Lazër Radi: Njeriu që na mësoi me dashtë lirinë… – nga Jozef Radi

Lazer Radi 1916-1998

Dr. Lazer Radi (1916-1998)

Njeriu që na mësoi me dashtë lirinë…

esse nga Jozef Radi

Lazër Radi e kapërceu shekullin e jetës dhe përtejjetës së vet. N’at shenjtninë e tij tashma solemne, kishte me falenderue cilindo që do ta kujtonte; do t’i përshëndeste nji për nji gjithë ata që s’patën fatin me e njoftë, me e çmue… e ndoshta edhe me e respektue. Kët gjà do të përpiqem me e bà unë sot: pse Lazër Radin as e kam pà, as kam me e pa thjesht si djali i tij, po n’nji tjetër përmasë: ndoshta tridimensionale: atë të Njeriut, Idealistit e Intelektualit!
E theksoj ma s’pari, Lazër Radi mbetet shoku dhe miku im ma i mirë; njeriu që s’u thye vetë, po s’i la me u thye as tjerët; intelektuali që i dha nji tjetër përmasë heshtjes; prindi që në ditët ma të vështira, s’më la m’u trishtue tuj pa përtej kohnave; burri që as u shit e as shiti ndonjiherë miqtë e vet. Lazër Radi mbeti jo vetëm mësuesi im i papërsëritshëm, po edhe i tjerëve, bash n’at kohë kur shplamja trunore ishte në stinën ma të begatë të luleve. Njiherit Ai mbeti edhe kundërshtari im ma leal, tuj m’lejue gjithnji me i zgjedhë armët e përplasjes për debate e polemikë; ai mbeti strategu të cilit asnjiherë s’desha t’i bindesha verbërisht n’at luftë tragjike klasash; ai m’u naltue si filozofi që fliste orë pafund mbi parimet, e më mësonte që kurrë mos ta drejtoja gishtin mbi tjerë, po t’merresha ma së thelli me vedin; ai mbeti pedagogu që vërtet e pati të vështirë me dhurue lëvdata a ledhe, po askurrë s’e lejoi vedin m’u shfaqë ndëshkues; kështu pa e kuptue ai ba shenjtori i vetëm, të cilit unë do t’i falem gjithë jetën; mbi të gjitha ai u ba fati im… në të mirë e në të keq, tragjik e heroik, i përkulun po i pathyem… për pasojat e të cilit as jam trishtue, as jam ankue e as qa ndonjiherë… Vetëm mbas gjithë këtij rrëfimi të hymjes, mund m’i dhanë të drejtë vedit me thanë pa droje: Po, Lazër Radi ishte edhe Im Atë!
.
Lazër Radi e Jozef Radi 1996

Lazër Radi e Jozef Radi 1996

Kalvari i Lazër Radit s’dihet kur ka nisë!
Prej masakrës në Kishë të Bishtazhinit të Gjakovës në mes të shek. XIX, deri te deportimi nga Prizreni në vitin 1929; prej gjimnazit të Shkodrës me dyshek në krahë e deri te përpjekja me krye universitetin jashtë Shqipnie; prej 23 nëntor ’44 – ditës së arrestimit, (kur ishte 28 vjeç), deri te Rrëzimi i Murit të Berlinit, kur ai do të ishte 75 vjeç… kishin kalue plot 46 vjet 163 ditë, burgje, interrnime, kampe!!
Po Ai u shfaq në kambë…  e i paepun!
Pikërisht, 75 vjeçar, Ai u rishfaq atje ku e kishin dashtë me e zhdukë. Rinisi andrrën e mbetun përgjysë, si të mos kish ndodhë asgja në jetën e tij! Bash atje ku ia kishin këputë… Rishfaqej dinjitoz, hijerandë, krenar… i gatshëm me dëshmue jo vetën se ishte gjallë, po se kishte energji të mjafta me e çue deri në fund andrrën e mbetun përgjysë…
U shfaq si askush nuk e priste: Dr. Lazër Radi dhe Avokat Lazër Radi! Si ishte e mundun që dilte nji Doktor e nji Avokat nga skëterra e burgjeve dhe kampeve komuniste? Si asht e mundun!!! Klithën habitshëm hijenat! E pra, Ai doli!!! Si sfidë e tërbimit kuqalash që e dinte të vdekun, të kallun e të harruem kahera! Dhe bash kur ju tha: Erdha…! Nisi kundra tij nji valë sulmesh të ulta e të paprincipta, të cilave krahas përgjigjeve dinjitoze e stoike nga ana e tij, qetsisht ua paraqiti Doktoraturën e Sapienzas me 110/110 po dhe Lejen e Avokatisë, aq shumë të urryeme prej komunizmit!!!
Lazër Radi s’pat kohë me u marrë me vuejtjet e diktaturës. Ai shihte diku larg… diku nalt… e diku thellë…  po asnjiherë s’i kurseu denoncimin e krimeve të saj… “Merru ti! – më tha nji ditë – Mjafton me kallzue ti të vërtetën tande, e ke rrëfye gjithçka edhe për mue…!”
Lazër Radi qe ndër të parët e të zbritunve prej kampeve që shkroi për Fishtën e Madh, për dy Koliqët, për Imzot Prennushin, Musine Kokalarin, Mirash Ivanajn, Padër Mëshkallën, dom Shtjefën Kurtin, për Gjyqin Special, për Lazër Shantojën, për Ndre Zadejën, për Shtjefën Gjeçovin, për Rugovën e plot e plot të tjerë… Ai do të ishte themeltar i Lëvizjes për Bashkimin e Shqiptarëve, në Partinë e Unitetit Kombëtar, antar nderi i Partisë Demokristiane, themelues i Shoqatës Katolike, botues i 52 numrave të gazetës “Bashkimi i Shqiptarëve”, përkthyes i poemës mbi krimet e Stalinit, përkthyes i Platonit, autor i 15 librave, i qindra artikujve, intervistave në RD, ZR, Kombi, Rilindja, Republika, Liria dhe në mjaft programe televizive të TVSH jo vetëm mbrendë po edhe jashtë Shqipnisë.
… Banesa e tij, në rrugën “Reshit Çollaku” Nr.118, në Tiranë, u ba vend pelegrinazhi i gazetarëve, regjizorëve, artistëve, shkrimtarëve, deputetve, muzikantëve, politikanëve po edhe miqve të vjetër e të rinj, njerzve të thjeshtë që hynin e dilnin lirshëm në shpinë e tij… po ma shumë në shpirtin e madh të këtij njeriu…

.

Lazër Radi, Qazim Kreka, Sheraf Gjebrea, Agim Musta, Hazir Shala Mexhit Kokalari, Xun Çetta, …, Koço Nini, Bujar Llapi, Ahmet Pere

Lazër Radi, Qazim Kreka, Sheraf Gjebrea, Agim Musta, Hazir Shala Mexhit Kokalari, Xun Çetta, …, Koço Nini, Bujar Llapi, Ahmet Pere

***
Lazër Radi ishte mjaft kristian e pak politeist; mjaft sokratian e pak komunist; mjaft zhanvalzhan e pak donzhuan; mjaft filozof e pak oportunist; ai ishte mjaft kosovar (çka nënkupton patriot) e shumë shqiptar, – i gatshëm për çdo sakrificë, që Kosova t’ishte Shqipëri, po mbi të gjitha e gjithçka kishte luftuar që në betejat e tij të mbetej njeri: Njeri!
Lazër Radi vdiq kur ai desh vetë të vdiste… Ai s’mund ta pranonte vegjetimin e shterpët… Kështu ditën kur vendosi të mos jetonte më, Ai s’pranoi ma as doktorë, as kura e as këshilla prej askujt… E la veten m’u shue, njashtu ngadalë si tretet nji qiri që e kishte dhurue krejt dritën e vet… i bindun se i kishte shterrë krejt energjitë e veta n’emën t’nji ideali që tash duhej vazhdue prej të tjerësh…
Natën e ekuinoksit të vjeshtës, me 22 shtator duke zbardhë 23 shtatori i 1998, mbasi u përpëlit gjatë në krahët e mi, shpirti i tij doli nga trupi i tij e ngadalë u ngjit në qiell… N’ato orë t’nji dite të re, ne fjetëm bashkë, në të fundmen përqafje babë e bir: ku jeta dhe vdekja, njeriu dhe andrra, besimi dhe shpresa, guximtari dhe intelektuali… rroken fort deri në  çastin ma të mbramë, duke i lanë njeni tjetrin kodin e detyrës dhe jetës.
Kjo asht e vërteta e këtij njeriu që kushdo që e ka njoftë… e ka dashtë; edhe kundërshtarët e tij ma të rreptë shpesh i kanë ulë shpatat para forcës, vullnetit e dinjitetit të tij… Dhe sot, në kët përtejshekull të jetës, Ai mund të kujtohet edhe njashtu krejt thjeshtë si: Njeriu që s’u lodh së mësuemi ta donin jetën… dhe m’e dashtë pa u lodhë kurrë: lirinë…
.
(29 Janar 2013)

 

Related Images:

2 Përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Grigor Kokali
    Lazër Radin kam pasur fatin ta njihja qysh fëmijë, për ta nderuar i flisnim (xha Lazër). Gjithë jeta ime (si edhe shumë të tjerëve) është e lidhur me familjen e Lazër Radit ose me Lazër Radin, e një lidhje të tillë e mbaj edhe sot e kësajë dite… Lazër Radi përveç të tjerave ishte dhe njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, na mblidhte në grupe dhe na jepte leksione për mësimin e gjuheve të huaja dhe te gjitha këto na i bënte falas… kush prej nesh nuk ka të thotë diçka për Lazër Radin… Shtëpia e Lazër Radit ishte një nga shtëpitë më mikpritëse të kampeve të internimit… Nuk ka njeri të mos ketë kërkuar ndihmën ose mendjen e Lazër Radit, dhe ai të mos ia ketë dhënë me bollëk… Shtëpia e xha Lazrit ishte dhe shtëpi kulture ku diskutoheshin nga shkrimtarët të njohur të letërsisë botërore e deri te filozofët klasikë… Shpesh herë jam gjetur në atë shtëpi në kohën kur hanin darkën dhe gjithmonë isha mysafir në tryezën e tyre mikpritëse, shtëpia e tij ka qënë dhe shtëpia ime… Ndihma që më ka dhënë xha Lazri është e pa vlerësueshme, dhe do të mundohem t’ia shpërblejë sado pak… Njerëz të tillë si Lazër Radi nuk mund të harohen kurrë !!!
    30 janar 2013

    Xun Çetta
    I madhi Lazër Radi ishte i vetmi anëtar i kryesisë së Lëvizjes Demokratike të Bashkimit të Shqiptarëve më seli në Tiranë, pa dashur t’i fyej e as neglizhoj të tjerët anëtar të kryesisë ku unë isha më i riu nder ta. Ishte pra i vetmi, i cili nuk njohu parti të djathtë, të majtë apo të qendrës nëse ato reflektojnë të jenë mbi interesat e momentit që na u dhanë demokraci që të rreshtohemi më një platformë gjithëkombëtare pa cënuar sovranitetin e partive politike në pluralizëm, kuptohet nëse ato nuk sulmojnë qëllimet tona si lëvizje, e përsëris si lëvizje për asnjë moment të jemi parti politike veçse katalizator i qëllimit tonë kombëtar. Lazrin e urtë, tepër bashkëpunues në këtë vijë e kisha për herë,e lexova dhe kuptova si të tillë për të mbet për jetë në kujtimin tim.
    Lavdi veprës së tij, shpirtit që kishte në këtë drejtim dhe përjetë e mot në kujtimet tona ideali i Lazër Radit.
    Atë që shkruan i biri Jozef Radi është ajo që ndiej dhe që kam përjetuar më të pavdekshmin Lazër Radi.
    Shpresoj këto ditë ta publikoj foton e komplete kryesisë së LDBSH-së dhe një video intervistë më ca nga anëtarët e kryesisë, mes tyre edhe më Liza Vorfin dhe Lazër Radi.
    30 janar 2013

    Erida Çela Perlala
    Vërtet krenari për një babë të tillë… Kjo është e Keqja ku u fundosëm… dhe sot s’po dalim dot… sepse në humbëm njerëzit më të aftë nga dora e diktatorit… Ne do të ishim zhvilluar dhe nuk do të ndodheshim në këtë situatë… Ne duhet të vuajmë se nuk kemi ditur të mbrojmë njerëzit më të ndritur nga e keqja, që po na sundojnë dhe nuk shkulen… xhelozët, mashtruesit… ambiciozët duhet të ndahen nga “sheqeri” i këtij kombi… S’duhet të bëhemi më vegla të humbim intelektualët e vërtetë, por të rrimë sy hapur dhe mendje zgjuar që të vlerësojmë njerëzit me një këndvështrim 360°…
    30 janar 2013

    Advie Hoxha
    E ke njohur apo nuk e ke njohur, ky Kollos flet vetë. Nje burre trupmadh, me shpirt të madh, me zemër te madhe, me vuajtje supër të medha ! Diktatura e vendit të tij shkroi faqe dhimbjeje e vuajtje të tejskajshme për këtë njeri, familjen e tij dhe mijra familje të tjera, që patën fatin e kësaj familjeje të fisme për 50 vite me radhë. Ai u burgos e u syrgjynos në burgjet më të tmerrshme komuniste shqiptare. Ai jetoi i censuruar, i përbuzur nga klika, por jo nga njerëzit e thjeshtë, por kurrë nuk e la Atdheun e vet. Aty shpalosi gjithshka të mirë të tijën, aty edukoi dhe fëmijët e tij dhe u dha emër, emrin që u ishte mohuar për dekada.
    Si thua ti Jozef Radi, se me të vërtetë me kë rrënqethur me përshkrimin e një jetë të lavdishme të babait tënd legjendar dhe kjo jetë më të mirat dhe të këqiat e saj, është jetuar në Shqipëri.
    30 janar 2013

    Erion Iliazi
    Unë për vete pak e mbaj mend se kam qënë i vogël fare por tani që e kujtoj xha Lazër-in dhe teta Vitkën respektin dhe ndjeshmërinë e kam të veçantë. Mbaj mend shtëpinë: hyje në derën kryesore një rrugice të çonte për të dera që futeshe në koridorr, djathtas ishte kuzhina, majtas me duket 2 dhoma ishin se siç thashe kam qenë i vogël por motra ime Klodiana të cilës i mësoi gjuhën italiane dhe me shumë rrinte te shtëpia e xha Lazrit se tek e vetja. Duhet ta mbaj mend më mirë ajo, por do them dhe një gjë që mua më kujtohet nga xha Lazri, në shtëpinë e tij ka pasë dhe një qen që e ushqente dhe më dukej se e donte shumë.
    Respekt për këtë familje!
    28 shkurt 2018

    Robert Kamani
    Ju tregoni si bir i tij se kush ishte Lazër Radi…Unë jam dëshmitar i një pretence gjyqësore… kur e prunë në sallë dhe i kërkuan fjalën e fundit… me një fjalë të kërkonte mëshirë. Në përgjigjen e atij njeriu unë njoha atë njeri me ato virtyte që ju i përshkruani për atin tuaj… Fjalët e tij ishin tekstualisht këto: “Këtë pushtet as e kam dashur, as e dua, as kurrë s’do ta dua!” Dhe me një qëndrim prej trimi shihte gjithë mllef ata që prisnin mëshirën prej tij…
    Ai moment më ka mbetur në mendje edhe sot e kësaj dite.
    Lazrin e kam njohur nga afër në studion e dizenjatorit dhe piktorit Lek Pervizi… Të rrojmë e të kujtojmë atë njeri, i cili quhet me plot gojën i burgosur politik… dhe jo si disa që u quajtën të dënua politikë kur nuk merrnin vesh nga asgjë jo më nga politika…
    19 janar 2017

    Kazanova Aliaj
    Unë nuk kisha si t’a njihja, po nëpërmjet jush kam lexuar për të dhe me gërmat shqip kam një portret të një njeriu të lirë, krijuesi të fuqishëm dhe një shkruesi që shkon përtej kufirit njerëzor… një model si Dr. Radi rrallë mund të lexosh dhe ke pse e lexon ku njerëzorja është prioritet i tij… i përjetëshëm kujtimi i tij!!
    21 janar 2017

    Viola Matana
    Shkrim sa modest, sa fisnik aq dhe frymësues e me një mesazh të madh! Nuk më vjen t’ju ngushëlloj pasi e shoh tek jeton tek gjithçka ti përcjell e tek gjithçka ne marrim nëpërmjet shkrimeve të tua. Respekt!
    22 janar 2017

    Anissa Markarian
    Jozef, miku im, të kërkoj ndjesë që nuk e paskam lexuar më parë këtë shkrim-dedikim.
    Ma shkallmove shpirtin e m’i rrëmbushe sytë, më hidhërove e më ciflose, por me sa shumë forcë, krenari e mirënjohje ma mbushe tërë ditën e të tjerat që do të vijnë.
    Shqipërinë e bënë të madhe intelektualët largpamës, patriotët guximtarë, humanistët e ndritur që na ndriçuan moralisht, përtej “shpëlarjes masive të trurit”.
    U jemi përjetësisht borxhlij!
    22 janar 2017

  2. shehi lola Tha:

    Sa ndjenjë…!
    Aq shume art mbart ky shkrim, sa është e pamundur të mos duash e ta lexosh pafundësisht, duke dëshiruar të ishte pambarim derisa sytë të lodhen dhe qepallat të mbyllen aq ëmbël sa të mos e ndjesh se po lexon një shkrim, por një këngë për një njeri të madh.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook