back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Lef Nosi, i pavdekshëm! Romeo Gurakuqi i përgjigjet Ben Blushit…

Gazeta

Romeo Gurakuqi versus Ben Blushi
Romeo Gurakuqi versus Ben Blushi

Lef Nosi, i pavdekshëm!

Romeo Gurakuqi i përgjigjet Ben Blushit…

nga Ylli Pata

Historiani i njohur, Romeo Gurakuqi,
kundërshton fort Ben Blushin në lidhje me zhvlerësimin e figurës së Lef Nosit,
një nga firmëtarët e Pavarësisë e më pas një nga 4 krerët e vendit në vitin 1943.
Në një intervistë për tesheshi.com,
Dr. Gurakuqi jep një vlerësim më të shtjelluar për një sërë figurash shqiptare
që janë sulmuar e anatemuar për aktivitetin e tyre gjatë periudhës 1939-1943.
Gurakuqi, i cili sapo ka përfunduar një studim me material “taze” arkivash,
nuk është “bardh e zi” si Blushi, por jep një gjykim kompleks dhe të argumentuar…

 

Historiani Romeo Gurakuqi
Historiani Romeo Gurakuqi

Profesor, ka pasur në vite një gjykim drastik mbi figurat historike që kanë dhënë kontribut në periudhën 1939-1944. Meqë kjo temë rihapet herë pas here, si duhet të vlerësohen dhe a duhet një gjykim më kompleks? Vitet 1939-1946, janë ndër më të rëndat e historisë së Shqipërisë së shekullit XX, për shkak se vendi ynë i dobët dhe i paformuar ende, u përfshi pabesisht në vorbullen e luftës për “hapësiren vitale” të Italisë Fashiste dhe me pas, në planin gjerman nazist, për mbajtjen nën kontroll të rrugëve të tërheqjes së madhe finale të makinerise së saj nga Jugu i Ballkanit.
Drama shqiptare e kësaj periudhë lidhet me shkatërrimin institucional të Shqipërisë më 1939, dhe me implikimin e rëndë të pothuajse të gjithë Elitës politike, intelektuale të Shqipërisë, nga dredhia fashiste dhe naziste.
Implikimi i kësaj elite ka qenë fatal, jo vetëm për fatin e tyre individual nga goditjet e pamëshirshme të regjimit Hoxhist dhe Titist, por para së gjithash për fatin e vendit, fatin e sistemit konstitucional, liberal dhe europianist dhe për ekspertizën qeverisë. Shqipëria pas vitit 1944, u privua nga pasja e një klase intelektuale qeverisë dhe u drejtua nga pjesa më barbare e shoqërisë dhe nga disa shërbëtore “shkencëtarë, gjysëm intelektualë, që kanë lënë pas pasardhës që hedhin sot broçkulla te neveritshme ndaj njerëzve më të ditur dhe më atdhetarë të kombit që u shqyen nga regjimi i gjyshërve të tyre.
Komunistët shqiptarë dhe historiografia në shërbim të tyre ndërtuan një skemë absolute të nëndarjeve të shoqërisë shqiptare në vitet 1939-1945, në dy grupime kryesore: në bashkëpunëtorë të pushtuesit dhe në partizanë. Megjithëse ato e kishin të qartë se brenda kësaj ndarjeje ka ekzistuar edhe një zonë shumë e gjërë gri, ata kanë qenë të paaftë dhe të druajtur për ta pranuar ekzistencen e një shoqërie komplekse shqiptare në atë kohë, kanë qenë të paaftë për të analizuar komponentët e ndryshëm social dhe krahinorë të këtij vendi mjaft kompleks dhe po aq divers në formimet kulturore.
Historiografët komunistë shqiptarë nuk arritën të bëjnë dallimin në mes atyre që luftonin përkrah okupatorit për arsye ideologjike dhe atyre që bashkëpunuan për të garantuar mbijetesën e tyre. Pjesa më e madhe e shtresave prodhuese, industriale dhe tregtare, bujqësore dhe zejtare, për të vazhduar me punue dhe me fitue, do të duhej të akomodoheshin me pushtuesin italian. Pra, vërtetë ekzistonin partizanë dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit, por mbi të gjitha, brenda popullsisë së këtij vendi, ka pasur një mazhorancë të popullsisë që ka qenë plotësisht indiferente ndaj strukturës shtëterore që ndërtuan italianët dhe gjermanët më vonë, dhe që kanë pritur në heshtje dhe pasivitet zgjidhjet e ardhshme politiko-ushtarake te vendit, duke u kujdesur para se gjithash për ruajtjen e familjeve, pronave të veta dhe zakoneve tradicionale.
Pra, në mënyrë të qartë, jo e gjithë popullsia zgjodhi të bënte kompromis me pushtuesin, por veç pak nga ajo dhe duhet të kuptojmë se jo vetëm partizanët, por edhe shtresat e ngritura të shoqërisë dhe intelektualët qënë në përgjithësi armiqësorë ndaj fashistëve italianë, ashtu në heshtjen e tyre dhe në dyfaqësinë e tyre.
I një rëndësie të posaçme për të kuptuar analizën që autoriteti më i lartë të pushtimit në Shqipëri, i bëntë strukturës sociale kolaboracioniste dhe armiqësore ndaj pushtimi italian, është një dokument pa datë (është i viti 1939) por që do të duhet të jetë përpiluar nga Mëkëmbësia në fund të vitit 1939, i titulluar “Konsiderata të përgjithshme mbi politikën shqiptare”. Sipas kësaj analize, bota politike shqiptare ishte e përbërë nga katër grupime:
1.Nga një masë amorfe (populli), që nuk synon politikën, as nuk merret me politikë, por megjithatë ka një intuitë për politikën që bëhet, dhe në lidhje me atë që do të duhet të bëhet;
2.Një klasë intelektuale dhe gjysëm intelektuale, oportunistësh dhe arrivistësh, që gjendet gjithmonë sipër në çdo kohë dhe me çdo regjim. Kjo klasë gjendet për fat të keq ende në pushtet.
3.Një klasë intelektuale nacionaliste që shikon me mosbesim veprën e Italisë Fashiste në Shqipëri. Një klasë e tillë gjendet pjesërisht në pushtet dhe pjesërisht jo.
4.Një klasë intelektuale shqiptare nacionaliste, që beson me sinqeritet dhe bindje në bashkësinë e fateve italo-shqiptare, megjithëse nuk aprovon qorrazi këtë që ndodh çuditshëm dhe dëmshëm në Shqipërinë Fashiste.
Raporti vazhdon më tej duke përkufizuar se “për fat të keq, Shqipëria Fashiste ka konservuar në klasë politike drejtuese që vjen pothuajse në mënyrë integrale nga bota politike zogiste, bën oportunizmin në pritje të zotërve të rinj për t’i shërbyer…” (AQSH, Fondi Mëkëmbësia e Përgjithshme, viti 1939, dosja 223, Considerazioni generali sulla vita politica Albanese.)
A mund të ndërtojmë ne një tipologji të kolaboracionizmit në rastin e Shqipërisë? Në qoftë se do të duhej të përpilohej një skeme të adoptueshme në rastin shqiptar në tërësi, ajo në këndvështrimin tim, dhe bazuar në përshtatjet e klasifikimeve që studiuesit bashkëkohore bëjnë, mund të ishte si më poshtë vijon:
1.Kolaboracionistët profashistë: kanë qenë një grupim shumë i vogël dhe i papërfillshëm numerikisht, jo tërësisht i bindur në fashizmin e tyre sa në nevojën e një ndërlidhjeje të së ardhmes së Shqipërisë me Italinë, në të cilin bëjnë pjesë anëtarët më të lartë të Partisë Fashiste Shqiptare dhe një pjesë, por jo e gjitha, e anëtarëve të qeverive të para shqiptare nën Italinë.
2.Bashkëpunëtorët politikë nga Tokat e Lirueme, dhe nacionalistët shqiptarë nga Gegnia dhe Toskëria, shërbimi i të cilëve ishte i lidhur me një endërr nacionale për bashkim kombëtar, më shumë se sa si pasoje e ndonjë ndjeshmërie te veçantë ndaj italianëve dhe më pas e gjermanëve.
3.Grupet ndihmuese shqiptare të Milicisë Fashiste, bashkëpunëtoreve shqiptarë në procesin e shtypjes së kryengritjeve të armatosura, të cilët kryen krime ndaj kundërshtarëve politikë, shërbyen me vendosmëri pushtuesit në arritjen e objektivave të veta pushtuese në Ballkan.
4.Grupimet që i dhanë pushtuesit një bashkëpunim taktik dhe ushtarak autonom, pa bashkëpunuar në operacionet ushtarake, por veç duke dhënë forca të gatshmë për ruajtjen e rendit në krahinat gjegjëse (prijësi i Mirditës, prijës të Matit, paria e Dibrës, etj.)
5.Grupimi tjetër ka të bëjë me përfaqësuesit e Regjencës nën pushtimin gjerman, të cilët, sipas analistëve të SOE britanike nuk ishin figura progjermane, por ata më së shumti qenë nisur nga dëshira për të shpëtuar vendin nga anarkia dhe morën përsipër ta shpëtojnë atë, pa kuptuar grackën ndërkombëtare ku ishte vendosur vendi ynë. (PRO. FO. 371.37144, faqe 116, Cairo’s Telegram No. 2060 of 13.10.1943.)
Gracka politike dhe ushtarake në të cilën u vendos ky grupim i nacionalistëve të pakompromentuar me Fashistët Italianë ka qenë i lidhur me skemën gjermane, që ka qenë e përqendruar në nxitjen e nacionalizmit dhe patriotizimit tradicional përmes së pavarësisë dhe neutralitetit të Shtetit shqiptar në kufijtë entikë. Ata kanë qenë një grupim i gjerë që nuk mund të pajtohej me politikën ekstremistë të PKSH dhe LNÇ kundër shtresave sociale të Shqipërisë tradicionalë dhe me objektivat e tyre shkatërrimtare jugosllavë. Projektimi që bënë gjermanët për zgjedhjen e të tillë njerëzve të shquar si Lef Nosi, Padër Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica, me vonë edhe të Eqrem Çabejt, etj., kishte si qëllim shkatërrimin potencial të dobishmërisë së të tillë figurave, duke i bërë ata të papërdorshëm për politikat Aleate, sikurse ndodhi në të vertetë. Frashëri, Nosi, Harapi vetë ishin personalitete realiste dhe nëpërmjet përfshirjes në Regjencë të elementëve të ndryshëm të spikatur të kulturës shqiptare, ata bënë llogari që në kushtet e humbjes së mundshme të gjermanëve, t’i jepnin jetë, në një farë mënyre pavarësisë së premtuar dhe asnjanësisë, duke krijuar kështu mundësitë që në momentin e zbarkimit të shpresuar anglez, ose në momentin e paqes, Aleatët ta njihnin qeverinë e Regjencës si një zëdhënesë me autoritet i një qeverie të ligjshme shqiptare.
Në përpjekjen për të treguar asnjanësinë e plotë shqiptare, Frashëri, Nosi, Harapi lëvizën disa herë në planin ndërkombëtar, me komunikata përgënjeshtruese, komunikatë proteste dhe marrje të vërteta qendrimesh. Ka qenë një prej këtyre rasteve kur qeveria shqiptare i bëri kërkesë edhe Aleatëve për të mundësuar pjesmarrjen në Komisionin Aleat të Kontrollit të Italisë (AÇ), krijuar në nëntorin e vitit 1943 (Federico Eichberg, Il fascio littorio e l’aquila di Skanderbeg, Italia e Albania 1939-1945, Editrice APES, 1997, faqe 123-124.) Asamblea Nacionale që formuan gjermanët vetëm nën një presion të konsiderueshëm arriti të emërojë një Këshill Regjence, të përbërë nga Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Patër Anton Harapi dhe Fuad Dibra. (Duhet të kujtojmë se partizanët u kishin kërkuar më parë edhe Lef Nosit të pranonte kryesinë ë Këshillit Krahinor të LNÇ edhe Mehdi Frashërit të bëhej kryetar i Këshillit Qendor të LNÇ, kjo sepse ato njiheshin si patriotë të mirë dhe me reputacion dhe njerëzit, pavarësisht se ata kishin pranuar detyrat e Regjencës, kishin mirëkuptuar qëllimet e tyre vullnetmira. (PRO. FO. 371.43549, Albania, Force 133, Fortnightly Appreciation for the period ending 23.1.44)

Ismail Qemali dy djemte e tij dhe Lef Nosi
Ismail Qemali dy djemte e tij dhe Lef Nosi

Dhe këtu vijmë tek rasti Lef Nosi: klasifikimi që po i ofrohet këto ditë publikut për Lef Nosin është një klasifikim i përçartë, njerëzish me dije të cunguara, të marra nga rrëfimet e mëkatarëve etër që i shërbyen komunizmit.
Lef Nosi ka qenë një patriot pa damkë, anëtar i grupimit themelues të shtetit, ruajtës i dokumentacionit të Shpalljes së Pavarësisë. Falë tij dhe Marubit, sot ne kemi Deklaratën e Pavarësisë. Fati i Deklaratës në kopjen origjinale, nuk lidhet me zhdukjen që i ka bërë Lef Nosi, po me zhdukjen që partizanët gjakatarë dhe intelektualët hajdutë që u shërbyen atyre, u kanë bërë bibliotekave, arkivave të njerëzve të të gjithë elitës shqiptare që kishte drejtuar Shqipërinë deri atëhere. Zhdukja e veprave të tyre është nje prej dramave më të mëdha që ka pasuar memoria e kombit. Ekipe “intelektualësh” të specializuar të agjitpropit, kaluan një për një dosjet e njerëzve të klasifikuar si kolaboracionistë në AQSH dhe në Bibliotekën Kombëtare. Nuk e di denigruesi i sotem i Lef Nosit këtë?!
Aty duhet të hetohet zhdukja edhe e Deklaratës së Pavarësisë dhe e dorëshkrimeve të veprave të intelektualëve më të mëdhenj të vendit, nje pjesë e veprave të të cilëve u përdorën nga “shkencëtarët” e Akademisë së Shkencave të periudhës së diktaturës. Zhdukja e Fjalorit të Mustafa Krujës, At Justin Rrotës, veprat e Karl Gurakuqit, punimet e Lef Nosit, nuk janë një produkt i rastësishëm, sipas mendimit tim. Ato përbëjnë një vepër penale të intelektualëve servitore të Regjimit të Vjetër dhe hapja dritëshkurtër e kësaj çështje sot, një përpjekje për t’i varrosur një herë e mirë ata. Është vetëm një ëndërr paranojake.
Pyetja që unë bëj është kjo: Pas kujt do të duhej të shkonin shqiptarët në vjeshtën e trazuar 1943: pas Frashërllinjve, Lef Nosit, Padër Anton Harapit dhe djalit të Aqif Pashës, apo pas një njeriu të panjohur që operonte sipas urdhërave të delegatëve të komunistëve jugosllavë, me objektiva kryesisht rrënimtarë të rendit të gjera shekullore në Shqipëri? Lef Nosi me shokë, me naivitetin e tyre, por jo si rezultat i tradhëtisë së paramendueme ndaj kombit shqiptar, morën përsipër të drejtojnë Shqipërinë, të ndalonin gjakderdhjen e brendshme, dhe zbusnin përplasjen e një makinerie ushtarake shfarosëse mbi popullin.
Ata në mendjen e tyre këtë e kanë bërë me botën e shpirtin që vetëm patriotët idealistë, burrat trima të kombit mund ta ndërmerrnin; atë vendim nuk mund ta ndërmerrnin majtistët, servitorët e sovjetizmit, aventurierët, batakçinjtë dhe ushqyesit e vëllavrasjes së kombit. Atë mund ta ndërmerrnin vetëm mendjet më të pastra dhe më fisnike, ata që ishin mësuar përjetësisht, me ideal e për traditë personale dhe familjare, të sakrifikoheshin.
Më konkretisht Lef Nosi, mos vallë s’e ka shlyer dënimin e rëndë dhe tani duhet të marrë meritat që i takojnë? Vepra e Lef Nosit është e pavdekshme dhe populli i Elbasanit dhe i gjithë populli shqiptar duhet të ndjehet krenar për atë, për madhështinë dhe për gabimet që bëjnë edhe burrat e shtetit.
Lef Nosi u arrestua në muajin gusht 1945 qeveria e FNÇ ka arritur të arrestojë një prej armiqve të saj politik më të medhenj, Lef Nosi. Ai u njoh dhe e u arrestua në javën e tretë të muajit gusht në Tiranë. Së bashku me atë u arrestua edhe nipi i tij Vasil Nosi, tregtar, po në të njejën natë përballë Hotel Dajtit. Vasili u arrestua se ai kishte ndihmuar në fshehjen e xhaxhait të tij në Elbasan dhe ishte duke e sjellë xhaxhain e tij në Tiranë. Së bashku me Vasil Nosin, u arrestua edhe Xhemal Farka, një mik i tij. Ky i fundi mendohet se kishte qenë personi që kishte strehuar Lef Nosin në Tiranë. Emri i tij kishte dalë pas torturave të Vasil Nosit, të cilit për të nxjerrë emrat, iu mbajtën këmbët në ujë të vluar. (PRO. FO. 371.48083, R 15114/46/90, BMM Albania, Periodical Political Report 11, dated 17 August 1945). Me kalimin e ditëve gjyqi i Pader Anton Harapit do t’i bashkëngjitej atij të Lef Nosit. (PRO. FO. 371.48083, R 16025/46/90, BMM Albania, Periodical Political Report 13, dated 4 September 1945.)
Kështu u mbyll jeta e këtyre viganëve të kombit shqiptar që jetuan në një kohë dramatike, kur shpata e komunizmit do ta grinte, se bashku me ata edhe gjithë kombin shqiptar.
/tesheshi.com/ 31 tetor 2015

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.