Lenini dhe Gandhi nga Klodi Stralla

Klodi Stralla 2013

Klodi Stralla 2013

Lenini dhe Gandhi nga Klodi Stralla

Fundjanari është përvjetori i vdekjes së dy personaliteteve të mëdha historike të shek. XX-te: Vladimir Iliç Leninit (21 janar 1924) dhe Mahatma Gand’hit (30 janar 1948).
Nuk është e lehtë t’i vesh përballë njëri-tjetrit babanë e moskundërshtimit të së keqes me dhunë dhe babanë e dhunës si mjet shpëtimi nga e keqja…
Të dy, Gand’hi dhe Lenini lindën pothuaj në të njejtën kohë; të dy u përkasin dy prej popujve më të mëdhenj të botës, Indisë dhe Rusisë; të dy u përballën me të njejtën të keqe sociale: shfrytëzimin dhe pabarazinë, duke mbetur misionarë të kauzës së tyre deri në fund të jetës. Por ata ndryshonin nga dashuria dhe vizioni që patën në zgjedhjen e mjeteve me të cilat duhej korigjuar padrejtësia, përballur pabarazia dhe kultivuar humanizmi…
Të dy kishin bindje të shenjta në qëllimin e misionit të tyre – çlirimin e bashkëkombasve të tyre dhe mbarë njerëzimit nga shtypja dhe shfrytëzimi kapitalist dhe kolonialist. Njerzit e punës dhe të varfrit e botës ishin lënda e parë e veprimtarisë së tyre politiko-shoqërore.
-Të dy kishin bindje të shenjta në shkakun e misionit – vuajtja në botë është shkaktuar kryesisht nga ekzistenca e një sistemi të padrejtë shoqeëor, i cili lejon që një klasë (kapitalistët) të jetojë mbi shfrytëzimin e një tjetër klase (punonjësve).
-Të dy kishin bindje të shenjta në drejtësinë e misionit – ky sistem i pamoralshëm, i padrejtë e antihuman duhej ndryshuar, dhe njerëzimi e kishte forcën, vullnetin dhe dijen për ta bërë këtë gjë.
Por…
këndvështrimet e tyre mbi botën, mbi kulturën, mbi ekonominë, mbi pushtetin, mbi humanizmin ndryshonin shumë prej njeri tjetrit, duke e bërë të parin personifikim të dhunës pakufi dhe të dytin mëshirim të dashurisë pakufi.

Vladimir Iliç Lenin (1870-1924)

Vladimir Iliç Lenin (1870-1924)

-Lenini ishte i mendimit se sistemi i padrejtë social dhe ekonomik ekzistonte sepse shfrytëzuesit mbajnë fuqinë e shtetit në duart e tyre. Nëse pushteti do të kalonte nga shfrytëzuesit tek të shfrytëzuarit, me anë të një revolucioni social, atëherë do të mund të ndërtohej një shoqëri e re ku vazhdimësia e të keqes do të bëhej e pamundur. Për këtë arsye, gjithë përpjekjet e tij u drejtuan drejt organizimit të revolucionit që do të çonte në krijimin e shtetit të diktaturës së proletariatit, që do të ndryshonte mardhëniet e pronësisë, do të riorganizonte arsimin dhe kulturën, do të ridimensiononte kapitalin me punën, duke bërë të mundur zhdukjen njëherë e përgjithmonë të shfrytëzimit të njeriut nga njeriu.

Mahatma Gand'hi (1869-1948)

Mahatma Gand’hi (1869-1948)

-Gand’hi përkundrazi, e adhuronte lirinë e njeriut dhe ishte kundra çdo organizimi centralizues dhe imponues të shpirtit njerëzor. Ai besonte se thelbi i problemit nuk qëndron në autoritetin e shtetit, por në karakterin e individit, i cili i jep formë vetë ekzistencës së shtetit. Gand’hi besonte se Ata që sundojnë, e bëjnë këtë për shkak se të sunduarit kanë frikë prej dhunës së përdorur prej tyre… Prandaj, mendonte Gand’hi, “…ne mund të gëzojmë të drejtën e lirisë vetëm nëse e flakim tej frikën që qëndron e burgosur në zemrat tona…!” Për këtë arsye të gjitha përpjekjet e tij janë kah ndryshimi i karakterit individual të njeriut, por këtë e kërkonte me reforma sociale dhe ekonomike dhe jo me dhunë. Gand’hi e dinte se pabarazitë njerëzore janë të lindura, janë natyrore, por besonte se shoqëria dhe organizimi i saj nuk duhet t’i lejojë që ato të shndërrohen në privilegje dhe për me tepër në privilegje të trashëgueshme, por edhe as të mos e mpijnë dhe topitin aftësinë krijuese të individit, duke vendosur arbitrarisht barriera të padobishme barazitizmi ekstrem…

Dallimi i madh midis Leninit dhe Gand’hit në lidhje me mjetet e përdorura për arritjen e qëllimeve, në fund të fundit buronte nga një ndryshim rrënjësor në opinionin e tyre në lidhje me rolin që luan individi në historinë e njerëzimit.
-Lenini si materialist marksist, besonte se thelbi i qenies (njeriut) ishte frut i rrethanave materiale dhe sociale ku ai jetonte dhe punonte. Nëse do t’i ndryshonim këto rrethana dhe para së gjithash mardhëniet në prodhim dhe pronësinë mbi mjetet e prodhimit do të krijonim një njeri që do të mendonte për shoqërinë dhe interesin e përgjithshëm… Prandaj përpjekja e tij kryesore u përqëndrua në ndërtimin e shtetit të diktaturës se proletariatit, si instrument për arritjen e këtij qëllimi…
-Gandi si idealist, ka pak besim në një jetë më të mirë, të bazuar kryesisht mbi shtrëngimin apo imponimin; për të Partia nuk është diktaturë e shumicës që mbyt mendimin e lirë, por një komunitet vllazëror njerzish tolerantë dhe mendjehapur. Për të, ndryshimi i vërtetë i frytshëm mund të vijë vetëm nga brenda zemrës së njeriut. Çdo ndryshim në formën e jashtme të administrimit të shtetit duhet të jetë një shprehje e shkallës së progresit të brendshëm të arritur nga individi…
I pari bëri aleancë me urrejtjen (lufta e klasave), i dyti bëri aleancë me dashurinë… Lenini mendonte se Historia e kishte ftuar atë në skenë si inxhinierin e saj social, për të kryer punët e veta, ndërsa Gand’hi besonte se Perëndia kurrë nuk na pranon në hartimin e së ardhmes sonë, sepse këtë mjeshtri e ruan për vete qysh nga koha e krijimit…

Sot që të dy, si Lenini edhe Gand’hi, kanë vdekur fizikisht dhe i përkasin historisë.
Njeri ende vazhdon të qëndrojë si mumje në themelet e Kremlinit; ndërsa hiri i tjetrit prehet në ujrat e Gangut. Fill pas vdekjes, i pari u përjetësua në bronx, në mijra kopje, jo vetëm në vendin e vet, por në shumë vënde të botës që përqafuan kauzën e komunizmit; i dyti është përjetsuar në zemrat e mijra njerëzve paqedashës, humanistë dhe liridashës në mbarë botën. Por ka një ndryshim: piedestalet e të parit sa vijnë e pakësohen, ndërsa “piedestalet” e të dytit ngrihen edhe aty ku më parë lartësoheshin piedestalet e të parit…
(Marrë nga muri i fb. 21 janar 2014)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Hapësirë Debati  Etiketat: , , , ,
Një përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Pjetër Delia
    Duket e çuditshme që t’i ketë ngrohë i njejti diell… Për mua janë si drita dhe errësira… si vdekja dhe jeta… si urrejtja dhe dashuria… si e vërteta dhe gënjeshtra… mbasi njëri ka shkaktuar miliona të vdekur, dhe tjetri as edhe nji të vetëm…
    (marrë nga muri i fb. 31 janar 2014)

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook