back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Legjenda e Aqif Kashahut nga Gjirokastra

Gazeta

Gjirokastra - Pamje e Qytetit
Gjirokastra – Pamje e Qytetit

Legjenda e Aqif Kashahut nga Gjirokastra

Një puzzlle kujtimesh e ngjarjesh

që s’e bëjnë të plotë të vërtetën e një njeriu të thjeshtë

I dashur Jozef,
nisa të shkruaj diçka mbi jetën e Aqif Kashahut.
U mundova të përdor elementë tradicionalë
të të folurit të athershëm, për t’i dhënë koloritin lokal.
E dëshiroj mendimin tuaj si lexuesi i parë.
Me respekt, Arjeta Kokalari

Aqif Kashahu (1910-1947)
Aqif Kashahu (1910-1947)

Mufit Kashahu i troket derën shokut të fëmijërisë

nga Arjeta Kokalari

Familja Kashahu në Gjirokastër

Kashahajt ishin një nga familjet e njohura në Gjirokastër. Ata dispononin toka, kullota dhe një numër të madh dyqanesh ne pazarin e qytetit. Hajri Kashahu ishte njeri prej tyre, i martuar me Haxhenë, vajzë nga Kokalarajt. Së bashku patën tre fëmijë, dy vajza Nebia – e martuar në familjen Emiri dhe Hadieja – e martuar në familjen Cene, si dhe tre djem Mufiti, Aqifi dhe Xhemili. Dy djemtë, Mufiti dhe Aqifi, respektivisht të datëlindjeve 1908 dhe 1910, ishin bashkëmoshatarë dhe bashkëlagjas me Enver Hoxhën, madje edhe shtëpitë i kishin shumë afër. Afërmendsh, në moshën e vegjëlisë ata u rritën bashkë dhe luanin së toku. Hajri Kashahu (xha Rikua) qe një burrë i mefshtë e dembel, përpos kësaj kishte dhe vesin e të pirit. Edhe pse dispononte pasuri të shumta, nuk e administroi mirë, për rrjedhojë edhe gjendja ekonomike e familjes së tij sa vinte e linte për të dëshiruar. Xha Rikua vdiq shpejt, duke i lënë fëmijët me një shtëpi në rrënim e sipër dhe me prona të keqadministruara. Por gjendja e tyre ndryshoi me rritjen e fëmijëve. Aqifi, që në moshë të re hyri çirak për të mësuar zanatin e këpuctarit, ndërsa Mufiti ndoqi shkollën me rezultate mjaft të mira në mësime, dhe pas përfundimit të Liceut francez në Gjirokastër dhe Korçë shkoi për studime universitare në Francë, në degën jurisprudencë.
Duke qenë me Enver Hoxhën bashkënxenës në Lice, po dhe në studimet Universitare në francë, përveçse si bashkëlagjas, bashkëmoshatar, ishin madje edhe kushërinj. Pra, njohja e Enver Hoxhës me familjen e Kashahajve ishte aq e thellë, sa në mënyrë indirekte kishte kërkuar që Mufiti të martohej me një nga motrat e tij, por ky i fundit e la në heshtje këtë propozim, duke nënkuptuar që s’qe dakort.
Mufiti, në kohën e gjykimit të të vëllait Aqifit, kryente detyrën e gjykatësit në Vlorë. Në kulmin e dëshpërimit dhe i bindur në pafajësinë e të vëllait, ai  i kërkoi takim Enver Hoxhës…
***
Kushedi se ç’mendonte vallë Mufit Kashahu, atë pasdite dhjetori të vitit 1947, kur i mpirë e i dridhur priste të takohej me shokun e tij të fëmijërisë e djalërisë. Ishte larguar nga Vlora, ku kryente detyrën e gjykatësit për të pritur Vitin e Ri me familjen, por në vend që të mirrte rrugën për Gjirokastër, ishte nisur drejt Tiranës. Enver Hoxha i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së tij për t’u takuar. Dhe ja ndërsa priste në të ftohtin që po e akullonte nga brenda dhe e bënte të dridhej, si një film i kalonin para syve episodet e fëmijërisë, kur bashkë me Enverin, Aqifin e shokë të tjerë luanin tek sheshi i Xhepit e bënin gjullurdira rinore. Enveri nuk mund të kishte harruar sa herë ndanin bashkë bukën që hanin nëpër duar. Ky mendim sikur e ngrohte disi… Por pastaj sërish i hynë të dridhurat: Po sikur të kishte marrë vesh, kur Haxheja dhe dajat e qortonin e i thoshin: “Mos u shoqëroni me Enverin, se është beribat. Ai ka për të përfunduar keq!” Eh… jo. Të ishte kështu, Enveri nuk do të kishte pranuar ta takonte, nuk do ta kishte lejuar as të ushtronte profesionin e tij. Kujtime të tjera i vinin ndër mend të kohës kur të dy studionin në liceun francez të Korçës. Ç’gëzim kur pas përfundimit të Liceut u ishte dhënë mundësia të shkonin për studime në Francë. Si shokë që ishin, kishte menduar se do ta mbështeteshin njeri-tjetri. Por Enveri nuk e kishte shumë qejf studimin. Përsëri i hypën të dridhurat. Po sikur ta kishte marrë vesh, që kur e pyesnin të afërmit se si shkonte kushëriri i tij me mësime, u ishte përgjigjur të mos e pyesnin për të, sepse nuk donte ta dinin të tjerët që njiheshin? Po sikur ta kishte marrë vesh që u kishte treguar të afërmve se si hidhej nga ballkonet e hoteleve për të mos paguar, pasi kishte fjetur?! Për fat roja e thirri të hynte, duke ia ndërprerë këto kujtime aspak të këndshme.
Dhe ja ku i doli edhe një here përpara shoku i tij i dikurshëm. Kishte vite që s’ishin parë. I kishte ndjekur disi me habi lajmet për të. Por pavarësisht habisë së tij dhe dyshimeve që rrethi  familjar kishte për ngjitjen e këtij burri në krye të qeverisjes së vendit, sot ai ishte njeriu më i gjithpushtetshëm në vend. Këtë e ndjeu edhe në momentin e takimit, kur me pompozitetin e zbukuruar me buzëqeshje i dha dorën. Me gjithë ngrohtësinë që ishte brenda dhomës, Mufiti vazhdoi të ndjente ftohtë.
-Hë, ç’kemi? Si ke qënë? Si shkon me punë?
-Mirë, Enver. Nuk di nëse e ke marrë vesh, po Aqifin e kanë arrestuar dhe e mbajnë te “shtatë penxheret”. Ti na njeh mirë, jemi rritur bashkë. Ai s’ka bërë asgjë.
-Ju njoh, si s’ju njoh. Po ke ardhur për këtë, kot je munduar. Duhet të keni besim tek Partia. Po teto Haxheja si është?
-E si të jetë? E merakosur për djalin. Të bën të fala.
-E kujtoj ngahera teto Haxhenë gojëmbël, por i thuaj të mos bëhet merak. Meqë jemi në prag të Vitit të Ri, dëshiroj të të jap një dhuratë për të.
Enveri doli nga dhoma, ndërsa Mufitit po i shkrinte gjaku dhe ndjeu t’i lëvrinte nëpër damarë. Sigurisht, ai do të ndërhynte. Njerëzit e tij në Gjirokastër, ndoshta kishin gabuar me Aqifin dhe gjithçka do të rregullohej. Pothuaj ndjehej në faj për gjithë mendimet ogurzeza që i kishin kaluar nëpër mend. Tani ky njeri drejtonte shtetin dhe nuk mund të ruante inatet fëmijnore. Po ndjehej në siklet, sikur i merrej fryma nga zagushia.
Enveri hyri sërish në dhomë me një pako të vogël.
-Merre dhe çoja teto Haxhesë e bëji të fala nga unë.
-Faleminderit, shoku Enver. Haxheja do të gëzohet shumë.
Rruga për Gjirokastër nuk iu duk aq e mërzitshme Mufitit këtë herë. Mezi priste të arrinte e t’i çonte sihariqin Haxhesë. Enveri nuk qe më ai djali beribat e trazovaç për të cilin i këshillonin fëmijët të mos shoqëroheshin. Me padurim i përshkoi metrat e fundit të rrugës nga Sheshi i Çerçizit ku ndaloi automobile deri tek shtëpia, ku Haxheja mezi e priste. Ishte data 28 dhjetor 1947.
-Haxhe, e takova Enverin. Më tha të mos bëhesh merak se gjithshka do të zgjidhet.
-Ohhh, rrofsh mor bir. Më çlirove nga meraku. Tjetër ç’të tha?
-Më dha këtë pako për ty. Merre hape. Eshtë një dhuratë për Vitin e Ri.
Teto Haxheja me duar të dridhura filloi të hapë pakon, kur befas ngriu në vend dhe duart s’i lëvizte dot më. Një sokëllimë i doli nga thellësia e shpirtit. Brenda në pako kishte çorape të zeza dhe një shifon të zi.
Dy ditë më pas, më 30 dhjetor 1947, kur në çdo shtëpi përgatiteshin bakllavatë për të pritur Vitin e Ri, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës, e formuar prej Shaban Idrizi, Kapiten II Kryetar, Shaban Idrizi, Kapiten II anëtar, Sulo Vehipi, toger anëtar, me Vendim Nr. 317 e dënoi Aqif Kashahun me Vdekje, bjerrjen e të drejtave civile dhe politike, si dhe konfiskimin e pasurisë së lujtshme dhe të palujtshme.
Shpenzimet gjyqësore prej 108 lekësh i ngarkohen të dënuarit…

Familja Gjirokastrite Kashahu
Familja Gjirokastrite Kashahu

Kjo foto daton 11 maj 1939.
Ulur në të djathtë të fotos është Haxhe Kashahu (Kokalari).
E veshur nuse, është vajza e saj Hadie Kashahu.
Bashkëshorti i Hadiesë – Muslim Cene
do të vdiste në burg gjatë vuajtjes së dënimit politik.
Në këmbë në të djathtë të fotos është Aqif Kashahu në moshën 29-vjeçare,
i pushkatuar në fillim të vitit 1947 si “armik i popullit”, sepse i përkiste “klasës së përmbysur”.
(foto e shpjeguar nga Arjeta Kokalari)

***
Aqif Kashahun e pushkatuan. Në dokumentet e gjyqit kanë mbetur të regjistruara fjalët e fundit që ai tha në momentin e dënimit me vdekje: “Unë nuk jam fajtor, se po të jesha e pushkatoja vetë veten time!” Pas ekzekutimit të Aqif Kashahut, të vëllanë Mufit Kashahun, e shkarkuan nga detyra e gjykatësit dhe e lejuan të punonte si avokat në Lushnje, por pa të drejtë të kthehej në Tiranë.
***
Në vitin 1947, Enver Hoxha bëri vizitën e parë zyrtare në Gjirokastër si udhëheqës i Partisë dhe i Shtetit. Në Sheshin e Çerçizit me kët rast u organizua një miting madhështor. Sheshi u mbush plot e përplot. Dalja e tij në tribunë, me uniformën e gjeneralit qe madhështore dhe impresionuese. Gjirokastritët që shihnin djalin e tyre u elektrizuan. Brohoritje, ovacione, parulla, sidomos nga rinia dhe nxënësit e shkollave. Ndër të tjera, në fjalimin e asaj dite ai tha: “…Në gjirin tonë në kemi pasur edhe armiq si Aqif Kashahu dhe Sheraf Karagjozi… të cilët u gjykuan dhe Partia iu dha dënimin e merituar…”
Ai mesazh i ngurtësoi të pranishmit. Të gjithë i njihnin mirë personat e përmendur dhe kuptuan qartë mesazhin që po u jepej.
***
Kashahajt ishin nga familjet e njohura në Gjirokastër. Ata dispononin toka, kullota dhe një numër të madh dyqanesh në pazarin e qytetit. Hajri Kashahu ishte njeri prej tyre. I martuar me Haxhenë, vajzë nga Kokalarajt. Së bashku ata patën tre fëmijë, dy vajza dhe tre djem.
ë(Tajar Kokalari – Nga libri “Memorie, mbresa dhe kujtime”)

Tajar Kokalari - Libri "Memorie, mbresa dhe shënime"
Tajar Kokalari – Libri “Memorie, mbresa dhe shënime”

Aqif Kashahu, nuk e vazhdoi shkollë.
Ai hyri çirak që i vogël dhe shpejt fitoi mjeshtërinë e këpucarit. Çeli një dyqan, ku punonte vetë dhe u bë një nga zanatçinjtë më të mirë që ushtronin këtë profesion në Gjirokastër.
Gradualisht, përmes punës së vazhdueshme ekonomia e familjes ndryshoi dhe Aqifi siguroi mjetet monetare për të investuar në pronat e tij. Fillimisht hapi një aktivitet në njerën nga godinat në pronësi të familjes së tij, në katin e parë – bar dhe restorant dhe në dy katet e sipërme hotel. Me punë të përkushtuar, me natyrën e tij të shkathët e dinamike arriti ta bëjë lokalin e tij nga më të pëlqyerit duke arritur famë edhe jashtë Gjirokastrës, për rrjedhojë edhe të ardhurat ekonomike vinin duke u rritur gjithnjë e më shumë.
Pas çlirimit të vendit, masat dhe reformat që ndërmori pushteti popullor, reforma agrare, shpronësimet, tatimet dhe taksat, prekën edhe Aqif Kashahun. Megjithkëtë, ai vazhdonte aktivitetin e tij deri në një nga ditët e muajve të fundit të vitit 1947, kur u arrestua në lokalin e tij.
Pas tre muajsh hetimesh, ose me mire te themi koha e hartimit të akuzës dhe përgatitja e dëshmitarëve të manipuluar, u zhvillua gjyqi me dyer të mbyllura.
Në moshën 37 vjeçare, me vendim nr. 539, date 30.12.1947, Aqif Kashahu dënohet me vdekje. Në Akt-Gjykimin shkruhet: “I pandehuri Aqif Kashahu, tue qenë element anti-popullor, pronar dhe si klasë e privilegjuar në të kaluarën, e ka urryer në kulm Pushtetin Popullor, qysh në fillim të reformave të ndryshme që mori Pushteti për të mirën e përgjithshme… filloi një propagandë të helmatisur kundër regjimit…Agjitacion në favor të imperialistëve Anglo-Amerikanë… Kishte për qëllim të ngrinte grupe spiunazhi…” etj.
(Tajar Kokalari – Nga libri “Memorie, mbresa dhe shënime”)

Aqif Kashahu (1910-1047)
Aqif Kashahu (1910-1047)

Ata që e kishin njohur Aqif Kashahun, kur i pyesje për të thoshnin:
“…Kur Aqifi shkonte në rrugë, gurët e kalldrëmit këndonin,
vajzat e reja afroheshin në penxhere që ta shihnin pas kordinaqeve,
ndërsa gratë që kishin vajza për të martuar prisnin
e mbanin vesh duke u lutur
të trokiste në portën e tyre e ta bënin dhëndër…

…Për fat të keq emri i Aqifit ka mbetur i memorizuar krejt ndryshe nga ç’ishte në të vërtetë, i tjetërsuar dhe shpërfytyruar si pamje dhe karakter në një nga personazhet e “të madhit Kadare” të “Kronikës në gur”. Emri i Aqifit me një pamje të sajuar shetit nëpër botë kudo ku shkon “Kronika e gurtë”, ndërsa njeriu të cilit i është vjedhur emri nuk gjen prehje as në botën e përtëjme, pasi as varr ku të prehet nuk ka ende. Eshtrat e tij ashtu si të shumë të tjerëve të ekzekutuar në emër të popullit ende nuk janë gjetur.
***
Që kur jeta njerëzore, dhuratë e Zotit paska vlerë të ndryshme? Përse jeta dhe emri i Kadarese qenkan më të çmuar, se e çdokujt tjetër në këtë botë?!
Ai është njeri, si gjithë paraardhësit apo bashkëkohësit e tij, të cilët nuk u lejuan të shkruajnë, apo edhe më keq: nuk u lejuan të jetojnë për shkak të shkrimeve të tyre…
***
Aqif Kashahu, nip në Kokalaraj, bashkëlagjas dhe shok femijërie i Enver Hoxhës… për lexuesit e Kadaresë është një personazh qesharak, grotesk, pijanec, barkmadh, babai i një vajze që flirtonte me ushtarët italianë etj…
Për gjirokastritët ishte djali i zgjuar, biznesmeni i shkathët dhe suksesshëm, për nënën e tij ishte djali i madh që i doli zot e u kujdes për mirqenien e familjes pas vdekjes së të atit, për vajzat ishte djali i ëndërruar, për mamatë e tyre dhëndri i dëshiruar. Por për regjimin e gjysëm-opingave ai ishte përfaqësues i borgjezisë, klasës që duhej shtypur. Dhe kështu u bë.
Aqifi u arrestua, u shpronësua, iu sekuestrua gjithçka atij dhe familjes dhe u ekzekutua ditën kur hyri viti 1947… Regjimi i mori gjithshka, edhe jetën.
Këtë e bëri edhe për shumë të tjerë. Por më thoni, a ka poshtërsi më të madhe se sa t’i vjedhësh tjetrit edhe emrin?!

Këtë ka bërë Kadare për bashkëqytetarin, për bashkëlagjasin e tij, duke lënduar pa shërim të gjithë ata që e donin me shpirt të afërmin e tyre. Sot personazhi i Kadaresë me emrin e Aqifit shëtit në gjithë botën, ndërsa eshtrat e këtij djali nuk dihet se ku i kanë hedhur. Përse duhet ta bënte këtë Kadare, kur mund të trillonte një emër çfarëdo për personazhin e tij, ose nëse fantazia i ishte bllokuar ta identifikonte me një shkronjë të vetme, ashtu siç ka bërë shpesh(…)?!
Dikush më ka kundërshtuar dikur, duke thënë se arti i ka këto gjëra, kjo nuk e zvogëlon madhështinë e Kadaresë. Ka qënë thjesht një përkim emri. Dua t’ju pyes ju që do ta lexoni këtë koment: Vallë cili do të ishte fati i Kadaresë, nëse personazhin e tij që e njihni me emrin Aqif Kashahu ai ta kishte quajtur Enver Hoxha, thjesht përkim emri.
Shiheni fotografinë e tij dhe do të kuptoni sepse i madhërishmi Ismail Kadare nuk mund ta fitonte kurrë simpatinë e familjes tonë.(…)
Në parlamentin shqiptar të vitit 1924 nuk ka ekzistuar një deputet me emrin Aqif Kashahu, siç thotë Kadare. Deputeti për të cilin flet Noli është Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani), një personalitet i njohur i lëvizjes nacionale shqiptare dhe kryetar i Kongresit të Lushnjës, bashkëkryetar i shtetit në fillim të viteve njëzet. Aqif Kashahu ka qenë një bashkëqytetar i Ismail Kadaresë nga Gjirokastra. Aqif Kashahu u arrestua dhe pushkatua nga diktatura komuniste në vitin 1946, në moshën 37 vjeç. Nuk mund të mos pyesësh se përse Ismail Kadare e zhvendos Aqif Kashahun në parlamentin shqiptar të vitit 1924, kur ai ishte 15 vjeç, duke i vënë madje edhe një armë në dorë. (…)

Kadare - “Hamleti princi i vështirë” (2006)
Kadare – “Hamleti princi i vështirë” (2006)

Ismail Kadare në librin “Hamleti princi i vështirë” (2006) e ka tjetërsuar në mënyrë, sa të habitshme, aq edhe domethënëse, një episod nga “Autobiografia” e Fan Nolit, kur shkruan: “Sipas Nolit, përbri tij, deputeti plak Aqif Kashahu, ne dorën që i dridhej, ia kishte drejtuar koburen armikut të tij të vjetër vetjak Vërlacit”. (Ismail Kadare, “Hamleti princi i vështirë”, Botimet “Onufri”, Tiranë 2006, f. 114)

Kadare rrëfen një episode nga një bombardim ajror në Gjirokastër, gjatë të cilit familja e tij dhe fqinjët qenë strehuar në qilarin e shtëpisë së tij: “Aqif Kashahu lëshoi më në fund klithmën që e prisja prej kohësh. Por klithma e tij nuk kishte dhembje. Ajo ishte e egër. Koka e vajzës u drodh. Ajo u kthye ngadalë krejt e hutuar. Krahët e varur u tkurrën. Djali me të cilin ajo ishte përqafuar dhe puthur gjatë bombardimit, gjithashtu lëvizi.
-Bushtër,-thirri Aqif Kashahu. Dora e tij e madhe përfshiu flokët e saj dhe e tërhoqi vajzën zvarrë. Vajza u përpoq të ngrihej, por u rrëzua përsëri. Ai e tërhoqi zvarrë mes për mes kubesë dhe vetëm te shkallët vajza mundi të ngrihej disi, duke përdorur duar e këmbë për t’ u ngjitur. Ai s’ e lëshonte nga flokët.
Jashtë u dëgjua përsëri fishkëllima e pikiadës, por Aqif Kashahu nuk u kthye. Duke e zvarrisur vajzën për flokësh, ai doli në rrugë në kohën kur gjëmimet të shurdhonin. Kështu ata ikën nëpër bomba”. (Ismail Kadare, “Kronikë në gur”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1978, f. 91)
Më tutje në roman thuhet se Aqif Kashahu e mbyti vajzën e vet në pus dhe i dashuri i saj e denoncoi të atin e vajzës: “Sot në drekë një hetues shkoi në shtëpinë e Kashahëve dhe kërkoi të takohej me vajzën. Vajza s’ishte. Djali që e ka puthur vajzën e Aqif Kashahut ngul këmbë se vajza është mbytur”. (Ismail Kadare, “Kronikë në gur”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1978, f. 164)

Ismail Kadare - "Kronikë në Gur"
Ismail Kadare – “Kronikë në Gur”

Enver Hoxha e kishte sharë Aqif Kashahun në fjalimin që mbajti në Gjirokastër, gjatë vizitës së tij të parë atje, pas ardhjes në pushtet, në 3 tetor 1947, kur tha: “Të tillë janë ata që u gjykuan në Tiranë, në mes tyre ka edhe gjirokastritë. Këta gjirokastritë tradhtarë s’ janë djemtë e popullit heroik të Gjirokastrës, por kanë qenë dhe janë armiqtë e popullit të Gjirokastrës dhe të Shqipërisë. Syrja Selfo, Hivzi Kokalari, Salim Kokalari, Pertef Karagjozi, Sheref Karagjozi, Aqif Kashahu, Milto Lito etj., janë nga ata dhe bijtë e atyre që kanë shtypur popullin e kësaj krahine tërë jetën, që kanë qenë të lidhur me italianët, që u kanë shërbyer gjermanëve, janë miqtë dhe vëllezërit e ballistëve të Ali Beut, janë nga ata që kur populli i Gjirokastrës vuante në shpellat, në budrumet e kalasë dhe nëpër male pa strehë dhe pa shtëpi dhe kur populli i Gjirokastrës luftonte, ata pasuroheshin, ata bënin tregëti nga të katër anët, ata bënin ziafete e thernin mishra me njerëzit e Metaksait, me italianët, me gjermanët, me Ismail Golemët e të tjerë banditë. A mund të ketë mëshirë për këta njerëz? Jo, kurrë!” (Enver Hoxha: Vepra, vol. 4, Shtëpia botuese , “Naim Frashëri”, Tiranë 1970, f. 244)
“Mirëpo nëna shurdhe e Aqif Kashahut, e cila nuk flinte kurrë natën, betohej se e kishte parë me sy njeriun që kishte dalë ndaj të gdhirë nga pusi i tyre. (Në qoftë se nuk e gjej atëherë do të zbres në skëterrë). Nëna e Aqif Kashahut i kishte folur dhe më e çuditshmja është se ai i qe përgjigjur, mirëpo ajo qe shurdhe dhe s’ kishte dëgjuar asgjë”. (Ismail Kadare, “Kronikë në gur”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1978, f. 159)
Nëna e Aqif Kashahut vërtet nuk bënte gjumë natën, por nga dhimbja e pushkatimit të djalit, trupin e të cilit nuk ia dhanë dhe madje nuk është gjetur ende, me sa di unë. Atëherë thuhej se Subi Bakiri, prokurori të cilin Enver Hoxha e shpërbleu duke i vënë emrin e tij stadiumit të Gjirokastrës, kishte urdhëruar që trupi i “armikut” Aqif Kashahu të hidhej në një pus. Prandaj thuhej se njerëzit e Aqifit kërkonin natën nëpër puset e braktisura. Tash këtë histori e mori Kadare, e tjetërsoi dhe e bëri sikur Aqif Kashahu mbyti vajzën e vet në pus. Kjo ishte metoda që Sigurimi i Shtetit i Enver Hoxhës e quante legjendim për të tjetërsuar të vërtetën e krimeve të tij.
Ismail Kadarenë e ndjek pas fantazma e Aqif Kashahut siç ndjek fantazma e Bankos Makbethin tek tragjedia e Shekspirit. Prandaj, Kadare, ashtu si Makbethi, kërkon ta marrë me të mirë fantazmën, ta mashtrojë atë, duke e çuar Aqif Kashahun në parlamentin e vitit 1924, me armë në dorë, në krah të Nolit.
Do të ishte më mirë që Ismail Kadare të bënte një sprovë tjetër letrare, t’i shkruante një letër Aqif Kashahut të vdekur dhe t’ i shpjegonte se përse i ka bërë ato që ka bërë ndaj tij dhe t’i kërkonte ndjesë.
(Kastriot Myftaraj – Kadare si Makbethi) Marrë nga https://it.groups.yahoo.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.