back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Libri i parë ndër ne për Shën Jeronimin – nga Sarë Gjergji

Gazeta

Akademi shkencore per Shen Jeronimin (420-2020) -1600 vjetori i vdekjes
Akademi shkencore per Shen Jeronimin (420-2020) -1600 vjetori i vdekjes

Libri i parë ndër ne për Shën Jeronimin

nga Sarë Gjergji

Me rastin e Jubileut të madh të 1600-vjetorit të kalimit në amshim të Shën Jeronimit,
u botua edhe libri i autorit Prend Buzhala me titull “Shën Jeronimi dhe Bota Ilire”,
Vëllimi i parë (Nga seria: Shën Jeronimi Ilir, një figurë e madhe botërore) –
Lena & SHKSH “Dom Mikel Tarabulluzi”, Prishtinë – Stubëll 2020.
.
Manifestimi i sivjetshëm "Takimet  e Dom Mikelit" iu kushtua 1600 vjetorit të Shën Jeronimit
Manifestimi i sivjetshëm “Takimet e Dom Mikelit” iu kushtua 1600 vjetorit të Shën Jeronimit
Siç dihet, data 30 shtator e vitit 420 mbas Epokës së Re, shënon datën e shkuarjes në përjetësi të Shën Jeronimit ilir. Kjo datë shënohet si ditë e bibliotekave, përkthyesve, librarëve, studentëve, studiuesve biblikë etj, meqë pajtor i tyre është kjo figurë e madhe botërore.
Shën Jeronimi, siç thekson autori me të drejtë, është figurë e madhe botërore dhe personalitet i përmasave botërore, por, mbi të gjitha, ai nderohet si Njeri i Biblës.
Përkundër faktit që në literaturën botërore ka qindra e qindra studime e vëllime të tëra që i kushtohen kësaj figure për këta 16 shekuj; me sa dimë, vepra e Prend Buzhalës në letrat shqipe është vëllimi i parë që i kushtohet Shën Jeronimit; sado që autori thekson se Aurel Plasari te vepra e tij “Don Kishoti zbret në Shqipëri dhe ese të tjera të letërsisë së krahasuar (Tiranë 1990), përfshin shkrimin më serioz në letrat shqipe për këtë figurë.
.
Prend Buzhala - Shën Jeronimi dhe Bota Ilire
Prend Buzhala – Shën Jeronimi dhe Bota Ilire

1.

Ky studim ndahet në katër kapituj. kapitulli i parë “Shën Jeronimi Ilir, një figurë e madhe botërore” ngërthen këto punkte tematike: Shën Jeronimi dhe moderniteti, Konteksti evropian dhe konteksti iliro-shqiptar, Emblemë ilire për Evropën; Konteksti ilir brenda nesh; Zëdhënës në kapërcyell të dy epokave; Erudicioni, lidhja me antikën, pikëpamje mbi artin dhe stilin; Ekuivalenca dinamike e përkthimit, Pajtor i shumëfishtë dhe i njohur me titujt më të lartë.
Shën Jeronimi është i lindur në Stridon të Dalmacisë dhe ai veten e quante dalmat, sepse vetë ky shenjtor, sigurisht në mahi e sipër, shpesh thoshte: Parce mihi, Domine, quia Dalmata sum: “Më fal, o Zot, sepse jam dalmat”. (thekson autori). Dalmat konsiderohej nga njerëzit e kishës së atëhershme. Kështu, dalmat e quan edhe shkrimtari i kishës greke Paladi(us), bashkëkohës i Jeronimit, i cili e ka njohur; ky autor grek shkruan greqisht për të: “Ieronymos tis apo Dalmatias”, dmth “njëfarë Jeronimi nga Dalmacia” Stridoni ishte një vendbanim në kufirin e provincave romake të Liburnia-s, pas hartës së pestë të Ptolemeut për Evropën. Është vendlindja e Shën Jeronimit. Vendndodhja e këtij vendbanimi ende nuk është përcaktuar deri më sot. Më tutje Buzhala reflekton: “Përmes emrit të tij dje dhe përmes emrit të tij sot Evropa di më shumë për ilirët dhe për shqiptarët, ashtu sikundër di për ne përmes emrave emblematikë të Nënës Tereze apo të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Për këta dymijë vjet, pra, nga gjiri iliro-shqiptar, në momentet e krizave, të kthesave historike e të përplasjeve nga më të ndryshmet, del një figurë që bëhet emblemë e identitetit nacional, emblemë e identitetit fetar-kulturor, emblemë e lirisë po edhe emblemë e bamirësisë apo e “dashurisë në vepër”. Në vazhdim autori shënon praninë (apo recpetimin) e tij në letrat shqipe, duke filluar që nga Pjetër Bogdani, Ndre Mjeda e deri te autorët e viteve ’70 e këndej. Kështu, vepra pajiset me aparaturë të thuktë shkencore dhe me një përdorim të gjerë, të thelluar e të argumentuar të fusnotave, e vjelë nga literatura në shumë gjuhë evropiane.
Te kapitulli i parë ai përfshin edhe punimin “Polemist dhe satirist i rrallë në literaturën botërore” në të cilin flet për karakterin e tij, si dhe për kapërcyellin midis dy epokave, si ciceronian dhe autor i krishterë.
.
Shën Jeronimi (347-420)Shën Jeronimi (347-420)
Shën Jeronimi (347-420) (Girlandaio)
2.
.
Ndërkaq, te kapitulli i dytë quhet “Antika Ilire dhe Shën Jeronimi” (Autorë, rrjedha). Është me vlerë ky kapitull, nga fakti se autori i kundron ektrat shqipe që nga latiniteti ilir. Madje, duke bërë fjalë për “scriptores illyri” që përmenden shumë herë në literaturën botërore qe dymijë vjet e këndej, përfshin autorë të fiseve ilire e që kanë bërë emër në letërsinë universale botërore romake, si Quint Ennius (Kint Eni), Victorinus Petavionensis (Viktori i Ptujit), Niketë Dardani flet për himni kishtar), Shën Konstantini dhe Edikti i Tolerancës dhe Kodi i Justinianit, duke përmendur aty edhe autorë të tjerë ilirë, siç është Epikadi. Në fund të këtij kapitulli, një si sintezë e këtij ligjërimi, vijnë pjesët “Rikonstruktimi i trashëgimisë” dhe “Nga latiniteti ilir te ai arbëror”. Te ky kapitull përfshihet punimi “Shën Jeronimi, sinonim i përkthimit të biblës, i shkrimit të gjuhëve nacionale”, për të bërë një përqasje me vlerë në mes të Biblës, dhe shumësisë së gjuhëve si gjuhë e lutjes, si dhe konstatimin se “përkthimi i Biblës qëndron në themel të krijimit të gjuhëve të shkruara nacionale”. Ndryshe nga librat tjerë fetarë që shpallin gjuhë të shenjta, autori thekson të vërtetën biblike të Testamentit të Ri (Dhiatës së re) aq aktuale edhe sot, se Bibla nderon të gjitha gjuhët dhe njeh lutjen e shenjtë në secilën gjuhë (sipas I Korintasve 14,1-6.). Autori thekson se “Lënda biblike qëndron në themel të krijimit të letërsisë shqiptare”, ashtu siç qëndron edhe në themel të letërsive nacionale evropiane.
Në kapitullin e tretë “Të jesh dalmat: Stridoni i Ilirisë”, përpos që trajton vendlindjen e Shën Jeronimit, aty jep të plotë shkrimin e Shën Jeronimit “Letër për Julianin, xhakon i Antiokisë” e ku bën fjalë për të vetët, familjen e tij dhe ku jepen fakte për përkatësinë ilire, siç është edhe Letra Heliodorit (një tjetër letër e Shën Jerominit).
Te kapitulli i katërt “Universalja e shkrimit: veprat dhe përkthimet e Shën Jeronimit”, jepet një informacion përmbledhës, sipas pjesëve: Shkrimet polemike, Jetëshkrimet, Predikimet, Epistolari dhe Komentimet. Janë dhjetra e dhjetra vepra që ka shkruar e botuar Shën Jeronimi dhe që përfshin te ky qerthull zhanresh, siç i ndan autori.
Kapitulli i fundit quhet “Shtojca, tekste të zgjedhura”, ku jepet bibliografia për veprat e Shën Jeronimit nga Philip Shaff, titujt e veprave latinisht të Shën Jeronimit, kurse nga libri “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” (Rilindja, Redaksia e Botimeve, Prishtinë 1979, f. 351-355), merren tekstet e përkthyera që në ato vite të këtij autori të shquar botëror e që flasin për Ilirinë, nga Shën Jeronimi e Shën Ambrozi. Në tekste të tjera të zgjedhura e nga shkrimet e shumta që ky autor nuk i ka përfshi te ky libër, ai zgjedh një tjetër punim autorial (një ese a Lexim poetik interpretues kushtuar poezisë “Emërshenjti i Ilirisë” të Ragip Sylajt), për të dëshmuar se shumë poetë të Kosovës i kanë kushtuar krijime poetike këtij shenjtori e autori të shquar ilir-botëror.
 
Vepra me titull “Shën Jeronimi dhe Bota Ilire” Vëllimi i parë, vjen në kohën e dukur, së paku që edhe ndër ne të mos mungojë një nderim a libër për të, meqë gjatë gjithë këtij viti në vendet tjera janë botuar shumë monografi studimore vetëm këtë vit dhe botohen e ribotohen shkrimet e tij të shumta.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.