Ky moskuptim i përjetshëm i dashnisë – poemth nga Jozef Radi

ndër dashni që jetojnë edhe kur s'jetojnë...

ndër dashni që jetojnë edhe kur s’jetojnë…

Ky moskuptim i përjetshëm i dashnisë

poemth nga Jozef Radi

Ti s’e din sa të kam dashtë,
as unë s’e di n’se m’ke dashtë po njaq,
ndoshta në t’vërtetë s’jem dashtë kurrë
o ndoshta jemi dashtë ma pak se me dashtë…

S’e di, në m’ke dashtë kur s’ke dijtë me dashtë
o t’kam dashtë kur s’kam mujtë me t’dashtë,
veç si ndër mjegulla m’asht shfaqë nji kalorëse
e n’përqafje lshue, m’ka thanë: Erdha!

Ishte nji ditë vjeshte tue u rrzue n’dimën…
e ti mshtjellë me erë e me mjegull
sa s’mujta me ta mbajtë mend as ftyrën!
Ishte vjeshta tue u mshehë n’dimën
e nji bekim perendie ecte nëpër terr…

Ti ishe ma e bukur se e bukur,
ndoshta, bash pse unë s’të pashë të plotë,
pse veç vettimë m’iu shkove syve
e ndoshta s’mbrrita as me t’thanë,
as njashtu nën hanë,
se ishe njaq e hijshme, sa edhe dimënvjeshtën e bane
me të shndritë ndër dhambë…

Prej njasaj nate kur m’the: Erdha,
n’at çast kishe hikë, ishe tretë
edhe pse deshta me e marrë ftyrën tande
e me ia ngulë vedit gozhdë n’kujtesë,
s’mujta, pse gjanat ma t’bukura s’përsriten n’jetë …

S’e di n’se m’ke dashtë
as un s’e di n’se t’kam dashtë
ndoshta fjala me dashtë ka ra padashtas ndër ne
o ka hikë prej nesh si fjala me drashtë,
o ndoshta n’jetën tande
janë mija dromca t’vogla që s’bahen bukë
o ndoshta n’jetën teme janë mija çaste
t’dhurueme, që s’kam dijtë me i ba bukvale…
Mandej të kam ndjekë tue hikë qiejve
mos me e lanë vedin njashtu të shndritshme
ndër dashni që jetojnë edhe kur s’jetojmë…

S’ka ndodhë asgja mes nesh
me i dhanë at emnën aq t’madh
njasaj që t’i druhesh me e dhanë
e un druhem me e thanë, o me e kuptue
se ma e madhja fjalë që m’ke lanë,
asht ajo e nji dite n’dekë të vjeshtës,
kur befas m’je shfaqë
e mes çorodive ma t’mdha të jetës
nën zà m’ke mërmëritë: “Erdha!
Veç për ty kam ardhë!”

S’e di, a kishe ardhë vërtet,
a veç vetminë tande n’vetmi teme kishe prù,
e tue kërkue m’i mbledhë vetmitë
e me ba bashkë, nji trishtim edhe ma i madh asht shfaqë…

Kishe ardhë njashtu si çupulinë e shkujdesun
m’e dhurue mirsinë tande hyjnore
prej drite dhe ere, prej mishi dhe shpirti
pse njerzit s’jetojnë kurrë nji jetë t’vërtetë
po veç n’nji andërr hupë diku mes gjethesh
t’nji prendvere o luleve ma t’para t’majit,
o t’nji vjeshtë mblue n’gjithfar ngjyrash
që në t’hikun ia shtron qylym andrrave…

S’e di n’se m’ke dashtë
e as e di n’se vazhdon me m’dashtë!
S’e di pse të kam dashtë
e as pse vazhdoj ndoshta me të dashtë
s’e di si m’ke dashtë
po gjithnji kam besue se je gatue m’u dashtë,
s’e di cila asht ajo ditë e bekueme
që kam besue se t’kam dashtë
e mandej jam rrekë me mbjellë
lule të mshehta mendimesh ndër fjaltë tua,
e kur ndoshta m’ke dashtë me tamam
je vetmue edhe ma shumë
e krejt botës ia ke lshue nji gardh
e vedin s’e ke lanë hupë ndër qiej grì…

veç vetminë tande n'vetmi teme kishe prù...

veç vetminë tande n’vetmi teme kishe prù…

Nji ditë, kur largsia mes nesh
mos t’jetë hapsinë e as kohë
po të jetë edhe frymë
kena me ia lypë dashnisë kuptimin e vërtetë
kena me e lypë dashninë veç tue ndejtë larg saj
ndoshta kena me ia lexue ma qartë ndjesitë vedit
e me i dhurue njeni-tjetrit heshtjet magjike
e t’mos bahena ma shumë se mendim
e ma t’bukrat marrì, kurr t’jetueme
t’vallzojnë ndër vetmitë tona të çmenduna…

S’e di n’se nji ditë ke me m’dashtë
ma përtej asaj çka asht fjalë
e mos me jetue n’frikë të fjalëve t’pathana
as te ndërdyshja e puthjeve tua,
as te ajo nata e hikjes nëpër terr
ku lakadredhat e njaj trupi t’llastartë
i çmendin zjarret që digjen pa flakë??

E ti shkon shtruet si uj’i nji lumi fushe
me u rikthye te ajo magjia e herës s’parë
që bash n’çastin që m’the: “Erdha!”, kishe hikë…

M’ka mbetë
veç droja që t’vibronte ndër sy
dhe ajo pasiguria e nji shpirti
që besonte se ishte i lexueshëm…

Ti ke ardhë
ti, prap ke me ardhë
ti gjithnji ke me ardhë
me vetmitë dhe heshtjet tua
me drojën e dhurimeve tua t’ambla
ke me ardhë, pse n’shpirtin tand
gjithçka e bukur asht veç ndërdyshje
e ndërdyshja n’ty asht ma e madhja dashni…

Kam me t’pritë n’hikjen tande prej vedit
kam me e dashtë njat ndërdyshje t’hershme
kam m’u përqafë fort me hijen e kahershme,
njaq fort, sa ke m’u ndje ma e lehtë se balonat
e ke m’u lshue si frymë e ngroftë, e ke me hikë
ndër ma të kaltrit qiej, që vetë i ke çilë
se na jena të lirë me mbetë t’robnuem
se na robnohena kollaj n’kërkim të lirisë…

E ndërsa i endja këto vargje për ty e për vedi
jashtë asht nji e lehun pandalun qeni
asht nji mëngjes vere në të zbardhun
po asht edhe vjeshtë, edhe dimën,
asht kohë e pastinë e pa trajtë
nji ditë e padatë, ku un vazhdoj m’u rrekë
me e shkrujtë emnin tand n’nji pikë t’thame loti
që s’di prej kah m’ka ardhë, po veç ka ardhë,
e tue dalë me ngut prej andrre
kam xanë n’thue n’ty…

Verë, vjeshtë 2021

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare, Poezia  Etiketat: , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook