Legjenda e tri Krishtlindjeve nën dhunë Dr. Lazër Radi

Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Legjenda e tri Krishtlindjeve nën dhunë

rrëfim nga Dr. Lazër Radi

Krishtlindjet janë  festa e Gëzimit dhe Paqes…
Nji festë ku të gjithë duhet të ndjehemi ma të mirë, ma zemërgjanë, ma njerzorë… dhe na duhet me mendue se krej afër nesh asht vuejtja, mjerimi, dhuna, lufta, poshtërimi… Gëzimin e kësaj feste tashma të lashtë, po e përcjell me tri rrëfime të tim eti, nji dëshmi që edhe e Keqja ma e Fuqishme s’mundet me e thye besimin në Zot, s’mundet me e shkatrrue shpirtin e njeriut dhe magjinë e kësaj feste që jeton prej shekujsh brenda secilit prej nesh…
Lexim të mbarë, dhe Gëzuar Krishtlindjet gjithë miqve të mij kristianë…
Jozef Radi

Krishtlindjet nen bore...

Krishtlindjet nen bore…

***

24 dhjetori i 1924-ës! Prizren

Dimën…
Dimën i ashpër nordik në malet verilindore të tokës shqiptare. Qyteti im, me mantelin e bardhë të borës ndër krahë, sfidonte at bardhësi verbuese me dritën e zbehtë të hanës, pa i shpallë luftë, veç tue e pranue njeni-tjetrin në heshtje. Në qytet gjithçka zhvillohej në heshtje: edhe krimi… edhe dashnia!
Ai kishte marrë nji pamje të çuditshme!
Luftohej me hapë nji shteg kalimi n’at rrugë të verbër, po lëvizja e dyshimtë e bajonetave mbi çatitë e mbytuna nën borë, kallzonte se pusia qe kurdisë me u derdhë gjak i pafajshëm…
Ky ishte absurdi i asaj nate të shenjtë.
Si mund të mendohej për krim e gjak at natë të paqme, kur krejt atmosfera ishte mbështjellë me melodinë ëngjullore të lindjes, që valë-valë lshohej nga kisha majëkodre e shpërndahej gjithkah qytetit… Sa qartë e fuqishëm shpërthenin fjalët e melodisë: “Lavdi Zotit ndër qiej – paqe njerzve mbi tokë”.
Ishte nata e qiejve… nata e paqes për të gjithë.
Ishte 24 dhjetori i 1924-ës!
Në zemër të Kosovës, Drenica qe kthye në nji skëterrë, në nji kasaphanë e vërtetë për pushtuesit. Kryengritja s’po ndalej. Hija e Azemit shfaqej kudo te “Hani i Mushkave”, te “Kroni i Hirushës”, te “Shtegu i Drenit”, po atje ku kallte ma shumë tmerr ishte te zemrat e shkjeve.
Eh, sa e vrazhdë ajo hije: kudo kah shkonte, edhe pse pa zhurmë e pa zà, ashtu në heshtje kallte tmerr! As ushtritë e armatosuna s’po mund t’i afroheshin asaj rrezeje ku sundonin fantazma, ku mbretnonte hija e vrazhdë e Azem Bejtes… Ajo krahinë, për kënaqësinë e të gjithëve ne, quhej “Shqipnia e Vogël…”
Mesnata ishte në grahmat e fundit.
Nën qiellin e zymtë, nji qetësi hyjnore rrinte pezull nën at bardhësi të paskaj natyre… Ndigjoheshin virtytshëm tingujt e kambanave që ftonin njerzit me marrë pjesë në ardhjen e “Mesias” mbi tokë. Kambanat vazhdonin e dukeshin si ndjellse kerubinësh që fluturonin mbi at qiell të qeltë të qytetit në skaj. Njerëzia, ngutnin hapat e kjo dallohej prej hijsheve në rrugët e Varoshit, nën Kala ku fenerat në lëvizje ngjanin si xixlloja të çuditshme që vërtiteshin të çmenduna midis atij acari të dimri alpin.
Çdo çast bahej edhe ma emocionues…
dukej sikur i preknim me dorë tingujt e kambanave, sikur e ambla e asaj nate të madhnishme futej në veshë e ndër zemrat tona. Nji kangë baritone e bardhë si dëbora verbuese dilte prej gjokseve të fëmijëve në korin e kishës. Ishte zani i shelbimit që kishte pushtue jo veç qiejt e tejdukshëm t’asaj nate fatlume, po krejt shpirtnat e ishte shkri me ta.
Posa e kaluem Qafën e Pazarit, u gjendëm përballë fasatës madhështore të kishës së qytetit. Ishte e para herë që prindët e mi, më merrnin me vedi në meshën e mesnatës. Nji fantazmagori dritash e ngjyrash gjithallojshe m’i lëbyri sytë. Oh, sa iu gëzova asaj pamje magjepse. Më dukej sikur gjendesha diku jashtë bote, sikur shetisja n’nji vis përrallash… ku kambanat s’pushonin… e ndër krahë të atyne tingujve lëshoheshin jonet e korit të fëmijëve që dilnin nga kisha dhe si avull i nxehtë futej në shpirtin tim. Midis saj qe ngritë nji Betlehem i mrekullueshëm.
Dy javë ma parë, motra Angjelinë dhe murgeshat e tjera kishin punue tue derdhë krejt dashninë dhe pasionin e tyne. Ai Betlehem, për sytë e e pamësuem të nji fëmije ishte vërtet diçka magjike, nji poezi që derdhesh me muzikë e gjitha mbrenda meje…
Mbresat e asaj nate kambanash, kandilash e kangësh më krijuen në shpirt nji romantikë të tillë që më ka ndjekë në gjitha vitet e jetës…
.
Betlehemi

Betlehemi

***

24 dhjetor 1944 – Burgu e Ri – Tiranë!

Ishin ditë të vështira, të randa, të zeza…
Të rrethuem gjithkah me tela, me policë, me dhunë e me kërcënime për vdekje… Tashma jo nga i huaji serbo-sllav, po nga i joni, vëlla i gjakut, po që dukej bash si pjellë e të huajit… lebrozë të indoktrinuem, internacionalistë, barinj që s’u dukeshim as delet, e që meritonin at emnin fatal të Greqisë së Lashtë “a patris”, t’paatdhe…
Burgjet e Shqipnisë ishin përplot me njerëz që besonin me gjithë mend në hymnin e Perëndisë. Asaj nate, ata ndjenin të qarkullonte n’ajri kangë si: “Lavdi Zotit ndër qiej e paqe n’tokë për njerëzit vullnetmirë…”
E ndjenin në shpirt, i kapnin në fluturim ato jone të padukshme kange që lëvrinin ambël nëpër at qiell të mjegulluem me erë baroti e gjurma gjaku…
Burgu zukiste si nji koshere bletësh. Kudo që ishte nji pëllambë toke e ngurtë qindronte nji qenie e gjallë, tashma e burgosun, e përdhosun e që dikur kishte qenë njeri, e çfarë njeriu…!
At mbasdreke të 24 dhjetorit… u hapën kangjellat e dyfishta të burgut dhe në korridorin e frigorifertë u shfaq Dom Shtjefën Kurti, famullitari kosovar, tash guximtari i Tiranës. Si rrufe u përhap lajmi se Dom Shtjefni ishte mes nesh dhe se për t’parën herë në historinë e burgjeve shqiptare do të celebrohej Mesha e Krishtlindjeve…
Vrapuem të gjithë me i shkue në ndihmë.
Diku n’nji cep hapëm vend dhe sa hap e mbyll sytë e ngritëm altarin… I zbehtë dhe tepër i emocionuem, tue marrë pjesë shpirtnisht në dhimbjet e në vuejtjet tona – ai celebroi para gjithë të burgosurve, pa dallim nëse ishim myslimanë a të krishterë…
Mesha e Krishtlindjeve at natë qe nji mrekulli e vërtetë shprese dhe besimi n’ato katakombe të tmerrit shqiptar…
Ma vonë, kur dhuna e kuqe do të lëshohej si qen i tërbuem edhe mbi të, në nji qeli burgu, do të më rrëfente se mesha ma e bukur, ma solemnia dhe ma e paharrueshmja e jetës së tij, do të mbetesh ajo meshë aty në Burgun e Ri të Tiranës, të cilën për nga emocionet, e krahasonte me meshën e parë që kishte thanë kur qe shugurue prift. Sa vetë në botë do të kishin dashtë që të kishin asistue n’at meshë burgu ku elemente besimesh të ndryshme asistonin me të njejtin devocion, me atë devocion që ka veç shqiptari, për atë Zot… që na e ka dhanë jetë e frymë të gjithëve…
Si mbaroi mesha, e përcollën Dom Shtjefnin, deri te porta e daljes. Korridori u zbraz mbasi sërish do kthehej në bujtinë. Aty pamë se dyshemeja ishte lagë prej lotëve të mallëngjimit… Ai korridor i ftoftë akull qe kthye n’nji “Lëndinë Lotësh” o n’nji Mur Vajtimi. Ishin lotët tonë, lotët e atyne njerzve të pafajshëm që s’po e kuptonin pse ishin krijue aq shumë burgje nëpër botë, apo thjesht për me i mbajtë ndër pranga fajtorët e pafajmë…
.
Lazër Radi e Sulejman Hoxha si mekanikë - Pluk 1965
Lazër Radi e Sulejman Hoxha si mekanikë – Pluk 1965

***
24 Dhjetor 1953: Aeroporti Rinasit, Ura e Hasan Beut.

Mesnata e Krishtlindjeve ma të bukura n’botë.
E denjë për një skenar të mrekullueshëm filmi.
Në kampin e punës n’Aeroporti Rinasit, gjitha ditët ishin të njisojta: të randomta e të rraskapitshme. Nuk njifesh as mot me shi e as me diell, as baltë e as tokë të thatë, as diell përvëlues e as borën dy pëllëmbë trashësi. Punë, veç punë, punë pa orar, punë prej kafshe nën at qiell të hapët e në mëshirë të Zotit.
Aeroporti ushtarak na kërkohej me urgjencë. Përshpejtimi i punimeve bahej me kamxhik o me hunj gardhi, po edhe ata soseshin tue u thye mbas shpinave tona…
Dikur, ora as dita s’kishte ma asnji lloj kuptimi, fishkëlleu bilbili i grumbullimit dhe u dha urdhni për kthim. Formuem rreshtat dhe u vumë për rrugë. N’at mori njerzish të rraskapitun e të leckosun, që dukej sikur s’kish të sosun, krijuem nji treshe – Patër Meshkalla, Anton Kozmaçi dhe unë. Gjatë gjithë asaj dite kishte ra shi dhe rruga ishte përbaltë keqas… qe krijue nji llucë ngjitëse që po na e vështirsonte së tepërmi ecjen. Prej asaja morie kambësh që hiqeshin zhag, balta qe ntrashë aq sa na i kapte “tullumbat” e na i shkulte prej kambëve. Shumë i hoqëm e i morëm në dorë tue hecë zbathë n’at ditë të akullt dimni.
Dikur mbrritëm në kamp, s’ishim ma as njerëz e as kafshë: ishim reduktue në fantazma, në ca krijesa zvarranike që s’dihej prej ç’epoke gjeologjike vinim. E shifnim vedin veç te të tjerët e rrëqetheshim. Isha i bindun se as nana që na e kishte bà kokën, s’do t’na njihte n’at katandisje të mjerueme ku na kishin hjedhë…
Në gjithë at mjerim, egërsi e zymti që na rrethonte, at natë vendosëm me e festue at “ditë të bekueme!” U lamë, njashtu keq e keq, e nisëm me sajue diçka me hangër. Ai sajim, na shërbente me kalue kohën, derisa t’afronte mesnata. Kishim ndezë tri zjarre të fuqishme: në njenin zienim groshën, në tjetrin orizin dhe në të tretin hallvën. E ftuem edhe Patër Mëshkallën, n’at festë të mjerimit njerzor, po ai s’pranoi asgja, pse do të “kungohej” mbas nji ore n’at meshë… Aty pranë, farfurinte pema e Krishtlindjeve, nji degë selvije e sajueme dhe zbukurueme me do shporta e figura të bame me letra punëdore, e ndonji portokall o mollë ndër sqetullore degash.
Afër mesnate u ngritëm e sistemuam elterin në krye të kapanonit. Mbi tavolinë të mbulueme me nji çarçaf të bardhë si bora, vendosëm dy shandana me qirinj, pemën, ungjillin, kupat e mbulueme dhe pemën e zbukurueme.
Kur u lajmërue mesnata, Patër Mëshkalla, edhe njashtu i pakët kah shtati, at natë kishte pamjen e nji gjigandi. Krejt kapanoni i burgut ishte në kambë. Pa dallim feje e krahine, ishin aty, në Meshën e Krishtlindjeve në Ferr.
E ndërsa thuhej mesha, u ndezën plot qirinj që ato fantazma i mbanin ndër duer. Mund t’ishin tridhjetë, pesëdhjetë ndoshta edhe njëqind të tilla – di veç që krejt kapanoni mori nji ndriçim parajse. Ajo stallë mundimesh u shndrrue në kishë, ndoshta katedralja ma madhështore e botës… sepse aty ishin shpirtnat tonë.
U ba nji natë e mrekullueshme, dhe pse jetonim aty në skëterrë të dhunës. Disa prej pjesëmarrësve, (ata të kulturës gjermane) e dinin kangën e famshme të Krishtlindjeve “Shtilen Naht-in” e nën zà ia nisën me këndue… Pak nga pak tonet e kangës erdhën duke u naltue. Befas qe improvizue nji kor i madh, e mos t’ia kishe lakmi as Verdit te Nabuko… E gjithë mesha u përcoll nën melodinë e asaj kange të paharrueshme që i dha solemnitet atij çasti të madhërishëm, duke na ngjallë shpresa të pakufishme, se nji ditë, do të zbriste edhe ndër ne “paqja e njerëzve vullnetmirë!”
.
Botuar në gazetën Mapo, 27 dhjetor 2019

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Dr. Lazër Radi, Artikuj 1991-1998, Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , ,
3 Përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Pjetër Delia
    Ndoshta bahem edhe i bezdishëm, veç më besoni, kur e shoh kët burrë madhështor që i kam njoftë dhe jetuar në nji vend, nuk mundem mos të them dy fjalë… Të festoje Krishtlindjen në burgun famëkeq të Tiranës dhe, me ndie gëzim e besim te zoti n’ato kushte çnjerzore, pyes veten pse zoti e ka lejuar gjithë atë padrejtësi ndaj këtyre heronjve!? Për kë ishin nji rrezik aq i madh për t’i shkatërruar kështu!??
    Jozef, unë kam besim se ti s’do t’i lesh në harresë asnji javë këto figura të ndritura që janë simboli i njerzëve të shtypur fizikisht dhe ideologjikisht… (fb. 25 dhjetor 2013)

  2. Jozef Radi Tha:

    Kola Herr Kola
    E mrekullushme asht bukuria e thjeshtë e sinqertë e njeriut.
    Flm që ma kujtove kët histori Jozef dhe përshumvjet Krishtlindjen. (fb. 25 dhjetor 2013)

  3. Jozef Radi Tha:

    Lavdie Mato
    Oh… po… Katedralja më madhështore e Botës ngrihet prej shpirtrash, jo prej tullash…
    Mbresëlënëse! (fb. 25 dhjetor 2013)

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook