back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Legjenda e tri Krishtlindjeve nën dhunë – rrëfim nga Dr. Lazër Radi

Gazeta

Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Legjenda e tri Krishtlindjeve nën dhunë

rrëfim nga Dr. Lazër Radi

Krishtlindjet janë Festa e Gëzimit dhe Paqes…
Nji festë ku të gjithë duhet të ndjehemi pak ma të mirë, ma zemërgjanë, ma njerzorë…
e na duhet me mendue se krejt afër nesh
asht vuejtja, mjerimi, dhuna, lufta, poshtërimi…
Gëzimin e kësaj feste tashma të lashtë, po e përcjell me tri rrëfime të tim eti,
nji dëshmi që edhe e Keqja ma e Fuqishme s’mundet me e thye besimin në Zot,
s’mundet me e shkatrrue shpirtin e njeriut
as magjinë e kësaj feste që jeton prej shekujsh brenda nesh…
Lexim të mbarë dhe Gëzuar Krishtlindjet gjithë miqve të mij kristianë…
Jozef Radi

Krishtlindjet nen bore...
Krishtlindjet nen bore…

24 dhjetori i 1924-ës! Prizren

Dimën…
Dimën i ashpër nordik në malet verilindore të tokës shqiptare. Qyteti im, me mantelin e bardhë të borës ndër krahë, sfidonte at bardhësi verbuese me dritën e zbehtë të hanës, pa i shpallë luftë, veç tue e pranue njeni-tjetrin në heshtje. Në qytet gjithçka zhvillohej në heshtje: edhe krimi… edhe dashnia!
Ai kishte marrë nji pamje të çuditshme!
Luftohej me hapë nji shteg kalimi n’at rrugë të verbër, po lëvizja e dyshimtë e bajonetave mbi çatitë e mbytuna nën borë, kallzonte se pusia qe kurdisë me u derdhë gjak i pafajshëm…
Ky ishte absurdi i asaj nate të shenjtë.
Si mund të mendohej për krim e gjak at natë të paqme, kur krejt atmosfera ishte mbështjellë me melodinë ëngjullore të lindjes, që valë-valë lshohej nga kisha majëkodre e shpërndahej gjithkah qytetit… Sa qartë e fuqishëm shpërthenin fjalët e melodisë: “Lavdi Zotit ndër qiej – paqe njerzve mbi tokë”.
Ishte nata e qiejve… nata e paqes për të gjithë.
Ishte 24 dhjetori i 1924-ës!
Në zemër të Kosovës, Drenica qe kthye në nji skëterrë, në nji kasaphanë e vërtetë për pushtuesit. Kryengritja s’po ndalej. Hija e Azemit shfaqej kudo te “Hani i Mushkave”, te “Kroni i Hirushës”, te “Shtegu i Drenit”, po atje ku kallte ma shumë tmerr ishte te zemrat e shkjeve.
Eh, sa e vrazhdë ajo hije: kudo kah shkonte, edhe pse pa zhurmë e pa zà, ashtu në heshtje kallte tmerr! As ushtritë e armatosuna s’po mund t’i afroheshin asaj rrezeje ku sundonin fantazma, ku mbretnonte hija e vrazhdë e Azem Bejtes… Ajo krahinë, për kënaqësinë e të gjithëve ne, quhej “Shqipnia e Vogël…”
Mesnata ishte në grahmat e fundit.
Nën qiellin e zymtë, nji qetësi hyjnore rrinte pezull nën at bardhësi të paskaj natyre… Ndigjoheshin virtytshëm tingujt e kambanave që ftonin njerzit me marrë pjesë në ardhjen e “Mesias” mbi tokë. Kambanat vazhdonin e dukeshin si ndjellse kerubinësh që fluturonin mbi at qiell të qeltë të qytetit në skaj. Njerëzia, ngutnin hapat e kjo dallohej prej hijsheve në rrugët e Varoshit, nën Kala ku fenerat në lëvizje ngjanin si xixlloja të çuditshme që vërtiteshin të çmenduna midis atij acari të dimri alpin.
Çdo çast bahej edhe ma emocionues…
dukej sikur i preknim me dorë tingujt e kambanave, sikur e ambla e asaj nate të madhnishme futej në veshë e ndër zemrat tona. Nji kangë baritone e bardhë si dëbora verbuese dilte prej gjokseve të fëmijëve në korin e kishës. Ishte zani i shelbimit që kishte pushtue jo veç qiejt e tejdukshëm t’asaj nate fatlume, po krejt shpirtnat e ishte shkri me ta.
Posa e kaluem Qafën e Pazarit, u gjendëm përballë fasatës madhështore të kishës së qytetit. Ishte e para herë që prindët e mi, më merrnin me vedi në meshën e mesnatës. Nji fantazmagori dritash e ngjyrash gjithallojshe m’i lëbyri sytë. Oh, sa iu gëzova asaj pamje magjepse. Më dukej sikur gjendesha diku jashtë bote, sikur shetisja n’nji vis përrallash… ku kambanat s’pushonin… e ndër krahë të atyne tingujve lëshoheshin jonet e korit të fëmijëve që dilnin nga kisha dhe si avull i nxehtë futej në shpirtin tim. Midis saj qe ngritë nji Betlehem i mrekullueshëm.
Dy javë ma parë, motra Angjelinë dhe murgeshat e tjera kishin punue tue derdhë krejt dashninë dhe pasionin e tyne. Ai Betlehem, për sytë e e pamësuem të nji fëmije ishte vërtet diçka magjike, nji poezi që derdhesh me muzikë e gjitha mbrenda meje…
Mbresat e asaj nate kambanash, kandilash e kangësh më krijuen në shpirt nji romantikë të tillë që më ka ndjekë në gjitha vitet e jetës…
.
Betlehemi
Betlehemi

24 dhjetor 1944 – Burgu e Ri – Tiranë!

Ishin ditë të vshtira, të randa, të zeza…
Të rrethuem gjithkah me tela, me policë, me dhunë e me kërcënime për vdekje… Tashma jo nga i hueji serbo-sllav, po nga i joni, vlla i gjakut, po që na dukej bash si pjellë e të huejit… lebrozë t’indoktrinuem, internacionalistë, barinj që s’u dukeshim as dele, e që meritonin at emnin fatal të Greqisë së Lashtë: “a patris”, t’paatdhe…
Burgjet e Shqipnisë ishin përplot me njerz që besonin me gjithë mend në hymnin e Perëndisë. Asaj nate, ata ndjenin të qarkullonte n’ajri kangë si: “Lavdi Zotit ndër qiej e paqe n’tokë për njerëzit vullnetmirë…”
E ndjenin në shpirt, i kapnin n’fluturim ato jone të padukshme kange që lëvrinin ambël nëpër at qiell t’mjegulluem me erë baroti e gjurma gjaku…
Burgu zukiste si nji koshere bletësh. Kudo që ishte nji pllambë toke e ngurtë qindronte nji qenie e gjallë, tashma e burgosun, e përdhosun e që dikur kishte qenë njeri, e çfarë Njeriu…!
At mbasdreke të 24 dhjetorit… u hapën kangjellat e dyfishta të burgut dhe në korridorin e frigorifertë u shfaq Dom Shtjefën Kurti, famullitari kosovar, tash guximtari i Tiranës. Si rrufe u përhap lajmi se Dom Shtjefni ishte mes nesh dhe se për t’parën herë në historinë e burgjeve shqiptare do të celebrohej: Mesha e Krishtlindjeve…
Vrapuem të tanë me i shkue në ndihmë.
Diku n’nji cep hapëm vend dhe sa hap e mbyll sytë e ngritëm altarin… I zbehtë e tepër i emocionuem, tue marrë pjesë shpirtnisht në dhimbjet e në vuejtjet tona – ai celebroi para tanë të burgosurve, pa dallim nëse ishim myslimanë a të krishterë…
Mesha e Krishtlindjeve at natë qe nji mrekulli e vërtetë shprese dhe besimi n’ato katakombe të tmerrit ku po futej Shqipnia…
Ma vonë, kur dhuna e kuqe do të lëshohej si qen i tërbuem edhe mbi të, n’nji qeli burgu, do të m’rrëfente se mesha ma e bukur, ma solemnia edhe ma e paharrueshmja e jetës së tij, do të mbetesh ajo meshë aty në Burgun e Ri të Tiranës, të cilën për kah emocionet, e krahasonte me meshën e parë që kishte thanë kur qe shugurue prift. Sa vetë n’botë do të kishin dashtë që të kishin asistue n’at meshë burgu ku elemente besimesh të ndryshme asistonin me të njajtin devocion, me at devocion që ka veç shqiptari, për atë Zot… që na e ka dhanë jetë e frymë të tanëve…
Si mbaroi mesha, e përcollën Dom Shtjefnin, deri te porta e daljes. Korridori u zbraz mbasi sërish do kthehej në bujtinë. Aty pamë se dyshemeja ishte lagë prej lotëve të mallëngjimit… Ai korridor i ftoftë akull, qe kthye n’nji “Lëndinë Lotësh” o n’nji Mur Vajtimi. Ishin lotët tonë, lotët e atyne njerzve të pafajshëm që s’po e kuptonin pse ishin krijue aq shumë burgje nëpër botë, apo thjesht  me i mbajtë ndër pranga fajtorët e pafajmë…
.
Lazër Radi e Sulejman Hoxha si mekanikë - Pluk 1965
Lazër Radi e Sulejman Hoxha si mekanikë – Pluk 1965

24 Dhjetor 1953: Aeroporti Rinasit, Ura e Hasan Beut.

Mesnata e Krishtlindjeve ma të bukura n’botë.
E denjë për nji skenar të mrekullueshëm filmi.
Në kampin e punës n’Aeroporti Rinasit, tana ditët ishin të njisojta: të randomta e rraskapitse. Nuk njifesh as moti me shi e as me diell, as baltë e as tokë e thatë, as diell përvëlues e as bora dy pëllambë trashësi. Punë, veç punë, punë pa orar, punë prej kafshe nën at qiell të hapët e n’mëshirë të Zotit.
Aeroporti ushtarak na kërkohej me urgjencë. Përshpejtimi i punimeve bahej me kamxhik o me hunj gardhi, po edhe ata soseshin tue u thye mbas shpinave tona…
Dikur, ora as dita s’kishte ma asnji lloj kuptimi, fishkëlleu bilbili i grumbullimit e u dha urdhni për kthim. Formuem rreshtat edhe u vumë për rrugë. N’at mori njerzish të rraskapitun e të leckosun, që dukej sikur s’kish të sosun, krijuem nji treshe – Patër Pjetër Meshkalla, Anton Kozmaçi edhe unë. Gjatë gjithë asaj dite kishte ra shi edhe rruga ishte përbaltë keqas… qe krijue nji llucë ngjitëse që po na e vështirsonte së tepërmi ecjen. Prej asaj morie kambësh që hiqeshin zhag, balta qe ntrashë aq sa na i kapte “tullumbat” e na i shkulte prej kambëve. Shumë i hoqëm e i morëm n’dorë tue hecë zbathë n’at ditë t’akullt dimni.
Dikur mbrritëm në kamp, s’ishim ma as njerëz e as kafshë: ishim reduktue n’do fantazma, n’do krijesa zvarranike që s’dihej prej ç’epoke gjeologjike vinim. E shifnim vedin veç te të tjerët e rrëqetheshim. Isha i bindun se as nana që na e kishte bà kryet, s’do t’na njihte n’at katandisje të mjerueme ku na kishin hjedhë…
Në tanë at mjerim, egërsi e zymti që na rrethonte, at natë vendosëm me e festue at “ditë të bekueme!” U lamë, njashtu keq e keq me kallajçe, e nisëm me sajue diçka me hangër. Ai sajim, na shërbente me kalue kohën, derisa t’afronte mesnata. Kishim ndezë tri zjarre të fuqishme: në njenin zienim groshën, në tjetrin orizin e në të tretin hallvën. E ftuem edhe Patër Mëshkallën, n’at festë të mjerimit njerzor, po ai s’pranoi asgja, pse do të “kungohej mbas nji ore n’at meshë të madhe…!” Aty pranë, farfurinte pema e Krishtlindjeve, nji degë selvije e sajueme dhe zbukurueme me do shporta e figura të bame me letra punëdore, e ndoj portokall o mollë ndër sqetullore degash.
Afër mesnate u ngritëm e sistemuam altarin në krye të kapanonit. Mbi tavolinën e mbulueme me nji çarçaf të bardhë si bora, vendosëm dy shandana me qirinj, ungjillin, kupat e mbulueme edhe pemën e zbukurueme.
Kur u lajmërue mesnata, Patër Mëshkalla, edhe njashtu i paktë kah shtati, at natë kishte pamjen e nji gjigandi. Krejt kapanoni i burgut ishte në kambë. Pa dallim feje e krahine, ishin njaty, në Meshën e Krishtlindjeve… n’Ferr.
E ndërsa thuhej mesha, u ndezën plot qirinj që ato fantazma i mbanin ndër duer. Mund t’ishin tridhjetë o pesëdhjetë ndoshta edhe njëqind të tilla – di veç që krejt kapanoni mori nji ndriçim parajse. Ajo stallë mundimesh u shndrrue në kishë, ndoshta katedralja ma madhështore e botës… pse aty ishin shpirtnat tonë.
U ba nji natë e mrekullueshme, edhe pse jetonim aty, n’skëterrë të dhunës. Disa prej pjesëmarrësve, (ata të kulturës gjermane) e dinin kangën e famshme të Krishtlindjeve “Shtilen Naht-in” e nën zà ia nisën me këndue… Pak nga pak tonet e kangës erdhën tue u naltue. Befas qe improvizue nji kor i madh, mos me ia pasë lakmi as Verdit te Nabuko… E gjithë mesha u përcoll nën melodinë e asaj kange të paharrueshme, çka i dha solemnitet atij çasti të madhërishëm, tue na ngjallë shpresa të pakufishme, se nji ditë, do të zbriste edhe ndër ne “paqja e njerëzve vullnetmirë!”
.
Botuar në gazetën Mapo, 27 dhjetor 2019

 

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Pjetër Delia
    Ndoshta bahem edhe i bezdishëm, veç më besoni, kur e shoh kët burrë madhështor që i kam njoftë dhe jetuar në nji vend, nuk mundem mos të them dy fjalë… Të festoje Krishtlindjen në burgun famëkeq të Tiranës dhe, me ndie gëzim e besim te zoti n’ato kushte çnjerzore, pyes veten pse zoti e ka lejuar gjithë atë padrejtësi ndaj këtyre heronjve!? Për kë ishin nji rrezik aq i madh për t’i shkatërruar kështu!??
    Jozef, unë kam besim se ti s’do t’i lesh në harresë asnji javë këto figura të ndritura që janë simboli i njerzëve të shtypur fizikisht dhe ideologjikisht… (fb. 25 dhjetor 2013)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.