back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Letra e motrave Parashqevi dhe Sevasti Kyrias (1945) për largimin nga shtëpia dhe dëmtimi i bibliotekës – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Shkolla e Dakos - Instituti Kiriaz - Kamëz
Shkolla e Dakos – Instituti Kiriaz – Kamëz

Letra e motrave Parashqevi dhe Sevasti Kyrias (1945)

për largimin nga shtëpia dhe dëmtimi i bibliotekës

nga Kastriot Dervishi

Nga Instituti “Kyrias”, më 21 gusht 1945 në Kambëz (sot Kamëz), me anë të një letre, dy motrat Kyrias, Parashqevia e Sevastia kërkonin të mos u merrej pasuria e vetme që kishin. Ata shkruanin se nuk kishin mjete të tjera jetese. Dy motrat me aq kontribute për arsimin shqip, u detyruan nga regjimi komunist të dilnin nga shtëpia e tyre për herë të dytë. Më parë, regjimi fashist, me dekretin nr.196, datë 4.6.1942 i rekuizoi për nevoja ushtarake Institutin “Kiriaz”. Gjatë luftës për qëndrimin e tyre antifashist, ata ishin burgosur deri në Beograd.
Në letër thuhej se godina prej 5 muajsh përdorej për nevoja të pushtetit pa asnjë përfitim.
Pro kërkesës për moslargim shprehet edhe Këshilli i Kambëzës i cili shkruan se familja e përndjekur nga fashistët dhe nazistët ka vënë në dispozicion të shkollës së oficerëve godinën e madhe ku banonin, furrën, garazhin dhe centralin elektrik. Motrat shqetësoheshin jo vetëm për jetesën e tyre që bëhej e pamundur por edhe për bibliotekën e madhe që kishin, të cilën regjimi komunist as e llogariste fare.
Sevastia ishte gruaja e ish ministrit Kristo Dako. Djali i saj, doktor Gjergj Dako (arsimuar në SHBA, Stamboll dhe Romë) më 18.2.1949 u vetëvar në burgun e Tiranës ku ndodhej i paraburgosur për “aktivitet kundërshtar” si proamerikan.
Instituti “Kyrias” mbante si datë të themelimit të tij datën 23 tetor 1891, kohën kur u hap në shtëpinë e Grigor Frashërit në Korçë e para shkollë e vashave. Sevasti Kyrias (Dako) (1871-1949) ishte e para grua shqiptare që drejtoi një institucion arsimor për femra. Së bashku me bashkëshortin Kristo Dako dhe motrën e saj Parashqevi Kyrias (1880-1970), krijuan një institucion të admirueshëm të cilin Dhimitër Berati e quaji “fole të ndjenjave kombëtare”.
Shkolla u ndërpre në vitin 1913, ndërsa një vit më vonë themeluesja u detyrua të emigrojë në SHBA. Në vitet 1922-1927, Instituti u vendos në shtëpinë e Sulejman Kusit në Tiranë. Pas vitit 1927, u zhvendos në Kamëz ku familja ndërtoi kompleksin ndërtimor. Pas lufte, godina kryesore shërbeu fillimisht si shkollë oficerësh e më pas shkolla e Partisë Komuniste. Në letrën e mëposhtme, bie në sy fakti se motrat përveçse shqetësimit për gjendjen ekonomike ku ndodheshin shprehnin hidhërimin se do mund t’i çonin librat e shumtë të bibliotekës së tyre. Një regjim injorantësh si ai komunist nuk kishte nevojë për libra e as qante hallin e tyre.
.
Sevasti Qiriazi
Sevasti Qiriazi
Pjesë nga letra e motrave Kirias:
Kryesisë së Këshillit Antifashist N-C – Tiranë
“Ne të nënshkruarat Sevasti Dako dhe Parashqevi Kyriaz, pronare të Institutit “Kyrias”, më 18 të këtij muaji (gusht 1945), kemi marrë një urdhër prej zyrës së Mbrojtjes së Popullit, që brenda 5 ditëve të dalim prej pronës sonë. Çështja qëndron kështu: neve rrojmë me prodhimet e tokës sonë të pakët, të cilën e punojmë vetë me ato të pakta kafshë që na mbetën, prandaj është e pamundur të transferohemi në qytet. Afër nesh, nuk gjenden as vend e as shtëpi të përshtatshme.
Bibliotekën ku ta vendosim?
Neve të dy motrat, që besoj ishim nga të parat në Shqipëri që kuptuam rëndësinë e organizimit të gruas shqiptare edhe të edukatës së vajzës shqiptare më 1891, çelmë shkollën e parë shqipe kombëtare për vajza në kohën e tmerrit të sulltan Hamitit. Ishin nga të parat që luftuam për independencën e Shqipërisë pa pushuar.
Pra neve mjete jetese të tjera, përveçse punimin tonë të kësaj të pakët toke buke dhe kafshët, nuk kemi për 10 anëtarët e familjet. Prandaj, largimin tonë nga prona jonë, do me thënë shkatërrimi jonë e vdekja jonë…
Jemi të bindur se kjo lutja jonë do të merret parasysh, dhe do të na jepet e drejta jonë…”
Instituti Kyriaz – Kamezë
Sevasti Kristo Dako – Parashkevi Kyrias
.
Motrat Qiriazi i drejtohen Shtetit Shqiptar
Motrat Qiriazi i drejtohen Shtetit Shqiptar
Marrë nga http://www.55news.al/dossier/item/6433-k1 – 11 Maj 2018
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.