back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Legjenda e Radëvë – ese nga Jozef Radi

Gazeta

Familja Radi - Pizren 1921 - Lazër Radi, Prend Çup Radi, Gonxhe (Vila) Radi. Mark Radi e shoqja dhe File Radi
Familja Radi – Prizren 1921 –
Lazër Radi, Prend Çup Radi, Gonxhe (Vila) Radi. Mark Radi e shoqja dhe File Radi

Legjenda e Radëvë

ese nga Jozef Radi

Rrëfimet e përcjella brez mbas brezi e të ruejtuna edhe ashtu fragmentare herë me kujtesë personale, herë kolektive, e herë me dorshkrime… dëshmojnë se Radët (ata që mbajnë mbiemën Radi) i përkasin nji fisi të hershëm malësor. Sigurisht origjina e tyne e hershme daton kohna te largta, edhe pse në dokumenta të Venedikut shfaqen prej vitit 1431, shfaqja e tyne si fis, nis kah fundi i shek. të XVII e fillimet e shek. të XVIII… diku në malet e ashpra të Mirditës.
Historia dëshmon se gjatë periudhës pesqindvjeçare të sundimit të Perandorisë Osmane, Mirdita ka gëzue nji “status të veçantë”, prej të cilit ajo ruejti të paprekun jo vetëm enklavën e katolicizmit shqiptar, po edhe krejt frymën e traditave, të kulturës, të institucioneve, të hierarkisë fisnore si edhe heraldikën, po harrue edhe at status shërbimesh ushtarake, që i bante trupat mirditore si nji “garde sigurie” kudo që shfaqej e nevojshme disiplina e hekurt dhe ndëshkimi i ashpër. Kjo si në perandorinë osmane, edhe Ali pashë Tepelena, po edhe ndër tjerë për trupa speciale të mbrojtjes, kishte nji gardë mirditore…
Rrëfenjat po edhe dokumentet shkojnë diku ma përtej, edhe pse historianët e cekin pak rrëshkitas kët problem…
Mbas vdekjes së Skënderbeut dhe qëndresës dersa qe e mundun, mjaft prej fiseve mirditore u tkurrën maleve të tyne te egra, ku nji pjesë fisesh u spostuen drejt Jugut të Shqipërisë, ku krahas kapërcimit të detit dhe vendosjes në disa zona të Italisë së Jugut, të tjerë gjetën terrene dhe u ngulën në nji pjesë të zonës së Bregdetit, po edhe në disa zona të thella të krahinës së Kurveleshit, tue themelue ngulime dhe u ba pjesë e disa katundeve…
Gjithsesi Mirdita, statusin e nji njisie të veçantë nën Perandorinë Osmane, e ka gëzue të plotë gjatë krejt historisë së saj…
Ngjarja ma e randsishme në historinë e kësaj treve me organizim të veçantë, asht “Kuvendi i Arbënit”, i mbajtun në Mërqi të Mirditës (Lezhë) me 14 dhe 15 janar 1703, i mbështetun nga Papa Klementi XI, i quejtun edhe Papa Albani, dhe i drejtuem me kompetencë nga imzot Vinçenc Zmajeviç, pikërisht në periudhën e ndrrimit masiv të fesë në Kosovë.
Nji nga vendimet bazë të këtij Kuvendi, qe dënimi i fenomenin e apostazisë (shfaqja jashtë familjes me emna dhe sjellje muslimane, kurse mbrenda saj ruhej tradita dhe fryma kristiane). Qe pikërisht myslimanizimi masiv i Veriut shqiptar, e në veçanti i Kosovës, që e shtyu Kuvendin në nji vendim të vështirë si, mbrojtja e identitetit fetar, gja e cila u shoqnue me çvendosjen e mjaft fiseve katolike prej shumë zonave të Mirditës, dhe ngulimi  sistemimi i tyne në zona të ndryshme të Kosovës…
Në kët lëvizje u përfshi edhe nji degë e fisit Radi, origjina e të cilëve, asht e dëshmueme qartë prej disa burimeve se asht fshati Lajthizë, diku midis maleve të ashpra të Kukësit, Lurës dhe majë bjeshkëve të Oroshit.
Mbas Kuvendit të Arbërit, si pjesë e vendimeve të tij, ky grupim i madh, ku u përfshi edhe nji degë e fisit Radi, nis shtegtimi i tyne drejt Kosovës… Si gjithë shtegtimet migratore edhe ai i Radëve, duhet të ket qenë i vështirë e në zona ostile, po jo shumë larg prej kah ata u nisën. (Zhvendosja e tyre qe rreth 80 km në vijë ajrore)… Ishin me qindra familjet dhe fiset e asaj zone… të cilët si organizime fisnore që ishin gjatë asaj zhvendosjeje morën edhe toponimitë e zonave prej kah vinin. Mjaft prej mbiemnave të tyne ishin Kaçinari, Kabashi, Domgjoni, Oroshi, Mirdita, etjerë, të cilët sot e kësaj dite mbeten dëshmi e asaj lëvizje migratore të organizuar në shek. të XVIII.
Kështu, Fisi i Radëve dhe disa tjerë u vendosën diku në rrethinat e Gjakovës, kryesisht në fshatin e quejtun Bishtazhin (s’dihet nëse emni i katundit, ku ata u nguluen ishte apo u vendos prej tyne!), veç dihet se sot e kësaj dite ky fshat mbetet boshti ma i fuqishëm i origjinës, traditave dhe krejt jetës së këtij fisi. (edhe sot në Bishtazhin e ndonji fshat rrotull tij, jetojnë rreth 22 familje me mbiemën Radi)
Prej ma se tre shekujsh, Radët jetojnë aty. Aty ata ngritën shtëpitë, punuen tokat buzë Eremikut, mbajtën bagëti e gjà të gjallë, rritën fëmijë, kontribuen për kishën, mbijetuen falë punës, përkushtimit, ndershmënisë, po edhe asaj kokfortësisë së tyne proverbiale… pa e nda asnjiherë fjalën Atdhe prej fjalës Fe!
Rrëfimet e mavonshme tregojnë, se nji të kremte pashkësh, në Kishën e Bishtazhinit, (ngjarja duhet të ketë ndodhë rreth vitit 1850-’52), kryhet nji masakër (nuk kemi gjetë shumë shpjegime apo dokumente rreth saj), veçse dihet se prej familjes së Çup Radit me gjashtë pjestarë, mbeti i gjallë vetëm nji fëmijë: Prend Radi, i biri i Çupit…
I mbijetuemi, Prend Çup Radi, ishte rreth 10-11 vjeçar asokohe. Ai u rrit fillimisht prej axhave të vet në Bishtazhin, dhe posa hodhi shtat e dha shenjat e para të burrnisë, ata e nisën Prendin shtatgjatë e të hijshëm, si shegert në qytetin e Prizrenit. Nê at qytet, ai kishte me kalue ma shumë se 70 vite të jetës së vet. Në at qytet ai do të shfaqej edhe me lahutë në dorë, gjà e cila me kalimin e viteve do t’i jepte namin e nji prej lahutarve ma  n’za të qytetit e krahinës. (Kjo simbas kujtimeve të djemve të tij).
Kohë ma vonë, kur Prendi ishte në kufijtë e dyzetave, do t’i delte në mbështetje Lidhjes së Prizrenit, e jo veç me armë (në Betejën e Deçiqit ai do të humbte katër gishtat e dorës së djathtë)… po edhe me lahutën që u ba atavizma e jetës së tij…
Me lahutë, Prend Çup Radi, do të shfaqej ndër gostina e dasma; ndër udhëtime haneve, po edhe n’nji qoshe të Prizrenit, gjithnji me lahutë, tue këndue me pasion ma së shumti kangët e veta, për ngjarje të ndodhuna, beteja, po edhe kangëve historike si djegia e kullës së Abdullah pashë Drenit, Betejës së Kosovës apo edhe kangëve të epikës legjendare të Veriut…
Prendi do të martohej i ri edhe do të kishte dy djem: Prenkën (1880 – martue me nji triestine, po nuk patën fëmijë) edhe Markun (1883 – martue me nji shqiptare, pati dy vajza Filen dhe Ninen). Vdekja e papritun e së shoqes, bani që krejt barra e rritjes së dy djemve të bjerë atij.

Familja Radi - Prizren1922 - Anton-Bartolomeo-Gjuliana-Lazer-File
Familja Radi – Prizren 1919
Anton-Bartolomeo-Gjuliana-Lazer-File

Mbasi Baca Prenk e Baca Mark (kështu i thirrshin vllazit ma të vogjël që erdhën ma vone) u banë të zott e vedit e u sistemuen, Prendi Radi edhe pse pak në moshë, martohet me nji shkodrane prej derës së Vilëve, Ganxhe (Luçie) Vila, e bija e Kole Vilës dhe motra e Kel Vilës, ndërkohë që ai shërbente si tregtar me karvanet prej Shkodre në Prizren, deri në vjetet 1914-15, kohë kur u mbyllën kufijtë dhePrizreni u la nën Mbretnine Serbo-kroato-Sllovene.
Me Ganxhe Vilën, Prend Radi do të kishte pesë fëmijë: Katër djem edhe nji vajzë, (njeni prej të cilëve do të vdiste pa mbushë pesë vjetet). Bartolomeo (1908), Antoni (1910), Gjuliana (1912) Jozefi (1914-1918) dhe ma i vogli Lazri (1916). Dy djemtë e mëdhenj Antoni dhe Balto (Bartolomeo) u punuen në Prizren si shegertë: Antoni në profesionin e kujunxhisë (argjendar) dhe Balto, si kamarier e tregtar, po njiherit ai frekuentonte orkestrën e mandolinave edhe korin e kishës së Prizrenit.
Fundi i vjetit 1929, asht edhe fillimi i nji emigrimi të ri, tash në krah të kundërt. Si rezultat i mosparaqitjes së dy djemve; Bartolomeos dhe Antonit në shërbimin e detyrueshëm ushtarak nën Jugosllavi dhe arratija e tyne, ndaj familjes Radi nisi nji raprezalje e egër e shtetit, dersa nji ditë, në fundtetor t’atij vjeti, ndërsa djemtë e rritun ishin arratisë n’Atdhe, familjarët pleq me dy fëmijët 18 e 14 vjeç, mbas kërcënimesh të shumta, përdhunshëm u detyruen me marrë rrugën e mërgimit… tue u futë në Shqipni…
Familja Radi vendos fillimisht në Tiranë. Mandej nji pjesë e familjes vendoset në Durrës. ku Lazri do të punsohesh në Hotel-Restorantin “Mignon” të vëllait të madh, Prenkës të cilin e kishin sëbashku me gruan triestine: Ritën…
Gjithnji mes vështërsish të jashtzakonshme për mbijetesë… në gusht të vjetit 1931, në Durrës, vdes i ati, Prend Çup Radi, në moshëm 91 vjeçare dhe vorroset nw Shijak.
Mbasi djemtë filluen punë në Tiranë, dhe e bija u sistemue si mësuese, Ganxhja, qe e bindun se djali i vogël i saj: Lazri, i fundmi i fëmijve, do të ishte njeriu i providencës. Ajo besonte se rreth tij, do të vërtiteshin gjithë Radët e tjerë… Kështu, ajo bani gjithçka ishte e mundun për shkollimin e tij…

Tre vellezerit dhe Motra dhe e shoqja e Antonit Stefa...Lazër, Anton, Balto e Gjyliana Radi. Durrës 1938
Tre vellezerit dhe Motra dhe e shoqja e Antonit Stefa…
Lazër, Anton, Balto e Gjyliana Radi. Durrës 1938

Me bekimin e saj, ylli i djaloshit Radi nis e ngjitet… fillon në Gjimnazin e Tiranës, e mbas nji viti asht konviktor në Gjimnazin e Shkodrës. Mbrenda pak vitesh emni i tij nis e shfaqet në rrethet e rinisë aktive dhe në shtypin shqiptar të kohës.
Në vitin 1938, Lazër Radi asht student në Sapienza të Romës, autor artikujsh të shumtë, e gjithnji i pranishëm në shtyp dhe jetën intelektuale. Laurohet Doctor në Jurisprudencë, e ma mbas nëpunës dhe avokat! Gjithnji njeri aktiv e i përkushtuem. Merr përgjegjsi, sakrifikon karrierën profesionale në emën të shërbimeve ndaj atdheut të vet. Tashma ai ishte nji intelektual premtues… po shpejt do të përfundonte në theqafjen e diktaturës që u vendos në Shqipni. Me 15 prill 1945, asht në Gjyqin Special, ku do të ishte nji ndër 60 të dënuemit e këtij gjyqi famëkeq, në rreshtin e të ashtuquejtunve “Armiq të Popullit e Kriminel të Luftës”!!! me 30 vite heqje lirie.
Lazër Radi, do të kapërcente me dinjitet të rrallë krejt periudhën 46 vjeçare të epokës komuniste, i shpërblyer vetëm me burgje dhe kampe pune të detyruar… e megjithatë “fragtar non flectar” (përkulem po s’thyhem) ai e mbrriti Lirinë, në kufijtë e 75 viteve, me nji forcë e dëshirë të pabesueshme…

Tre Vellezerit Radi - Balto, Anton, Lazrime grate e tyre Roza, Stefa dhe Vitore si dhe Filip Ndocaj dhe Xhina Vushmaqi
Tre Vellezerit Radi – Balto, Anton, Lazrime grate e tyre Roza, Stefa dhe Vitore
dhe Filip Ndocaj dhe Xhina Vushmaqi

Bashkohet me pjestarët e tjerë të fisit të vet dhe nis e shfaqet sërish në shtyp, tue qenë i pranishëm ku asht e mundun. Boton çka askush s’e kish besue (16 vepra në 4 vjete). Gjithkund aktiv. Në takime, mbledhje, çeshtje kombtare, në ringjallje të shtypit të lirë, në nxjerrjen prej pluhunit të heshtjes së figurave të nëpërkambuna prej diktaturës. Plot energji e shpresa për nji Shqipëri ma të mirë, ma të lirë e ma demokratike… Si feniksi, ai ringjallet edhe njiherë, jo veç për vedi, po për krejt sivllaznit e tij, njiherit edhe me iu dhanë hov energjive t’nji fisi të shkelun e të paepun… të cilët, vërtet fati i zi i diktaturave i kishte ndjekë e i kish goditë randë, po ata e kishin pa drejt e n’sy fatin tin e tyne pa u tkurre e pa tutë.
Kështu jetoi Ky Njeri deri n’ditë të lamtumirës, në të zbardhun të 23 shtatorit 1998.

Dom Gjeto Radi me lahutë dhe Frank Shkreli me çifteli, viti 1970
Dom Gjeto Radi me lahutë dhe Frank Shkreli me çifteli, viti 1970

Sot Radët jetojnë të shpërndamë në gjithë botën: prej Lajthizës së dikurshme te kodrat e ambla të Bishtazhinit, në Kosove; prej Zvicre në Gjermani; prej Shqipnie në Itali e deri Amerikë e Australinë e largët; prej Tirane në Prizren, prej Ancona në Sidney e kudo gjetkë. Ata janë tashma pjesë e nji bote ku ndjehet dora, mendja e në veçanti talenti i tyne… I randësishëm ka qenë edhe kontributi i nji prifti me shërbim ne Radio Vatikan, Dom Gjeto Radit, i cili figuron në dokumentat e Sigurimit të Shtetit si mbrojtës jo vetëm i fesë po edhe i të Drejtave të Njeriut në Shqipni, ç’ka e shqetësoi mjaft diktaturën.

Foto e fundit e tre vellezerve Radi dhe motres së bashku Dasma e Terezinës - Tiranë 1969
Foto e fundit e tre vellezerve Radi dhe motres Gjujana së bashku
Dasma e Terezinës – Tiranë 1969

Radët mbetën krenarë, kryeneçë e të paepun – po mbi gjithçka mbetën artistë… Nisun prej historisë së kësaj dege të fisit Radi, mund të konkludojmë, se asgja s’ka lindë rastësisht. Ditë mbas dite, e vit mbas viti, rreth figurës së Lazër Radit, i biri i fundit i lahutarit Prend Radi, vërtitën krejt Radët e tjerë: djem, nipa, stërnipa, të afërm, nji brez mbas nji tjetri… nji aradhë djemsh e vajzash në përpjekje me realizue synimet dhe ambiciet e tyne, tue i shtue këtij trungu të lashtë, vlera edhe energji të reja…  veçmas secili e të gjithë bashkë, në nji mënyrë a në nji tjetër të lidhun mbas figurës së Patriarkut: Lazër: Ferdinand Radi – i nipi – dramaturg, aktor dhe regjizor në Teatrin Kombëtar; Françesk Radi – i nipi – muzikant, instrumentist dhe kantautori i parë shqiptar; Alfred Radi – i biri – mjeshtër argjendarie, volejbollist i njoftun i viteve ’60-’70; Alfons Radi – i nipi – kampion kombëtar në peshëngritje në vitet ’60-’70; Jozef Radi – i biri, jurist, poet, përkthyes, autor shkrimesh dhe librash; Prof. Lidia Radi – e mbesa – profesoreshë, shefe katedre në universitetin e Richmondit – Virginia; Andeta Radi – regjizore dhe gazetare; Rozana Radi – këngtare, artiste teatri; Egesta Radi – profesoreshë muzike, instrumentiste në Teatrin e Operas e Baletit; Ervis Nasufi – nipi – menager i nji aziende të randsishme; Loren Radi Programator mediatik; Marçelina Radi – mbesë – menaxhere… Dr. Estela Radi – juriste; Natalina Radi – inxhinjere; Antonio Radi – ekonomist; Ana Radi – specialiste televizive, mbasi mbaroi në Bocconi të Milanos…

Lazer Radi me djemte Jozefin dhe Luciano dhe nipat Ferdinad dhe Françesko - Tirane 1991
Lazer Radi me djemte Jozefin dhe Luciano
dhe nipat Ferdinad dhe Françesk – Tirane 1991

Të gjithë te realizuar përmes përpjekje e betejash të përditshme falë qëndrimit dinjitoz dhe dashnisë së seicilit për vlerat e përjetshme: si kurajo qytetare, dashnia për atdhe, për kulturë, për letërsi, për muzikë, për sporte, çka shpesh i ka ngjitë ata në nivele profesionale profesionale të admirueshme. Krahas dhuntive artistike, ata shpalosën edhe guxim intelektual, si rasti i Lazër Radit, Françesk Radit e të tjerëve. Pra, këta artistë të dalë prej Radëve, s’janë as diçka e beftë, as e rastësishme… siç nuk asht rastësi as heshtja e Tiranës zyrtare ndaj Lazër Radit, Ferdinand Radit e Françesk Radit, për të cilët edhe pse prej kohësh pushojnë në paqen e amshume, nuk ekziston asnji vlerësim dhe asnji promovim zyrtar i kontributeve dhe vlerave të tyne!
E megjithatë, ata vazhdojnë me mbetë shembuj vullnetesh të hekurta, nxitje e frymzim për gjithë këta djem e vajza të këtij fisi me emën, që tashma janë investue secili në projekte afatlargëta e ku dëshmohet shpirti artistik i tyne…Sepse të jeshë Radi s’asht vetëm krenari, asht detyrim, asht përgjegjsi, asht mision që nuk kryhet kurrë i plotë… Vërtet, të gjithë sot vërtitemi rreth nji emni me mjaft dritë, po seicili ama duhet me i shkruejtë vlerat e vetvetes me arritjet e tij…
Vetëm përmes punës, përkushtimit dhe sakrificave vijnë  arritjet, dhe ato mbeten dëshmi të vlerave të gjithsecilit për të gjitha kohnat…

(sqarim: Për kët shkrim autori ka përdorë Memorialin i Lazër Radit, bisedat që autori ka ba me krejt personat e sipërpërmendun, si dhe studime që lidhen me kët temë)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.