back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Ky moskuptim i përjetshëm i dashnisë – poemth nga Jozef Radi

Gazeta

ndër dashni që jetojnë edhe kur s'jetojnë...
ndër dashni që jetojnë edhe kur s’jetojnë…

Ky moskuptim i përjetshëm i dashnisë

poemth nga Jozef Radi

Ti s’e din sa të kam dashtë,
as un’ s’e di n’se m’ke dashtë po njaq,
ndoshta në t’vërtetë s’jem dashtë kurrë
o ndoshta jemi dashtë ma pak se me dashtë…

S’e di, në m’ke dashtë kur s’ke mujtë me dashtë
o t’kam dashtë kur s’kam dijtë me t’dashtë,
veç si ndër mjegull m’asht shfaqë nji kalorëse
e n’përqafje lshue, m’ka thanë: Erdha!

Ishte nji ditë vjeshte tue u rrzue n’dimën…
ti mshtjellë me erë, me gjeth’ e me mjegull
m’u fanite, e s’mujta me ta mbajtë mend as ftyrën!
Ishte vjeshta tue u mshehë n’dimën
a nji bekim perendie, që ecte nëpër terr…?!

E ti ishe ma e bukur se e bukur,
bash pse unë s’të pashë të plotë,
pse veç vettimë m’iu shkove syve
e ndoshta s’mbrrita as me t’thanë,
njashtu nën hanë,
se ishe njaq e hijshme, sa edhe dimënvjeshtën e bane
me të shndritë ndër dhambë…

Prej njasaj nate kur m’the: Erdha,
n’at çast kishe hikë, ishe tretë
edhe pse deshta me e marrë ftyrën tande
e me ia ngulë vedit gozhdë n’kujtesë,
s’mujta, pse gjanat ma t’bukura s’përsriten n’jetë …

S’e di n’se m’ke dashtë
as un s’e di n’se t’kam dashtë,
ndoshta fjala me dashtë ka ra padashtas ndër ne
o ka hikë prej nesh si fjala me drashtë…
Ndoshta n’jetën tande
janë mija dromcat e vogla që s’bahen bukë
o ndoshta n’jetën teme janë mija çastet
e dhurueme, që s’kam dijtë me i ba bukvale…
Mandej t’kam ndjekë tue hikë qiejve
mos me e lanë vedin njashtu të shndritshëm
ndër dashni që jetojnë edhe kur s’jetojmë…

S’ka ndodhë asgja mes nesh
me i dhanë nji emnën aq t’madh
njasaj që t’i frigohesh me e dhanë
e un druhem me e thanë, o me e kuptue
se ma e madhja fjalë që m’ke lanë,
asht ajo e nji dite n’dekë të vjeshtës,
kur befas m’je shfaqë
mes çorodive ma t’mdha të jetës
e nën zà ke mërmëritë: “Erdha!
Veç për ty kam ardhë!”

S’e di, a kishe ardhë vërtet,
a veç vetminë tande n’vetmi teme me e tretë,
e tue kërkue m’i mbledhë vetmitë
e me i ba bashkë, nji trishtim edhe ma i madh a ma i vogël kish m’u shfaqë…?!

Kishe ardhë njashtu si çupulinë e shkujdesun
me dhurue mirsinë tande hyjnore
prej drite dhe ere, prej mishi dhe shpirti
pse njerzit s’jetojnë kurrë nji jetë t’vërtetë
po veç n’nji andërr hupë diku mes gjethesh
t’nji prendvere, o luleve ma t’para t’majit,
o t’nji vjeshtë mblue n’gjithfar ngjyrash
që në t’hikun, ia shtrojnë qylym andrrave…

S’e di n’se m’ke dashtë
e as e di n’se vazhdon me m’dashtë!
S’e di pse të kam dashtë
e as pse vazhdoj ndoshta me të dashtë
s’e di si m’ke dashtë
po gjithnji kam besue se je gatue m’u dashtë,
s’e di cila asht ajo ditë e bekueme
që kam besue se t’kam dashtë,
mandej, jam rrekë me mbjellë
lule të mshehta mendimesh ndër fjaltë tua,
e kur ndoshta m’ke dashtë me tamam
je vetmue edhe ma shumë
e krejt botës ia ke lshue nji gardh
e vedin s’e ke lanë hupë ndër qiejt grì…

veç vetminë tande n'vetmi teme kishe prù...
veç vetminë tande n’vetmi teme kishe prù…

Nji ditë, kur largsia mes nesh
t’mos jetë as hapsinë, as kohë
po të jetë veç frymë
kena me ia lypë dashnisë kuptimin e vërtetë
kena me e lypë dashninë veç tue ndejtë larg saj
me ia lexue sa ma qartë ndjesitë vedit
e me i dhurue njeni-tjetrit heshtjet magjike
e t’mos bahena ma shumë se mendim
se ma t’bukrat marrì, kurr t’jetueme
vallzojnë veç ndër vetmitë tona t’pleqnueme…

S’e di n’se nji ditë ke me m’dashtë
ma përtej asaj çka asht fjalë,
mos me jetue n’frikë t’pathanave tua
as te ndërdyshja e puthjeve t’përfjetuna,
as te ajo nata e hikjes nëpër terr
ku lakadredhat e njaj trupi t’llastartë
i çmendin edhe zjarret që digjen pa flakë??

E ti shkon shtruet si uj’i nji lumi fushe
me u rikthye mija herë te ajo magjia e s’parës herë
që bash n’çastin kur m’the: “Erdha!” njat dekik kishe hikë…

E tash m’ka mbetë veç droja që t’vibronte ndër sy
e ajo pasiguri e nji shpirti
që besonte se ishte lexue i plotë

Ti ke ardhë,
ti, prap ke me ardhë
ti gjithnji ke me ardhë
me vetmitë dhe heshtjet tua
me njat drojën e dhurimeve tua t’ambla
ke me ardhë, pse n’shpirtin tand
gjithçka e bukur asht veç ndërdyshje
e ndërdyshja n’ty asht ma e madhja dashni…!

Kam me t’pritë n’hikjen tande prej vedit
kam me të dashtë n’at ndërdyshje t’përjetshme
kam m’u përqafë fort me at hijen e kahershme,
njaq fort, sa ke m’u ndje ma e lehtë se balonat
e ke m’u lshue si frymë e avullt, e ke me hupë
ndër ma të kaltrit qiej, që vetë i ke çilë…
Na jena të lirë me mbetë t’robnuem
e robnohena njaq lehtas n’kërkim t’lirisë…

E ndërsa i endja këto vargje për ty e për vedi
jashtë s’rresht nji e lehun e pandalun qeni…
Asht mëngjes vere në të zbardhun
po asht edhe vjeshtë, edhe dimën,
asht nji kohë e pastinë e patrajtë
nji ditë e padatë, ku un vazhdoj m’u rrekë
me shkrue emnin tand n’nji pikë t’thame loti
që s’di prej kah m’ka ardhë, po veç ka ardhë,
e tue dalë n’ngut prej andrre
kam xanë n’thue e jam ra n’ty…

Verë, vjeshtë 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.