Lëkura e Daulles… rrëfim nga Jozef Radi

Lazer, Vitore dhe Jozef Radi - Kampi i çermes 1959

Lazer, Vitore dhe Jozef Radi – Kampi i çermes 1959

E kam parë Lazër Radin kur e demaskuan publikisht.
Ka ndodhur në vitin 1982, në kinoteatrin e Savrës, në prani të 600 njerëzve bërë grusht nga frika.
Nën shembullin e sekretarit të partisë Petraq N. e fyen, e poshtëruan,
e gjuajtën me gurë fjalësh dhe brohoritje për partinë.
Por ai, qëndroi ashtu i patundur si shtatore, i sfidoi gurët dhe fyerjet me fjalët dhe heshtjen e tij.
Dhe unë shtrëngoja në grusht gurin e zemërimit kundër asaj turme të egër.
Një vegël qorre e diktaturës, Rustem B., u ngrit duke u çjerrë:
“Na trego ti Lazër Radi, pse vazhdon të vjellësh vrer kundër komunizmit?
Ç’të keqe të ka bërë ty pushteti i popullit?”
Dhe Lazri me guxim iu përgjegj: “Ky pushtet s’më ka bërë asgjë të keqe!
Më ka dënuar me 30 vjet burg, prej të cilave 10 i kam vuajtur ditë e më ditë,
kam 30 vite që i shetis gjithë kampet e interrnimit të Shqipërisë;
nëse ju i quani të keqe kët gjë, unë s’e quaj aspak të tillë,
përkundrazi e ndjej si respekt!?”
Gëzim Hajdari – Libri Gjëmë  – Genocidi i Poezisë Shqipe
.
Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij - Saver 1989

Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij -
Baraka e Savres 1989

Lëkura e Daulles…

rrëfim nga Jozef Radi

Mbasditja e së shtunës së 21 tetorit të vitit 1982, më gjeti mbi traktorin e Gaqi Ç. duke mbjellë grurë! Ishte kohë vjeshte, si e tillë aksionet në korrje misri, vjelje pambuku dhe mbjellje gruri ishin kryefjalë po aq kryefjalë ishin edhe aksionet politike!
Vetvrasja e Kryeministrit më jetëgjatë dhe më famëkeqit të Byrosë Politike, u pat shkaktuar shumë vetëve, në burgjet politike dhe në kampet e interrnimit, një fërkim të fortë duarsh dhe buzëqeshjen e kënaqësisë që ajo “lojë mes tyre” të vazhdonte…
Brigadieren Bukurie B., e cila ca kohë më parë ishte pranuar në parti, e kisha lajmëruar qysh në mëngjes, se atë mbasdite do të ikja pak më herët, mbasi të nesërmen kisha ceremoninë e fejesës! Si gjithnji, ajo qe shumë e sjellshme me mua, më tha po, por meqë kohës i vërdallej shiu, këmbënguli t’i jepnim pak vrull e ta mbyllnim mbjelljen e asaj parcele të Qindshit, dhe unë më pas mund të ikja!
Stina e vjeshta ishte në zemër të saj, dhe shirat ishin aty, mbas kodrave. Kështu, vazhdova të punoj si kalë, dhe vetëm kur kaloi pesa e mbasdites, i thashë Bukuries që sipas bisedë, unë po nisesha! Punë, kishte mbetur dhe fare pak!
S’di pse atë mbasdite, sytë e saj më shihnin me njëfarë dhimbje të përzier me nji pamundësi ndihme, çka nuk i gjeta asnjë kuptim, megjithatë, kur hodha trastën e bukës dhe xhaketën mbi shpinë dhe u nisa, ajo ma uroi fejesën, po njëherësh më porositi se “…në gjashtë e gjysëm, në sallën e kinemasë, ka një mbledhje me shumë rëndësi! Vijnë edhe nga Komiteti i Partisë, kështu që ishte mirë të merrja pjesë!”
Edhe pse i rishpjegova për mysafirët në shtëpi, i thashë: “Gjithsesi do mundohem të shkoj!” Sytë e saj më panë sërish me atë dhimbjen e trazuar të mbasdites, dhe ndërsa më zëvendësoi në makinën e mbjelljes, unë shtriva hapat e gjatë, mbasi më prisnin nja katër kilometra të mira rrugë më këmbë!
***
Baba, kishte ditë që ishte në Tiranë. Kishte shkuar të merrej me përgatitjen e krejt anës protokollare të asaj fejese tipike për kohën, kështu që kishim ditë pa u parë, gjë që ndodhte rrallë. Vetëm ne mund të largoheshim pa leje, ai qe gjithnji peng: herë i shtetit e herë i vetvetes! Nuk largohej pothuaj kurrë nga shtëpia, mbasi jeta e tij, përgjatë atyre viteve, ishte kaq shumë e survejuar sa vetshndërrimi në peng, i dukej si e vetmja zgjidhje për t’i përfjetur disi survejuesit!
Rrugës nuk mendova pothuaj asgjë! Ndjeja një lloj gëzimi dhe boshllëku të trazuar bashkë! Emocioni i një feste i trazuar me një kohë çemocionuese, e bën njeriun të ndjehet pa bosht, kështu secili prej nesh nënshkruante një aktkapitullimi në heshtje para rrethanave, dhe pa e kuptuar bëhej rob i tyre, kjo gjithnjë në emër të “një së nesërmeje më të mirë”, e cila s’ishte tjetër, veçse një iluzion!
Te barraka jonë… mbërrita i mbuluar në djersë. Si e shtunë që ishte, i gjeta ndrresat dhe ujin gati! Sa hyra brenda pyeta për babën, dhe mama më shpjegoi se kishte ardhur dhe gjithçka ishte në rregull. Po kur e pyeta se ku ishte, më tha: “E ka kërkuar Mihal Kshilli!” Në të vërtetë ai kishte ardhur edhe dy herë tjera ditë më parë me shpjegimin, se kishte “një punë të rëndësishme me të!”, po kjo qe interpretuar si e zakonshme, pasi shpesh ia kishin nevojën, edhe pse prej kohësh ishte në pension.
Lëshova një “Mooos!!” dhe m’u prenë krahët! Mama që aq donte, u trondit menjëherë, mbasi në kësi rastesh, sëmundjet e saj kronike: tensioni, zemra, frymëmarrja, tiroidet e rrëzonin sa hap e mbyll sytë! U vesha sërish me bluzën blu, mbatha çizmet dhe dola në rrugë!
Lazër Radi, do të qe asaj së shtune lëkura e daulles e asaj dasme tetori!
Muzgu po zhytej me të shpejtë në terr. S’kisha bërë as pesëdhjetë hapa kur e pashë nga larg kreshtën e një koke të thinjur! Eca drejt dhe diku në mesrrugë u takuam. U përshëndetëm me një përqafje të lehtë, dhe e pyeta menjëherë se ç’i kish thënë Mihal Kshilli!
-Asgja me randësi. Më tha, vetëm prit se kena diçka të randësishme me ty! Kujtova se ishte fjala për ndonjë punë emulacioni, por jo! Meqë kisha ba edhe pak pazar, dhe mbas dy cigaresh të pime, i thashë, – Mihal po e çoj kët strajcën në shtëpi dhe kthehem shpejt!
-Gajret Lazër! E paskan me ty sot këta maskarenjtë! Ai heshti, më pa drejt e në sy dhe atë copë rrugë deri në shtëpi e bëmë pa fjalë…
-Eh… – psherëtiu – këtyne u del punë me të vdekunit dhe me të gjallët! Së paku, duhet të mos e bajmë alarm, se kemi edhe mysafirët në shtëpi!
Vazhduam në heshtje! Në oborr gjetëm mamën tashmë të pushtuar nga paniku! Ndërkohë që unë u futa të lahem, sa hap e mbyll sytë Lazri e rrëkelleu dopion e rakisë së darkës. E mori mamën në dhomën e gjumit dhe i foli italisht. U vendos që asnjë bisedë s’do të bëhej atë mbramje, asnjë shenjë tronditje s’duhej shfaqur në sy të mysafirëve. Si duket ajo i premtoi, dhe ai fitoi qetësinë që i nevojitej. Fjala i mori menjëherë atë ngjyrosjen babaxhane të argumentit dhe pse argumenti në kësi rrethanash, s’i hynte në punë askujt. Ato “ftyra shkjeshë”, (cilësor që Lazri e përdorte në të gjitha rastet, për ata me të cilët s’arrinte të merrej vesh), me siguri do të shkarkoheshin pa mëshirë mbi të!
Njerëzit e tezes së vogël nga Shkodra kishin ardhë. Tezja tjetër nga Tirana bashkë me të shoqin ishin rrugës, mbasi treni mbërrinte në orën gjashtë. Vëllai i vogël, kish dalë t’i priste po edhe të merrte dy këmishat e qepura enkaz për ceremoninë e së nesërmes! Motra me djalin e vogël sapo mbërritën. Pritej vetëm një i afërm nga Elbasani, dhe rrethi i krushqisë për të nesërmen mbyllej!
U vesha ngutshëm dhe dola me Lazrin. Ecëm në heshtje në rrugicën që të çonte te zyrat! Ishte errësuar tashmë. Dritat e jashtme të kinemasë dhe të zyrës së këshillit na ndihmuan të lexojmë ca lëvizje të pazakonta njerëzish. Te zyra e këshillit jepte e merrte Mihali, te Kinemaja, Sekretari i Partisë, Petraq N. u fliste disa prej atyre që dalloheshin për zell të veçantë, në kësi mbledhjesh! Te oborri i këshillit hungërinte Gazi i Degës, po unë e mendova si nji ambulancë gadishmërie në kohë epidemish. Ndërsa Lazri u fut te sheshi i zyrave, unë u spostova ca në terr, i padallueshëm nga larg dhe po prisja! Kur Mihali i tha Lazrit se mund të shkonte te Kinemaja, ai u nis me xixën e cigares në buzë, dhe ecjen e tij karakteristike lëkundëse e pak të kërrusur. Kur i futa krahun nga mbas, u habit pak që isha unë. Kokën e ndjeja ende të lagur, po drithërima që ma përshkonte trupin s’kishte asnji lidhje me flokët!
-Eh mor Lazër, – u përpoqa t’i jap pak humor gjëmës – të zuni edhe kjo pune! Po, rëndësi ka të jeshë i qetë. Unë do të jem aty afër teje! – dhe ia hodha krahun mbi shpatulla. Ndjeja një gjendje ngashërimi që mjaftonte një fill floku e mund të shpërtheja, por e sundova veten! Si duket ai e ndjeu këtë gjë!
.
Lazër Radi e Sulejman Hoxha si mekanikë - Pluk 1965

Lazër Radi e Sulejman Hoxha si mekanikë – Pluk 1965

-Nuk duhet ta japim vedin Nino! Gjysa e mijës pesqind! Ka me kalue edhe kjo si shumë tjera! Veç mos u ligshto! Nuk na ka mbetë tjetër, S’kanë çka me na ba, ma shumë se na kanë ba!

Kur iu afruam kinemasë, nji turmë e madhe njerëzish iu drejtua hyrjes. Ngjitëm 3-4 shkallët para derës, ku shumë të njohur na përshëndetën me sy, po më shumë na i ngulën sytë, si t’ishin lëshuar nga kafazët e bishave. Kur po hynim te salla, na erdhi afër Luftar Z. dhe i tha Lazrit:
-Ti Lazër do të ulesh te rreshti i parë! – dhe e shoqëroi duke i hapur rrugën mes turmës. Unë e ndoqa mbas. Në rreshtat e parë s’kishte asnji vend bosh! Kisha qenë me qindra herë në atë sallë 500 vendshe, po kurrë s’e kisha parë aq përplot me njerëz sa atë natë. Nji tension pezull lexohej në fytyrat e të gjithëve. Edhe pse spektakël i luajtur edhe herë tjera, kësaj rradhe ishte i veçantë. Demaskohej një njeri me autoritet, i njohur prej të shumtëve si personifikim i heshtjes dhe urtësisë!
Lazri u ul në rreshtin e parë, ne të majtë të tre ndarjeve me karrige dhjetëvendëshe. Mbasi rrotull s’kishte vend bosh, ia ngula sytë babës si për t’i thënë, që këtu më ke, dhe u shtyva duke çarë turmën drejt fundit të sallës, ku më thirrën një grup shokësh dhe më bënë vend mes tyre! Ishim ngushtë, tre vetë në dy karrige, po gjithsesi ishim ulur! Njeri prej tyre, si në konfidencë më tha në vesh!
-Sonte demaskojnë Xha Lazrin!
-E marr me mend! – i thashë.
-Maskarenjtë! Po me xha Lazrin ç’kanë!
Tunda kokën dhe mblodha supet pa dhënë përgjigje! Ndjeja një drithërimë shpirti! S’ishte e para herë që demaskonin në atë sallë. Dy prej shokëve të mi u kishin demaskuar prindët, dhe kur e kishin ngritur njërin të fliste për babanë e tij, i miri Ndoc V., s’kishte mundur të thoshte asnjë fjalë të vetme… Asnjë! E pat mbërthyer një ngashërim i tmerrshëm!
“Përballë asaj që më ndodhi mbramë, nuk e dua veten!” – më tha të nesërmen me një trishtim të thellë!
Kurse të jatin e shokut tjetër, Kujtim N. prej Kollovozit të Kuksit, mbas demaskimit e mbërtheu një ligështim aq i thellë, sa pa mbushë gjashtë muajt vdiq!
Pra, kisha në sy dy modele trishtuese, dhe një spektakël për të përballuar deri në fund! Ndërkohë u hap sipari i skenës madhështore të kinemasë së Savrës. Për paradoks, ishte krejt punë dhe vepër e personit që demaskohej!!
Një brohorimë e stuhishme ritmike shuplakash dhe thirrjesh korale gadishmërie për partinë dhe timonierin e madh shpërtheu në sallë! Në disa tavolina të mbledhura bashkë, qe krijuar podiumi i personaliteteve, dhe përballë sallë e madhe e mbushur fytas!
I pari i festës së kurbanit, qe sekretari i Partisë së ndërmarrjes, myzeqari Petraq N., në krah të tij drejtori i ndërmarrjes, bregdetasi Polo Ç., anash Kryetari i Këshillit, i përjetshmi dhe i pavdekshmi Mihal Kshilli, pastaj në simetri përfaqësues i Komitetit të Partisë së Rrethit, dhe përfaqësuesi i Degës së Brendëshme, e me rradhë kryetari i Frontit Demokratik skraparliu Fitim Ç., përgjegjësi i Sektorit Pali P., kryetari i Bashkimeve Profesionale, sekretarja e partisë së Sektorit, përfaqësuesi i rinisë, përfaqësueja e grave, krejt një kupolë inkuizicioniste e ngjitur aty në majë, dhe përfund ai, njeriu i vogël, i trishtuar pse s’mund ta ndizte një cigare në atë sallë ujqërore!!!
Çasti solemn i hapjes erdhi!
Mes brohorimave u shfaq ai Petraq N., ashtu i gjatë e i hijshëm, i adhuruar dhe elokuent, shpërfillës dhe i gjithëdijshëm, autoritar dhe ironik, dhe të gjitha bashkë bënin te ai nyje: Dritën e Partisë! Dhe recitoi bukur për sukseset dhe arritjet, me refren partinë, foli për vigjilencën revolucionare, ngriti lart unitetin parti popull, vuri në majë të flamurit udhëheqësin e madh, foli për të korrat, për të shirat, për hambaret e mbushura plot, për të mbjellat e reja, dhe prap për grurin e për misrin, për lopët e për qumështin, për pambukun dhe lulen e diellit, për sukseset që s’kishin të sosur, për ditët e lumtura që jetonin dhe për ato që do vinin nesër, për mirëqenien e popullit që partia s’e bënte një natë gjumin rehat… pastaj nisi ta ntrashë zërin dhe nga goja e tij u lëshua gjyryku i fjalive për armikun e jashtëm, prej andej zbriti te armiku i brendshëm, u zgjat pak si shumë me armikun brenda rradhëve të Partisë, ku me fjalë të mirëorganizuara, të mirëtonifikuara e mirëpërcaktuara ulëriu emrin e një tradhëtari të partisë, që kishte vrarë veten, po edhe të tjerë le ta vrisnin veten, të gjithë ata që ia kanë me hile partisë dhe popullit ashtu do të përfundojnë… Se partia… dhe dëkërr… dekërr… dëkërr… kaq grurë e kaq misër, kaq panxharsheqeri e kaq luledielli, kaq miell e kaq djathë… kaq lesh e kaq përshesh… gjithë një propagandë, që mjaftonte të spostoheshe nja njëqind metra më tej e t’i hidhje një sy dyqanit të Qazes, ku mbretëronin ca banake bosh, me ca kuti marmallate, ca vazo kompostoje të “kohës së qyqes” dhe një pije e rjepur etikete e quajtur Verëmut…!!!
Por… nuk duhet asnjë çast të harrojmë armiqtë e klasës! Atyre që Partia u ka shtypur kokën si krimbave… Ata kur shohin përçarje në rradhët tona, kur gjejnë dështime… fërkojnë duart, hapin veshët, zgjasin gjuhën, u shtohet oreksi në të sharë, dhe janë gati t’i fusin veshët dhe kokën në radiot e huaja për të dëgjuar muzikën dhe propagandën që përhapin armiqtë tanë… Ata i shkelin syrin njëri-tjetrit, dhe thonë: Ja ikën, morën fund këta! Dhe harrojnë se ky është vetëm fundi i tyre, se populli është në këmbë, se partia me timonier Filanin, që ende s’e ka parë bota… rri në ballë, e na prijnë drejt betejash të reja…
Të rrojë sa malet Partia, për të mirën e popullit dhe për inat të armiqve tanë!
Brohorima sa nuk i krisi muret, sa nuk i theu xhamat, sa nuk e rrëzoi tavanin, sa nuk e valëviti kadifen e skenës…
Aty, mes grupit të shokëve, përpiqeshim të ishim pjesë e asaj çmendurie kolektive, për t’i ikur shtrëngatës së rradhës! U desh ndërhyrja e Petraq Sekretarit, si dirigjent orkestre ta frenojë korin brohoritës, e të dalë te misioni i asaj së shtune!
.
Këndi i Emulacionit Socialist - Piet den Blanken

Këndi i Emulacionit Socialist – Piet den Blanken

-Të dashur vëllezër e motra. E theksoj, armiku i klasës nuk fle! Ai përfiton çdo çast e çdo ditë nga gabimet tona. Po ai harron, se asgjë s’i shpëton dot vigjilencës së Partisë dhe popullit, dhe syrit të Organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilët na nderojnë në këtë mbledhje! Të gjithë ju që jeni mbledhur sot me siguri do pyesni: Po ky armiku që mendon orë e çast të keqen e popullit dhe partisë, është imagjinar apo prej vërteti? Ka emër dhe fytyrë, apo ja fut ashtu kot Partia?! Jo or jo! Partia kurrë s’flet kot! Ky armik ka emër dhe mbiemër, ka shkollë dhe përkrahje, ka ndëshkime, dënime dhe këshillime, por ama e bën veshin të shurdhër kur e këshillon Partia! Ju sigurisht, keni ardhur sonte ta shihni në sy dhe në fytyrë këtë armik?!

-Nxirreni para sallës, dhe ta pështyjë populli m’u në surrat! – thirri një zë nga mesi i sallës.
-Ja ua them unë emrin: quhet Lazër Radi! Ngrihu ti Lazër Radi, dhe jepi llogari popullit, për veprimet e tua armiqësore!
Kur u ngrit im atë, dhe kreshta e thinjur e flokëve iu përndrit nga dritat e skenës, sa s’më ra pika!
-Lazër Radi, e dëgjon ç’thotë populli?
Në sallë mbretëroi nji heshtje varri!
-Unë ndigjova çfarë thatë ju, populli s’po thotë asgja, vetëm po ju brohoret atyne që ju po thoni.
-Pse nuk të pëlqen, kjo që them unë?!
-Këtu nuk kam ardhë me thanë më pëlqen a jo çka thoni ju, apo ajo çka do të them unë… Unë di, që këtu në Savër kam 25 vjet që jetoj e punoj. Më njofin dhe e njof shumicën, kush ka për me folë për mue le të flasi, unë do të mundohem me iu përgjigjë me sa si deri nesër në mëngjes, po të jetë nevoja!
-Po, po do flasësh dhe do japësh llogari gjer më një! Të dëgjojë e gjithë salla! Po të këshilloj të ulësh kokën, e të kërkosh falje, se partia ka edhe satër! Fjalën e kanë organizatat e masave!
Dhe ja filluan hartimet e fillores me rradhë: Fronti demokratik: dekërr-dëkërr… dekërr-dekërr, Organizata e Gruas: tekër-tëkër… tekër-tekër, Pastaj Bashkimet Profesionale dekërr-dëkërr… dekërr-dekërr, Pastaj fjala i shkoi të përndriturit të këshillit të fshatit, mjeshtrit të madh të spitullimit dhe spërdredhjes Mihal Kshillos, atij zëholluarit violinë e parë dhe tekëël-tëkëël… tekëël-tekëël… tekëël-tekëël e tij e stërzgjatur qe më mirë të bije në gjiriz se të vërtiteshe në fjalët dhe ato buzëqeshjet e tij. Pastaj sërish  u mir fjala nga Organizata Bazë e sektorit: dekërr-dëkërr… dekërr-dekërr, nga Organizata e rinisë: dekër-dëkër… dekër-dekër.... Mungonin vetëm Organizata e pionerëve… dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe dekërr-dëkërr… dekërr-dekërrën e tyre dhe gjitha hallkat e shtetit e kishin thënë fjalën e tyre!!!
Për ta shkartisur pak atë dekërr-dëkërr… dekërr-dekërr monotone, dhe për të dëshmuar forcën e organizimit të punëve e mori fjalën Drejtori i Ndërmarrjes Polo Ç., i cili me nuancat dialektit të Bregut dhe me ritmin disi ushtarak të fjalëve, më skalitën në mendje ca fjali të paharrueshme!
-Kur duhet të mblidhemi për grurin dhe misrin, për qumshtin dhe mishin, ne mblidhemi për të gjikuar një armik kllase. Lazër Radi, ki intelektual borgez me zëmër të zezë, ki i pakënaqur i përjeçëm na Partia, akoma s’e ka kuptuar se si Populli e  zhyt… dhe ra edhe ai në dekërr-dëkërr… dekërr-dekërr… dhe u bë turmë!
Të dëgjosh kët ligjërim ideollogjik, ku të gjithë si me magji zhvendosen nga realiteti, dhe ku me i fundit i katundit mundet ta recitojë magjishem pjesën e vet duhet të jetë çelësi i magjisë komuniste. Ajo barazia në të qenit vulg aty shpaloste gjithë madhështinë e saj. Si duket Lazri ndjehej i lodhur ashtu në këmbë, nën atë liturgji përsëritëse deri në banalitet, dhe u ul në karrige. Po a mund t’i shpëtonte kush vëmendjes së Mihal Këshillit, njeriu tekëël-tekëël, që menjëherë e ndërpreu parafolësin duke tundur gishtin me gjithë dorë:
-Ngrihu në këmbë Lazër Radi, ngrihu në këmbë! Ke ardhur këtu të japësh llogari! Apo mos do gjë edhe një kolltuk, e të na shtriqesh si zotëri i rëndë!
Dhe Lazri ashtu si “Ariu i Arixhiut” u ngrit në këmbë dhe kryqëzoi ne heshtje duart para vetes! Nëpërdhëmba një sharje të ndyrë, po shumë të ndyrë, sepse atij njeriu gjithçka i qe e meritueshme!
Të gjithë përfaqësuesit e tribunës, nja njëmbëdhjetë, (një më pak se te Darka e Fundit), që pak a shumë përsërisnin njëri tjetrin, e mbyllnin fjalën me tone histerizmi brohoritës çka salla ngrihej në kombë, dhe i rropaste shuplakat deri në dhimbje!
.
Lazer Radi - Saver 1972

Lazer e Vitore Radi, Bajame Celiku, Beba Pervizi – Saver 1972

Dikur tribuna u lodh! Edhe Lazri dukej i lodhur në këmbë! Ndërkohë dera e sallës u hap dhe një turmë grashë shamibardha u fut me të shtyrë në sallës… Ishin gratë e stallave, që kishin lënë turnin dhe ashtu grup u derdhen brenda bashkë me pak ajër të freskët stallë…

E kishte rradhën popullit të fliste, dhe Lazër Radit t’i jepte llogari atij! M’u duk sikur situata e kishte tronditur, dhe tribuna kishte shkarkuar vetëtima pafund pa e lënë të përgjigjej e as të mbrohej! Tash i duhej qetësi të përgjigjej! Ajo që s’i kishte munguar kurrë!
Kur u tha se “Tani, fjalën e ka populli!” – tronditëse ishte fjalia e parë e një myzeqari nga Imshta.
-Unë s’e kuptoj pse vazhdoni me këtë njeri! T’i hidhen prangat këtu, në mes të popullit, të kalojmë të gjithë një për një, duke e pështyrë. Gazi i degës është aty. Ky njeri e ka vendin në burg!
Petraq N., u ngrit sërish në këmbë dhe sqaroi:
-Për këto punë, është tjetër kush që vendos. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë si Parti! Populli ka të drejtë ta pyesë dhe ky armik të japë llogari gjer më një!
I pari që e kërkoi fjalën për një pyetje qe Sulçe M., një tepelenas që punonte karrocier:
-Unë me të dëgjuar e kam, nuk di sa është e vërtetë: Kam dëgjuar që ky Lazër Radi, ka vrarë Heroin e Popullit, Qemal Stafa! Të na tregojë pse e vrau dhe si shpjegonet që vrasësi i një heroi është akoma gjallë! E përsëris, unë me të dëgjuar e kam, por them se: ku ka zë s’është pa gjë!
Salla u përfshi në murmërimë!
-E dëgjon popullin Lazër Radi? Përgjigju tani! – klithi i pashmi i Partisë.
-Ky zotnia, thotë se me të dëgjuar e kam! Zakonisht “…me të dëgjuar e kam, se unë vetë s’kam qenë…” fillojnë të gjitha përrallat andej nga anët tona! Kështu që edhe kët përrallë që e ka me të dëgjueme karrocieri Sulçe, po përpiqem t’ia shpjegoj! Me Qemal Stafën kemi qenë shokë klase dhe jemi përpjekë bashkë në kohnat e rinisë sonë. Kur asht vra Qemal Stafa unë nuk kam qenë fare në Shqipni. Isha student universiteti dhe në valën e provimeve! Pra, nuk mendoja asgja tjetër veç provimeve dhe shkollës! Sikur të isha unë vrasës i Qemal Stafës, siç e ka me të dëgjuar Sulçja, jo nji kokë, po njiqind t’i kisha pasë asnji s’ma kishtë lënë Partia! Kështu që si përrallë që e ke me të dëgjuar, besoj se u sqarove!
I dyti e kërkoi fjalën një skraparli, Rustem B., njeri i dalluar mbledhjesh.
-Këtë Lazër Radin me sa di unë partia gjithnjë e ka përkrahur. Ky gjithandej ka bërë parulla dhe qendra emulacioni! Kështu ia shpërblen ky Partisë! Le na tregojë ky Lazër Radi, që vazhdon të vjellë vrer kundër komunizmit se ç‘të keqe ka parë nga Partia e Punës, që me sa di unë e ka mbajtur si në pëllëmbë të dorës? Kam edhe një pyetje tjetër, por do e bëj më vonë!
-Po i përgjigjem Rrustemit nga fundi! Asht e vërtetë që partia më ka përkrahë, dhe unë kam punue herë marangoz, herë hekurkthyes, herë murator, herë dizenjator, herë bojaxhi. Kam pasë kategorinë e shtatë si usta, dhe asht e vërtetë se kur i jam dashtë Partisë, ajo më ka përdorë, po kur s’ka pasë ma nevojë, më ka mbështetë tuj punue kanaleve dhe fushave të Myzeqesë deri në moshën 60 vjeçe, sa dola në pension! Sa i përket asaj tjetrës se ç’të keqe kam pa unë nga Partia e Punës: Unë e deklaroj këtu para popullit: Asnji të keqe s’kam parë! Qysh se ka hy kjo Parti, jam dënue me 30 vjet burg, dhe i kam shlye ditë më ditë dhjetë vite burg! Kam 30 vjet interrnime e dëbime nga një kamp në tjetrin! Nëse ndokush prej jush i quan të këqia këto asht puna tij, unë e falenderoj Partinë dhe Pushtetin për kët respekt të madh që ka tregue e tregon ndaj meje!!!!
Me një gjuhë të thjeshtë e komunikuese, me një ton të qetë dhe të shtruar me nji shpirt të hollë ironie dhe shpotie, Lazri po e gozhdonte me heshtje sallën dhe skenën. Figura e fshehur e avokatit dhe shpirti i qetë prej Sokrati ishin futur në një sinkron të plotë! Nisa të ndjehem pak ngrohtë shpirtërisht, nga ai çmontim i atyre dy provokimeve të para!
I treti, sërish një skraparli tjetër Tahir Ç. ai që e kisha vërejtur të jepte e të merrte me Petraq N. para hyrjes së kinemasë. Si duket ishte ajo pyetja që do të shkarkonte.
-Që Lazër Radi, është armik e ka shpallur partia me kohë dhe të gjithë ne këtu e dimë mirë! Po këtij armiku nuk i mjafton që është vetë i tillë, po edhe fëmijët e tij i lidh në krushqi me armiq më të zinj se vetja! Ky armik e ka dhëndrin në burg dhe e kam parë shpesh me trasta që shkon burgjeve. Kjo do të thotë që ai nuk pyet për partinë! Edhe djalin e madh, po e fejon me një familje edhe më reaksionare se e tija! Pyetja ime është: A do të heqë ndonjëherë dorë ky armik nga lidhjet krushqi me armiqtë?!
.
Lazer Radi me djemte Jozefin dhe Luciano dhe nipat Ferdinad dhe Françesko - Tirane 1991

Lazer Radi me dy djemte Jozef dhe Luciano
dhe dy nipat Ferdinad dhe Françesk – Tirane 1991

-E sqaroj kët djalin, që nuk ia di emnin, se unë nuk i kam ndalue kurrë fëmijtë e mi me u martue me cilindo që ata e dëshirojnë me e lidhë jetën! Asht e vërtetë që unë nesër e fejoj djalin! Po ja ku jemi të gjithë këtu, le të dalë ndokush prej jush që mundet me ma dhanë vajzën e vet për djalin tim, dhe unë e prishi krushqinë!

Në sallë ra nji heshtje varri! Lazri mbasi priti ca sekonda vazhdoi
-Ja pra, nuk jam unë që s’e dëshiroj krushqinë me cilindo prej jush, po jeni ju që s’e pranoni djalin tim si dhandër. Kështu që ne, të mbetun në kësi vështërsish bajmë krushqina si po na i quen ky djali “midis anmiqsh”! E sa për dhandrin që e kam në burg, mendoj se ky ishte fati i tij dhe i vajzës sime, dhe unë me sa mundem i kam ndihmue me e kapërcye kët fatkeqsi të jetës! Unë mendoja se ti mor djalë, do ta vlerësoje këtë sakrificë njerzore dhe jo ta përçmoje! Si do të veproje ti nëse fëmija yt do të binte në burg, për njimijë arsye: do ta braktisje midis katër rrugave?!
Edhe Tahir Ç. e kishte marrë gozhdën që i takonte, me gjithë te qeshunën e tij, atje para hyrjes së kinemasë
Ndërkohë fjalën po e kërkonte me insistim një tjetër qerrexhi. Myzeqari Sefedin B., një burrë i urtë dhe në punë të vet. Si duket ishte jashtë protokolli të diskutimeve dhe nuk po i jepej fjala! Dikur i dhanë fjalën!
-Unë nuk kam naj gja t’madhe të them! Vetëm se sot kuptova që qy njeri qenka burrë i mençëm, qy njeri qenka burrë i mençëm shumë! Nuk e dinjam, sot e mora vesh. E dini ça e dinjam unë këtë: të tërrnur! Sot mësova që qy që s’duket dhe aq, ish burrë aq i mençëm! Kaq kishnjam!
-Ulu, ulu ti, – i thirri nga tribuna Petraqi N., myzeqarit që vazhdonte të shprehte habinë e vet – Dhe dëgjoni këtu: Kush ka ndonjë pyetje konkrete apo diçka për të treguar le ta bëjë. Po mos harroni, thoni gjëra që qëndrojnë se ky njeri këtu, jo juve aty në sallë, po edhe neve këtu në tribunë, na jep ujë me bisht luge! Prandaj bëni kujdes!
Fjala e sekretarit të Partisë, qe si nji akt kapitullimi. Kishte thënë një fjali nyje! Dhe mes lavdisë së madhe, kish dorëzuar armët.
Megjithatë shfaqja s’kishte mbaruar.
Dikush nga mesi i sallës qe ngritur të kërkonte fjalën. Ishte burri i brigadieres sime! Mblodha buzët, si për të thënë: “Po ky ç’dreqin do!” Ai u rrotullua njëqindetetëdhjetë gradë nga salla dhe tha:
-Ky njeri që po demaskohet para popullit, si armik i partisë ka edhe dy djem! Nuk e di nëse është në sallë ndonjë nga djemtë e tij! Unë desha të dëgjoj çfarë mendojnë ata për sjelljet dhe veprimet e këtij armiku, që është babai i tyre? Kaq kisha!
-Është ndonjë nga djemtë e Lazër Radit, në kët sallë? – pyeti Petraq N., i cili më njihte mirë, mbasi atë verë, së bashku me Lazrin kishim përgatitur krejt materialet e një seminari kombëtar për bujqësinë, i cili drejtohej nga ai Petraq N. Për më shumë se një muaj ne kishim pasur kontakte të përditshme me të!
Më qe tharë gryka, dhe një ndjenjë e përzier më pushtoi kur u ngrita në këmbë. ndërsa shihja fytyrën e tim eti të kthyer nga salla që priste fjalën time! Ishte përballja më e vështirë e jetës! Nëse do ta shaja, mund të korrja edhe duartrokitje! Po ç’më duhej përkrahja e asaj salle, mbushur me përdhunë, përpara tim eti! Asgjë në botë s’më duhej para tij!
-Po, unë jam i biri i Lazër Radi. Të gjitha sa u thanë këtu, unë as i besoj dhe as i mendoj! Nëse do të kishte një njeri Lazër Radi, më të cilin mund t’i fliste këto gjëra, duhej të isha unë i pari, si fëmija i madh i tij! Ai kurrë s’ka bërë me mua biseda të tilla, e unë kurrë s’e kam dëgjuar këtë njeri të flasë për këto që u shprehën në këtë sallë! Di të them vetëm kaq: Unë dhe im vëlla jetojmë e punojmë prej vitesh në Savër! Le të dalë dikush e të na gjykojë për sjelljen dhe punën tonë! Prandaj them se pasqyra më e mirë e atij njeriu që ju sot po e demaskoni pa të drejtë, jemi ne fëmijët e tij!
-Po gjarpëri gjarpërinj do të pjellë! Dhe ti kujton se ne nuk e dimë këtë gjë! Ulu, ulu aty, se të morëm vesh! – bërtiti Mihal Kshilli nga tribuna
Po dridhesha i gjithi! Ia kisha dalë ta çoja deri në fund fjalinë më të vështirë të jetës sime! Salla qe tulatur dhe mpirë. Dirigjenti i orkestrës demaskuese ishte në këmbë! Disa herë i kishte bërtitur të ngrihej në këmbë, mbasi dukej se lodhja dhe mosha e detyronte Lazrin të ulej herë mbas here! Po arroganca në kësi situatash ishte e vetmja arsye fituese!
Një dorë ishte ngritur sërish për pyetje! Ishte Rustem B. Ai që kishte ruajtur një pyetje të dytë… në një rast tjetër! Kishte ardhur rasti dhe iu ridha fjala. Pyetja ishte e shkurtë, e zezë, e rëndë, provokuese. Mund ta bënte vetëm një njeri i mësuar të përdoret prej të tjerëve:
-Le të na tregojë Lazër Radi, këtu para popullit: E do apo s’e do shokun Enver?! Kaq kisha!
Lazri kish ngrirë në këmbë përballë sallës që mërmëriste. U duk sikur po hezitonte për pak. U lëkund po e mori veten dhe nisi!
-Unë jam emigrant kosovar! Kam ardhur në Shqipni prej genocidit serb! Sot kur populli i Kosovës asht çue në kambë për të drejtat e veta, me kërkesën për Kosovën Republikë dhe Enver Hoxha e ka përkrahë kët lëvizje, unë s’di ku me e vu Enver Hoxhën! E kam maje t’kresë! – dhe e lartoi dorën sipër kokës!
Salla u çorodit, u hutua, e humbi! Ore, ça po thotë ky?! Ne i themi na thuaj e do apo s’e do?! Ky na thotë “E kam në maje t’kresë!” E ça është kjo “maje kresë” e këtij!
Kishte marrë fund beteja demaskuese! Petraq Sekretari e mori sërish fjalën, e tonifikoi me brohorima dashurinë për Partinë, e theksoi që “nëse armiku na ka në grykë të pushkës, ne e kemi në grykë të topit” dhe se “gjarpërit i do shtypur koka” dhe se fatin e Lazër Radit do ta pësonin të gjithë ata që llapin kundra Partisë…
Nën stuhinë e brohërimave mbledhja u “dekllarua e mbyllur”, dhe populli me zukamë nisi të dalë në ajrin e freskët të vjeshtës së dytë.
Zbrita me ngut nga pjesa e sipërme e sallës, dhe me Viktimën e Demaskimit për krahu, kaluam mes sysh ku ndjehej urrejtja, po edhe atyre që na përshëndesnin me sy për atë betejë të fituar.
Jashtë, ndjeva që nisën të rigonin ca pika shiu! Ashtu shtrënguar ecëm nëpër terrin e rrugicave! Problem, ishte sjellja në shtëpi me mysafirët që na prisnin, e që të nesërmen në mëngjes, do të ishim për rrugë!
-E hoqëm qafe edhe kët bela! Shkoi mirë më duket?! – e hapi bisedën Lazri – E pata shumë hall kur fole ti! Po isha i bindun!
U pamë në sy nën dritën e cigares që ndezi!
-E randsishme asht që vlerën intelektuale s’ma rrëzuan dot u detyruan t’ma pranojnë. Edhe Drejtori i Ndërmarrjes edhe Sekretari i Partisë…
-Ki intelektual borgjez me zëmër të zezë! – ia përsërita unë!
Qeshëm të dy… se duhej qeshur pak! S’kishte rrugë tjetër
-Asnji fjalë në shtëpi! As nesër, s’duhet ta hapim fare këtë muhabet. Sikur s’ka ndodhë asgja.
-Duhet ta qetësojmë mamën! – i thashë unë.
-Sigurisht ajo e para: Do t’i rregullojmë të tana!
Para se të mbërrinim në shtëpi na doli para vëllai i vogël. Kishte ardhur nga qyteti me këmishat e reja dhe kushërinjtë! E kishte marrë vesh edhe ai të keqen e asaj nate.
Sapo vumë këmbë në shtëpi, ia befi mbas një prej spiunave të lagjes me sihariqin: “ç’ua bëre shumë mirë qenve…!”
-Ik or Kajo, në punë tande, se po na dalin edhe këto fjalët e tua, atje midis kinemasë, sikur i kam thanë unë! Në ke Zot, ik në punë tande! – dhe ai iku duke mërmëritë nëpër terr si qen i rrahur.
 ***
Ankthi i asaj nate u maskua disi. Po gjithnjë sa herë e kujtoj këtë ngjarje më vjen ndërmend “Kënga e Rexhës”. As atë natë, as të nesërmen nuk foli kush për atë që nodhi. Ne ia mbërritëm mos me ua prishë atmosferën e festës mysafirëve, kur si familje kishim fshikur dhimbjen e një tragjedie!
Asnjë prej tyre s’e mori vesh të keqen e asaj nate, çka ndodhi me 21 tetor të vitit 1982.
Të nesërmen në mëngjes, karvani me 11 krushq u nis në drejtim të Gradishtës. Binte nji shi i hollë vjeshte dhe nga lartësia e hekurudhës, Myzeqeja shfaqej disi e mpakur nën shi. Nji karvan qytetarësh, ecnin midis baltës së atyre fshatrave, me një buzëqeshje të trishtë, duke besuar se e keqja e madhe mbi shpinat e tyre, një ditë do të këputej së ntrashi…
qershor 2015 – gusht 2017
(pjesë nga libri në dorëshkrim “Savra Mon-amour”)
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Proza, Shkrime mbi Dr. Radin  Etiketat: , , , , , , ,
Një përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    I gjithi ky material eshte marre nga faqja e fb. e Jozef Radit. ku te gjithe shenimet jane te datave 19-23 gusht 2017

    Gjergj Jozef Kola
    Wow, ç’foto Jozef…” Familja e Shenjte në Egjypt”… Ti dukesh ne foto si nji lule që ka dalë mes dy gurëve të qeshun…

    Miranda Kazazi Gusatto
    Të shtrëngon zemrën dhimbja që provon duke lexuar çdo fjalë në këtë episod jetë të shkurtër e tragjik… dhe të mendosh që levat apo rrotat e kësaj “karroje” të fëlliqur diktature i lëviznin e i shtynin qënie që ju ngjanin njerëzve të ashtuquajtur popull si ne, por që kurrë nuk qenë dhe do të jenë njerëz si në sepse në shpirt dhe në ndërgjegje ata kanë një ngarkesë shumë të madhe të një faji makabër…

    Zeneli Edlira ..
    “Ki intelektual borgez me zëmër të zezë”…
    Gjithçka ndjeva në kët’ shkrim, vetëm keqardhje Jo.. Është shumë i lart Lazri për keqardhje… Duke e lexuar historinë, kam përshtypjen se; shumkush do donte të ishte pak Lazër – sfidoi gjithkënd me mënçuri e qetësi (virty i njerëzve si ai)… Shumëkush do donte të ishte pak Jozef – mbrojtës dhe miku më i mirë i t’atit… Ky shkrim ka brenda vetes mesazhin më të vyer; gjithçka ktheje në favor të vetes; duke mos e shitur veten, cilatdo qofshin rrethanat.. Është si një film, ku sheh se personazhet e tu të preferuar kanë marrë në duar – në mënyrën më të denjë – fitoren..
    Lejona të ndjejmë pak krenari nga ajo e babës dhe e jotja…

    Hortensia Haxhiademi Pellumbi
    Po i shprehja dikujt dje të njejtën gjë dje.
    Lotët e tepruara, edhe pse i kuptoj, nuk i aviten mjaft atij thelbit të tyre, e të këtyre rrëfimeve…
    I mbajnë “viktima” të përjetshme ne lirinë e tyre
    Dinjiteti e drita mahnit në Ta! Diçka që askush s’mundi me e prekë.
    Unë kështu i lexoj këto shkrime!
    Zeneli Edlira
    Unë lotova; a e di ku e pse?!
    Kur bab’e bir fituan betejën – lotët ishin të një gëzimi të pamatë… Ke parasysh kur i gëzohesh triumfit të dikujt, që edhe pse mund t’i kishin marrë shumë, dinjitetin s’patën fuqi t’ia mirrnin… Keqardhjen ua bëj peshqesh atyre ardhkeqsve që u iku jeta nën zgjedhë…

    Xhafer Sadiku
    Sa të pafajshëm e kanë pësuar kështu! Vëllanë tim e demaskuan kur ishte vetëm 15 vjeç. E njejta skenë, vetëm se ndryshonte dekori. Ishte në natyrë. Personazhet e lakenjve ngjajnë dhe turma barbare është po ajo. Lidheni, qenin- ulërinin. Ta dërgojmë atje ku kishte të atin… Gëzoheshin kur të tjerët vuanin. Ajo turmë nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon kurrë.
    Janë rritur me urrejtje!

    Genci Dautaj
    Rrënqethëse, revoltuese, ma che horrors, – do thoshte Pipo Baudo me ato eksklamacionet e veta tipike! Më kujtohet një ndodhi emocionante me Françesk Radin, kur ishim në një tur koncertesh në Skandinavi, me lidhje me figuren e babait tënd të nderuar (’93-’94). Ishim me ftesë të disa patriotëve të Kosovës në Malmoe, dhe pas mbrëmjeve na ftonin në shtëpitë e tyre, – dhe me bënte përshtypje respekti i veçantë ndaj Frankos (ishte koha kur Presidenti Rrugova kishte shpallur idene e kthimit në besimin e të parëve tanë të Pjetër Bogdanit, – dhe e shprehnin me kënaqësi këtë ide). Më bëri shumë përshtypje respekti i atyre burrave ndaj figurës së Lazër Radit, dhe pamvarësisht modestisë karakteristike të Frankos, -figura e Lazër Radit ishte skalitur thellë në ndërgjegjen jo vetëm të gjakovarëve, por edhe të gjithë atyre intelektualëve të Prishtinës. Kur po u tregonte peripecitë e familjes suaj, ne një moment ndërhyra dhe i kërkova Frankos t’u tregonte historinë e vet dhe të Festivalit të 11-të (për dy arësye; -së pari po vija re habinë e nja 2-3 vetëve që kishin ngrënë burg në ish Jugosllavi, dhe së dyti aty ishin edhe disa nipa e mbesa të moshës rinore). Nuk e harroj kurrë atë moment kur pasi mbaroi Franko muhabetin, një ish i burgosur politik (Ramadan Shala, – xhaja i Dhurata Meksit), me lot ne sy u ngrit dhe e përqafoi Frankon me këto fjalë: të faleminderit o nipi i Lazër Radit, as vëllait tim s’i kam besue çfarë m’ka thanë për vuajtjet tuaja (vete kish ngrenë burg nga Titoja prej Enverit, ndërsa vëllai i tij kish ngrenë burg po prej Enverit). Qoftë i paharruar kujtimi i babait tuaj, e ta mbani me nder emrin dhe kujtimin e të parëve tuaj patriotë e fisnikë!

    Jozef Radi
    Të falenderoj Genc… për kët shënim prekës… dhe që më kujtove edhe Frankon… dritë pastë… me atë natyrën e tij të qetë dhe botën e tij prej artisti…
    Të falenderoj shumë Genc!

    Klaudia Gargjola Shllaku Nuk ka fjal kjo tragjikomedi….Jozef…!

    Erieta Koliqi Gajtani
    Nuk mundem të nxjerr nji fjali dot… pasi jam aty n’at mbledhje… e s’më ka dalë mpirja akoma… jam aty pranë Lazrit të madh e dua t’i them të veshi bëju një orë babai im të lutem!
    Sa bukur foli i biri… u mbusha me ngashërim… e pashë me përçmim atë tribunë dhe ata njerës të vegjël… e dola triumfuese dhe unë në krah të Lazrit e të birit…
    Lumi ti Jozef Radi, kush të rriti!

    Jozef Radi
    Të falenderoj Eri, më emocionove mjaft me këtë shënimin tënd… Më dhembi shumë ajo që ty të ka bërë të vuash aq shumë… dhe që një ditë nuk munde të ndjeheshe krenare për gjithçka pësove në jetë…
    Më dhëmbi shumë shënimi yt… Po shumë…

    Lavdie Mato
    Nuk kisha fuqi ta lexoja, por Ti Jozef, tregon aq bukur sa e torturova veten në mes të asaj turme të përçmuar qerrexhinjsh analfabetë dhe dola në fund! Kush e di sa më vajti tensioni!
    E thotë saktë Xhafer Sadiku… Nuk ndryshojnë; janë rritur me urrejtje… dhe kështu i rritën edhe fëmijët e tyre e më tej: me zili e urrejtje!

    Jozef Radi
    Më vjen keq zysh Lavdia… më beso që e kam rrëfyer plot herë në rrethe njerzish të njohur… e kisha nisur ta shkruaja qëkur… para dy ditës e përfundova… Nuk do ta rrëfej më… është sikur të ishte trupe xhirimi ajo që ka mbetur në celuloid të shpirtit tim…

    Vasilika Mico
    Respekt per Ju zotëri. Lexon dhe të dridhet trupi. Ato familje që kanë vuajtur pa arësye të kuptojnë shumë mirë.

    Klara Buda
    Shumë dakort me Klaudian, një dëshmi që nxjerr në pah tragjikomedinë që jetoi Babai juaj dhe ju Jozef Radi.

    Elida Buçpapaj
    Ku ka komedi aty?! Aty ka vuajtje dhe dramë të cilën e ndante një fill nga tragjedia.

    Nikola Prevea
    E akuzonin për veprimtari armiqësore por konkretisht nuk dinin as ata vetë çfarë akuzash ti vinin. Por prapë ka shpëtuar mirë që nuk i kanë kurdisur ndonjë trillim siç ai patët bërë Dom Shtjefën Kurtit dhe e dërguan në botën tjetër.

    Jozef Radi
    Nëse gjatë demaskimit mund të ndodhte ndonjë situatë që i favorizonte… ata nuk kishin asnjë lloj turpi ta bënin edhe një gjë të tillë… Nikole…

    Hortensia Haxhiademi Pellumbi
    Shënimi më i saktë për shkrimin është po i Tij:
    Njerëzit e mirë notonin/ në jargë qenjsh të tërbuar!
    Eh! Jetë e rrethueme/ mes telash me gjemba,
    ndër pranga/ ku dhuna, urrejtja, vdekja/ u rrinin n’pusi
    gjurmëve të freskëta. – Muret e Muzgut

    Kazanova Aliaj
    Foto është sfidë!!

    Nikos Bulmos
    E vëtetë! Ndonëse kisha ikur në Mursi të sarandës atë muaj nuk ndodhesha në Savër. Po dua të them se demaskim pashë në Mursi!

    Sandra Aleksandra Tasi
    çna i kujtove tmerret. S’ka hall ma të madh se me pasë punë me shtazë. Të mitë i banë copë tu i gjujtë me gurë. S’ka fjalë më përshkru inatin!

    Jozef Radi
    Nji nga dhimbjet më të mëdha që kam ndjerë në jetë është sjellja e barbare e banorëve të Grabianit me Tefta Tasin… Nji nga gratë më intelektuale shqiptare…
    Të besoj dhe të kuptoj shumë mirë Aleksandra!

    Sandra Aleksandra Tasi
    Jozef mu s’me del inati. Kanë dalë të bërë copë nga gurët që gjuanin, pasi i demaskuan dhe me pas e arrestuan. Por qëndrimi i saj ka qënë sfidues. Të le pa fjalë. Kjo është fotoja e arrestimit. Shife ca vështrimi ka!

    Gjergj Jozef Kola
    Ngjashmënia me talebanët në fshatnat afgane asht e pashmangshme; njilloj i gjuejnë zonjat e zonjushet me gurë…

    Klaudia Gargjola Shllaku
    Nuk ka tmerr ma të madh se sa kur injoranti gjakpirës ka pushtetin në dorë… Ai ban kërdinë për ta mbrojtë…!

    Jozef Radi
    Tefta Tasi është ndër figurat më të përndritura të gruas shqiptare. Nji grua e sakrifikuar në mjerimin e pafund të shkretëtirës komuniste ku mbillesh urrejtje më shumë se grurë…

    Klaudia Gargjola Shllaku
    Po shoh në këtë fotografi at grue që shprehka me sy e goje gjithçka… pa folë… kuptohet inteligjenca dhe karakteri i saj….! Nuk e meritojshin intelektualët e Shqipnisë t’u përbuzshin nga fundrrinat e saje… por hori të ban hor… dhe sado që mundohen me i dhanë vedit, hora se hora mbesin, psr ts ba diferencsn me intelektin…!

    Avis Gjyshja
    E lexova…. Do doja shumë që të ishte thjesht letërsi.
    Por per fat të keq është e vërtetë.
    Si intelektual e kam vuajtur personalisht thellë dhunën e injorancës “në fuqi”. Por nuk është vendi këtu të tregoj të mijat. Unë nuk jam i komplimentave por jam le te themi matematikisht i bindur për këtë, që emri i Lazër Radit dhe në tërësi i familjes tuaj i bën nderë historisë së kombit tonë hallemadh. Ndjehem i terrorizuar kur mendoj që nuk e lanë të bënte atë që mund të bënte dhe kjo ishte një humbje e pallogaritëshme dhe përgjithmonë e pazëvëndësueshme për të gjithë ne!

    Jozef Radi
    Mirë që nuk e lanë të bënte më të mirën që mundte… po nuk e lanë as të jetonte një ditë i qetë… Ai Mihal Këshilli nuk është fantazi, është njeri, diku në Greqi jeton… dhe angazhonte gjithë spiunët e lagjes vetëm te merreshin me Lazrin…!!!!
    Të falenderoj Avis… dhe të uroj gjithçka të mirë…

    Kazanova Aliaj
    Sa i shkon përshtat ai emën atij Mi-halit… po ta ndash në rrokje i shkon për taman… tesh asht desident… Mi- halja..!!

    Adem Belliu
    O Nini të përshëndes. Shumë shumë e dhimshme.

    Violanda Mehmeti
    Një prezantim i këtillë na është bërë edhe neve, mua dhe të ndjerit Dilaver Shkodra, në janar 1976 në Kino Klubin e qytetit të Cërrikut… Z. Dilaver kishte thënë se si “Luli i vocërr” sot ka me qindra ne vendin tonë, ndërsa unë kisha t…Altro…

    Engjell Çeka
    Inteligjenca dhe guximi i Lazër Radit triumfoj mbi injorancën dhe mediokritetin e njerëzve me zemër të vogël.
    Ju lumtë Jozef për këtë përshkrim

    Diana Zhiti
    Ah miku im Jozef Radi, të dhëmb shpirti kur kujton gjithë këto tmerre. Një daja im në Çermë që ka bërë edhe 8 vjet burg në Spaç e quajti demaskimin që iu bë si babait tuaj më të tmerrshëm se burgun. Kam parë edhe në Grabian disa të tilla. Një djalë të vogël për patate. Kur ia dhanë fjalën të Atit tha: “Nuk vdiska njeriu kur dashka!”
    E të tjerë si Taset, mos o Zot, u gjuanin me gurë.
    Jozef, baba juaj paska qenë burrë i mençëm.
    Respekt për ju pa kufi!

    Bedra Kaba
    Përshëndetje Nini, një rrëfim i vërtetë dhe tepër i dhimbshëm që në memorjen time është ditur vetëm kaq e thënë nga një komuniste të nesërmen kur ktheheshim drejtë shtëpisë: “Eh ë dëgjuat dje, u demaskua filani po si s’e hodhi poshtë i biri të atin…!” Dhe sot e kësaj ditë kur e kujtoj ndjehem keq jo vetëm për Xha Lazrin, atë njeri fisnik, por edhe për atë grua që foli në atë mënyrë! Të lumtë për kurajon që pate për ta rrëfyer në detaje atë ngjarje të hidhur por që më tepër ju lartësoi si familje!
    Respekte dhe qofshin të xhenetit prindët e tu të mrekullushëm!

    Jozef Radi
    E dashur Bedra… kisha kohë që e kisha nisur… Sepse krahas dhimbjes sigurisht nga 600 vetë në atë mbrëmë gjysma janë gjallë… Nuk është e lehtë as ta shkruaja të vërtetën… as ti përmendja nji për nji ata njerëz që folën atë natë… Ti je nga ata njerëz që ke qënë e pranishme në nji spektakël të ndyrë, ndaj një njeriu që kurrë s’u mor me askënd… Të falenderoj shumëfish që je gjithnji pozitive dhe e kurajshme për të thënë atë që ndjen brenda vetes…
    Të uroj gjithçka të mirë Bedra!

    Fred Backa
    Sa me fat që je në anën e Galilenjve Jozef…..

    Ilir Myftiu
    Jozef një mbasdite vonë këtu ne coffe, një burrë i shkurtër nga Lushnja, kopje e Mihal këshillit tënd, kishte disa muaj ardhur këtu bashkim familiar me djalin. Ju larguan personat në tavolinë, mbeti vetëm dhe e pyeta më pas, – si të duket Amerika, me ç’detyrë kë qenë në Lushnje. Shumë e mirë – partia tënde së bashku me ty e luftuan e vunë përpara këtë vend sa nuk guxonte të afrohej pranë kalasë në brigjet e Adriatikut, me tregoji që kish qenë shumë vite kryetar fronti në Këmishtaj or Fiershegan (nuk e mbaj mend mirë) – i thashë ke qenë njësoj si kryetar i degës, operativët hetuesit me ty jepnin dhe merrnin informata në dëm të të tjerëve. U verdhë në fytyrë ju tha goja, u ndamë duke i thënë kujdes këtu nuk ekziton fronti demokratik, nuk shkruan dot letra. Ishte tip prototip spiuni i thekur!

    Marelba Fushekati Boçi
    Të lumtë dora! Po e bëj share. Kam qënë në Savër në vitin 2011.

    Anila Hyka Smørgrav
    E dhimbshme për terrorin psiqik që kanë përjetuar familje të tëra, tragjike për transformimin dhe çhumanizmin e shoqërisë në çdo lloj formë përfshirë dhe këtë si kjo e demaskimit publik e antikombtare për pasojat e përçarjes dhe urrejtjes që ka mbjellë thellë në breza dhe që ka për ndjerë dhe në brezat më pas.

    Lumturi Lapardhaja Demiri
    Emocionet në këtë shkrim nuk do t’i harroj kurrrrrrrë! Kur të botohet libri, do ta gjej një mundësi, sepse e dua patjetër Jozef Radi, të detyrohem ta gjej… për gjithçka ke përcjell në shkrimet e tua. Faleminderit për emocionet, edhe pse dhimbje që më shoqëroi gjatë… Ditë të bukur miku im, që nuk ju shterri kurrë shpirti njerezor, edhe kur mundoheshin t’ua shkrumbonin atë!!! Ati juaj, i madhi Lazër Radi, mbetet Simbol Qëndrese, kulture, njerëzor deri në madhështi!

    Linda Hoxha
    O Zot çfarë dhimbje për këdo që e pati kokën në morsën e së keqes, dhe nderim për dinjitetin dhe mënçurinë e tyre, mirënjohje pa fund për Jozef Radin.

    Serbesina Ndreu
    Falenderime juve Jozef Radi që vazhdimisht postoni fakte reale të krimeve të komunizmit. Ju lutem mos ndalni se po ringjallen në këto kohë të trazuara llumra të asaj kohe. Respekte.

    Juli Gruda Pistulli
    O Zot sa e dhimbshme! Kur mendon që fëmijët e nipat e mbesat e këtyne maskarejve vazhdojnë me idealin gjaksor edhe sot!

    Flora Resulaj Cela
    Kjo është një nga tragjikomeditë e partisë në pushtet për të mbajtur në tutele popullin, por kjo komedi ka përmasa më të mëdha sepse vë përballë një turmë ta quaj punëtore, qerrexhinj, stalliere – me një intelektual si Lazër Radi ish student në Sapienza dhe gradë Doktoraturë… për të qeshur… e për të qarë!!!! Me Ninin kam qënë shokë klasë në tetëvjeçare… dhe një scenar të një lloji tjetër unë, Nini dhe e gjithë klasa e jonë dhe disa klasa të tjera të shkollës na çuan të mbledhim pambuk afër Savrës dhe për një fjalë gojë që foli babai i Mirash Tinës, Fran Tina e arrestuan në sytë tanë 12 vjeçare babanë e Mirashit. Shkurt bënin terror psikologjik… dhe tek fëmijët e shkollës… Ndërsa me Lazrin kjo ka ndodhur vite e vite me vonë 1982!!! ku sistemi ishte në grahmat e fundit ku Lazër Radi dhe Nini dy gladiatorë fitues… të gjithë asaj Arenë!!!

    Elda Filipeu
    …e rëndë, e shëmtuar, mizore, e hidhur, e llahtarshme, tragjike, e frikëshme, shumë e frikëshme… më shumë… Por, prap duhet ta jetosh, ta ndjeshë në lëkurë… që të mundesh ta kuptosh!!! dhe prap është e veshtire..!!!
    Jozef më dhëmbi… më dhëmbi shumë… Të përqafoj fort fort..

    Ermira Xhomaqi
    Ngjarje e histori që duhen treguar e ri-treguar, botuar e ri-lexuar si dëshmi e gjallë dhe e pashlyer e atyre viteve të errëta e tragjike…
    Një shkrim, i cili përtej dhimbjes e padrejtësisë së jetuar, përçon aq prekshëm e vërtetësisht një kurajë e forcë të rrallë!
    Urime Jozef! Shkrimet e tua ftojnë fuqishëm reflektimin e gjithkujt që i ka jetuar ose jo këto realitete në atë epokë… e për këtë gjithashtu ato kanë një vlerë të pamatë…

    Laura Kylheku
    E lexova me ëndje… tragjikomizëm i përkryer në shkallën sipërore!
    “Ce s’thuanj ti, ta paska bërë fijesën këshilli i fshatit?!!”

    Genta Sinojmeri
    Ehhhh sa shumë vuajte, sa pak jemi dhe sa të aftë për t’i shkaktuar njeri -tjetrit aq shumë dhimbje.

    Violeta Mancaj
    Respekt për ju që i mbi jetuat këtij terrorit të egër komuniste.

    Marije Sheldija
    Sa bukur e shkrueme, sa i dhimshem realiteti. Respekt për familjen Radi, në veçanti për Zotin Lazër Radi.

    Keti Dibra
    Ngjethëse, Zef. Fatkeqësi kush i ka provu këto situata dhe ka qenë sfilitëse me i përballu. Dhe ju si familje i keni përballu me dinjitet, që nuk ka qenë dhunti e të shumtëve. Unë të uroj, që mbas këtij kalvari, të keshë gjetur qetësinë e të mos ngacmohesh me ëndrra ndjellakeqe, tashma. Përqafime.

    Bujar Koçi
    Shumica e shqiptarëve janë të inkriminuar…mendoj se do duhet një shekull i tërë të filtrojë këtë rracë e ortakun e krimit…

    Tina Mosko
    Përshendetje Jozef, duke lexuar rrëfimin tënd më kaloi e gjallë mbledhja demaskuese që i bënë babait tim 78 vjeçar. E njejta metodë, i njëjti skenar. Jam emocionuar dhe nuk i mbajta dot lotët. E kam njohur babanë tuaj, Njeri shumë fisnik.
    Ju admiroj për kurajon që keni Jozef!

    Jozef Radi
    E dashur Tinë… edhe unë e kam njohur Gaqon… dhe kam respekt të jashtzakonshm për të ndjerin atin tuaj… Kush i ka përjetuar këto skena ka diçka të madhe të thyer brenda vetes… që nuk mjafton një jetë për ta riparuar… Sigurisht e kam përjetuar si dhimbje të madhe atë që i ndodhi atit tuaj, edhe ju bashkë… Të uroj gjithçka të mirë në jetë…
    Merita Varfaj
    Një histori e dhimbëshme deri ne palcë për ju që e përjetuat, e neveritëse është shumë pak të thuash për ato që e projektuan!
    Del qartë qëndrimi stoik i z. Lazër! Shkrim shumë i vyer për ne të gjithë.
    E dhimbshme por shumë dinjitoze dhe e mençur qëndrimi i z. Lazer dhe djalit të tij. Por mirë do ishte të jepeshin mbiemrat e plotë që të demaskoheshin mirë.

    Avis Gjyshja
    Komentova më lart por me duket sikur ky diskutim ka nevojë të shkojë shumë më thellë. Eshtë bërë e modës që kur flasim për të kaluarën e afërt bëjmë fajtor më së shumti vetëm një person: – Enver Hoxhën. Për shumë arsye i shmangemi një fajësimi shumë më të gjerë.
    Kohë më parë shikoja një emision për holokaustin dhe midis shumë momenteve te llahtarëshme të asaj kronike ishte dhe intervista e një ekzekutuesi lituanez hebrenjsh i cili në kohën e intervistës merrej me bujqësi dhe asnjëherë nuk qe dënuar apo fajësuar për çfarë kishte bërë. Lituania ishte shteti i parë në Europë që u deklarua i pastruar nga hebrenjtë në kohën e Luftës së Dytë Botërore. (vazhdon si shkrim në sit)

    Mesa duket Avis këtu askush nuk ka kurajo të merret me psikologjinë e popullit duke ja lënë faturën një individi. A thua se shqiptarët e 45 ishin nje popull i civilizuar me ekonomi e ligje të shëndosha dhe Enver Hoxha ju erdhi nga Marsi.
    Poshtërsinë ky njeri e gjeti mes nesh, 500 vjet otomanizëm mbollën në këtë vend farën e dreqit. Kjo shpjegon edhe pse pas 90 ky popull vrapoi aty ku kishte shpirtin, në orient.

    Jozef Radi
    Avis të falenderoj shumë për këtë shënim që është sigurisht ndër më të vlefshmit e këtij shkrimi! Një analizë Avis që do ta bëj pjesë të shkrimit! Përgëzimet dhe falenderimet e mia më të sinqerta! Më dha shumë kënaqesi leximi!

    Sandra Aleksandra Tasi
    Krejt e drejtë çfarë thotë Avisi. Mihali me shokë u bënë me “demokratë” dhe luftarakë për të “drejtat” e munguara. Prandaj jemi këtu ku jemi. Eshtë komplekse me u fol në fb se shumë pak duan dhe kuptojnë, por shumë s’duan se s’u intereson

    Republika e Shkresurinave
    Kur lexova këtë, më erdh me ulëritë. Më erdh me marrë nji mitraloz e me vra nji për nji gjithë plehrat e tregimit.
    Po edhe mitralozi s’i mbaron!
    Vuejtja vazhdon, komunistët dhe plehrat shtohen.
    Edhe sot shteti ynë funksionon njëjtë, thjeshtë komunistët quhen nëpunës administrate dhe Lazra janë nji 1milionsh që kanë mbetë n’Shqipni!
    Nuk bohet ky vend, përfundimisht! Qenka i mallkuem. Me të dhimbtë shpirti prej t’keqit! Respekt për forcën e qëndrueshmërinë, mënçurinë e pjekurinë!
    S’kishnjëm ç’thenjsha tjatër…
    Po nuk kuptova pse i fshihni emrat e plehrave??
    Apo mos t’u vijë era??!!

    Nini Mano
    E dhimbshme sa nuk ka më… Besoj se një skenë e tillë makabre le gjurmë të dyfishta: respekt për babanë dhe sidomos të mundesh të përballosh dhunën psikologjike që nxiste ai sistem!

    Robert Martiko
    Një shkrim që më bëri mjaft përshtypje, duke më kthyer pas në kohë. Kur im atë gjendej në burg për herë të dytë, edhe nënës time i bën një mbledhje të hapur në lagje. (Mua nuk më thirrën në mbledhje). Natyrisht, ajo mbajti një qendrim mjaft dinjitoz. Edhe pse e tronditur, as u lut dhe as bëri elozhe për Përbindëshin. Në anën tjetër, të mendosh se Logjika dhe gjithë Konsitucioni Shpirtëror i Lazër Radit, si i mjaft viktimave të tjera të Komunizmit, i lë turmat edhe sot e kësaj dite nën mallkimin e përhershëm të Instinkteve më kafshërore të bashkësisë apo Kopesë së tyre Primitive. Bëhet fjalë për një Mallkim jo në kuptimin fetar apo mistik, por në kuptimin se kur shpirti i njeriut mbetet i verbër, e ardhmja është Skëterrë. Matanë zemrave fisnike, të mësipërme, të cilat prek shkrimi i Jozef Radit, botës matanë nesh i bie për detyrë të ndryshojë.

    Kazanova Aliaj
    Përjetime të tilla ishin pjesë e jetës së familjeve dinjitoze gje që nuk mundeshin ta kishin këto zhgarravinat.. dhe përdornin të gjitha format për të depersonalizue këto individë e këto familje… por jo nuk e patën të lehtë ndaj egërsoheshin çdo herë e në shumë, por harrojnë një gjà këto mostra se ka dhe Zot… një natë të qetë Roberto!!

    Robert Martiko
    Të falënderoj Kazanova. Mendimet e tua si gjithmone janë shumë të vyera. Gjithashtu një natë të qetë….

    Avenir Ibershimi
    Lexon këto tregime të jetuara e ngel pa fjalë; kohë, sistem e shoqëri absurde; kriminale e qesharake në të njejtën kohë; ku krimineli e injoranti vendoste e “dinte” gjithçka ndërsa intelektuali e Njeriu, duhej te heshte! Por kjo heshtje transmetonte aq ndjenjë, kulturë, përbuzje, krenari e dinjitet!!!!

    Fabiola Laholli
    Kur nisa ta lexoj mbeta pa fjalë jo se nuk e kisha idenë se çfarë bëheshin në atë kohë por çfarë injorance që kanë përdorur në vend që të mësonin nga kjo lartësi, po e tregonin veten akoma më të ulët dhe të trashë injorantë!
    Qofshin të paharruar prindët tuaj Nini dhe Luçi Radi?

    Leze Dodaj
    E vërtetë… e mallëngjyese po xha Lazri me juve ishit më të fortë e të nderuar se ata pleherat komunistë që kërkoshin të poshtërojnë njerzit me dinjitet.

    Grigor Kokali
    Gjithmonë gjeja një arsye (ose nuk shkoja në demaskimet e asaj kohe me gjithë presionin që na bënin brigadierët që të shkonim) nuk desha të merrja pjesë në ato demaskimet “tragji-komike” që bëheshin në ato kohë në Savër. Vetëm në një demaskim kam qënë prezent, në demaskimin e Vocërr Hoxhës (Dadës)… bile
    kur u ngritën të duartrokisnin me sinjalin e “dirigjentit” ku edhe une duartrokita nuk mund ta duroja dot atë atmosferë hipokrite që na kishte pushtuar ne dhe të gjithë sallën… Kështu që nuk kam qënë as në demaskimin e xha Lazrit… sot jam penduar që të paktën te demaskimi i Lazër Radit duhej të isha!!!

    Klara Buda
    Faqja e saj Ju kisha shkruar per poezine e Radit: “Poezia e Jozef Radit dëshmon si rrallë herë lirinë e munguar në kohë tragjike. Me një frymë moderne dhe pozitive, e me dashurinë si forcë mbijetese, poezia e Radit mbetet mrekullisht e lirë nga mllefi e urrejtja. Nuk ka si të jetë ndryshe në vargjet e lirisë së pranguar, e anti-socrealizmit. Se përmendorja madhështore e diktatorit një ditë shëmbet, dhe ja tek ngrihen vargjet e të vërtetës, dhe nis e tjerret filozofia e humanes. Botuar ne Librin Kosova Mon Amour, çmimi i esese, Prishtina Book Fair 2017

    Gert Brojka
    Faqja e tij shumëkush kërkon me kureshtje për krimet e komunzimit tek Solzenicyn teksa format më rrënqethëse të mizorisë nuk ndodhen në Kolyma, por shumë më afër, fare pranë nesh dhe brenda qenies sonë. Një ditë nga jeta e Lazër Radit është një kryevepër e letërsisë sonë fshehur skutave qëllimisht shurdhe të një shoqërie, e cila jo vetëm nuk lexon por dhe përçmon historinë e personave të cilët me dinjitetin e tyre mundën mizorinë e diktaturës.

    Avis Gjyshja
    Normalisht të gjithë ne nuk besoj se i perceptojme njelloj gjërat. Dhe me siguri fantazitë e ndjeshmëritë tona janë të ndryshme. Por besoj se për të gjithe ndjehet se çfarë drame e tmerreshme ishte matane fjalisë “ Nuk vdeska njeriu kur dashka. “
    ..Nuk e di kush ishte ai burre që i tha këto fjalë. Me duket si një i vdekur që nuk e linin të vdiste. Një njeri familjarisht i ofenduar e i poshtëruar, i vrarë, i shtypur, i shkelur e i pështyrë si gjithë ish të internuarit e tjerë politikë të asaj kohe. Dhe i pafaj sigurisht….
    Një i vdekur që e mbanin peng në botën e të gjallëve vetëm për ta torturuar akoma. Të gjitha ishin aty, të gjitha më të keqia se vdekja dhe vdekja e vetmja e mirë e ngelur nuk vinte. Pengohej diku!
    Shumë herë e kemi dëgjuar thënien miliona herë të analizuar e të komentuar të princit Hamlet nga Shekspiri: “Të rrosh apo të mos rrosh, kjo është çeshtja”! Me duket si një hiç para asaj që ai burri i internuar tha: “Nuk vdeska dot njeriu kur dashka!”. Dhe të mendosh që Hamleti ishte diçka e krijuar, kurse historia e kampeve të internimit dhe e njerëzve të internuar ishte reale!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook