back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Letër Kolit… (Sokol Olldashit) nga Nebil Çika

Gazeta

Sokol Olldashi (1972-2013)
Sokol Olldashi (1972-2013)

Letër Kolit…*

nga Nebil Çika

I dashur mik!
Ikën dy vjet nga dita kur ti na le, por mua më duket sikur ke ikur dje. Nuk ka ditë që nuk të kujtoj. Edhe kur nuk dua ta bëj vetë, do të gjendet dikush nga miqtë, rrethet shoqërore e profesionale ta përmendë emrin tënd apo të kujtojë diçka nga ty: mirësinë e inteligjencën; kulturën dhe guximin; burrërinë dhe humanizimin; seriozitetin dhe humorin; familjarin dhe harapçiun; gazetarin, poetin dhe politikanin e mjaft cilësi të tuat që atëherë i kishin para syve por nuk i vlerësonin sa tani. Ndoshta vlerat bëhen më të shtrenjta kur ato na mungojnë.
Ike i ri, jashtë radhe, me hile, “na tradhëtove e na preve në besë”, atëherë kur na duheshe aq shumë. Këtë nuk ta fal dot!
Ike pa na thënë gjë, pa na paralajmëruar. Nuk e dimë çfarë të ndodhi, e si të ndodhi kjo gjëmë. Ja bëre vetes apo ta bënë?! Ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë të vërtetën në këtë botë. Por, kur të takohemi në atë tjetrën, ku të gjithë do të japim hesap, sigurisht që ma ke borxh të vërtetën!!
Këtej punët venë keq e më keq… edhe për fajin tënd! Po të ishe gjallë mund të na kishe dhënë një dorë për më mirë. Të kujtohet!? Ti ishe i pari që hape punën e dekriminalizimit të politikës! “O ne o trafikantët kanë vend në ketë sallë!” – the në fjalën tënde të fundit në parlament. Është bërë kauzë e opozitës dhe çështje ndërkombëtare. Thonë që do ta bëjnë ligj. Deri tani llafe… por shpresojmë shumë të bëhet diçka. PD-ja vazhdon siç e ke lënë, tërhiq e mos e këput! Gjithnjë më shumë thonë se po të ishe gjallë gjërat do ishin më ndryshe. Thika njerëzve u ka vajtur në kockë! Mjerim e pasiguri, por më e keqja është mungesa e shpresës. Qindra mijra njerëz po ikin nga sytë këmbët. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë, më e pamundur për të qëndruar këtu!
Siç të thashë, kujtohesh pothuaj përditë!
Ka edhe spekulim të madh me emrin dhe kujtimin tënd. Miqtë, sidomos ata “të ngushtët” të janë shtuar shumë pas ikjes tënde. Kam parë tipa, që nuk doje as t’i shihje me sy kur ishe gjallë, që përbetohen për miqësinë e madhe me ty!! Të tjerë më spekulantë e përdorin miqësinë apo njohjen me ty për interesa politike, etje. Mundohen ta paraqesin dështimin e tyre duke e lidhur me ty, si padrejtësi që u bëhet prej të qenit me ty politikisht. Këta më mërzisin më shumë. M’i bien zorrët në grykë.

Sokol Olldashi - deputet e minister i PD-se
Sokol Olldashi – deputet e minister i PD-se

I dashur vëlla!
Dy vite pa të parë, pa të dëgjuar zërin, janë shumë! Boshllëku që ke krijuar me ikjen tënde është shumë më i madh se sa e ke menduar. Jo vetëm për djemtë Kozetën dhe Kelën, por për të gjithë ne miqtë apo njerëz që të kanë njohur në mënyra nga më të ndryshmet. Thonë: “I vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët!” Me ty nuk po ndodh kështu. Mua më duket se je më shumë këndej me ne… se andej nga je nisur. Ndoshta nga që ike pa mbarur punë apo ngaqë e shikon se jemi në hall të madh e po përpiqesh të na ndihmosh me praninë tënde… Ndoshta ne me nevojën që kemi për ty, me mallin që kemi për ty, nuk të lemë të ikësh. Mbase ke ndonjë gjë për të na thënë e ne s’po e marrim dot vesh!
Por pas dhimbjes së madhe ti na le një mundësi gjithashtu të madhe për ngushëllim. Në katër dekada jetë, ti bërë aq shumë gjëra të mira që të tjerët nuk i bëjnë dot për dyfish e më shumë jetë. Familja e miqtë krenohen me ty dhe kjo është shumë e rëndësishme. Askush nga ne nuk e di dot fundin por gjithkush do të dëshironte një kujtim e emër si ty në këtë botë!
Kam shumë për të thënë po pikëllimi e malli më zënë grykën e fjalët me tradhtojnë…
Po e mbyll këtë letër duke shpresuar se do të pëlqejë. Por edhe po nuk të pëlqeu ti e di vetë, mund ta redaktosh, ashtu siç bënim me shkrimet e njeri tjetrit dikur tek “Albania” .
Jam krenar për ty, miku im i shtrenjtë!
Tiranë, me 19-11-2015

*Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i PD-se…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.