Lady Macbeth del nga skena… – nga Sami Repishti

Sami Repishti

Sami Repishti

Lady Macbeth del nga skena…

nga Sami Repishti

...Mallkim i së kaluemes,
dhe prognozë e së ardhmes saj:
harresa e përherëshme…!
Ph.D.*/Dielli
.
Ridgefield, CT.- Titulli i sipërm më erdhi në mend kur lexova në shtypin shqiptar lajmin e vdekjes së Zonjës Nexhmije Hoxha, bashkëshorte e satrapit aziatik Enver Hoxha, dhe figurë krysore e terrorit 46 vjeçar komunist në Shqipëri. Vdekja e çdo qenie njerëzore ashtë nji humbje për njerëzimin, dhe nuk duhet mirëpritë, as duertrokitë. Shprehja e zakonshme në raste të këtilla ashtë: “Pushoftë në paqë!” Për klerikun “Fale o Zot!”
Por, e vdekuna Nexhmije edhe mbas vdekjes nuk na lejon nji qendrim të këtillë, me testamentin e saj: “Të dashur bijtë e mi: Ilir e Teuta”, nji “stream of consciousness” që duket e ka torturue ate për së gjalli e që u ba publike në ditët e fundit të jetës saj. “Letra” asht nji pasqyrë besnike e personalitetit të saj, e shpirtit të saj hakmarrës, e frymës saj anti-njerëzore, e qëndrimit të saj anti-natyrë, anti-prind ndaj fëmijve të vet, dhe e paaftësisë saj me kërkue falje për krimet e shumta, me ose pa qëllim, e që karakterizojnë natyrën e saj jo të natyrëshme. Mëkat!
“Letra-testament” fillon me shprehjen: “Qofshi të gëzuar e paçi bekimin tim për gjithë jetën!” dhe menjiherë ndanë veten nga Zoti; “Unë nuk njoh Zot. Perëndia e ime është ndërgjegja, mirësia, dashuria, ndershmëria, e vërteta, bukuria te njeriu, shoqëria dhe natyra…” nji përcaktim që të kujton Shën Françeskun e Assizit!! (më falni krahasimin)
Tue numërue cilësitë fisnike që pajisin njerëzit me ndërgjegje të pastër, ajo nuk gjen fjalë tjera, shprehje të përdoruna gjatë jetës saj të stërgjatun dhe promotore e diktaturës konuniste. Pa dashje ose pa dituni, ajo i referohet diskursit fetar. Nuk njeh Zotin, por “Perëndia” e saj ashtë “dashuria”. Pranon kjo “nanë”, dhe ushqen diktaturën, përçmon “ndërgjegjen dhe mirësinë’, por ndihmon e zbaton ekzekutimet e ma shumë se 7.000 shqiptarëve që kundërshtuen diktaturën, tue përfshi 450 gra e nana, tue burgosë 7.367 gra, tue lejue vdekjen e grave në burgje, tue çmendë në tortura 308 të burgosun burra e gra, tue internue 10.712 gra me fëmijë të vegjël, si dhe tue dëshmue pa i lëvizë qerpiku i synit vdekjen e 7.022 të internuemve, disa prej tyne të ndrymë në kampe që nga vitit 1945… Të gjitha këto krime në emën të “dashurisë”!.
Këtu erdhi në mend shprehja e Shakespear-it: “I laid the daggers ready; He could not miss ‘em!” (I rreshtova thikat që mpreha; Ai s’mund të kalojë pa i parë…” (Macbeth, Akti II, Skena 2)
“E vërteta, ndërgjegjja dhe mirësia” e kësaj grueje aprovuen vuejtet e mijëra familjeve shqiptare të pafaj, arrestimin, torturën, dhe dënimin me vite të gjata jo vetëm të personave të mendimit të lirë si heroinat Musine Kokalari e Sabiha Kasimati, por edhe “shoqet” e saj të luftës kundër pushtuesit si Liri Belishova, dhe ekzekutimi i shoqes Liri Gega-Ndreu, me shtatzani pesëmujore – e papame ne botën e qytenueme! – vetëm sepse mendonin ndryshe mbasi u dekurajuen dhe kuptuen gabimin e madh të rrugës që kishin ndjekë dekada ma rradhë…!
Ose me moralizim: “Të kesh bekimin e nanës… të bën të jetosh i qetë në paqë me ndërgjegjen tënde, i dashur, i lumtur në familje, sidomos në shoqëri…” “Fjalë, fjalë, fjalë, Imzot, vetëm fjalë…!” (Shakespeare) e paturpsi!
.
Nexhmije Hoxha (1921-2020)

Nexhmije Hoxha (1921-2020)

.

Në rastin tim dhe nanën time 60 vjeçare të internueme në Berat dhe Tepelenë, me dy fëmijë akoma të parritun, shprehjet e Lady Macbeth më irritojnë për hipokrizinë e saj të pa fund. Atëherë shkrova:
“…E mjera nana e ime, e kuptonte se gjendja ime mbas lirimit nga burgu ishte keqësue për mue përtej çdo ndihme që ajo mund të jepte… Mbas nji heshtje të gjatë, ajo m’u drejtue me nji za të nderpremë nga vaji e lotët që më frikësoi e më këputi shpirtin njikohësisht. “Atje e ke mendjen” më tha, tue ju referue Botës së Lirë. “Unë e kuptoj se për sa kohë që rrin me mue… mysafir të ka nana në shtëpi…”. Nuk ia doli me mbarue fjalën si duhet e u shkreh në vajtim të pandalshëm. Lotë e dënesë nuk pritshin njeni-tjetrin, e tue mbulue fëtyrën me duer të thame nga vuejtja e puna e randë, plaka e krrusun mbështeti kokën mbi jastëkun e qoshës së dhomës.
U ngrita menjiherë. E mora në krahët e mi. Pa e zbulue fëtyrën e pa e ndalue vajin e dënesen ajo vuni kokën mbi supin tim e u lëshue krejtësisht si foshnja e pafuqi mbi parzmin tim. E mbajta afër meje, e me nji afsh që kurrë nuk e përjetova përsëri e shtërngova në gji krijesën ma të dashtun për mue që pak ma vonë do ta braktisshe për jetë…!” (Pika Loti, 1997)
Si mund të jetosh në paqë o Lady Macbeth?!
Lady Macbeth! Kjo përfaqsuese e denjë e krimit komunist në Shqipëri, u akuzue dhe u dënue pa nxjerrë në shesh aktet e saj anti-njerëzorë në fushatën e Partisë Komuniste, tue krijue nji atmosferë terrori ma parë, dhe tue zhvillue fushatën e rekrutimit të elementit të përshtatshëm, idealistë të verbuem ose kriminelë të etshëm për gjakderdhje. Në këte atmosferë mbytëse nga krimi i përditëshm me kujton tregimin e “partizanëve” të penduem e të burgosun mbi gjestin makabër të Lady Macbeth gjatë qëndrimit të saj në çetën e Pezës, me komandant Kajo Karajfilin, atentatorin kriminel në Tiranë. Në vitin 1942, gjatë nji aksioni ushtarak u zu rob nji ushtar italian. E sollën në Pezë dhe kërkuen dënimin e tij. Lady Macbeth sugjeroj t’i pritet koka robit dhe të jepet shembull për fatin e kundërshtarëve.
Ashtu u ba! Lady Macbeth mori kokën e përgjakun, e ngriti nalt dhe thirri: “Kështu e pësojnë armiqtë tanë!”
Asht kjo monstër që fati e vendosi në pozita vendim-marrëse… me mprehë thika, ma vonë objekt krysor i urrejtjes popullore.
E smurë nga vesi i gënjeshtrës pathologjike, në “Letrën” e saj të fundit ajo i referohet: “…luftës së egër, hakmarrëse, i përndjekjeve të paimagjinueshme, akteve barbare si ai i zhvarrimit të babës tënd,
shpërnguljes me dhunë dhe degdisjes së familjes tënde në një skaj të Tiranës, në një banesë gjysëm të shkatërruar, pa drita, paujë…”.
E smurë pa shërim!
E pabesueshme për të gjithë ne që përjetuem 46 vite të njajtat të zeza të shkaktueme nga “çifti Hoxha” për miliona shqiptarë, por që djali Ilir i pranoi si bir i denj i diktatorit, “…në luftën e pamëshirëshme kundër forcave reaksionare, revanshiste, anti-komuniste dhe antikombëtare…!
Vuejtja e saj në burg kaq e trumbetueme nuk duhet të ketë qenë si ajo e të burgosunve politikë për 46 vite me rradhë: burgimi me tortura çnjerëzore, poshtënim sistematik, kondita sanitare jo ma të mira se ato të kampeve naziste. Gjatë nji vizite në burg, tregonte e ndjera Zonja Nexhmije Zaimi, shqiptaro-amerikane – ish shoqe e shkollës me Lady Macbeth, – e pyeta nëse dëshironte diçka: “Nji ‘hairbloëer’ për flokët” u përgjegj e burgosuna. Kjo përgjigje tregon ma shumë se nji volum, sidomos kur dihet se nuk ka pasë banjo për pastrim në asnji nga burgjet dhe kampet që kalova unë…! Dhe kur flitet për takimet njiminutëshe mujore, ajo nuk u trajtue si e mjera nana e ime…!
“Nji ditë u transferova nga nji burg në tjetrin. Gjatë rrugës pashë nji grumull prindësh të rreshtuem pranë murit që të hapej rruga për kalimin e kolonës së të burgosunëve. Pa pritë më doli fëtyra e nanës… Me nji lëvizje të hovëshme, ajo u lëshue drejt meje, por nuk ia doli qëllimit. Me krahë të shtrimë dukej sikur do të më përqafonte. Në at çast roja me shtyu me forcë, e kur ktheva kokën me pa nanën edhe nji herë, ato krahë të shtrimë që m’u duken sikur më dhanë jetë, pashë vetëm trupin e palosun të nanës plakë e dy duert e saj që mbanin barkun, siç duket, nga dhimbja e shkaktueme prej shkelmit të këpucës së flliqun ushtarake që e hodhi përmbys. Mandej pashë pështymën e ndytë të policit që u ngjit në rrobet e nanës sime…” (Pika Loti, 1997)
“Dashuria, mirësia, ndërgjegjja” e saj nuk e lejojnë mëshirën (shprehja që nuk shihet në “Letrën” e saj!) për gruen e djalit “nji e smurë nga nervat” siç ban çdo qenie njerëzore për nji tjetër që vuen. Ajo ka nji preokupim për fëmijtë e fëmijtë e fëmijve…” mbrojtjen, brez pas brez, të emrit, rolit e veprës së (gjyshit tyne) Enver Hoxha!
Shprehja fisnike romake: “Për të vdekunit vetëm fjalë të mira!” më vjen e huej sot. Nuk mund të gjej “fjalë të mira” për këte monstër mishngranëse.
Më fal o Zot!
Jam dëshmitar i jetës në ferrin e pushtimit fashist e nazist, e terrorit komunist në Shqipëri, jo si “politikan”, “personalitet” i politikës shqiptare, por si student, si nji i ri që u ndërgjegjsova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe etja e madhe për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i jetës me dinjitet…! Për këtë, kalova dhjetë vjet të gjata në burgjet enveriste, dhjetë vjet të rinisë sime. Në nji ambient të këtill u brumosën shpirtnat e rinisë shqiptare, dhe këtu qëndronte edhe sfida e jonë e madhe. A do të kishim na ende vullnetin për nji ringjallje morale të vërtetë? Me shenjtënue jetën e çdo njeriu, me forcue bindjen tonë në liri dhe dinjitet, e të drejtat e të gjithëve, edhe për ata që mendojnë ‘ndryshe’ nga ne?
Vetë ideja që kujdesi i jonë përqëndrohej në mendime të tilla na mbante gjallë, kryenaltë e të vendosun. Në burgjet e fashizmit e të komunizmit rinia shqiptare e atyne ditëve heroike hidhte bazat e nji bashkësie vëllaznore të lirë, e të çlirueme nga mentaliteti i persekutimit nga nji “shtet monster”… që na përpiu në gabzherrin e tij mishngranës.
Ashtë pikërisht ky “shtet monster” i Lady Macbeth, bashkëpunëtore krysore e satrapit aziatik që ndërtoi nji Shqipëri për 46 vjet të gjata, ku qytetarët u detyruen me u transformue në “qen të stërvitur” në shërbim të padronit maniak.
Kjo tragjedi kombëtare solli gjendjen e sotme, ku disa janë mbushë me helm, disa me pasuni prrallore, e të tjerët largohen nga votrat stërgjyshore si popull i mallkuem. “Shqiptarët” ky trashëgim shumë shekullor, nuk e morën veten përsëri. Zemrat e djeguna nuk gjejnë ngushëllim… e krimineli i padënuem jeton jetën e rehatëshme që nuk e meriton…!
Vetëm ai/ajo që vajton për viktimën e pafajshme, që mallkon kriminelin, dhe që pranon me pague çmimin e randë që kërkohet, “…realitetin dantesk të qelive të egërsisë kafshërore të dhunës së hetuesisë komuniste për të zhbërë njeriun në një “masë të qullët’, pa identitet njerëzor, të asfiksuem nga frika…” (Agron Tufa) frika e qenies i lirë, i ndryshëm nga të tjerët, frika nga kritika e “tjetrit”, anmiku sartrian, frika e ndëshkimit për përqafimin e ‘njeriut që mendon’… Për vite të gjata sidomos gjatë viteve të burgimit tim, kam ngushëllue veten tue refuzue urrejtjen që më kërkonte ana landore e qenies sime dhe tue ruejtë me pasion dashuninë për vete e për të tjerët që vuejshin si unë, ma shumë se unë, dhe i thashë: Jo! së keqes së pakufishme… tue shpëtue kështu “njeriun” te unë. Kurajo civile kjo, “akoma më e fortë se kurajo ushtarake” (F .S. Noli.)
Raca që mendojshim e që unë përqafova me nji besim që “mbrenda guaskës së trupit gjindet diçka e gjallë (jo “e qullët”), nji ndjenjë dhe aftësi me përballue situatën që imponohej, nji kundërshtar që kërcënonte, nji peshë monstruoze që asgjasonte… e me ndërtue nji Shqipëri të re ku njeriu t’ishte nji qenie njerëzore si unë, dhe vëlla me mue. Në këte atmosferë shprese u ngrit fryma e vëllaznimit, solidariteti i të përjashtuemëve, i vuejtësve të pafaj, dhe bashkoi familjet e tyne në luftën për mbijetesë. Solidariteti i qenieve të lira!
“Lulëzimi” i tiranisë komuniste u sigurue dhe u ushqye (simbas Berndt Fischer), nga shtypja e plotë e “disidencës”, sidomos asaj intelektuale, e akuzueme zyrtarisht si përgjegjse e plotë e të gjithë dështimeve e të metave të sistemit socialist dhe udhëheqjes tij të paarsimueme e të dalun nga indoktrinimi stalinist; sepse, intelektualët janë qenie njerëzore që mendojnë!”.
Kështu, përfunduem në nji sistem “survejimi global” me të gjitha metodat ma violente: luftë klasash të pamëshirëshme, zhdukjen e pronës private, bazë e domosdoshme për ruejtjen e pavarësisë ekonomike të qytetarëve nga monstri-shtet, e nga pasioni i pushtetarëve. Asht ky pasion konstant për 46 vjet me rradhë që solli nënshtrimin masiv, që pruni “skllavërinë e vullnetëshme” rreth së cilës zhvillohen temat kryesore të mendimit politik sot në Shqipëri.
Krimineli komunist shqiptar, i veshun me rrobën staliniane fitoi betejën, por jo luftën finale për njeriun e lirë. Ai përvetësoi mendësinë e muzhikut “sovjetik” pa traditën europiane të Renaissance-ës, e Humanizmit tue mbetë kështu rob i errësinës mesjetare në zemër të Europës që zhvillohet vazhdimisht.
Përqëndrimi i rezistuesve demokratë krijoi shpresa për të gjithë se do të vij kthesa e jonë në vlagun e kulturës europiane, dhe për këte ata duhet të respektohen.
Kjo ashtë vlera historike për këto legjone të etshme për liri, demokraci dhe përparim. Kjo asht merita historike e punës së tyne, dhe mirënjohja e nji popullit mbarë.
Nji shënim personal mbi vuejtjen. Ditën e parë mbas lirimit nga burgu, u ktheva në shtëpinë atnore, të shkretueme nga moskujdesia dhe të damtueme nga qiraxhijtë komunistë që e banonin. “Pa kalue shumë kohë, diktova në gjestet e tyne, nanë e motër, se diçka serioze i trazonte. E mora nanën pranë vetes, i hodha krahun mbi shpatulla, e me za të ulët e pyeta: “Më thuej nanë, ke ndonji lajm të keq me dhanë? Më fol haptas të lutem, më thuej çka të mundon përmbrenda…!”
Ajo u mendue pak. Edhe motra uli sytë. Mandej, me nji za që dridhej, nana më tha: “Nuk kemi bukë… nuk kemi triska… e motra nuk gjen punë…!”
I tronditun, ula kokën e heshta!
“Sic transit gloria mundi”, Lady Macbeth! “Ajo varroset në krah të Enverit; mungojnë i biri Sokoli me të shoqen Liljanën, dhe po ashtu dhe mikeshat e ngushta të Nexhmijes me të cilat ndau pushtetin për dekada… si dhe ish-zytarët e lartë të nomenklaturës komuniste… E vërteta është se në ceremoninë mortore të së vesë së diktatorit nuk u shfaq asnjë nga ish-zyrtarët e lartë të kupolës së dikurshme” (Panorama, 28.02.2020).
Mallkim i së kaluemes, dhe prognozë e së ardhmes saj: harresa e përherëshme…!
 
*Autori ka qenë i burgosun politik, me familje të internueme…


Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook