Letrat shqipe, si botohej në vitet ’30 Ben Andoni (mapo)

Ben Andoni

Ben Andoni

Letrat shqipe, si botohej në vitet ’30 Ben Andoni (mapo)

Me shumë mundim, Migjeni, kishte mbledhur pak para. Bashkëkohësit e tij tregojnë se ishte shumë i dhënë pas botimit të Vargjeve të tij të Lira. Kopertinën e mendonte të ngjashme me një libër të fundit të Krlezhës, që e adhuronte. Deri më atëherë, në organet dhe revistat e ndryshme të Shqipërisë, Migjeni kishte botuar gjithsej 12 poezi dhe 23 novelëza d.m.th. të gjitha ç’ka shkruar deri më atëherë. Njësoj si ai, të tjerë përpiqeshin dhe duke shmangur censurën e kohës, botonin. Paguheshin dhe mbijetonin.
Tajar Zavalani përkthen romanin “Nëna” të Gorkit dhe komunistët e Korçës mbledhin kursimet që ta botojnë. Në Shqipërinë e paraluftës botohej…
……………………………………………………..

Si botonin
Kishte një subvencion për shumë nga botimet dikur. Por, botuesit e paktë nuk kishin këto probleme. Kryesore ishte të siguroheshin paret dhe e dyta të kishte lejen nga autoritetet. Shumë nga botimet, ashtu si sot, kishin subvencione. Shteti, paçka censurës, mundonte që të bënte arbitrin dhe ndihmonte. Në kujtimet e Petro Markos ka faqe të tëra, ku flitet për këtë patronazh. Ata që botonin dukeshin se ishin më fair, të paktën me njëri-tjetrin. Botimi i një libri ishte një festë, gjë e cila në kohën tonë, për shkak të teknikës dhe mundësisë – është bërë një fenomen i zakonshëm dhe atribut shumë herë i njerëzve pa vlerë.
Pas
Duke mbledhur të gjitha gjërat e shkruara dhe të botuara më datën 4 nëntor 1935, redaksia e revistës “Illyria”- i dërgon 10 franga ari shpërblim Migjenit. “Ato ka marrë Migjeni komplet”, do të kujtojë vite më vonë Lazër Radi në librin e tij “Shqipëria në vitet ‘30″. Njësoj si ai, Branko Merxhani, një figurë që Migjeni e adhuron, punon i vetmuar dhe pas një emigracioni të gjatë kërkon që të botojë. Eshtë vështirë. Ka ardhur pas një sakrifice të madhe nga Gjirokastra dhe bashkë me mikun e tij (që do të përfundojë i mbytur pas një jete tragjike) Vangjel Koça, hapin një organ, që bën epokë në Shqipëri “Përpjekja shqiptare”. Shqipëria ka uri për të lexuar, por më shumë ka nevojë për letërsi cilësore. “Romani më i lexuar është ‘Vuajtjet e Verterit të Ri’ të Goethes, ‘Ura e Psherëtimave’, novelat e Çehovit etj”, shkruan sërish në kujtimet e tij Lazër Radi.
Ndërsa, Gjon Zaveri i Sterjo Spasses bëhet simbol i kohës… Në “Kursal”, ku mblidhet elita e kohës flitet edhe për botime, por edhe mundësi fitimi prej tyre. “London” është vendi ku mbërrijnë zyrtarë të ndryshëm nga krahinat dhe shumë aventurierë. Në “Berlin” të papunët dhe njerëzit e dojç-kulturës, thurin planet e tyre dhe bëjnë plane për botimet trendi për kohën. Por, nuk kanë aq mundësi, vëren Petro Marko.
Gjithsesi, politika e botimit para luftës, duket më e realizuar se në ditët tona. E vetmja gjë që krahasohet me sot mbetet tirazhi i ulët, që qarkullon për shkak të numrit të vogël të popullsisë. Diçka ndryshon pas ardhjes së komunistëve, por librat që kanë tirazh të madh janë kryesisht librat propagandistikë dhe shkrimtarët e privilegjuar. Me pak fjalë, problemi më i madh që lidhet me mbrojtjen e gjuhës shqipe vazhdimisht anashkalohet. Elementi, që ka mbajtur gjallë kombin në shekujt e mbijetesës, harrohet dhe harrohet në favor të mbushjes së xhepave të pak njerëzve. Por, libri me hallet e tij, humbet në morinë e problemeve, që botuesit nuk i zgjidhin dot për shkak të meskinitetit, që sundon në shumicën prej tyre. Eshtë një përqindje e madhe e miratuar e titujve, që po të ngacmohet mund të hapë një luftë të përgjakshme mes aktorëve të ndryshëm të librit.

***
Duke kursyer dhe duke ia hequr gojës, Migjeni arriti që të grumbullojë 10 napolona, 200 franga, që ia dorëzoi Shtypshkronjës Gutenberg për botimin e librit “Vargjet e Lira”. Shkuan dëm sepse materiali u sekuestrua tamam kur libri ishte i gatshëm për të qarkulluar, shkruan Radi. Andrea Varfi, i papunë e shpesh i pangrënë, vërtitet në rrugët e Tiranës me barkun bosh – pothuaj si gjithë poetët e tjerë intelektualë të kohës. Me vështirësi arrin të botojë. Bëhet një nga njerëzit më të njohur të letrave. Njësoj, Petro Marko, i riu më i çuditshëm i viteve ’30, që ngjan gjithmonë i paveshur dhe i pangrënë mirë bashkë me fatin e tij tragjik, bëhet një nga penat më të njohura në vend.
Të gjithë mbijetojnë (edhe pse shumë syresh në një rrugë kalvari), sepse e duan dhe sakrifikojnë për shqipen. Një element, që pasardhësit e tyre e kanë mënjanuar – në emër të fitimit të tyre të paskrupullt.
Mapo (botohet me shkurtime)
Titulli i përshtatur nga radiandradi.com

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook