back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Lazër Radi: Në kërkim të kohës së humbur

Gazeta

Blendi Fevziu
Blendi Fevziu

Në kërkim të kohës së humbur…

Blendi Fevziu bisedon me dr. Lazër Radin (Klan)

Historia e njeriut që u arrestua më 1944 – 28 vjeçar,
dhe u lirua nga syrgjynosja me 1991 – 75 vjeçar!!
Një jetë e pabesueshme,
ku militanti komunist, ithtar i nacionalizmit,
dendy, letrari, gazetari dhe filozofi…
ndërrohet papushim me njëri-tjetrin…
duke ia lënë vendin për nji kohë të gjatë të dënuarit politik të regjimit….
E mbas gjithë kësaj vijnë vitet e lirisë,
kur brenda pesë viteve ai botoi 14 libra.
(Kjo është intervista e fundit e Dr. Lazër Radit)

Lazër Radi, një protagonist i harruar i Shqipërisë së viteve tridhjetë ishte lodhur së shpresuari. Që nga nata e largët e 23 nëntorit 1944, kur një skuadër partizane i kishte trokitur në derën e shtëpisë për ta ndarë nga familja, ai pati kaluar 10 vjet burg dhe 37 vjet internim. Një kalvar i gjatë, që çdo ditë ushqehej me shpresën dhe bindjen se një ditë vuajtjet do të mbaronin dhe jeta, do t’i rezervonte disa nga mrekullitë që i kishte lënë në mes, në moshën 28 vjeçare.
Dhe mrekullia kishte ndodhur. Atëherë kur s’e priste dhe kur thuajse ishte bindur se do të vdiste në vendbanimin e tij të ngushtë, një barakë internimi në fshatin Savër të Lushnjes. Ishte Janar i vitit 1991 dhe lindja komuniste kishte ndërruar ngjyrë. Në jetë, qëllon që njeriu ka ëndërruar gjatë diçka dhe kur më në fund e ka, s’di ç’të bëjë me të. Në prag të 75 viteve, Lazër Radi u gjend pikërisht përballë asaj çka kishte ëndërruar më shumë në jetën e tij, lirisë. I qeshur dhe gjithmonë optimist, ju rikthye edhe njëherë mikeshës së vjetër dhe të harruar… shpresës. U zhvendos me familjen në Tiranë dhe në fillim të vitit, ndërmori udhëtimin e parë për në vendin ku kishte studiuar 50 vjet më parë, në Romë. U rikthye prej andej, me bindjen se kishte ende një mision me rëndësi në jetë. Dhe në moshën kur njeriu mendon më shumë për funeralin e tij, ai shkruan 16 libra, 14 prej të cilëve të botuar në këto pesë vjet. Një bibliotekë e plotë, ku gjallojnë kujtimet letrare dhe politike të viteve ‘30-’45, monografi, përkthime, letërsi dokumentare dhe krijime autentike. Një pasuri, që falë fatit dhe vullnetit, arriti t’ja shkulë botës së varrit, për t’ja lënë trashëgim, shoqërisë shqiptare, asaj që kishte qenë me të aq mizore.

Kush është dhe nga vjen Lazër Radi?
Një pyetje të tillë, me ton më të fortë dhe sens ironie e ka bërë 53 vjet më parë edhe Prokurori i Gjyqit Special, Gjeneral Bedri Spahiu. Padyshim, pretenca e tij, nuk kishte regjistruar gjithë portretin e tij. Kishte shënuar se ai mbështeti fashizmin dhe u bë propagandues i tezave të tij në shtyp; se kishte marrë pjesë në forumet e rinisë fashiste dhe se nuk e donte pushtetin popullor. Në këtë kontekst, ai harroi të shpjegonte se si ndodhi që militanti i grupeve komuniste ndërroi rrugë; se si emigranti i varfër nga Kosova u shndërrua në një dendy të vërtetë të jetës romane e tiranase të fund viteve ’30; cilat qenë njohjet dhe kontributet e tij letrare dhe politike. Shumë vite më vonë, në prag të tetëdhjetave, Lazër Radi e krahason jetën me bibliotekat. Në jetë kam ngritur tre biblioteka, thotë ai: të parën në qytetin e lindjes, Prizren. Ajo mbeti atje pas ikjes sime në moshë fare të re. Në Shqipëri nisa të ngre bibliotekën e dytë. Arrita ta kompletojë pas shumë vitesh, dhe tamam kur mendova se kisha ngritur nji bibiotekë të vërtetë, më 1944 më arrestuan, librat m’i morën, humbën, ose m’i dogjën. Në vitin 1991 nisa të ngre bibliotekën e tretë…

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special

Fëmijëria dhe Gjimnazi
Lazër Radi, fëmija më i vogël i një familje nga Prizreni, qe vetëm 12 vjeç kur më 1928 kur vëllezërit dhe pas tyre prindërit, vendosën të emigrojnë në Shqipëri. Ai kujton rrugën e gjatë, ndalesat në hane dhe vendosjen përfundimtare në Durrës, qyteti ku motra që emëruar mësuese në nji shkollë fillore. Lazri, ende fëmijë, regjistrohet në gjimnazin e qytetit, por që në fillim u rrëzua në provimin e gjuhës shqipe. Po at vit kaloi në gjimnazin e Tiranës, ku u njoh për herë të parë me Mirash Ivanajn, (njeriun, të cilin do ta kujtonte 70 vjet më vonë, më 1997 me dy botime). Shkollën e ndjek me vështirësi. Flinte në nji familje tjetër kosovare, edhe ajo në gjendje të rëndë ekonomike. Në një ditë nga këto, merr me vete dyshekun dhe za vend përpara derës së Ministrisë së Arsimit. Kur Ministri Hil Mosi, zbriti nga makina, tregon, …e shtriva dyshekun në tokë, Ministri mbeti i befasuar, më ftoi në zyrë dhe mbas një bisede atje, fitova të drejtën të studioj në gjimnazin e Shkodrës.
Lazër Radi e kujton këtë si momentin kur filloi të çante vetë në jetë.
Vendoset në konviktitn “Malet Tona” dhe ndjek me sukses studimet. Përfshi këtu edhe gjuhën shqipe. Fati e sjell që të studiojë në një klasë me nxënës që më pas do të bëhen personazhe të njohur të jetës shqiptare: Qemal Stafën, Arshi Pipën, Emin Durakun, Xhemal Brojën, Hajdar Dushi etj. Së bashku me këta krijon në fillim shoqërinë kulturore-sportive “Besa Shqiptare” dhe më pas celulën komuniste të gjimnazit. Komunizmi, i cili qe shndërruar në një modë midis nxënësve dhe adoleshentëve shqiptarë, kishte bazë të fortë në Shkodër. Radi kujton se grupi drejtohej nga Zef Mala, Tuk Jakova dhe të tjerë, ndërsa ai shërbente si ndërmjetës me studentët dhe puntorët malazezë. Pikërisht gjatë një takimi si ky malazezët i kërkojnë që të kalohet në veprime konkrete, sabotime, protesta, demostrata. Ai e kupton më së fundi se komunizmi s’është vetëm moda e të lexuarit të Gorkit apo e broshurave për Bashkimin Sovjetik, është edhe diçka më shumë!! Vendos të largohet nga grupi komunist dhe e bën këtë pa ngurrim.
Më 1938, diplomohet. Ndërkohë, kishte dhënë sprovat e para në letërsi, publiçistikë dhe kishte konsoliduar lidhjet dhe njohjet në rrethet artistike të kryeqytetit.
Pikërisht në këtë kohë, në verën e vitit 1936 njihet me Migjenin. Motra e Lazrit qe emëruar mësuese në Pukë, në shkollën e vetme, Kryemësues i së cilës qe Migjeni. Lazri shkoi atje gjatë tre muajve të verës dhe ai tregon se flinin së bashku në Shkollë. Nw ditët dhe netët e gjata të Pukës diskutonin për letërsinë, për lëvizjet letrare, për politikën dhe filozofinë. Ishte koha kur Migjeni kishte bërë gati për botim librin “Vargje të lira” dhe për këtë kishte parapaguar shtypshkronjën Gutenberg në Tiranë. Radi tregon se Migjeni kishte paguar 10 napolona, nji shumë e madhe e kursyer nga rroga e vogël e mësuesit. Por kur përgjigja s’po i vinte, dhe kopjet e librit gjithashtu, i kërkoi mikut të ri, të udhëtonte deri në Tiranë. Lazri u nis vërtetë dhe një ditë më vonë, takoi pronarin dhe editorin e shtypshkronjës, Ismail Malosmanin. Ai i shpjegoi se libri mbetej vetëm për tre poezitë e fundit dhe se sido qoftë, kishte mundësi që të bllokohej nga çensura. I përgatiti vetëm tre kopje, me dy poezitë e fundit të pabotuara dhe ja dërgoi autorit. Ishin kopjet e vetme që Migjeni arriti të merrte. Tre ditë më pas. Çensura mbretërore e konfiskoi librin dhe kopjet e tij i dogji në oborrin e shtypshkronjës. Kujtimet nga 110 ditët e kaluara me Migjenin, ditë që ndryshuan krejt jetën e tij Lazër Radi i ka përmbledhur në një libër të titulluar “Kujtime me Migjenin”, që pritet të dalë së shpejti.
Vitet e shkollës, qenë kohët më të lumtura për Lazër Radin. Në librin me kujtime, “Shqipëria në vitet tridhjetë” ai revokon këtë si periudhën më të lumtur të jetës së tij. Një periudhë euforie, ndeshjesh liberalizmi dhe konservatorizmi në të njëjtën kohë.

Gjimnazi i Shkodres: Klasa e V-B
Gjimnazi i Shkodres: Klasa e V-B

Fakulteti dhe Fashizmi
Bursa s’ishte një ndërmarrje fort e lehtë për një emigrant kosovar, pa shumë lidhje dhe taraf në Shqipëri. Por më 1938, 22 vjeçar, Lazër Radi, kishte mësuar të këmbëngulte dhe të mos tërhiqej në jetë. Nga shtëpija e tij në Durrës, i shkruan pa pushim Mbretit Zog, që at verë, si gjithmonë, ndodhej për pushime në plazh. Mbretit i bën përshtypje dhe një ditë dërgon ta lajmërojnë. Një ditë më pas i shoqëruar nga vëllai, Lazri shfaqet në derën e rezidencës së tij, duke kërkuar takimin e premtuar. Roja bisedon me Mbretin dhe e këshillon të drejtohet në shtëpinë aty pranë, në një takim me Abdurrahman Krosin. Unë e dija, tregon ai, se Krosi ishte homoseksual dhe duke qënë i ri, mendova se do të më besdiste me maninë e tij. Refuzova dhe u largova pa pranuar ta takoj.
Por fati, gjëja më e vyer dhe njëherazi më e tmerrshme e jetës së tij, nuk e harroi. Një mik, prift, i dha një rekomandim për Ambasadorin Italian në Tiranë, Francesko Jakomonin dhe ai e priti po at ditë. Jakomoni u tregua i gatshëm ta ndihmonte në rastin më të parë, por gjatë takimit të dytë, disa ditë më vonë, qe i prerë. Nuk kishte bursa dhe ai vështirë se do të përfitontë gjë. Siç mësoi më vonë, Ambasadori kishte marrë njoftim nga Konsulli Italian në Shkodër, që ja kishte përshkruar Radin si një komunist fanatik. Keqkuptimi u zgjidh po atë ditë, me ndërmjetësinë e gruas së Jakomonit, Dona Maia-s, që ai i kishte bërë një kompliment të gjatë dhe së cilës i kishte pëlqyer ky shqiptar i ri dhe xhentil.
Në vjeshtën e atij viti, 1938, me një valixhe me plaçka dhe një financim të mirë, Radi u nis për Romë. Bujtësja e parë qe një studente letërsie, që ndër kohë, kishte bërë emër në shtypin shqiptar, Musine Kokalari. Djali i ri u vendos pranë qëndrës së qytetit dhe filloi studimet për drejtësi në Universitetin “La Sapienza”. Joshja romane qe e fortë dhe ai u dha i gjithi pas sajë. Lazri kujton ende miqtë e tij student, (një pjesë të të cilëve, pati fatin t’i takonte përsëri gjatë vizitave më 1991 dhe 1992; mikun e vjetër), Ernest Koliqin, që drejtonte katedrën e gjuhës shqipe në universitet dhe plot të tjerë.

Lazer Radi, e motra Gjuljana, Gjon Kola, dhe nji shoqja e tij Claudia - Rome 1941
Lazer Radi, e motra Gjuljana, Gjon Kola, dhe nji shoqja e tij Claudia – Rome 1941

Roma duhet të ketë qënë sipas të gjitha gjasave edhe kurthi fashist, ku Lazër Radi ra pa u menduar shumë. Në këtë kohë, falë miqësisë me Vangjel Koçën, një nga emrat më të mëdhenj të shtypit shqiptar, boton rregullisht në gazetën “Tomorri” dhe më gjerë. Emri i tij bëhet i njohur, por kjo famë, që njëherazi lënda për të cilën do të akuzohej më vonë. Artikujt, sidomos ato të viteve 1939-’40, qenë një lloj ekzaltimi i frymës fashiste dhe ndoshta mbështetje për rritjen e ndikimit dhe propagandës së fashos në Shqipëri.
Gjatë kësaj kohe i takon edhe “prishja” e tij me një shok të vjetër shkolle, Qemal Stafën. Që nga koha e gjimnazit, kur bëheshin gati të botonin revistën “Shkëndija”, ai ruante në arkivën e tij një shkrim të Qemalit. Një skicë letrare, pa ndikim politik, por të shkruar bukur. Lazri vendosë ta botojë shkrimin në gazetën “Tomorri” me emrin e vërtetë të autorit. Natyrisht, për Qemalin, që ishte një nga eksponentët e lëvizjes komuniste, kjo qe një surprizë jo e këndëshme. Ai është shprehur kundër Lazrit, por ky i fundit e mësoi shumë vonë. Vetëm kur Qemalin tashmë qe vrarë dhe ai vetë endej nëpër birucat e burgut të Tiranës. Madje, ky incident, i përshkruar pa përgjegjësi në librin “Qemal Stafa”, i kushtoi atij gjatë gjithë jetës në internim. Sot, Lazrit i vjen keq për këtë incident. Ai tregon se nuk e dinte që Qemali qe bërë një drejtues komunist dhe se nëse do të kishte mësuar për zemërimin e tij, do ta kishte përgënjeshtruar që të nesërmen. Ose thjesht, do të kishte shkruar se: “…ky dorëshkrim i vjetër i kohes se Gjimnazit, botohej pa lejen e autorit…”
Më vitin 1942, kthehet në Tiranë me një diplomë me rezultate maksimale dhe fillon punë stazhier pranë një avokati në Durrës. Po gjatë kësaj kohe, vijon aktivitetin gazetaresk në “Bashkimi i Kombit”, ku shkruan me pseudonimin “Ushtima e Sharrit” artikuj politik dhe filozofik. Si shumica e të rinjve që bënin pjesë në rrymën e neoshqiptarizmës, nuk i kundërvihet agresionit gjerman. Por as nuk përzihet me të. Më 1944 merr liçensën e avokatit, por vetëm pak kohë arrin ta ushtrojë profesionin e tij. Më 23 nëntor 1944, një togë e brigatës së parë partizane, që sapo kishte çliruar Tiranën, troket në derën e apartamentit të tij buzë Lanës, pranë fushave të tenisit dhe ish shkollës “20 vjetori”. Lazri akuzohet si kolaboracionist dhe burgoset.
Prej asaj kohë, deri më prill 1945, kur gjyqi special dha dënimin e tij, jeta është ferr i vërtetë. Gjendet në një qeli me disa nga emrat ma të njohur të politikës dhe jetës shqiptare. Një amalgamë bindjesh dhe idesh, e përbashkëta e të cilave qe s’e kishin dashur kurrë komunizmin, ose kishin luftuar kundër tij. Në këtë paradë ku bënin pjesë edhe disa nga protagonistët e pavarësisë shqiptare ose Kryeministrat e mëvonshëm të saj, bashkëpunimi me pushtuesit qe akuza e parë. Më i riu, mes tyre, Lazër Radi, është i vetmi personazh i atij gjyqi tragjik, që jeton ende. Dënimi u dha në Prill 1945. Ai u njoh fajtor dhe u dënua me 30 vjet burg.

Lazër Radi i posadalë nga burgu, dhe i biri Alfredi, Savër 1954
Lazër Radi i posadalë nga burgu, dhe i biri Alfredi, Savër 1954

Burgosja
I ri dhe me shumë shpresë, Lazër Radi, s’e kishte menduar kurrë se nga ky moment kishte kalvari i vuajtjeve që do të zgjaste gjysëm shekulli. Fillon në burgun e Tiranës ku punon si përkthyes i teksteve shkollore nga serbo-kroatishtja dhe rusishtja. Pastaj kampi i Rinasit, Burgu i Burrelit etj. Më 1954, lirohet para afatit dhe kthehet në Kryeqytet. Falë aftësisë si përkthyes gjen punë provizore, por kjo zgjat vetëm dy muaj. Një ditë e thërrasin përsëri në Degën e Punëve të Brendëshme dhe e interrnojnë në Savër të Lushnjes. Ndërkohë, më 1951, i kishin arrestuar disa pjestarë të familjes dhe i kishin djegur fotot, dorshkrimet, dokumenta dhe gjithçka kishte në shtëpi. Përfshi edhe bibliotekën që e kishte ngritur për disa vjet me rradhë.
Në Savër mbërriti po atë vit. Së bashku me shumë familje të tjera të internuara më parë, jetoi aty për pothuajse 35 vjet. U martua, lindi fëmijë dhe po aty martoi djemtë dhe lindi nipër. Punoi në bujqësi, kovaç, zdrukthëtar, dizenjator etj. Si për ironi të fatit, në punën si dizenjator, duhej të zbukuronte muret e ndërtesave publike të fshatit me citatet e Enver Hoxhës, shumica e të cilave drejtoheshin kundër elementëve reaksionarë.
Jeta qe e rëndë dhe ai kujton se ditën që do të martonte njërin djalë dhe që kishin vendosur të festonin në shtëpi, e lajmëruan se kishte demaskim. Demaskimi, një formë absurde e dhunës, parashikonte vendosjen përpara gjithë fshatit, në sallën e kinemasë dhe drejtuesit e partisë dhe degës së brendëshme, demaskonin veprimtarinë e të dënuarit në fjalë. Gjatë demaskimit, salla duhet të thërriste, të shante, madje disa edhe godisnin ose thjeshtë vringëllinin grushtat. Një nga këto demaskime, me temë “Kush e tradhëtoi Qemal Stafën”, u bë pikërisht atë ditë. I vrarë, i lodhur nga demaskimi katër orësh, Lazri u kthye në shtëpi, dhe për të mos prishur martesën e djalit, vendosi të qëndronte në tavolinë për të festuar at natë.
Jeta e tmerrshme e internimit, mori fund atëherë, kur ata pothuaj e kishin humbur çdo shpresë. Më 1991, u largua së bashku me familjen në Tiranë, ndërsa dy fëmijtë u nisën për Itali dhe më vonë në SHBA.

Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Rikthimi në jetë
Vitet ’90 duket se janë edhe ato një kopje e zbehtë e viteve të lumtura ‘30. I rënduar nga mosha dhe vuajtjet, Lazër Radi nxitoi t’u kthehet pasioneve të vjetër të rinisë, letërsisë dhe publicistikës. Botoi disa libra me poezi dhe prozë, dy monografi, libra me përkthime letrare dhe filozofike e mbi të gjitha, kujtimet e tij nga gjimnazi i Shkodrës, jeta kulturore, politike e filozofike e viteve ‘30; si dhe kujtimet për Migjenin. Njeriu, i cili kishte aspiruar letërsinë në moshën e adoleshencës; që më pas e kishte braktisur at për t’ju dhënë kënaqësive të tjera të jetës, ishte rikthyer përsëri. I thinjur, i ngarkuar me vite vuajtje dhe pendese, ai kishte vënë në dispozicion të pasionit të vjetër, moshën dhe fuqitë e tij, për t’i kërkuar kështu asaj faljen më të mirë.
Natyrisht, si shumë bashkëvuajtës të tjerë, fillimisht besoi se mund të jepte kontributin e tij, në ndërtimin e sistemit të ri në Shqipëri. Filloi me botimet në gazetën “Kombi” dhe më pas u angazhua në strukturat e partisë së Unitetit Kombëtar. Pak kohë më vonë, së bashku me miq të tjerë, krijoi shoqatën “Bashkimi Kombëtar i Shqiptarëve” duke synuar shtrirjen e saj në të gjithë territoret me shqiptarë. Nacionalist i vjetër, ai u tërhoq prej saj, kur e kuptoi se kishte një mision më të rëndësishëm në jetë. Lazër Radi, banon në një apartament të vogël në periferi të Tiranës, së bashku me një nga djemtë. Nga lartësia e 82 viteve, ai ka mundësi të bëjë më së fundi bilancin e jetës së tij. Një jetë, që ndoshta askush nuk do ta lakmojë, por të cilës, ai nuk do të donte t’i ndërronte asgjë. Asnjë revizionim të thjeshtë, nga ato, që një njeri 80 vjeçar do t’i dëshironte me gjithë shpirt.

Revista Klan 1997
Revista Klan 1997

I ulur në studion e punës, i qartë dhe korrekt, ashtu siç e parashikonte profesioni që ai nuk arriti ta ushtrojë deklaron, se nuk është penduar për asgjë. Me përjashtim të faktit që shkroi për fashizmin dhe që ky padyshim qe një gabim. Sidoqoftë, jeta është e qetë pas kësaj dhe ai, mund të mburret se ka ditur t’i jetojë, të tre epokat, ku fati tekanjoz, e vërtiti, me gjithë magjepsjet dhe mashtrimet e tij.
(Revista Klan – mars 1998)

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.