back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Libër poetik nga Leon Lekaj “Stinët e Andërrueme të Kthimit”

Gazeta

Leon Lekaj - "Stinët e Andërrueme të Kthimit" - Poezi
Leon Lekaj – “Stinët e Andërrueme të Kthimit” – Poezi
Të dashtun miq!
Ky do të jetë vëllimi im i parë me poezi.
Due me falenderue me ktë rast Gazmend Krasniqin, (Literature House)
i cili ishte shtysa ime e parë, përzgjodhi me kujdes poezitë,
dhe u mor me korrektimin e tyne,
që ky vëllim të shihte dritën e botimit;
Primo Shllakun, që me një dashuni të madhe
për gegnishten e bukur dhe për poezinë punoi për ditë me radhë,
me qëllimin e mirë që ky libër të ishte sa ma i kompletuem.
Gjithashtu falënderoj botuesin Mark Simoni,
me të cilin pata nji bashkpunim dhe komunikim të mrekullueshëm
“Stinët e Andërrueme të Kthimit”,
ditën e premte, do të shohë dritën e botimit.
Iu faleminders të gjithëve për mbështetjen tuej të pakursyeme.
 

“Stinët e Andërrueme të Kthimit”

Poezi nga Leon Lekaj

Në vend të parathanies.

Nuk mundem me kujtue saktë kohën, por më vjen mirë ndër mend, që im atë ishte në vitet e para të burgut të tij politik. Kisha mbarue Liceun Artistik për muzikë dhe atë mbramje, pa e ditë pse, sytë më shkuen tek vendi bosh i pianos. Dukej si nji zgavër që dhemb. E dija që e kishin marrë edhe atë, në nji prej atyne ditëve të zymta. Shpesh, gjatë kohës kur im atë nuk kishte dalë në gjyq, e pianoja ishte ende aty, tastiera e saj kthehej në arenën, ku dëshpërimi im psonte atë metamorfozën e bukur; shndërrohej në tinguj.
Atë ditë nuk mujta me gjetë ngushëllim dhe fati im, i ngjashëm me atë të skllavit, më kishte mbërthye kaq fort për fyti e prej orës në orë dukej se do të më mbyste. Nalt mbi komo, në kutinë e vet ishte violina, i vetmi instrument që i kishte shpëtue masave ndëshkimore, por ajo heshtte. Pa e ditë pse, sytë m’u fokusuen mbi të dhe pashë që ajo zmadhohej e zmadhohej me një shpejtësi të papame, si një objekt magjik, që kërkonte me çdo kusht me më shpëtue prej një ideje fatale, e cila kishte kohë që më kishte pushtue krejt trunin. Atëherë, në një tjetër metamorfozë, mes nji mjegullnaje që ajo masë e langshme kishte shpërnda në sytë mi, mora nji fletë dhe nji laps. Kur kreva atë që isha tue shkrue, kuptova diçka, e cila u ba pjesë e randësishme e mbijetesës sime. Si një enë uji me presion të madh, së cilës kërkojnë me ia zanë grykën dhe ai, papritun, shpërthen diku tjetër, ndjenjat e mia kishin gjetë nji mjedis të ri.
U lind kshtu nji poezi modeste për heshtjen e violinës, e cila, për arsye të disa kritereve që kam vendosë ma parë se me botue këtë vëllim, ka mbetë jashtë atyre të përzgjedhunave.
Dy herë i shpersonalizuem, në ato vite, raporti i ri afektiv me letërsinë në përgjithësi dhe me poezinë në veçanti, u ngjit në kuotën e të vetmit ngushëllim. Qenë rreshta e rreshta poezish që binin në pusin e heshtjes, nën kujdesin e një autocensure të rreptë, të egër, të pamëshirshme. Nuk kisha askënd me më lexue. Hetuesi i tim ati ma kishte ba të kjartë ferrin e randë që më priste n’kjoftë se do të ndiqja rrugën e tij.
Mandej erdhi liria. Ishte nji liri, e cila nuk na zhveshi vetëm prej tabuve, por edhe nxori në pah inferioritetin tonë në raport me letërsinë bashkëkohore. Gjatë këtyne vjetve nuk kam botue asnji vëllim poetik, tue mendue se krijimi i nji stili individual, ishte zotimi im. Sa ia kam arritë?
Tashma libri asht në dorën e lexuesit. Vetëm ai mundet me gjykue.
Leon Lekaj
Athinë-mars 2017
 .
Leon Lekaj
Leon Lekaj

Pese Poezi nga Libri i Leon Lekajt

“Stinët e Andërrueme të Kthimit”,

Kur vritej pafajësia

Njëmijë çilsa të bindun rënkuen
deri sa u hap edhe porta e fundit.
Në ajrin që vërshoi si i marrë,
im atë u mor me buzëqeshjen e harrueme,
me flokët e premë shkurt,
me xhaketën e vjetër që mbante krahëve,
e me shpinën e krrusun
nga pesha e fajeve
që nuk i pat ba kurrë.
Në ballin e rraskapitun i lexohej një shprehje e biblës
 
për ata që nuk dinë çka bajnë.
 
Ma prunë e ma morën tim atë.
 
Në sytë e mi u shtrëngue grushti i kockave
dhe lotët që s’i derdhi asnjiherë.
Unë mbeta mbas hekurave primitivë
me ndigjue kangën e njëmijë çilsave,
kur të burgosej pafajësia.
.

Nanës

E ndiej shiun e hidhun
mbi trollin e butë të syve të mi
që ma s’do munden me përjetue
naltësitë e zhgrehuna t’imazhit hyjnor,
ku ajri i zanit tand hesht si ujë i moçëm.
 
Ky shi i plogët
si shelg i lagun prej çastit sublim
me gjestin e duerve të shtrime
thrret emnin tand, nanë,
e zjarri zhuritës i pikave t’kullueme
mbshtjell heshtjen e thellë si natë,
për ta shndërrue në kumbonë yjesh.
.

Pas nji mungese

 Pëshpëritën pem’t e reja:
-Po vjen nji i panjoftun.
Thanë fëmijët që luenin rrugës:
-Po vjen nji i panjoftun.
I tha një gjimnaziste shoqes:
-Po vjen nji i panjoftun.
E sytë i kthenin të gjithë kah unë.
Vetëm rrugica e vjetër heshtte.
Siç dukej mendonte
të ma falte mungesën,
apo të më qortonte?
.

Pianoja

(Për ditën kur morën pianon mbas arrestimit të tim eti)
 
Pianoja nuk klithi, kur duer hamejsh e ngritën,
veç tingujt, si fjolla të tejdukshme,
pështjelluen ajrin,
të çuditun
prej marrëzisë njerëzore.
 
S’e kish fort të lehtë
të përshtatej me zbritjen
nën pikëllimin e syve që ndiqnin
ikjen e heshtun pa kthim.
 
Një tel diçka tha për padrejtësinë
me za të fortë.
Tendosi muskujt e zemrimit
në shenjë proteste
dhe u vetëflijue.
Vetëm atëherë pianoja klithi
me tingull si fillim i një rekuiemi.
Përvajshëm!
E më la kujtim një copë shkall’ të thyeme
që ta shifja çdo ditë
kur ajo t’më mungonte.
.

Shkodrës

Si t’i qetsoj venat e mia,
përrenj të rrëmbyeshëm,
kur gjaku me kthetra kujtimesh
gërmon galeri të mshehta për tek ti?
Ku ta çoj velën e braktisun të kthimit,
që si mort i lagësht randon shpirtin?
E si t’i kaloj netët
që dinë veç me shterrë kurajën
që ditëve ma grabiti edhe nji herë ky dhe i huej?
 
Shpresa ime dergjet diku,
si nji motobarkë e fikun,
që prej s’largu shef andrrën e butë të bregut
e trishtueshëm tund kryet e vet.
Por ti mos më len të idhnuem,
djalë plangprishës që rrugëve ka mbetë.
M’i nis copat e pasqyrave,
ku thyhet përgjumja e diellit tand
dhe fjalët e reja të dashunisë
që liqeni yt pëshpërit në mbramje.
E n’qoftë se nuk mundesh, mos u ligshto!
Më ço veç kangën e legjendës
dhe britmat e mureve të dhambëzueme,
që sa herë vij…
mallin tim të lodhun sharrojnë.
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.