back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

“Lahuta e Malcis’ “ dhe Lahuta e… UNESKO-s – nga Frano Kulli

Gazeta

At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)
At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)

Lahuta e Malcis’ “ dhe Lahuta e… UNESKO-s

nga Frano Kulli

Gjergj Fishta: I mbylli sytë me 30 dhjetor 1940

 Shumëkush që Gjergj Fishtёn e ka njësuar me “Lahutёn e Malësisë”, me kryeveprёn e vet letrare, e dì se përreth saj janë sjellë e pshtjellë (mbështjellë) lavdia e pakundshoqe për poetin, e cila vijon të jetë e tillë në vetëdijen e ngurtësuar prej më se një shekulli, kur është shkruar. Po edhe anatemat letrare gjithashtu, prej “Lahutës…” i kanë ardhë. Kryesisht nën përçmimin “moda vechia”, sidomos kohëve të reja, mbasi emri dhe vepra e tij u shkund disi prej pluhurit e baltës së shumtë me të cilën e kishte mbulue rregjimi.
Vetë njësimi i tij me “Lahutën…”, duke mënjanuar me rrallëpërmendje gjinitë e tjera, dramaturgjinë, publicistikёn e satirën e paarritëshme, në të cilat, ai kishte shkëlqyer gjithashtu, ka qenë dashakeqësija e parë e madhe përkundër tij.
E tani, krejt më së fundi, kur edhe vetë tingulloren e lashtë (lahutёn), akademikët tonë eunukë dhe zyrtarët shakllabana e “të pa din e të pa iman” të kulturës e lanë për llogari të serbëve në rregjistrin e UNESKO-s, kanë plotësuar edhe një përpjekje tjetër në përlargimin e tij prej trashëgimisë sonë kulturore e idenditare.
Po, herë tjetër do të flasim më gjatë për këtë akt që vetëm dashakeqët e vendit të vet bëjnë të ndodhë një gjë e tillë…
Ne le të kthehemi te Fishta ynë. Ai i mbylli sytë me 30 dhjetor 1940, pra mbushen 78 vjet. Shtëpia ku ka lindë me 23 tetor 1871, Gjergj Fishta, nuk është më. Ai ka qenë rreth tri vjeç, kur familja lëviz e shkon në një shtëpi tjetër, fare afër aty ku tubohen edhe shtëpitë e tjera të katundit. Kjo e fundit është akoma në këmbë, atje në Fishtë të Zadrimës, në fshatin e tij të lindjes, jo më larg se pesëmbëdhjetë kilometër nga qyteti i Lezhës. Fare pak më larg nga Shkodra, gjithashtu.
.
Lahuta - Nji nder veglat ma te vjetra muzikore
Lahuta – Nji nder veglat ma te vjetra muzikore
Gjergj Fishta (atëherë Zefi i Ndokë Simonit) largohet prej këtu, mbasi mbush gjashtë vjeç. Atë Marjani nga Palmanova, një misionar françeskan venedikas, ua lyp prindërve të vet dhe e dërgon në Shkodër, në shkollën që françeskanët kishin hapur në atë qytet që nga viti 1861, e para shkollë në Shqipëri, që do të ishte “shkolla e të vorfënve, e kambë-zbathunve, e të harruemve, e fshatarëve, që ma vonë do të pagëzohej shkolla “për antonomazí” shqiptare”. Aty u shfaq për herë të parë, melodrama shqip “Nata e Këshnellave”, e përpunueme nga Atë Leonardo de Martino – poet arbëresh, me të cilën hapet për herë të parë sipari i teatrit kombëtar…1]. Në vitin 1880, në Kuvendin e Fretënve në Troshan, hapet për herë të parë Kolegji Françeskan Shqiptar prej At Marianit të sipërpërmendur dhe At Giampiero nga Bergamo. Fishta (pra Zefi 9 vjeç) është ndër të parët nxënës. Këtu nis udhën e meshtarisë, më pas, prej këtu së bashku me gjashtë vërsnikë të tjerë, në përkujdesjen e At Lovro Mihaçeviq, asokohe Provinçial i Provincës Françeskane Shqiptare të këndellur, pas rrënimit të saj të mëparshëm, shkon për studime në Guca Gora, në kuvendin Sutiska për këndimet e filozofisë dhe më pas ato teologjike në Livno, në Bosnje. Kthehet mbasi mbaron studimet në vitin 1893, tashma jo Zefi, por Pader Gjergji. Me 25 shkurt 1894, thotë Meshën e Parë në kishёn e Troshanit, taman aty ku edhe e kishte nisë rrugen e vet të apostullimit. Mandej frat i ri në Gomsiqe, në Hot, (aty ku takoi e njofti mirë Marash Ucin, malësorin e urtë e trim e të ditun, që u ba personazhi epik – shëmbelltyrë i kreshnikut dhe zanafilla e vetë poemës epope) e në Lezhë… Të shumtat e viteve të jetës i kaloi në Provincën Françeskane në Shkodër, por edhe… në Tiranë, në Korçë, në Manastir, në Romë,në Bruksel, në Vjenë, në “Turki të re”, në Amerikë, kudo ku e lyp misioni në punët e mëdha të kombit. Rrallë, fort i bie rasti me ardhë në Fishtë. Kthehet përmallshëm, në shtëpinë e të parëve për krejt pak ditë, në ditët e mbrame të jetës, në dhjetorin e vitit 1940.
Ka kaluar gati rreth një shekull e gjysëm prej fillimit. Shtëpia tani është një ngrehinë e cila ka pak të ngjashme në atë fshat e në të tjerë fshatra aty rrotull. Jo vetëm për arsyen se peisazhi arkitekturor i fshatrave, thuajse është përmbysur vizualisht, por edhe për pavlefshmërinë utilitare të saj si banesë. Tani ajo është bosh, pa njerëz brenda. Vërtetë, dalëngadalë ajo shtëpi po rrënohet dhe nuk do të jetë e largët dita kur ajo do të shembet. Sigurisht se nuk do të mbetet ndonjë familje e pastrehë, në këtë rast, e cila do t’i shtohej numrit të fatkeqëve, që gjithsesi nuk janë të pakët. As nuk do t’i mungojë Zadrimës ndonjë banesë që ka mbartur a mbart vlera të veçanta arkitekturore. Ka pasë ajo krahinë, si edhe jo pak të tjera në Shqipëri, vlera të shënuara të qytetrimit, të barasvlefshme me vlera të qytetrimit europian, të cilat janë shuar e fundosur “shtatë pash nën dhé” nga rrëmetet e kohës, por edhe prej mirënjohjes sonë të zhgarravitur për etnosin e qytetrimin tonë… Por shtëpia e poetit, më shumë se si banesë, të grish si një simbolikë, të josh geni i racës së poetëve, zanafilla e gjeniut… Ky meditimi im vjen si një tis shqetësimi i përsëritur që kam parë e ndjekur këto ditë në medie, veçanërisht në atë të rrjeteve sociale, i cili konvergon (qendërzohet) në një pikë të arsyetimit: përse kjo sjellje e parrespektëshme ndaj një simboli të rëndësishëm të një personazhi simbol të kulturës dhe historisë së kombit si Fishta…! Kjo besoj se përbën nevojën e përkujdesjes për atë shtëpi, restaurimin dhe mirëmbajtjen e saj, kjo është e përbashkëta e gulçimit tonë, gjithashtu.
Vepra e Fishtës "Lahuta e Malcis"
Vepra e Fishtës “Lahuta e Malcis”

Fishta ka për banesë pjesën e vet në Tempullin e Vlerave të Kombit, në kujtesën dhe shpirtin e shqiptarëve, kudo janë, anë e kënd botës. Porse parija e vendit e ka për detyrë përkujdesjen edhe për reliket, si për gjithçka tjetër të lidhur me njerëzit e vlertë të historisë së kombit… Ajo murana, sipër së cilës është vendosur një kryq i madh dhe shënimi: këtu u lind Poeti kombëtar, frati i Madh Gjergj Fishta, meriton të jetë qendra e pelegrinazhit kulturor, për të cilën ka tagër dhe detyrë ta bëjë udhëheqësia. Porse shteti shqiptar nuk e ka dashur asnjeherë përnjimend Fishtёn, edhe ai i bashkëkohësisë së vet nuk e qasi, madje, sikur Fishta të mos kishte atë “strehë” gjigande në vetëdijen e popullit, jo vetëm do ta ndalonte a edhe do ta dëbonte për ca kohë, siç bëri, po nuk e di se ç’mund të bënte edhe më… E shumta e njerëzve të shtetit shqiptar [sot], jo veç nuk duen, por as nuk janë të zotët, me ia sjellë të mbarёn e të mirёn shtetit e kombit, e se prandej këta janë ata mikrobe që janë tue ia pi gjakun e tue ia shkurtue jetёn Shqipnisë së mjerë.2] Do të qortonte ai shumë e shumë herë kështu, në mediumet e kohës po edhe në parlamentin shqiptar ku qe zgjedhur deputet dhe nënkryetar.

Shteti dhe qeveritë e tij nuk e kanë dashur asnjëherë meritueshëm trashëgiminë kulturore të këtij vendi, sepse ai thesar ka qenë gjithmonë “konkurrenti” i qeverive, përgjithësisht të mangëta që ka pasë shteti shqiptar qyshse është themeluar. (Padyshim, rrënimtarja më e madhe ka qenë diktatura)
Një tempull, ku do të naltoheshin vlerat e kombit, në të cilin do të kishte një vend edhe pёr Fishtën, Shqipëria ende nuk e ka skicuar dhe as do ta ketë edhe për shumë kohë me gjasë. Kush ta bëjë tempullin?
Këta prijësit e Shqipërisë që po e ç’bajnë dita me ditë këtë vend? Nga reliket, nga trashëgimia jonë, nga gjithçka e vlertë idenditare? Këta që po e shtyjnë e pështyjnë përditë rininë e këtij vendi drejt theqafjes nëpër botë? Vetëm e vetëm për të ruajtё feudet e veta të mykuna!
.
1]Pal Duka-Gjini; Gjergj Fishta- Jeta dhe veprat, Romë 1992, fq. 21
2] Fishta – Hylli i Dritës,1924/2 fq. 80
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.