back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Letër e hapur Zv.Kryeministrit Niko Peleshi

Gazeta

Korça në dimër 1929
Korça në dimër 1929

Letër e hapur Zv.Kryeministrit Niko Peleshi

Një protestë qytetare në mbrojtje të vlerave të qytetit të Korçës…

Disa arkitektë korçarë, të vendosur në Amerikë dhe Kanada shprehin shqetësimin e tyre qytetar, në mbrojtje të vlerave arkitektonike të qytetit të tyre… Në mbështetje të letrës të tyre, theksoj se shqetësimi i tyre është i drejtë dhe i ligjshëm, por tek ata që merren me zgjidhjen e problemeve po shuhet aftësia për të dëgjuar dhe zgjidhur shqetësimet, dhe po shtohen veprimet dhe prapaskenat financiare që i detyrojnë këta pushtetarë t’i shpërfillin në trajtat më brutale këto zëra që s’kanë asnjë interes jashtë dashurisë dhe respektit për vlerat e qytetit të tyre… I bashkohem këtij shqetësimi, që edhe nëse nuk sjell asgjë pozitive në kët shurdhëri interesash të bëra nyje, sepse të mos qenit dakort dhe të mos heshtësh duhet të jetë diçka e domosdoshme e së nesërmes së përbashkët, që në mos dashuri të paktën dhimbje dhe respekt duhet të ketë për çka na lanë paraardhësit… jr.    

Korça - Projekt i së nesërmes
Korça – Projekt i së nesërmes

Letër e hapur Zv.Kryeministrit Niko Peleshi

Zoti Zëvendës Kryeministër,
Ne jemi shtatë arkitektë me origjinë nga Korça, që punojmë në shtete e provinca të ndryshme të Amerikës së Veriut. Po ju drejtohemi me shpresën, se keni ende dëshirën e mirë, për të përmirësuar qytetin tonë të lindjes. Disa prej nesh ju njohin personalisht dhe të tjerët nuk e kanë patur mundësinë, për shkak të emigrimit të hershëm. Megjithatë, të gjithë kemi besuar e besojmë se i doni të mirën Korçës.
Jemi tejet të shqetësuar, për ndërhyrjen, që po bëhet në sheshin para Teatrit “A.Z. Çajupi”. Edhe pse ju nuk jeni më Kryetari i Bashkisë së Korçës, e dimë, që projekti ka qënë dhe mbetet nisma e juaj, i ideuar si një përpjekje e mirë për të përmirësuar qytetin. Pamjet tredimensionale, që kemi parë në mjetet e informimit (në faqen zyrtare të Bashkisë se Korçës në internet, nuk ka asgjë rreth projektit më të rëndësishëm të Bashkisë për vitin 2014) na kanë tronditur. Projekti i paraqitur është një shembull i keq i Arkitekturës Brutaliste, e cila ka perënduar në botën e përparuar, që në mesin e viteve ’70 të shekullit të kaluar. Ndërtimi nuk mund të konsiderohet një eksperiment i arkitekturës bashkëkohore, të cilin koha do e gjykojë më vonë. Ndërtimet më në zë të arkitekturës brutaliste qëndrojnë në shumë qytete perëndimorë, si shembuj të një marrëzie eksperimentale të viteve ’50 dhe ’60, kur arkitektët përpiqeshin të gjenin rrugë të reja të shprehjes arkitekturore.

Biblioteka Thoma Turtulli - Korçë
Biblioteka Thoma Turtulli – Korçë

Një objekt i tillë nuk duhet ngritur në qendër të një qyteti me karakteristika të formuara mirë edhe pse gjatë 70 viteve të fundit, ka pasur në të plot shembuj të ndërhyrjeve të gabuara në arkitekturë dhe urbanistikë. Ne kemi vlerësuar përpjekjen tuaj për të përmisuar kompleksin arkitekturor të sheshit edhe pse përgjithësisht gjykojmë, që në një qytet me pak hapësira publike, sipërfaqet e lira duhet të ruhen. Megjithatë, ndërhyrja në të duhet të jetë krejt e ndryshme nga projekti gjerman, tashmë i miratuar dhe i nisur të zbatohet. Korrigjimi i thellë i tij është i domosdoshëm dhe i mundshëm. Mjafton vetëm dëshira juaj e mirë për të dëgjuar sugjerimin tonë dhe të shumë korçarëve të tjerë, të cilët publikisht apo privatisht po e kritikojnë projektin. 
Ju kërkojmë me ngulm, por dhe me besim të ndalni këtë gabim të rëndë arkitekturor dhe urbanistik në qytetin tuaj dhe tonin. 
Shpresojmë që keni dashurinë për Korçën dhe vullnetin për ta bërë këtë.

Traditë e katandisur...
Traditë e katandisur…

Me respekt,
Ark. Anxhela Mosko – Hamilton, Ontario

Ark. Jeta Xhufka – Toronto, Ontario

Ark. Ilia Lera -Boston, Massachusets

Ark. Klarens Karanxha – Boston, Massachusets

Ark. Maksi Pengo – Boston, Massachusets

Ark. Naumaq Mara – St.Catharines, Ontario

Ark. Nensi Bregu – Boston, Massachusets

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.