back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Letër përtej kohe… (pjesa e 3) – Rrëfim nga Lola Shehi – Çela

Gazeta

Nanë Maja - Esma Cela
Nanë Maja – Esma Cela

Letër përtej kohe… pjesa e 3

Rrëfim nga Lola Shehi – Çela

Nana, sa muaj u  bënë  që s’kam ardhë të flas me ty? E di që e shkela premtimin. Të kisha premtu që do vija çdo muaj por nuk erdha dot…
Eh moj nana si fluturojnë ditët e muajt pa e kuptu fare. Po ti nana nuk je mërzitur, apo jo. Besoj se e ke kuptar se ç’hall kam pas. E di që më ndjen në çdo gjë që bëj, e di që shpirti yt më ndjek pas.
Nuk po justifikohem, se nuk  kam të drejtë ta bëj, as zakon s’e kam se fjala e dhënë duhet mbajtur si do që të vijnë gjërat. Kam qenë ca në ankth këto muaj Nana, ashtu siç ke qenë edhe ti më shumë se tridhjetë vjet më parë
Të kujtohet?
Nana ishte viti 1983, kur unë mbarova vitin e fundit të gjimnazit dhe prisja të më dilte e drejta e studimit për në universitet, ose ashtu si e thoje ti… unifersitet.
Dëshira ime dhe jotja ishte që unë të studjoja për mjekësi, jo se unë e dija aq mirë se ç’ishte mjekësia, apo ç’perspektivë kishte, por ti ma kishe ngulitë në mendje çdo ditë duke më thënë: “Shpirtja e Nanës ti bahu doktoreshë se do t’i shërosh njerzit vetëm me zanin tat. Se sipas teje, unë kisha zanin ma të ëmbël që ti kishe dëgjuar. Ma kishe futur në zemër aq shumë sa unë nuk ëndërroja tjetër  veç mjekësisë. Plotësova formularin e kërkesës dhe kërkova të parën   këtë degë, por atë kohë nuk merrej fare parasysh se ç’degë kishe kërkuar, të çonin të studioje atje ku donin ata, dhe jo aty ku doje ti!!!
Pritja ishte mjaft e gjatë dhe çdo ditë ankthi për shkollën po ma gërryente shpirtin.Ti më shikoje me ata sytë e tu të mençur plot dritë dhe më thoje:
“Mo u mërzit moj nan se do bahet ça ka ba emër zoti. Po unë me sytë gjithë lotë të thosha;
Jo nana ,jo !Po s’më doli shkolla unë do vdes. Sa trishtim shihja ato çaste në sytë e tu. Po pse moj e vogla nanës ban kshu? Pse moj ata që nuk kanë shkollë të lartë kanë vdekë?Qafsh nanën mos m’i thuj nanës kto llafe se nuk mi man shpirti, nuk t’i shof dot nana ata syt me lotë.
Atë vit  shpallja e të drejtave të studimit po vononte si asnjë vit tjetër. Kaloi edhe mesi i muajit gusht dhe… asgjë! Në javën e fundit të gushtit unë u sëmura aq keq sa ju u trembët tmerrësisht, jo vetëm për faktin që kisha përsëritur disa herë që nëse s’më dilte shkolla do vdisja, por edhe për faktin se vajza jote, emrin e të cilës e mbaja unë kishte vdekur… 18 vjeçe… ndërkohë që unë pas tre muajsh mbushja 18 vitet!! (këtë gjë nana e kam mësuar më vonë se ti kurrë s’ma kishe thënë, ma tregoi një hallë që jetonte në Durrës, halla Mile e quanin. Ajo kishte ardhë një ditë tek vëllezërit e saj që e kishin shtëpinë ngjitur me ne dhe kur më pa shtangu në vend. Pastaj më pyeti rrufeshëm se vajza e kujt isha. E kur i thashë se isha vajza e Dules, ajo mori frymë thellë, ju mbushën sytë me lot dhe më tha: Sa i paske ngjarë emrit tënd…! Po nejse s’po merrem me këtë gjë sonte)
O zot, sa e shqetësuar dhe e trishtuar ishe ti, më rrije te koka ditë e natë, nuk m’i ndaje sytë asnjë çast, flije sipër kokës time.
Ditët e Gushtit po mbaronin  dhe po afronte 1 Shtatori, dita kur fillonin shkollat.
I kisha thënë tim vëllai që unë s’mund të shkoj deri te gjimnazi të kontrolloja listat, pasi jam e sigurt që do më bjerë të fikët te dera e shkollës nëse s’më ka dalë dega që dua, apo ajo që s’doja ta mendoja fare… të mos më kishte dalë e drejta e studimit! Kështuqë më mirë shko ti dhe ma sill lajmin sido që të jetë, të paktën njerzit nuk do qeshin me mua…
Ai duke më parë se sa e fiksuar isha bërë pas mjeksisë, mundohej të më bindte që edhe inxhinjeria e pyjeve në Universitetin Bujqësor është degë e bukur për femrat, se atje studjoj edhe unë, edhe motra… kështuqë nuk do jeshë vetëm, por unë hidhesha këtu e bija tej dhe thosha që në Kamëz nuk shkoj edhe sikur ta di që vdes!!!

Lola Shehi - Cela gjimnaziste
Lola Shehi – Cela gjimnaziste

E ku e dija unë sa të dhimbte shpirti ty kur unë përmendja fjalën vdekje. Veçse mbaj mend dhe më tingëllojnë akoma në vesh fjalët e tua:
-Po mos moj nanë, mos moj nanë mos,mos baj kshu moj nanë, mos e rrëxo zotin në tokë se i ka nda hiset ai. E ç’hise ka barë për ty, atë do marrësh, mos moj shpirtja e nanës se shkon ora e djon…
Ti nana i frikeshe shumë fjalës vdekje, të kishin vdekur pesë vajza, katër më të vogla dhe e pesta vetëm 31 vjeçe, pas dhjetë vjet martese dhe la pesë fëmijë jetimë. Prandaj ty nana nuk të hynte në sy as pasuria, as karriera… asgja, veç jeta! Nuk kishte rëndësi për ty nëse fëmijët që lindnin nuset e tua ishin djem apo vajza, mjaft të ishin sagllam dhe të gumëzhinte oborri…
Nejse nana se po sorollatem ca si shumë, të vazhdoj tani aty ku e lashë rrëfimin…
Ishte data 27 Gusht… dhe listat s’kishin dalë akoma. Të nesërmen ishte data 28 gusht, qe ditë e shtunë dhe familjet tona ishin të ftuara në Divjakë tek krushqia e xhaxhait, po mami nuk donte të shkonte se kishte merakun tim se isha me ethe, isha ngjitur mbas krevatit. Bashkë me ta shkoi edhe vëllai Bujari se babai ishte në një koncert dhe nuk mund të mungonte. Kur po ktheheshin në mbrëmje dhe po kalonin para gjimnazit, ai ju kishte thënë të tjerëve:
Prisni pak këtu në rrugë se po shkoj t’i hedh një sy mos kanë dalë listat. E kishte parë që emri im ishte në listë, po jo në degën që doja. Shkon dhe ua thotë dhe të tjerëvë se i ka dalë për ekonomi financë – industri.
Mami kishte mbetur si e ngrirë dhe i kishte thënë… “A thua do t’i pëlqej asaj?”
-I pëlqen s’i pëlqen ajo i ka dalë.
Ashtu ca të mërzitur  dhe në ankth si do ta prisja lajmin, morën rrugën për në shtëpi. Bujari filloi të thërriste që përtej portës;
…Më thuaj çfarë do më japësh të ta jap lajmin e shumëpritur. Mua më ishte fikur zëri ngaqë kisha një javë në shtrat dhe ashtu me atë pak zë që më kish mbetur klithja nga dritarja e dhomës, më thuaj më parë çfarë më ka dalë, pastaj të them se çfarë do të jap.
Por ai këmbëngulte në të tijën! Jo, më thuaj çfarë do më japësh, s’e nuk ta them, derisa u dorëzova dhe i thashë do të japë çfarë të duash, vetëm thuaje!
Më tha se do më duhej të studjoja për financë. E çfarë është kjo? – u shpreha gjithë habi.
Nuk e di nana nuk ndjeva as gëzim, as trishtim, mbeta ashtu si e ngrirë, pse as e kisha menduar se ekzistonte nji degë e tillë. Ndërkohë që im vëlla po më mbushte mendjen se ishte degë shumë e mirë, më mirë një punë e sigurt dhe në qytet, se sa të isha bërë mjeke dhe të përfundoja në ndonjë fshat të thellë etj, etj.
Ja kështu u pajtova me kismetin siç e thoshe ti dhe erdha me lot ndër sy dhe të thashë:
-Nana nuk u bëra dot doktoreshë ashtu si doje ti, nuk e kisha unë në dorë… Po, ti nana më shtrëngove fort në gji dhe më the: “Randsi ka moj bijë të shkosh të studjosh se çdo porfesion (!! gjithnji mi shtremroje ca fjalë) po e deshe fort të futet në shpirt e s’të shqitet ma…
Sa e mençur ishe ti nana ime, se vërtet unë e desha shumë profesionin tim, punova me gjithë shpirt, kudo që mu dha mundësia.
Ti Nana, nuk e di por ma vonë e mora vesh se mua më kishte dalë mjekësia, por ma kishte ndërruar njëri që kishte miq në qeverri. Të kujtohet? Kështu u thoshe ti atyre të mëdhenjve…
Prit, prit se m’u kujtua dhe një shprehje tjetër e jotja… Kur unë të tregoja për ndonjë vendim timin e ty nuk të pëlqente shumë, më thoshe… Hajt të keqen nana, ktheje llafin. “Po jo moj nana – të thosha – si ta kthej llafin? Nuk e kthej dot kam dhanë llafin. Ti lodheshe duke më bindur pastaj më thoshe… Po ktheje moj nanë, se e ka kthy qeverria madhe e jo s’po e ktheke ti!
Po ku e dije ti Nana që e kthente llafin edhe qeverria, se atëhere sikur thuhej se qeverria s’e kthen. E tmerrshme paske qenë, se tani po e shohim se qeverria jo që e kthen llafin sa here t’i dojë qejfi, po as i kërcet fare ta mbajë llafin… Nejse, nuk do merrmi me pulitikë ne të dyja se nuk asht për ne, po vazhdojmë llafosmi për hallet tona ma mirë…
Eh moj nana, ta kujtova gjithë këtë histori se desha të zbraz dhe shpirtin tim. Se dhe unë nana këtë muaj prisja me ankth se çfarë  fakulteti do të fitonte vajza ime e vogël. Ajo më ngjan në shumë gjëra mua dhe frikesha se do t’i ndodhte ashtu siç më ndodhi edhe mua me shkollën.
Këta të rinjtë e sotit moj Nana s’e vrasin shumë menjen, por mua vetëm te shkolla e gocës më rrinte mendja. Bëja gjithë ditën hesape me veten time. Diku s’ma nxinte thesi bereqetin e diku bereqeti s’ma mbushte thesin. Lene mos e pyet! Tek ecja në të përditshmen time më dukej sikur ngado dëgjoja zanin tat që më thoshte… “I paske harru llafet e mia? Ça t’ka thanë Nana, që zoti i ka nda hiset dhe vajza do shkojë atje ku ka bar emër ai…!” Mirë e kishe ti po ne rrehemi sikur e kemi ne fatin në dorë. Dhe parandjenja s’më kishte gënjyer. As asaj nuk i doli dega që dëshironte, i doli një degë tjetër.
Eh, ta dish moj Nana sa e vuajta, m’u dukte se po e vuaja ma shumë se ajo vetë, m’u rikthyen edhe njiherë ato ditë plot ankth kur prisja shkollën time. Se që thua ti Nana sot kanë ndrru kohnat. Nuk ka ma, se e mbarove shkollën dhe e ke punën të sigurt. Apo se po mbarove një shkollë të specializuar dhe do të  punosh  patjetër në atë drejtim. Jo moj Nana, jo. Sot shumë pak e fitojnë punën me zotësi. Punën e kanë të sigurt ata që kanë miq, dhe ata që kanë para.
Se  m’u kujtua dhe një shprehje jotja…
Teksa mendoja që nëse vajzës nuk do t’i dalë ajo degë që dëshiron, të mundja ta dërgoja në një universitet privat. Se që thua ti Nana, tani nuk ka vetëm shkolla qeverrie siç i quaje ti ato, po ka edhe shkolla private me pagesë që ta masin kokën me pe. Mbaj mend që kur binte llafi te lekët dhe thonin që filani ka lekë ti mërmërisje me vete atë shprehjen tënde të famshme… “Moj para, moj më hanksh munë, se bare zengjin harbunë…!”
Eh Nana, sot ka plot zengjinë. Thonë se janë ashtu si u thoje ti atë llafin e pistë, po hajt të mos merremi me llafe…
Nejse Nana dhe ime bijë do shkojë të studjojë në degën që i ka caktu qeverria se unë nuk jam zengjine që ta çoj në shkollë me para gocën.
Nana se mos harroj meqë po flasim për porfesionet e shkollat. Njëra nga stërmbesat e tua ish barë doktoreshë dhe e di cila është?Esa, ajo që mban emrin tënd. Mjeke… edhe pedagoge! Ja mos e mbaj ma merakun që nuk u bara unë!
Ja Nana, kto halle e siklete kam pas që s’kam ardhur te ti. Me mendje kam ardhur çdo ditë, me shpirt kam ardhur çdo natë, kam folur me ty, të kam kërkuar menje, të kam kërkuar pak nga ajo forca jote magjike.
Nana se harrova, kemi pasë dhe dasëm. Ti i ke pasë shumë qejf dasmat, megjithëse unë s’të kam parë asnjëherë duke gërxyr, por zanin e bukur kur kënoje s’ta harroj dot. Të mbusheshin sytë kur na shifje të stolisura për dasma. Një herë nxorre nga sepetja edhe gërshetat e tua të gjata që i ruaje atje mes rrobave  që t’i thurte njëra nga mbesat që i kishte flokët e shkurtra se do visheshim me kostume myzeqare dhe sipas teje kostumi nuk shkonte pa flokë të gjata.
Ishte plot oborri Nana. Se unë dhe Linda, ajo dortopolakja e nanës siç e quaje ti, e kemi bërë një shtëpi bashkë dhe kemi një oborr të madh.
Dasma doli shumë e bukur, u mblodhën plot njerëz që këndonin e kërcenin gjithë natën deri në të gdhirë, por nuk e di pse mu duk sikur më mungoje ti.
Sa shumë doja të të kisha ulur atje në ballkon dhe të dukeshe si një princeshë përrallash.
Përrallat Nana janë të bukura, por nuk zgjasin shumë, mbarojnë shpejt… Janë si ëndrrat që të shpien në qiell, të bëjnë të ndjehesh yll, por sapo rrezet e para të diellit të bien mbi qerpikë zhduken si me magji dhe magjia mbaron.
Edhe unë Nana e mbarova rrëfimin për sonte. Shpresoj mos të kem lodhur.
Fli tani e ambla ime, se do vij prap te ti…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.