back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Legjenda e Rozafës… nga Ilir Seci

Gazeta

Ivan Mestroviç - Legjenda e Rozafës së Shkodrës 1906
Ivan Mestroviç – Legjenda e Rozafës së Shkodrës 1906

Legjenda e Rozafës…

nga Ilir Seci

Në të tana kulturat e botës ka rrëfime magjepsëse që nji herë e nji kohë besoheshin si të vërteta, por që sot thjesht janë të kufizueme në qarkun e “Miteve dhe Legjendave”. Mite dhe Legjenda që janë mbartun nëpër mijëvjeçarë, të cilat tradita popullore i ka përcjellun si trashgimi gojore nëpër kohna, nga nji brez te tjetri… Gjithëhera asht shtrue me të drejtë pyetja: – “Çka janë këto mite?! A kanë bazë historike këto mite apo janë thjesht fantazi që asht ngjizë në mendjen e të parëve tanë!? A thue vallë këto mite janë të bazueme në ngjarje të vërteta?!”… Për studiuesit, të cilët i bazojnë përfundimet e tyne në kritere shkencore, Mitet janë do produkte fiktive të imagjinatës së njeriut primitiv, në fillimet e njerezimit. Shkenctarët i kqyrin Mitet si fryt i nji imagjinatës së përndezun të njeriut në agun e qytetnimeve që duke mos pasun mundësi me i shpjegue fenomenet jetësore i mistifikonte ato. Mirëpo cilësori “primitiv” na nxjerr pak si arrogantë ne njerëzve të sotëm nëqoftëse ngutemi me i quejtë paraardhësit tanë “të pacivilizuem dhe injorantë”… Dalim arrogantë se harrojmë admirimin me të cilin – na njerëzit e sotëm – i kundrojmë monumentet, faltoret, ndërtesat, arkitekturën, skulpturat, artin në tanësi, strukturat gjigande të ndërtueme nga njerëzit “primitivë” të antikitetit!? Po i njajti gen krijues që ka realizue ato mrekulli antike, ka krijue edhe Mitet dhe Legjendat… E na Artin antik e admirojmë kurse Mitet i quejmë “primitive”!? Kjo gja në fakt vetëm sa dëshmon që shoqnia jonë moderne ka qëndrime kundërthanese ndaj antikitetit, qëndrime kontradiktore ndaj së kaluemes tonë… E kalueme, që në të vërtetë na ban me qenë këta që jena sot! Çdo komb ka nji nënshtresë mitike që gjindet thellë në rranjët e atij komb… Sa ma i vjetër kombi aq ma të thella rranjët… Ne mesin e atyne rranjëve për çdo komb ka nji Arkeo-Mit, nji Krye-Mit… Për ne shqiptarët mendoj se Arkeo-Miti jonë kombëtar asht Legjenda e Rozafës… Legjenda e Rozafës vjen nga qyteti ma i njohun shqiptar, Shkodra. Qyteti bri liqenit, ka nji pozitë gjeografike që e ban me kenë si nji konkluzion i gjeografisë fizike të Kombit Shqiptar. Aty në fushë të Shkodrës shtron rrjedhën e vet të rrëmbyeshme Drini i Bashkuem, mbasi ka mbledhë ujnat e Dy Drinave, Drinit të Zi e Drinit të Bardhë. Dy Drinat që janë si arteriet e Kombit mbasi përthithin në pellgjet e tyne ujëmblëdhëse ujnat e shumicës së Shqipnisë Etnike. Ujna që ndalin në Shkodër para se me u derdhë në detin e Adries. Kështu Shkodra bahet natyrshëm nji konkluzion i gjeografisë fizike të Shqipnisë!

Rozafa dhe femija i saj... Kala e Shkodres-1
Rozafa dhe femija i saj… Kala e Shkodres

E kur asht konkluzion i gjeografisë fizike të Kombit, Shkodra asht edhe konkluzion i gjeografisë shpirtnore, sepse gjeografia fizike shndrrohet në gjeografi shpirtnore përmes Etnografisë! Drini i Bashkuem ashtu si mbledh ujnat e gurrave e burimeve të pjesës ma të madhe të Kombit ashtu mbledh edhe rrjedhat e gurrave të burimeve etnografike që gjakojnë në ato vise… Për këtë arsye mitet dhe legjendat e Shkodrës duhen kundrue si të tilla; si Konkluzione Etnografike! Mbi tanë mitet dhe legjendat ban ballë Legjenda e Rozafës… Ashtu si shumica e miteve, Legjenda e Rozafës asht nji histori e kallzueme me me kod… Në Veprën e tij “Antropologjia strukturore”, antropologu dhe studiuesi i famshëm i miteve, francezi Claude Lévi-Strauss, bán pohimin se – “Miti asht Gjuhë”. Në vepër, studiuesi merret gjatë me përqasjen mes Mitologjisë dhe Gjuhës… Duke e kundrue Mitologjinë si gjuhë, Lévi-Strauss sugjeron se Miti mund të trajtohet në të njajtën mënyrë si trajtohet gjuha, mund të shqyrtohet nga të njajtat metoda strukturaliste që përdoren për me shqyrtue gjuhën. Lévi-Strauss shkruen: “Miti asht gjuhë që funksionon në nji nivel shumë të naltë ku kuptimi praktikisht ja del mbanë me u shkëputë nga kurtha e tabanit gjuhësor ku ishte ngulfatë.” Për me argumentue këtë gja Levi-Strauss ban tri sugjerime: -Se në Mit kuptimi nuk asht i izoluem në pjesët kryesore përbamëse të mitit, por në mënyrën si janë kompozue ato pjesëve; -Se pavarësisht se Miti dhe Gjuha konsiderohen kategori të ngjashme, gjuha funksionon ndryshe në Mit ; E treta, se gjuha në mit manifeston funksione shume herë ma komplekse sesa në shprehjet gjuhësore ; Nga këto sugjerime, ai del në përfundimin se Mitet mund të thyhen në njësi përbamëse dhe këto njësi janë të ndryshme nga njësitë përbamëse të gjuhës. Ndryshe nga përbamësit e Gjuhës, përbamësit e Mitit, Levi-Strauss i quen “Mitema” dhe shkruen se funksionojnë si nji “Tufë Marrëdhaniesh.” Ndryshe prej Shkollës Simboliste të Karl Jungut që e kërkonte kuptimin vetëm të përbamësit e Mitit, shkolla e krijueme prej Levi-Strauss e kërkonte kuptimin në marrëdhaniet e mitemave…

Legjenda e Rozafes - pikture
Legjenda e Rozafes – pikture

Ksisoj, le ta bajmë sprovë me analizue Legjendën e Rozafës… “I ra mjegulla Buenës/ Ndej tre ditë edhe tri net…” Numri tre haset disa herë në këtë legjendë, atje “Ku punojshin Tre Vllazën”... Ne numerologji numri tre asht numri qe simbolizon Tanësinë. Numri tre asht numri që tejkalon dualitetin! Treshi asht numri i parë me të cilin arrihet me u dhanë kuptimi i “Tanësisë”… Asht Triada, sepse ky numër përmban nji fillim, nji mes dhe nji fund. Fuqia e numrit tre asht universale ashtu si vetë natyra tripartide e botës, janë Qiejt, Toka dhe Ujnat. Numri tre asht vetë Njeriu, Trupi, Fryma dhe Shpirti. Fryma dhe Shpirti nuk duhen ngatërrue sepse nuk janë të njajta. Te numri tre janë Lindja, Jeta, Vdekja. Asht Fillimi, Mesi dhe Fundi. Numri tre në vetvete asht nji cikël i plotë. Asht e Kaluemja, e Tashmja dhe e Ardhmja… Tre vllaznit ne Legjendë nuk munden me e ngritë Kalanë, sepse ajo punë që ata bajnë gjithë Ditën u prishet Natën…!! Elementet përbamës të legjendës duhen kundrue si sugjeron Levi-Strauss, “…duke kërkue kuptimin në marrëdhaniet e mitemave…” Shembja e mureve të Kalasë nuk duhet pa si realiteti fizik ku gurët nuk rrinë e rrëzohen natën, sepse ajo asht vetëm veshja e jashtme e mitit. Legjenda duhet kqyrë ma me vemendje, sepse asht Legjenda e nji qyteti mijavjeçar që ishte aty qysh në Agun e Njerzimit! Pikërisht pse vjen nga Shkodra siç e thamë ma nalt – Konkluzion Gjeografik dhe Etnografik i Kombit tonë – kjo Legjendë ka shumë me na thanë! Le të bajmë nji sprovë me gjetë atë gjuhën që sugjeron Levi-Strauss… Kalaja asht simboli i Mbrojtjes, asht simboli i Shtetit! Kalaja duhet ndërtue me mbrojtë qytetnimin prej barbarisë! Asht çeshtje jetike! Vetë Kalaja e Shkodrës me historinë e saj dëshmon këtë gjà, sepse sa herë që ka ra kjo Kala, ka ra nën thundrën e huej edhe krejt Kombi ynë! Qysh nga koha e Teutës kur ra nën sundimin romak, në kohën e sundimit sllav të Mesjetës së hershme, të rania kobzezë nën thundrën osmane apo pushtimi nga malazezët mbas rrethimit të Shkodrës…
E kundrueme kshtu, Legjenda e Rozafës funksionalizohet kur vendoset në kontekstin historik! Nuk asht fjala thjesht për Tre Vllazën që po ndërtojne nji kala dhe puna që banin ditën u rrënohej natën… Jo! Të tre vllaznit përfaqësojnë universalitetin e natyrës njerzore. Simbas porosisë së Plakut të urtë, të Tre Vllaznit duhet me e sakrifikue nji flì njerzore me u ndërtue Kalaja. Që me u ngritë Shteti domethanë! Të Tre Vllaznit e bajnë me fjalë mos me u diftue grave të veta dhe ajo që do vijë me pru bukën ka me u murosë! Dy Vllazën u diftojnë grave të veta mos me shkue, kurse i Treti, i vogli, nuk i difton… Tre Vllaznit në kët rast simbolizojnë Kompleksitetin e Natyrës Njerzore. Dy prej tyne janë njerzit meskinë që nuk duen të sakrifikojnë asgja për të mirën e përbashkët, por duen përfitimet e asaj të mire që asht Kalaja, në kët rast, Kalaja që u siguron mbrojtjen! Kalaja që asht Shteti… I treti Vlla asht Idealisti që don me ndërtue Kalane, (Shtetin), me çdo kusht! Me çdo sakrificë! Duke sakrifikue edhe gjanë ma të shtrenjtë që ka Gruen-Dashninë e jetës së vet! E me kët sakrificë pajtohet edhe vetë e Shoqja, Rozafa! Në kjoftë se e kundrojmë me vëmendje Legjendën, askundi Grueja e Vllaut të vogël nuk qan as nuk e kundërshton fatin!? Ajo vetëm kërkon me ja lanë jashtë njanin gji me i dhanë tamël djalit të mitun! Sa i fuqishëm asht ky simbol! Nana sakrifikohet për me sigurue nji të ardhme ma të mirë për fëmijën e saj: “M’i leni jashtë/ njanin gji që me e ushqye/ njanin sy që me e pa tue u rritë/ njanën dorë që me e përkedhelë…” Legjenda e përcjell të kjartë Kodin!
Asht sakrifica që bahet për me ndërtue të ardhmen! Me ndërtue nji Kala ma të fortë! Me ndërtue nji shtet ma të fortë! Rozafa që flijohet pa ba zà dhe i shoqi që pranon me flijue dashninë e jetës së vet, janë idealistët e shoqnisë njerzore! Nji pajtim i vetëdijshëm me fatin, jo pajtim i verbër! Në at pajtim ka diçka nga pajtimi i Sokratit të lashtë kur piu kupën e helmit vetëm mos me shkatërrue shtetin…
Mesazhi universal asht ky: “Vetëm Idealistat e kanë çue botën përpara!”
Shkodër, 8 gusht 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.