back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Largohet Baca Adem Istrefi – Shkrimtari që na la peng fjalën… – Behar Gjoka & Flamur Gashi

Gazeta

Shkrimtari Adem Istrefi (1942-2020)
Shkrimtari Adem Istrefi (1942-2020)

Largohet Baca Adem Istrefi – Shkrimtari që na la peng fjalën…

nga Behar Gjoka & Flamur Gashi

U shua dielli për shkrimtarin Adem Istrefi!

nga Flamur Gashi

Sa herë flisnim për Kosovën, për Pejën, për Strellcin – vendin e lindjes tënde, të mbusheshin syt me lot dhe të dridhej mustaku i bardhë…
Malli dhe afshi i shpirtit të dogji për së gjalli, duke “pritur” që ta “Lëshojnë Hisen e Diellit!”
Me mish e me shpirt u mundove që të sjellësh brenda vehtes zjarrin e dashurisë së Kosovës në Shqipëri që aq shumë e deshte, por që zhgwnjimet nuk i kishe të pakëta…
Vuajtjen tënde shpirtërore më së miri e shprehe në vargjet që shkrove për këngët e Dervish Shaqes, e sidomos me vargun:
“Kur ta ktheva Kosovë shpinën,
E lash verë e gjeta dimën…”
U prehsh në parajsën e përjetshme, mik i dashur dhe i shtrenjtë!
…………………………
Adem Istrefi, lindi me 14.03.1942 në fshatin Strellc i Epërm, të Pejës.
Në moshën 14-vjeçare, u largua nga vendlindja për në Shqipëri (1956).
Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës (dega Gjuhë e Letërsi shqipe).
Ka punuar si redaktor në revistën “Nëntori”.
Është ndër poetët më të shquar shqiptarë.
Lamtumirë mik i mirë dhe i dashur…
.

Adem Istrefi
Adem Istrefi

Baca Adem Istrefi na la peng fjalën

nga Behar Gjoka

Ndahet nga jeta në moshën 78 vjeçare, shkrimtari Adem Istrefi. “Lëshoma hisen e diellit”, asht klithma që la pas, një klithëm për Dardaninë e pushtueme nga serbët. Po kaq një klithëm për qenien arbnore që gjallon e copëtueme në disa shtetet. Lëshoma hisen e diellit, është një klithëm e qenies njerëzore. Do të mjaftonte kjo klithëm kozmike që të ketë vendin meritor në panteonin e letrave shqipe. Baca e bani detyrën qysh në gjallje, por e la fjalën si peng për ne, për ata që mbeten pas. E kam njohur personalisht, kushedi sa kafe kemi pi, kushedi sa biseda bëmë, e prap kushedi se sa copëza bisedash i mori me vete… Kur ikën një njeri ke dhimbje. Kur ikën një i afërm dhimbja asht ma afër, pra është më e madhe. Kur ikën një shkrimtar, dhimbja dhemb, por fjala e lanëme në libra është si një kangë që nuk ndërpritet. Adem Istrefi, në jetën e vetë, ka përvijuar tri përmasa:
 
A – Poet, me fillesa në vitin 1967 me
“Net Kosovare” për të vazhduar më tej:
“Mëngjesi i së nesërmes” (1969),
“Dritaret e fjalës” (1972),
“Gjerdan lirie”, (1977),
“Pasha këte dhe” (1982),
“Në shuplakë të ditëve shkrova” (1986),
“Një zog midis meje e diellit” (1989),
“Pa therra në fyt” (1995)
“Arti i vdekjes bukur” (2004)
 
B – Prozator me romanet
“Lëshoma hisen e diellit” (1984),
“Lemeria” (1992),
“Kallukanxha” (2001),
“Nganjëherë bëja me sy vdekjes” (2004),
“Askundia” (2004) dhe më përmbledhjen e tregimeve me titull
“S’mund t’i lija pa folë” (1989).
 
C – Publicist dhe redaktor,
që ende fle në faqet e revistës Nantori, të botimeve në disa gazeta, sidomos me kontribute të çmuara në gazetën Rilindja e Kosovës, kur botohej në Tiranë.
Baca e la pas fjalën, si peng që ne të kthehemi te ai, edhe pse në shumë raste e humbëm shtegun për te Ai, humbëm kohë të vyer, sërish kemi shansin, të llafitemi përmes fjalës së tij.
Paqe mjeshtër!
.
Adem Istrefi ne Lidhjen e Shkrimtareve
Adem Istrefi ne Lidhjen e Shkrimtareve

Poezi nga Adem Istrefi

Çamërisë ç’i panë sitë

O zot ç’mynxyrë e ç’barbari qe kjo,
krejt si në Trojë grekët grekçe na therën!
 
Iku kush iku, të tjerët zjarri i përvëloi.
Rri, o zot, mos fol,
në bri të kaut s’u fshihka dhembja,
dhe as ndër kisha s’u shkruaka historia,
mizori si kjo kujt tjetër i panë sitë,
atje çam i ndyrë, këtej çam i djegur,
vallë veten të bindnim se hak kishim mizorinë?!
.

Baca i Kryengritjes

(Ndryshe si mund të quhej Hasan Prishtina)
 
Kur ia vranë kryengritjes bacën
Thanë ia shuan lirisë gacën…
 
Mbi shtratin e një topi po vjen
i mbështjellë me flamur rrethu me dashuri
Nga një cep Jugu në një cep në Veri
 
Mbi shtratin e një topi
e në shpirtin e një kombi
 
Po hyn i gjallë
Po vjen me u çmallë…
 
S’dimë ku të të pushojmë
S’dimë ku të të mbajmë
Çdo pëllëmbë shqiptare ta ka borxh një varr.
 
Se në atë dhè të huaj të ftohtë e të zi
Një fije bar a një gjethe në degë
S’ta tundnin erërat mbi varr
 
E s’vinte Shqipëria me nëna e bij
Të të mbillte lule e këngë përmbi…
 
(Nga vëllimi “Pasha këtë dhe”, Tiranë,1982)
.

Lojë qençe

Unë i flas si njeri, ai me gjuhë qeni flet,
qençe leh, atë gjuhë di.
(Këtë gjuhë kurrë s’e mësova)
 
i ziu unë sa i humbur mbeta!…
Derrit s’po di t’i them dajë
dhe copa eshtrash s’po di t’i lëpij,
 
i ziu unë që mbeta njeri
dhe qençe të leh s’po di dhe s’po di!…
 
(S’di sa mijë vjet dhe këtë gjuhë s’e mësova.)
.

Urtia e pestë

Ti në daç thuaj mik
atij që për çdo fjalë tënde rrah shuplakë
e për çdo fjalë tënde thotë është e artë…

.

Urtia e shtatë

Edhe nëse je më i miri i gjithë poetëve,
do të vijnë të tjerë më të mirë se ti!
Kurrë s’ka fund urtia, baco!
.

Sylarushja

(Këngë pleqërishte)
 
Po të ish shpirti kalavesh me rrush,
kokrra-kokrra do të ma kokrronin
ato gra që më patën dashur…
 
(Mos më thoni a i deshe
edhe emrat ua mban mend)
 
në sofër të këngës asnjë s’e shtrova,
mjaltë e qumësht gjatë nuk pinë,
 
sylarushja bardh’ si bora
shpirtmjaltë, mjaltë ndër hoja
 
m’u shtrua në sofër, më s’u ngrit
dhe më piu ditë përditë.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.