back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Pervizi: “Orlandi i Çmendun”, nga gulaget n’Panteonin shqipes…

Gazeta

Ariosto - Orlando i çmendun 2013
Ariosto – “Orlando i çmendun” 2013

Promovohet ne Tirane “Orlando i çmendun”

nga Jozef Radi

Ditën e hënë, me 17 qershor, 2013 në sallën “Tefta Tashko” të Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve u promovua kolana prej dhjetë librash, e Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit… I pari që e mori fjalën ishte Drejtori i këtij Instituti, zoti Agron Tufa, i cili krahas rezymese përbledhëse të krejt kësaj kolane me nji hapsirë mjaft të gjerë temash dhe trajtimesh të problemeve të diktaturës komuniste në Shqipëri, ai foli në veçanti për secilin libër, duke bërë nji përmbledhje të gjithë kësaj pune në nxjerrjen në shesh të vërtetave historike duke shfrytëzuar vetëm arkivat e shtetit shqiptar… Kjo ngjarje, që në dukje kishte tërhequr vëmendjen e gazetarëve, gjeti fare pak jehonë në shtyp e në media, bile edhe ajo pak jehonë pati nji frymë dashakeqe, siç ishte kryetitulli bombastik i nji gazete të majtë, në mbështetje të liderit të opozitës… Zoti Tufa, u ndal mjaft gjatë në poemën epike të Lodoviko Ariostos “Orlando i çmendun” të përkthyer mjeshtërisht nga “i persekutuemi i përjetshëm” Guljelm Deda. Dyzet kangët e poemës me 40.000 vargje, ishin botuar në nji edicion special prej dy vëllimesh dhe 1540 faqe, duke i shtuar kështu edhe nji tjetër kryevepër në gegnisht letërsisë shqipe…
Edhe Ministri i Kulturës, Z. Visar Zhiti, krahas të tjerave, u ndal te kjo poemë dhe përmendi faktin se ardhja e kësaj vepre të jashtzakonshme, prej nji intelektuali të burgjeve dhe kampeve është nji dëshmi e vlerave që “flenë në heshtje” dhe presin të dëshmojnë se ende s’plotësuar krejt puzzle i asaj vepre titanike që diktatura u përpoq dhe po përpiqet ta dëshmojë si të paqenë…
E vërteta është se në promovim mungonte intelektuali dhe piktori Lek Pervizi, i cili ishte jo vetëm mik dhe bashkvuejtës i Përkthyesit, po edhe promotor që kjo vepër e jashtëzakonshme ta shihte dritën e botimit, dhe të mbrrijë mbas kaq vitesh te lexuesi shqiptar…
Gjej rastin ta falenderoj nga zemra mikun dhe mësuesin tim Lek Pervizi, për gjithë kontributin e dhënë në njohjen, publikimin, botimin dhe promovimin e kësaj kryevepre të letërsisë Europiane… që prej sot flet edhe shqip! Gjithashtu i bashkangjis këtij shënimi edhe përcjelljen që Lek Pervizi i bën lexuesve të këtij shkrimi…

Tiranë, 18 qeshor 2013

Të nderuem miq,
E pashë të dobishme t’Ju nis kët njoftim mbi botimin shqip të veprës epike të poetit italian Lodoviko Ariosto, të përkthyem nga Prof. Guljelm Deda në kushte burgjesh e kampesh. Nji përshkrim i shkurtë, sa me pasë nji ide se me sa vullnet dhe heroizëm ky ish i burgosun dhe i interrnuem, arrin të imponohet në kushte vuejtjesh e dënimesh si nji intelektual i lartë po edhe si shkrimtar e poet i mirëfilltë, mbasi përkthimi i një vepre të tillë poetike e kërkonte patjetër që përkthyesi i saj t’ishte po aq i shquem sa autori.
Përshendetje, Lek Pervizi

Guljelm Deda 1938
Guljelm Deda 1938

“Orlandi i Çmendun”, i Ariostos

nga gulaget në Panteonin shqipes prej Prof. Guljelm Dedës…

nga Lek Pervizi

Botimi i poemit epik të poetit italian, Lodoviko Ariosto, “Orlando Furioso” (Orlandi i Çmendun), përkthye prej Prof. Guljelm Deda, e vendos gegnishten në podiumin e nderit të kulturës shqiptare dhe e pasunon letërsinë tonë me nji kryevepër të nivelit të naltë.
Aq ma tepër kur dihet se përkthyesi vinte nga radhët e intelektualve ma të shquem shkodranë, të cilët diktatura komuniste deshi t’i asgjesojë ndër burgje e kampe pune e internimi. Regjimi kujtonte se kështu ua kishte shue aftësitë letrare dhe ditunitë e fitueme në Universitetet prestixhozë si ai i Padovës, ku, më 1937, Guljelm Deda, u diplomue me vlerësimin ma të naltë “Summa cum laude”, me tezën “Mbi gjuhën e Pjetër Bogdanit të ‘Cuneus Profetarum’”, italisht, nji libër 150 faqesh (edhe kjo nji vepër me vlerëtë madhe), ku shoqnues ishte nji profesorve ma të shquar te Italisë: Karlo Taljavini. (Carlo Tagliavini)
Diktatura komuniste s’i merrte parasysh këto cilësi as të Lemit as të intelektualve të tjerë shkodranë, nji pjesë e mirë e të cilëve, i pushkatoi dhe ata që shpëtuen i burgosi dhe internoi gjithë 45 vjetët e diktaturës, siç ndodhi edhe me Guljelm Dedën!
Jam nji dëshmitar që i kam ndejtë gjithmonë pranë, duke ndjekun hap pas hapi punën e tij kambngulëse për të përkthye atë vepër monumentale të letërsisë italiane, që ai e bani monumetale edhe në letërsinë shqipe.
Ishin pikërisht këto kushte kur Lemi (siç e thërrisnim), i ndaluem me u marrë me krijimtari të lirë, iu vu përkthimit të asaj vepre kolosale prej 40.000 vargjesh “Orlandi i Çmendun” i poetit të madh italian, Lodoviko Ariosto. Në ato kushte të pamundshme ai arriti me e ba të mundun kët përkthim, në 17 vjet punë intensive nga 1958, Kuç të Kurveleshit, ku ishte izolue me një grup intelektualësh të tjerë, deri më 1975, i internuem në fshatin Ndërnenas të Fierit, ku qëndroi 25 vjet nga 1964 deri 1989.
Kam pas fatin të ndigjoj prej tij recitimin e vargjeve të para të përkthyeme të poemit, ku menjiherë dallohej mjshtria e Lemit në gdhendjen e vargjeve shqip, po aq bukur si në origjinalit italisht, e në mos edhe ma bukur.
Njohës i thelluem i gegnishtës letrare, ai e përktheu kët vepër me cilësi të naltë. Ai arriti ta hedhë me shkrim dore në katër vëllime prej 400 faqesh, me mirëbesimin se vepra do të vlerësohej dhe botohej nga Akademia e Shkencave, ku e dorëzoi dorëshkrimin!!
Akademia me “fjalë të mira, e gurët në strajcë”, e mbajti dorëshkrimin në nji sirtar ku e mbuloi pluhuni i harresës dhe i shpërfilljes, edhe pse ishte nji vepër e nivelit të naltë letrar e gjuhësor. Sigurisht nji arsye ishte pse përkthimi ishte në gegnishten letrare, i së cilës Guljelm Deda ishte nji lëvrues i përkryem.
Dihet se gegnishtja ishte anatemue e dënue me vdekje, mos me u përmendë ma në Shqipni, bile as në qendrën historike të saj, në Shkodër.
Mbas shembjes së komunizmit, lindën shpresa të reja, dhe Guljelm Deda doli prej gulageve dhe shkoi në Itali, me shpresë se vepra e tij do të vlerësohej. Por ç’ndodhi? Ai i drejtohet Profesori arbëresh Guzetta, në Universitetin e Palermos, me shpresë se kët kryevepër të përkthyeme shqip, do t’ia botonin. Sigurisht dorëshkrimi duhej transkiptue e daktilografue. Si duket qe nji punë tepër e lodhshme!! me i shtyp dhe redaktue 40.000 vargje!!
Guzetta s’pati as mirsjelljen me u përgjigjë, e jo ma me e vu ujin në zjarm për botimin e kësaj vepre. E njejta gja ndodhi me Prof. Engjëll Sedaj në Kosovë, të cilit Lemi iu drejtue edhe atij me shpresë se mund të gjente mbështetje. As Sedaj s’denjoi t’i përgjigjej!! Pra Lemi po vazhdonte të denohej pse kishte guxue ta përkthente Arioston në burg, duke iu kundërvue kështu sistemit totalitar që e kishte dënue me ba burg, dhe jo me u marrë me nji të tillë përkthim!!
Kuptohet krejt lehtë se shqiptarët vetë ua mohojnë të drejtat dhe aftësitë bashkombsave të tyne, bile atyne te shkallës së naltë kulturore, në mënyrë të veçantë. Dhe ky asht mjerimi ma i madh i shqiptarve!!
Kjo vepër po mbetej e harrueme, dhe i rroftë Lemit ai mundim i stërmadhprej Sizifi, me njimijë mungesa e vështirësi!! Unë personalisht, që e kisha ndjekun kët çeshtje prej fillimit deri në fund me entuziazëm, duke ia njoftë vlerën e madhe, isha i pari që në revistën time “Kuqezi” themelue e botue në tetor 1993, qysh në Nr.1, ia botova kangën e parë, dhe vazhdova kështu deri në shtatën kangë…
Kur Prof. Arshi Pipa e mori revistën u shpreh: “…sikur asgja tjetër t’mos kishe paraqitë në revistë, mjafton përkthimi i Lem Dedës, nji kryevepër letrare dhe e gjuhës shqipe…”
Vjen pyetja, pse u vonue botimi i kësaj vepre madhore? Së pari, pse duhej transkiptue e redaktue mirë; së dyti duhej zgjidhë ana financiare, për nji vepër voluminoze si kjo; dhe së treti cili botues mund ta merrte përsipër!!! Më që kishte dalë nji nip i grues së Lemit, me e hedhë në kompjutër, unë e pezullova nismën time të botimit në revistë. Por kaluen vjete, plot 12 vjet, dhepashë se nuk po lëvizte kush. Nipi s’po bahej gjallë. Shkodra, as po e çante kryet në kët drejtim. S’po i dilte kush zot: as prej familjes, as prej fisit, as prej miqve, as prej bashkëvuejtësve, as vetë shkodranët!!!
Atëherë mora inisiativën dhe iu drejtova nji botuesi me emën, i cili, burrnisht, ma mori përsipër ta botonte me shpenzimet e veta. Nji sukses i madh! Kjo histori me 2007, në Tiranë, në nji kafane ku unë i kisha paraqitë dorëshkrimin e Lemit në katër vëllimet e përmenduna ma nalt. Vetëm se duhej do kohë për ta transkiptue dhe faqosë. Ai do të vinte njerëzit e vet në atë punë. Ndërkohë, kishim ra dakord, sa që sa t’botohej të vendosej edhe nji njoftim në gazetë, nëse ndonji familjar ose ilaka i dilte “për zot” botimit, mos me dalë si shkelësa të të drejtave të anës së Lemit. Askush!! Kur rastësisht takohem me të nipin, me thotë se po kërkon me e botue veprën, ku i kishin ngel veç nja dy kangë pa hedhë në kompjuter. Bukur fort i thashë! E kam gjetë unë botuesin, falas. Nipit s’i erdhi mirë, se ai botuesi paskej qenë komunist!!! Po prap se prap e pranoi, meqë “ai komunisti” i kish dalë zot botimit me shpenzimet e veta. “Prit gomar se po del bar…”, dhe kur botuesi me lajmëron se e ka vu në program ta botojë më 2010, veç ai nipi të ia çonte materialin komplet (siç edhe kishte premtue). Dakord, po nipi s’ishte ma i atij mendimi, dhe s’luejti vendit, deri me 2012, pa dhanë njoftim për asgja. Megjithëse, i nxitun prej meje, më njofton se do të shkonte vetë me e takue botuesin, dhe dhe me ia dorëzue veprën, përsëri s’e bani as at punë!!
Nga ana tjetër ai s’kishte mbrritë me gjetë botues as me pagesë dhe as pa pagesë, as pranë Ministrisë Kulturës, e as gjetke…
Në verën 2012, unë jam në Tiranë dhe takoj Z. Agron Tufa, i cili sa e mori vesh se nji ish i burgosun, Profesori shkodran Guljelm Deda, kishte përkthye nji kryevepër të tillë, menjiherë më kërkon telefonin e nipit që të merrej vesh ai me të, sepse at vepër do ta botonte Instituti tij!! Fatmirsisht nipi ia kishte çue transkiptimin, dhe ja… këto dit vepra e Lemit u botue dhe u promovue paraprakisht në Ministrinë e Kulturës.
Lajmi mori dhenë… Fillojnë kontaktet edhe me mue për me pasë informata për Lemin, si mik e bashkëvuejtës me të, sikur ky paskej qenë krejt i panjoftun, se kish ekzisteu mbi ketë tokë!!! Ma e bukura asht se në artikujt dhe fjalimet për kët botim, ndërsa përmenden mjaft emna, emni i Lek Pervizit, i mikut ma i afërt i Guljelm (Lem) Dedës s’përmendej kërkundi së pakut “sa me la gojën…”! Si duket mosmirënjohja ndër shqiptarët asht në rendin e ditës…
Dhashë në vija t’përgjithshme historikun e përkthimit shqip nga Prof. Guljelm Deda, të poemit epik të poetit të shquem italian, Lodoviko Ariosto, “Orlandi i Çmendun”, (L’Orlando Furioso), dhe si u ba e mundun që ma së fundi kjo vepër madhështore të botohej.
Kjo asht e gjitha. Ju faleminderit.
Bruksel, 21 Qershor, 2013.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.