back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kush jemi ne shqiptaret? – nga Ervina Toptani

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Kush jemi ne shqiptaret?

nga Ervina Toptani

Sot, do t’i përgjigjesha kësaj pyetje me fjalët e të madhit Fishtë: ne jemi njashtu siç na don hasmi! A e njohim ne veten përgjat historisë siç na ka njohur bota? Përse është e rëndësishme të njohim rrënjët e të kthehemi tek vetedija kombëtare, tek ajo çka na bashkon e jo tek çka na ndan?
Në librin tim të parë, kam shkruar një kapitull që e kam fort për zemër, që titullohet “Shqiptarët”. Gjithçka që do të lexoni më poshtë është burim i studimit të dokumentacionit të një shekulli më parë, gjë i shton vetëm vlerë ditëve të sotme. Por do ta postoj në dy pjesë sepse materiali është i gjatë, përfshin një kapitull me 100 faqe. Jam munduar ta përmbledh sa më shkurt në këtë shkrim e në shkrimin që do të pasojë pas tij. Ne kemi qënë shqiptarët e mrekullueshëm! Uroj të rigjejmë rrënjët e dëshirën për të bërë të mundur ëndrrën e gjyshërve por dhe të fëmijëve tanë.
…A kanë jetuar shqiptarët gjithnjë në trojet e tyre etnike që përfshijnë pjesën lindore te Malit të Zi, Kosovën, Metohinë, Sërbinë Jugore e qendrore e Epirin e Veriut? Shpesh etnogjeneza e shqiptarëve është politizuar dhe ka qenë nga ato çeshtje për të cilat më shumë është spekuluar sesa është hedhur dritë mbi të vërtetën, shpeshherë e qëllimshme nga armiqtë e kundërshtarët për të mohuar e shkatërruar gjithçka të lashtë e prehistorike në trojet shqiptare.
Çeshtja e etnogjenezës së shqiptarëve ka qënë ndër studimet kryesore të Johan Thunmann në vitin 1774, me botimin e tij mbi historinë e popullsive europiano-lindore e më pas edhe të Georg von Hahn në vitin 1854 me librin “Studimet shqiptare”. Në të dy këto libra studimore hidhet dritë mbi lashtësinë e dokumentuar të shqiptarëve në trojet e tyre duke i quajtuar me emrin e tyre më të lashtë, ilire, vendasit antike të gadishullit ballkanik.
Deri sot emrat e shumë qyteteve, fshatrave, lumenjve e liqeneve që ndodhen në pjesën e Malit të Zi, Maqedonisë e Serbisë janë në shqip, gjë që tregon qartë se këto territore banoheshin nga shqiptarët shumë më herët se popullsitë tjera, si sllavët, të dyndeshin në këto territore. Studiuesit gjermanë e austriakë kanë bërë një punë të shkëlqyer në lidhje me historinë e antropologjinë e shqiptarëve. Shumë historianë sllavë i kanë parë këto studime e libra të botuar mbi të vërtetën e origjinës së shqiptarëve me dyshim dhe i kanë trajtuar si përpjekje të shkollës gjermane e austriake për qëllime politike, për të bashkuar të gjithë shqiptarët etnikë rreth një ideologjie qendrore politike dhe ndërgjegje kombëtare. Por të paktë nuk kanë qenë dhe historianët grekë që kanë shkruar për shqiptarët qysh në lashtësi. Kam lexuar për shqiptarët se historinë e tyre e kanë shkruar nëpërmjet artit të luftës e thuhet se ishin kështu, të magjishëm, në këtë art sepse në burimet e tyre, uji ishte i spërkatur me qumësht zanash…
Sulejmani i Madhërishëm shkruan për shqiptarët: “Mund të jenë thjesht ushtarë por kurrë mos i lejo të afrohen në pjatën tënde dhe kurrë mos i detyro të gjunjëzohen nëse pas gjunjëzimit nuk ke ndërmend t’u presësh kokën. Toka e tyre nuk u krijua nga Zoti për çerkezët e as për lëkurë-murrmët, por për skifterët e maleve, ata heronj që bota i njeh me emrin shqiptarë, të cilët këtë tokë e ruajnë për fëmijët e tyre në jetë të jetëve”.
.
Rilindja Shqiptare...
Rilindja Shqiptare…
Dhe me të drejtë Henry Noel Brailsford, gazetari i famshëm anglez, i cili është interesuar mjaft për çeshtjen shqiptare shkruan: “Ata janë mbinjeriu i Niçes, këta shqiptarët primitivë, diçka e ndërmjetme midis mbretërve dhe tigrave”. Wadham Peacock, i cili e ka njohur mirë Shqipërinë duke qënë sekretari i konsullit anglez në Shkodër, e ka jetuar atje ne vitin 1878-1880, ka shkruar librin e tij të botuar në Londër në fillim të vitit 1914, një libër fantastik me titull “Shqipëria, shteti që Europa e gjeti”. Ai shkruan: “Njerëzit që marshuan drejt Babilonisë, Persisë dhe Indisë ishin paraardhësit e shqiptarëve…”.
Linguisti gjerman Schleicher në studimet e tij thekson se shqiptarët janë pasardhësit direkt të pellazgëve dhe janë populli i parë në Ballkan ndër të parët popuj edhe në Europë, të vendosur jo vetëm në territorin ballkanik, por edhe më gjerë në Mesdhe në periudhën pre-historike. Demetrio Camarda ka botuar në vitin 1864, librin e titulluar “Saggio di grammatologia comparata sulla lingua Albanese” duke theksuar se gjuha greke ishte në thelb një dialekt i gjuhës shqipe, e cila në vetvete ishte shumë më e hershme sesa të gjitha gjuhët e tjera të rajonit. “Gjuha shqipe është gjuha e Lekës së Madh (Aleksandri i Madh), pellazgët kanë jetuar para Homerit kur dhe vetë emri i këtij të fundit është shqip”. George Fred Williams shkruan: “Nëse do të ktheheshim në prehistori, përpara se Homeri t’u këndonte Zotave e heronjve të mitologjisë, përpara se vetë gjuha greke të shkruhej, jetonte një popull me emrin pellazg. Shqiptarët janë të vetmit pasardhës, origjina e të cilëve rrjedh nga kjo rracë e fuqishme prehistorike. Gjuha shqipe është gjuha e vërtetë e Homerit përderisa grekët kanë kopjuar nga rapsoditë e pellazgëve të gjithë eposin e tyre kaq të pasur”.
Po në këtë linjë janë edhe studimet e kryera nga filozofi dhe linguisti Iakovo Thomopoulo në librin me titull: “Pellazgët: rreth gjuhës së pellazgëve” të botuar në 1912. Aty jepen detaje shumë interesante mbi fillimet e mjekësisë në gadishullin ballkanik e të shtrirë më pas në të gjithë Europën. Traskriptimet e vjetra ilire janë deshifruar nëpërmjet gjuhës shqipe dhe asaj greke duke arritur në përfundimin se recetat e përpunimit të barnave që njeh mjeksia në shekuj kanë qënë shkruar fillimisht në gjuhën ilire. Shumë interesant, në vazhdim të kësaj linje është dhe libri i politikanit dhe historianit grek me origjinë shqiptare Michael Lamprinidis ku autori dokumenton mbi bazë dokumentacioni historik dhe lingusitik se grekët e kanë origjinën e tyre nga shqiptarët. Franz Bopp në vitin 1835, shkruan se gjuha shqipe duhet të konsiderohet një degë e veçante e gjuhëve indoeuropiane. Filologu Gustav Meyer pohon se themeli shkencor i gjuhës shqipe është vazhdimësia e gjuhës ilire që tregon origjinën e kësaj popullsie etnike. Meyer konsiderohet si linguisti që ka provuar mbi baza shkencore se gjuha shqipe i përket trungut të familjes së gjuhëve indo-europiane. Ai sqaron se gjuha shqipe duhet të konsiderohet si faza e fundit e evolucionit gjuhësor të ilirishtes së vjetër.
Historia dëshmon se shumë shqiptarë i kanë dhënë botës kristiane e myslimane shumë njerëz të shquar që kanë ndërtuar shtete e kanë dhënë kontribute të vyera për njerëzimin. Shqiptarët kanë qënë vezirë, gjeneralë, papë, udhëheqës të shquar kudo nëpër botë. Të paktën 5 perandorë romakë kanë qenë ilirë, papë të ndryshem ndër të cilët më i rëndësishmi Klementi IX. I pari prej perandoreve romakë ka qenë Gothius, i lindur ne Dardani në vitin 214 pas Krishtit, i emëruar Perandor nga ushtria dhe senati i Romës në vitin 268 pas Krishtit. Aureliani, i cili e udhëhoqi për 5 vite Perandorinë Romake të cilit iu dha titulli “Restitutor Orbis” (Restauratori i Perandorisë) duke e bashkuar atë e duke i dhënë mirëqënie e lulëzim, ka qënë ilir. Kostandini i Madh, Deokliciani, Maksimiliani, Justini I e Justiniani I, meritat e të cilëve qënë të jashtëzakonshme për Perandorinë më të madhe të kohës, ishin të gjithë ilirë.
Shumë shqiptarë janë ulur në fronin e vezirit të Perandorisë Osmane ku vetëm familja shqiptare Qyprilli ka nxjerrë 5 të tillë nga rradhët e saj për të mos përmendur të gjithë ushtarakët e lartë, gjeneralë, komandantë, strategë të shumtë ushtarake që i kanë shtuar prestigjin Perandorisë Osmane në shekuj. Madje dhe Beteja e Marinjanit, në viti 1515, fitoren e së cilës francezët ia atribuojnë Françeskut I të Francës ka qenë fituar nga shqiptari Mërkur Bua nën komandën e të cilit luftoi gjithë kalorësia e lehtë e Venedikut e përbërë kryesisht vetëm nga shqiptare.
Shqiptarë si Marko Boçari, Kundurjotis, Bubulina, Kanaris e shumë të tjerë ishin në krye të revolucionit grek. Humanisti Leonic Tomeu, profesori i Kopernikut të madh, ishte një shqiptar i shquar që jetoi në kohën e mesjetës. Muhamed Aliu, që francezët e quajnë “Napoleoni i Lindjes së Mesme” që themeloi Egjiptin modern, dinastia mbretërore e të cilit vazhdoi gjatë, ishte shqiptar. 49 vezirë të Perandorisë Osmane në shekuj kanë qenë shqiptarë, duke filluar me të parin prej tyre që në vitin 1472, pak kohë pas pushtimit të Shqipërisë nga osmanët. Besoj nuk është e nevojshme të përmend Luanin e Janinës, Ali Pashë Tepelenën, themelues i Pashallëkut autonom të Janinës, një ndër shqiptarët më të famshëm të kohës së tij.
Në enciklopedinë arabe është shpjeguar qartë kuptimi i fjalës “Arnaut” siç shqiptarët njiheshin prej osmanëve. Kjo fjalë është derivat i shprehjes në arabisht “La Alaina an-naud” që do të thotë “ne nuk kthehemi kurrë prapa” dhe në shumicën e enciklopedive perse, turke e arabe, shqiptarët tregohen shumë trima, luftëtarë të mrekullueshëm e ndaj u pagëzuan dhe me emrin “Arnaut – ata që s’kthehen kurrë prapa!”
.
Ervina Toptani - Esat Toptani
Ervina Toptani – Esat Toptani
Maksimilian Lambertz, filozof i linguistikës, pasi ka shkruar së bashku me Gjergj Pekmezin, shqiptarin e diplomuar në Universitetin e Vjenës, librin “Manuali dhe lexuesi mbi shqiptarët” në 1913, thotë se: “Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm atëhere kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj”.
Në enciklopedinë gjermane të vitit 1889 thuhet se: “Shqipëria ka një sipërfaqe prej 80 mijë kilometrash katrore dhe një popullsi prej 2 milion e 500 mijë banorë ndërsa fqinjët e saj, Greqia ka 1 milion e 975 mijë banorë, Serbia 1 milion e 980 mijë banorë, dhe Mali i Zi 235 mijë banorë”. Pas luftrave ballkanike fqinjët e Shqipërisë e dyfishuan territorin e tyre dhe rritën ndjeshëm numrin e popullsisë duke u bërë kështu fuqi të mëdha në Ballkan.
Në kujtimet e Antonio Baldaccit, gjeografit, historianit politik e socio-ekonomik, i cili ka qënë dëshmitar në Luftën e Shkodrës, ndër të tjera, shkruhet: “Eshtë treguar dhe provuar qartë se betejat e përgjakshme të shqiptarëve kundër Turqisë së xhonturqve gjatë viteve 1910-1912, janë arsyeja e vërtetë e përparimeve të shpejta të aleatëve ballkanikë në luftën kundër Perandorisë Osmane. Popujt e Ballkanit duhet të kujtojnë gjithnjë me mirënjohje se qenë shqiptarët ata që punuan për fatin e mirë të të tjerëve në rajon!”.
Në vitin 1000 është gjendur një tekst i vjetër bullgar, anonim, në të cilin shpjegohet origjina e kombeve dhe gjuhëve për atë periudhë. Ky tekst është zbuluar shekuj më pas, në vitin 1628, i rishkruar në formën e një dorëshkrimi në Serbi, ku përmenden shqiptarët si fise që jetonin në ato territore të cituara në dokument që kishin gjuhën dhe zakonet e tyre të veçanta nga popullsitë e tjera. Në këtë dokument shqiptarët përshkruhen si gjysëm-besimtarë meqë sipas tekstit bota ishte e ndarë në 72 gjuhë dhe tre kategori besimesh: ortodoksë, besimtarë dhe jo besimtarë. Gjuha shqipe në këtë tekst emërtohet si “Arbanasi”.
Në vitin 1083, historiani Michael Attaleiates, i cili kishte detyra me rëndësi gjatë mbretërimit të Perandorit Romanus IV dhe Michael VII ka lënë të shkruara të gjitha dëshmitë e tija personale mbi jetën politike e ushtarake në Perandorinë Bizantine. Ai shkruan për shqiptarët duke treguar mjeshtërinë e tyre ushtarake e detaje të tjera në lidhje me jetën e tyre. E rëndësishme në fakt është koha kur tekste të tilla janë shkruar. Anna Komnena është një tjetër historiane, e bija e Perandorit Alexius I Comnenus ka lënë të shkruar librin e saj më tetë vëllime “Alexiad”, në të cilin tregohet shumë mbi qytetin e Durrësit, për rrethimin e pushtimin e tij nga Duka I Apulias. (Historia bëhet e gjatë për ta shpjeguar në këtë pikë, unë vetëm po përmend shkurtimisht sa njiheshim në si popull përgjat shekujve të ndryshëm të historisë nga autorë të ndryshëm).
Një tjetër gjeograf me origjinë arabe, Mohamed al-Idrizi, rreth vitit 1100 shkroi një libër mbi gjeografinë e botës së njohur deri në atë kohë për llogari të Rogerit II, Mbretit të Sicilisë. Edhe këtu gjenden peisazhe të shumta mbi shqiptarët e kohës e vendin e tyre, të cilët tregohen të kenë qenë të pamposhtur si ushtarakë e tepër rebelë si karakter. Pikërisht këtu kam dëshirë të përmend një citat të bukur të historianit të shek. XV Ibn Kemal, i cili ka qënë bashkëkohës i Skënderbeut, e ka parë me sytë e tij disa prej betejave të zhvilluara prej Gjergj Kastriotit. Ibn Kemal shkruan: “Shqiptarët, këta tigra luftarakë të maleve kane fè vetëm rebelimin. Edhe luftëtari i tyre më i keq është më i miri e më trimi në fushën e betejës njësoj si një kalorës i shenjtë mbi një kalë legjendar. Por ata nuk kanë kuaj, madje as armë të vërteta për betejë. Në vend të kalit shqiptari mban një shpatë të mprehtë si rrufeja, shtizë të fortë, maja e së cilës është më helmuese se thumbi i bletës së egër dhe mbajnë gjithnjë harqe prej druri e disa shigeta gjithnjë gati. Për më tepër janë më të fortë se guri”.
Një tribut të veçante do t’i bëja këtu dhe Aleksandër Degrand, i cili ka shkruar për Shqipërinë e për Familjen Toptani në librin e tij “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”.
George Acropolites, historian dhe tutori i Perandorit Theodor II Laskaris, në vitin 1257 shkruan me hollësi për qytetet e Dibrës, Matit, Ohrit, Durrësit dhe problematikat kryesore të jetës politike të tyre në këtë periudhë specifike. George Pachymeres, një tjetër historian që ka mbajtur poste të rëndësishme në Kostandiopojë, përshkruan me hollësi tërmetin e tmerrshëm që ra në Durrës në vitin 1267. Autori paraqet në detaje stilin e ndërtimit të qytetit të Durrësit, ndërtimin e banesave që varionin sipas shtresave të popullsisë sikurse dhe përshkrimin e vetë popullsisë. Ai tregon se tërmeti ishte i tmerrshëm, i gjithë qyteti aq i pasur me ndërtesa disakatëshe të ndërtuara në mënyrë karakteristike njera mbi tjetrën u fshi nga faqja e dheut brenda natës duke mos mbetur më asgjë në këmbë. Pothuaje e gjithë popullsia mbeti brenda rrënojave të cilat në pak minuta u kthyen në pluhur e përveç emrit, qytetit nuk i mbeti më asgjë.
Në vitin 1308, është shkruar në latinisht një tekst që mendohet të jetë produkt i një francezi, fatkëqesisht i mbetur anonim, i cili ishte dërguar me detyrë nga Kisha për të shkuar në Serbi. Teksti titullohet “Përshkrime të Europës Juglindore”. Udhëtari francez përshkruan gjatë viset shqiptare me që kaloi mes për mes tyre për të arritur në destinacionin përfundimtar të tij. Tekstshkruesi anonim tregon për rracën e jashtëzakonshme të qenve që kishin shqiptarët, të cilët ishin në masën trupore të një luani e që vetëm shqiptarët mund të rrisnin e të bindnin tëtillë “përbindesha” të natyrës. Kur shqiptarët i dhuruan një qen të tillë Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (bir i një nëne ilire dhe ai), ai mbeti i mahnitur dhe thuhet se i ndërtoi qenit të tij një amfiteatër të rrumbullakët ku qeni të mund të stërvitej me buaj e luanë. Mund të duket e pabesueshme, por pikërisht këtu qëndron e bukura e historisë!
Në fillim të shek. XIV dy priftërinj anglo-irlandezë të urdhrit françeskan, Simon Semeonis dhe Hugo Illuminator të cilët kaluan nëpër Shqipëri në kohën e pelegrinazhit për në Tokën e Shenjtë, tregojnë në kujtimet e tyre përshtypjet që iu lanë viset shqiptare. Kjo përmbledhje është një ndër dokumentet më të hershme të shkruara që ka mbërritur në Angli për viset e largëta të Ballkanit të kohës. Në kujtimet e tyre tregohet për gjuhën shqipe e cila ishte shumë e përhapur në të gjitha zonat deri thellë në brendësi të Greqisë, ishte gjuha kryesore e të gjithë rajonit dhe flitej me shumë sesa gjuha greke, latinishtja e gjuhët sllave. Këto rrëfime mbajnë datën e vitit 1322.
Një autor edhe më i hershëm që ka lënë një trashëgimi të vërtetë për studimin e gjuhës shqipe është Francesco Maria da Lecce, i cili në librin e tij “Vëzhgime gramatikore në gjuhën shqipe” të botuar në Romë në vitin 1716, ka dhënë një panoramë të plotë të gramatikës së gjuhës shqipe krahasuar me atë italiane. Eshtë një libër me 228 faqe, në të cilin autori analizon pjesë për pjesë gramatikën e gjuhës tonë. Da Lecce shpjegon arsyen përse filloi ta studiojë këtë gjuhë dhe përse ajo flitej gjerësisht në shumë vende nga shqiptarët të shpërndarë në rajone të ndryshme që nëse do të bashkoheshin do të mund të formonin një mbretëri të madhe aq sa do të mjaftonin vetëm ata që jetonin në Mbretërinë e Napolit, Siçilisë, Dalmacisë, Kostandiopojës, për të mos përmendur ata të Rumelisë, Bullgarisë etj.
.
"Vajza Shqiptare" Jan F. P. Portielje
“Vajza Shqiptare” Jan F. P. Portielje
Një autor i madh, i cili ka shkruar një enciklopedi të mirfilltë e të vërtetë të Europës, botuar në vitin 1854, punën për të cilën e nisi në 1810, që titullohet “Gjeografia universale: një përshkrim i të gjitha pjesëve të botës”, është franko-danezi Conrad Malte-Brunn gjeograf dhe gazetar që mbështeti fuqishëm Revolucionin Francez. Pa u zgjatur shumë, libri është një vepër e përkryer mbi origjinën e botës, i ndarë në 4 vëllime, një ndër të cilët i kushtohet kontinentit europian. Një vepër ku përshkruhet në detaje gjeografia e Europës, përshkrimi i popujve të saj qysh nga lashtësia e deri në atë kohë, historia e gjuhëve të tyre dhe zhvillimi antropologjik, gjuhësor kulturor i të gjithë popujve përbërës të saj. Malte-Brunn i ka dedikuar një kapitull të veçantë shqiptarëve e unë kam shkëputur një copëz të vogël prej tij ku thuhet: “Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, të cilët janë pasardhës të pellazgëve dhe gjuha e tyre e vjetër është shkrirë në atë greko-helene të mëvonshme. Kjo gjuhë e tyre e vjetër na shërben ende sot për të zbuluar karakterin europian e lidhjet e saj me gjuhën gjermane e ato sllave. Popullsia trake ka qënë e përbërë fillimisht nga pellazgët, më vonë nga dyndjet e keltëve, grekëve, sllavëve. Gjuha trake është ajo gjuhë e cila burimin fillestar e ka nga ilirishtja, madje dhe gjuha dake e ka prejadhjen e tillë”. Po ne këtë libër Malte-Brunn i referohet dhe përshrimeve të Virgjilit mbi shqiptarët, e më pas atyre të Pukëvilit, Bajronit etj.
Do ta mbyll këtë shkrim duke shtuar një pjesëz të vogël të shkruar në këtë libër mbi shqiptarët: “Të fortë, aktive dhe të palodhur, ata ishin ushtarët e Pirros, Skënderbeut e Ali Pashait. Ata durojnë edhe dimrin më të egër sado që ai të zgjasë e janë gjithnjë në kampet e tyre të luftës duke u stërvitur. U mjafton një copë bukë gruri ose misri, pak ullinj e kripë dhe nuk duan asgjë më shumë. Lumturia e shqiptarëve është veprimi, por lavdia dhe patriotizmi janë pikat e tyre të forta. Shqiptari largohet nga malet e tij vetëm atëhere kur është vërtet e domosdoshme. Gratë në këtë vend janë të bukura e të shëndetshme. Martohen më vonë sesa gratë e tjera në të gjithë rajonin dhe lindin fëmijë në moshe më të pjekur. Edhe pse shumica e shqiptarëve janë konvertuar në myslimanë, përgjithësisht nuk e ndjekin fenë me përpikmëri. Mund të jenë injorantë nga shkencat, por dinë mirë si të hapin kanalet e të sjellin ujin në shtëpitë e tyre, pa instrumente matematikore ata dinë të matin me përpikmëri lartësitë dhe distancat si gjeometrit më të mirë. Skënderbeu, Muhamed-Ali dhe Ali Tepelena janë ndër ata shembuj të shqiptarëve që tregojnë më së miri se çfarë gjenie kanë shqiptarët edhe nq kushtet më të vështira…”
Do të mund të vazhdoja pafundësisht me emra e dokumente autorësh, studiuesish, historianësh, gazetarësh, politikanësh, gjeologësh, filozofësh e antropologësh të cilët kanë shkruar kaq shumë për vendin e popullin tonë përgjat shekujve të historisë. Këto libra e dokumente ekzistojnë të gjithë sot, të ruajtur kudo nëpër Europë e më gjerë si testament me vlerë tepër të rëndësishme për historinë e Europës. Kjo pjesë më ka mrekulluar gjithmonë e vazhdon të më mrekullojë kurdo që prek e zbuloj gjëra të reja mbi ne. Pra, ne kemi qenë shqiptarët e mrekullueshëm dhe bota na njeh më mirë se sa ne e njohim veten! Mjafton të duam me shpirt që Shqipërisë t’i kthehet nderi e vendi i merituar dhe gjithçka do të ndryshojë në një kohë mjaft të shkurtër.
Mjafton që ne ta duam vërtet këtë.
.
Marrë nga Muri i FB i Ervina Toptanit, 4-5 qershor 2021
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.