashnia

Lin Delija – Dashnia

Mbas 46 vjet mungese artisti i madh kthehet në Shqipëri më 1994, në Shkodrën e vet. Kjo vizitë kaloi në heshtje në Shqipëri, por në mediat italiane u fol shumë. Pas kthimit Lin Delija mbeti i disiluzionuem, pau nji realitet, të cilin as nuk e kishte përfytyruar dhe nga kjo vizitë e deri sa vdiq, nuk e zuri ma në gojë as Shqipërinë as bashkëkombësit e vet. Ai nuk pa ata trimat, heronjtë, martirët që i kishte marrë me vete në dritën e synit ditën e largimit, nuk pa profesorët e tij të 46 vjetëve ma parë në Fushë të Rrëmajt kur bërtisnin nën grykën e mitralalozit “Rrnoftë Shqipnia! Rrnoftë Krisht mbret!”. Realiteti tjetërsues i “njeriut të ri” e befasoj piktorin e madh…!

Lin Delija

Lin Delija

Pak muaj ma vonë piktori i përmasave ndërkombtare vdes, por emni tij asht i pavdekshëm; ai ndodhet sot kudo; gjëndet në krah të Matisit në Muzeun e Vatikanit me portretin e Krishtit Kryqëzuar, ne Muzeun kushtuar emnit të tij në Antrodico, në “Associazione Culturale Lin Delija”, në ekspozitën në Tiranë (2014) me 70 vepra “Mes Sakrales dhe Profanes”. Këtë vit me 7 gusht u prezantua katalogu “Lin Delija piktor i Nëntëqindes” nga Profesor Vittorio Sgarbi. Mbi të gjitha Lin Delija gëzon sot titullin ma të lartë “Nderi i Kombit”.
Pushofsh në paqe o legjendë e pikturës, Lin Delija!
 
Fotot e realizuara nga Jozef Radi, ne ekspozimin e “Associazione Culturale Lin Delija” e Antrodico, me 10 dhjetor ne Aquila
 

 

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook