Kuvendi i Lezhës dhe Fryma e Unitetit Gjon Keka

Gjon Keka

Gjon Keka

Kuvendi i Lezhës dhe Fryma e Unitetit Gjon Keka

Me rastin e 570 vjetorit të Kuvendit të Lezhës

Me një krenari të drejtë, por në të njëjtën kohë edhe më një guxim të madh, me një frymë të harmonisë dhe vëllezërisë atë ditë të 2 Marsit 1444, në Katedralen e Shën Kollit fisnorët dhe kryefisnorët e Arbënisë u mblodhën në një kuvend të madh kombëtar dhe historik i quajtur Kuvendi i Lezhës.
Kuvendi i Lezhës nuk është vetëm një kuvend i thjeshtë kombëtar dhe politik, ai është një nga aktet më të mëdha historike të kombit tonë, por ai është gjithashtu edhe një kuvend i madh për mbrojtjen jo vetëm të kombit shqiptar nga barbarët turq, por edhe civilizimin e përgjithshëm të kombeve Europiane, prandaj historia e përgjithshme e Europës duhet ta njohë këtë kuvend si Kuvend Europian për shpëtimin e familjes së përgjithshme Europiane…
Nuk ka përlëvdim më të madh të kombit nëse përfaqësuesit e tij janë të bashkuar dhe kanë ngritur në shkallën më të lartë çështjen dhe fatin e kombit të tyre në vend të interesave të tyre finsore dhe politike.
Prandaj edhe Kuvendi i Lezhës kishte këtë karakter të lartë historik, kombëtar dhe Europian, aty u mblodhën përfaqësuesit e kombit dhe përfaqësuesit e tjerë të disa nga vendeve Europiane që ishin të dërguar si përfaqësues të shteteve të tyre apo edhe që kishin ardhë ekskluzivisht vetëm për të përcjell këtë kuvend nga afër.
Mund të them me bindje të plotë se këtu, nga ky akt dhe brenda këtij Kuvendi pozita e shpirtit, karakterit dhe tërë kombit arbnor ishte në lartësinë më të madhe të historisë së tij, historisë së unitetit të natyrshëm të tij si në mendime, në përfaqësim, në udhëheqje dhe në karakter.
Ne e shohim këtë akt si një element të shkëlqyer të karakterit kombëtar arbnor, guximit për të lëvizur krahët e historisë në drejtim të natyrshëm e që është i shoqëruar edhe me gjenialitet dhe shpirtin unik të kombit tonë që nga krijimi. Prandaj Kuvendi i Lezhës shumë shpejtë zuri vendin e tij të madh në historinë e kombit tonë por edhe një efekt i dobishëm i veprimtarisë së atyre patriotëve dhe përfaqësuesve të kombit në atë kuvend historik të unifikimit të lidershipit (fisnorëve dhe kryefisnorëve) kombëtar.

Kuvendi i Lezhës - 2 mars 1444

Kuvendi i Lezhës – 2 mars 1444

Kuvendi i Lezhës kishte legjitimitetin më të lartë kombëtar, politik dhe ushtarak, aty u pa harmonia, u shuan të gjitha mosmarrveshjet dhe u vendos për unitetin dhe besimin për të ecur krah njëri tjetrit drejt të ardhmes, por edhe në luftën kundër pushtuesit barbar osman. Bekimi më i madh i këtij kuvendi ishte jo vetëm uniteti, por edhe përzgjedhja e Gjergj Kastriotit si lider dhe strateg i krejt kombit dhe luftës kundër barbarëve turq.
Në kuvendin e Lezhës së 2 Marsit vitit 1444, ne mund të shohim se si ideja sublime e sakrificës dhe patriotizmit depërtoi te të gjithë të pranishmit dhe fryma e unitetit i rrethoi të gjithë duke e kuptuar kështu kohën dhe vlerën e bashkimit në rrugën e të ardhmes.
Ata e dinin të gjithë se patriotizmi nuk është thjesht një ndjenjë, ajo është gjithashtu një detyrë e cila mbart përgjegjësinë dhe është e shkruar në zemrën e secilit nga ata që ishin të pranishëm në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë, pra me fjalë të tjera patriotizmi i tyre ishte burim fisnikërie.
Ndërkaq një popull i lirë duhet ta dojë në masën e natyrshme vendin e etërve të tij, përndryshe ai do të zhytet sërish nën zgjedhën e tiranisë dhe skllavërisë së mëparshme. Ai nuk guxon të harrojë dhe të falë të kaluarën gjenocidale që bëri pushtuesi barbar osman, sepse është jo vetëm dobësi, por edhe mëkat i madh, kur një popull apo pushtetarët e papërgjegjshëm ia falin të kaluarën armiqve historikë të kombit tonë.
Duhet potencuar një gjë këtu se pikërisht nga këto gabime dhe mëkate populli ynë shpesh është martirizuar dhe ka qenë shpesh i shtypur në tokën e tij.
Madje Shqipëria e bashkuar vdiq nga haxhiqamilët dhe ballabanët e djeshëm dhe të sotëm, ajo vdiq po ashtu edhe si një martire e politikës duke i mbrojtur parimet e saj të së drejtës historike dhe të natyrshme, por ajo një ditë do ta rikthejë famën e saj, idealin dhe do ta përmbushë testamentin e paraardhësve të saj, duke mos lejuar më që sërish të bëhet martire e politikës, por do të rikthejë natyrën e saj të unitetit dhe rikthimit në familjen e lashtë Europiane.

Kuvendi i Lezhës (pikturë Kala e Krujës)

Kuvendi i Lezhës (pikturë Kala e Krujës)

Gjithashtu ideja e unitetit të shqiptarëve nuk është e re, madje ne e shohim vetëm një zhvillim të nevojshëm dhe një pasojë të natyrshme të këtyre pikëpamjeve dhe koncepteve që kishin jo vetëm kuvendarët e Lezhës në vitin 1444, por edhe ne sot në këtë shekull e shohim këtë si një domosdoshmëri duke mos harruar së uniteti ynë kurdo që të ndodhë është i natyrshëm dhe historik.
Me pak fjalë, Kuvendi i Lezhës është shembull i gjallë dhe akt që jeton brenda shpirtit dhe mendjes së popullit arbnor, dhe shqiptarët e sotëm nuk kanë shembull tjetër më të lartë të unitetit se sa ky akt historik. Kuvendi i Lezhës është për arbnorët, ai i ftoi arbnorët për unitet të gjallë, për ruajtjen e qenies së tij kombëtare europiane në frymën e unitetit, për civilizimin e përbashkët të familjes europiane, prandaj ata që s’e ndjejnë veten arbnorë mund të ikin sa më parë nga atdheu i liderit dhe strategut të kombit Gjergj Kastriotit dhe kuvendarëve të tij të përjetshëm arbnorë. Prandaj edhe politika shqiptare në përgjithësi dhe pushtetarët e saj, politikanët nuk duhet dhe nuk mund të kenë detyrë tjetër, pos të hyrjes brenda këtij shembulli Lezhian, pra unitetit të tij dhe largimit të ndarjeve, urrejtjes dhe interesave egoiste.
Gazeta Standard 27.02.2014

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Hapësirë Debati  Etiketat: , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook