Kur Njeriu i ban hije Malit… – esse nga Jozef Radi – Kushtue mungesës fizike të Kasem Trebeshinës

Kasem Trebeshina dhe Jozef Radi

Kasem Trebeshina dhe Jozef Radi (90 vjetori)

Kur Njeriu i ban hije Malit…

esse nga Jozef Radi

Kushtue mungesës fizike të Kasem Trebeshinës

Prania ose mungesa fizike e nji shkrimtari, s’ka asnji lloj randësie për lexuesin e thjeshtë.
Në fëmininë e hershme, librat ma të bukur i lexoja prej shkrimtarëve të vdekun, aq sa m’u krijue mendimi se shkrimtarët me qenë edhe ma fort të dashtun duhen të kishin vdekë fizikisht, me e pa sa mundeshin me jetue pa vedin. Disi vonë, nisa me e kuptue se shkrimtari mund t’ishte edhe i gjallë, e kur u rrita ma tepër, mora vesh se ne shqyptarët s’mund të lexonim asgja pos shkrimtarëve të gjallë, pse ata të vdekunit kishin dekë me të tana e duheshin edhe do tjerë me u hjekë qafe… Kështu nisa me e kuptue ma së pari se ishin shkrimtarët e gjallë shqyptarë që u kishin shpallë luftë shkrimtarëve të vdekun, bile kajherë përpiqeshin me ua hangër edhe eshtrat, pse jo, me i zhdukë e më i zhbi krejt, mbasi ishte shpallë gara e pavdeksisë qysh në të gjallën e tyne, nji garë që shumëkush që asht marrë me letra shqype e i ka ndjekë k’to makabritetet letrare e jashtletrare, din me kallzue ma mirë se unë…
Gati nji vjet ma parë, kur vdiq miku im Trebeshina, (po e quej mik për vijimsinë e njitrajtshme të marrëdhanieve mes nesh, 26 vite), në dhimbjen time ma të thellë thashë: ‘‘Shpëtoi!’’ Tash n’se asht Shkrimtar, duhet t’jetë njashtu si i kam mendue unë dikur shkrimtarët e dekun… Sepse me qënë shkrimtar ‘‘Shkrimtar’’, duhet ma së pari me dekë si shkrimtar, mandej me u ringjallë e me nisë me jetue si Shkrimtar.
Kohë ma herët, kur isha gjimnazist nate… (pse ditën m’i kishin pre dy herë kambët) ia dhashë profesorit të letërsisë sprovat e mia poetike, të cilat drejt me thanë, i pëlqeu bile edhe la mjaft shënime pozitive, po si sekretar partie i shkollës që ishte, s’mund ta pranonte talentin prej nji “biri t’armikut”, e nuk mujti me m’përcjellë pa e lshue mendimin se: “…shumë poetë të mëdhenj, bëhen të famshëm mbas vdekjes…!” Kështu që edhe nën shembull të tij jam duke e pritë vdekjen me pa ju tjerët nëse vyej për ndonji letër!!
Largimin fizik të Trebeshinës, s’e quej asgja tjetër veçse kohë që i duhet Atij me ardhë, ndërkohë mendoj se koha e kujdo që ndjehet sundimtar ndër letra, s’asht tjetër veçse kohë me ikë, për me e pa ne tjerët dhe krejt ata që vijnë mbas nesh, me sy pak ma të ftoftë e fjalë ma pak tlavdishme, atë çka na e kanë grabitë pa të drejtë, me brohorima shkrimtarët në të gjallë të tyne.
 
Dosja 1338 - Kasem Trebeshina

Dosja 1338 – Kasem Trebeshina

***

U ba do kohë që po studioj me qetësi po edhe me trishtim Dosjen e Sigurimit “Trebeshina” – 1338, dhe kam mbrritë në përfundimin se ajo çka asht e dukshme sot për Trebeshinën përballë asaj çka asht ende e padukshme, asht si nata me ditën. Se në të vërtetë Nata ka qenë Trebeshina dhe Dita ka qenë Sigurimi e Partia. Tash cikli thuhet se asht ndërrue, jo se kanë dashtë palët, po sepse galaktikat vërtiten kësisoji, po gjithsesi Trebeshina ende nuk asht ba Dita, ashtu si as Sigurimi e as Partia nuk asht ba tamam Nata…! Po kur lexon kartat e Dosjes 1338 – s’të mbetet asnji fije dyshimi mbi Natën dhe Ditën. Ajo çka më duhet me thanë, duket pak si e teprueme, po nuk besoj, sepse nji ditë e Vërteta ka me u ba ma popullore, e ka me trokitë edhe n’derë të së Keqes e ka me i thanë: Sado të mbyllesh e të vonohesh nji ditë do të mbrrihet… Me pak kurajo prej adhuruesi ndaj Objektit, (keshtu quhet çdo person që ka dosje) deklaroj se s’ka njeri që ka luftue për letërsinë dhe letrat shqype ma shumë se Trebeshina! Mundet me u cilësue mendim euforik dhe idolatrik, s’ka gajle, po e pranoj, po duhet me ditë se faktet janë ma kokëforta se fjalët, dhe nji ditë s’ka me mbetë asnji prej trushplamve pa e kuptue se e Vërteta mbërrihet me shumë mundime, veçse mbërrihet!!
Te Objekti ‘‘Trebeshina’’ janë shumë plane të vërtetash, që kërkojnë qetësi me u kuptue dhe kohë me u shtjellue dhe se beteja e tij për letrat shqype asht beteja ma e madhe që mund të ketë ba nji individ, nji shkrimtar jo veç shqiptar, por edhe ma tej për të mbërritë te liria dhe e vërteta letrare… Ajo asht betejë si Shkrimtar; asht betejë si Intelektual; asht betejë si Idealist i Majtë, që e ka ndje qysh herët se asht futë n’nji vorbull mashtruese dhe kërkon me dalë me gjithë ‘‘taksat’’ që lyp kjo dalje… mjaft të mos zhyten edhe të tjerë mbrendë saj; asht betejë e Njeriut të kandshëm e të vërtetë, njeriut që s’e tjetërson lirinë e tij për hatër t’Partisë, edhe pse çeta e operativëve, apo bandat e spiunëve vigjëlojnë 24 orë në 24 rreth tij… e kur iu shterrin tana mjetet me e mposhtë nji Njeri e quejnë ‘‘të çmendun’’! Se në të vërtetë, veç nji i çmendun madhështor mund me qendrue tanë nji jetë përballë nji lukunie ujqish, me realizue at çka mundi me realizue ky Përbindësh i Letrave.
Ai e pranoi qysh herët vdekjen e tij dhe nisi me jetue si shkrimtar i vdekun në të gjallë të tij. (Ka ekzistue si legjendë, po autori e dëshmon para Sigurimit se veprat e tij lexoheshin në dorëshkrim nga studentët se edhe Lidhja e Shkrimtarëve merresh me reçensat e zeza… në dosje ka edhe pjesë romanesh të tija.)
Asht tejet e trishtë kur merr vesh se në Grevat e tij të urisë, u len amanet spiunëve të tij, të shkrueme krejt titujt e veprave të tij, që edhe pse e di që ata do t’i dërgojnë raportet në zyrat e natës, do të kenë diku n’nji skutë pak ndërgjegje, me e ruejtë e me shpërnda të Vërtetën. Ai u flet gjithnji operativëve dhe bashkpunëtorëve të tyne sikur asht në piedestalin e lavdisë, për çka ndjen e mendon, e nuk dëshmon asnji grimcë frike e pendimi, për çka mundet me i ndodhë nesër. Janë me dhjetra e dhjetra operativët e sigurimit, shefat e degëve, anëtarët e byrove, që kanë në tavolinë informacione mbi Trebeshimën… Janë më qindra deponimet në formë raportesh dhe të gjithë kanë si strategji ta devijojnë nga përmbajtja e shkrimtarit, ta bëjnë njeri ordiner, ekcentrist, haluçinant, sepse vendet janë të zana, sepse letërsia tashma punon me kapacitet të plotë, se spiunët e neveritshëm janë gati për çdo detyrë të ngarkueme, mjaft të mbushin raportet e tyne të pafundme e të sigurojnë ndonji krodhe buke poshtnimi. Mbas këtij apokalipsi denoncimesh, që do ta kishte lakmi edhe Jeronimus Bosch, mund ta them pa drojë se s’ka personazh të letrave shqype që i ka shkaktue ma shumë dam ekonomik diktaturës se sa Trebeshina. Janë me qindra ‘‘vegla të verbta’’ që hanë bukë veç prej tij, asht nji e përditshme direktivash prej Komitetit Qendror deri te gjirizet e burgjeve, që ta godet gjithë kohës mendjen! Po krejt kjo aradhe hijenash, a s’kishin punë tjetër?! Pse s’shkonin me ba ndonji punë si duhet, me mbjellë a me korrë, po veç luftuen me i dhanë lavdi të vonë figurës së këtij Mbinjeriu… Ndërkohë Trebeshina asht i rrethuem prej këtij “komoditeti” përgjimi e intrigash të pafundme; ai shpërfaq Shkrimtarin e Përgjegjshëm, po edhe Intelektualin e Ndërgjegjshëm, edhe Njeriun e Pamposhtun… S’ka njeri që ta ketë takue e të ketë jetue qoftë edhe për pak Trebeshinën, e të mos jetë ballafaque haptas me at çka shpërndahej si tymnajë: çmendunia antiparti e intelektualit Trebeshina.
Letërsia shqype sot ka nji model shkrimtari që s’e ka asnji letërsi tjetër në botë. Shkrimtarin idealist të burgosun, të interrnuem, të mbikqyrun, të spiunuem deri n’qelizë, të ndrymë në çmendinë, të braktisun prej të gjithëve, të shkrimtarit që jetoi  si opozite në tri kohna, i cili vazhdoi me shkrue e me prodhue marramendsisht vepra të krejt gjinive letrare. Ai asht i pjestuem në tri pjesë: e para, në shkrimtarin që kërkon me kapërcye kohën e vet; e dyta, në intelektualin që s’rreshti asnji çast së theksuemi çka mendonte, e s’frikej prej së vërtetës… kudo ku i jepet mundësia e shpallte atë edhe ndër ambjente ostile (armiqësore) me ma shumë se nji spiun e ma shumë se dy operativë; dhe e treta në njeriun që vuen, që i dhemb familja, fëmijët, jeta e tij; që e ndjen at sakrificë sublime që familja e pëson vetëm prej shkrimeve të tij.
Beteja e tij asht fund e krye në dosjen e tij të Sigurimit. (sigurisht mjaft e pastrueme dhe e seleksionueme) Ajo asht beteja ma e madhe e nji shkrimtari, që për asnji çast s’doli prej korrnizës së të qenit shkrimtar përtej kohnash. Asnji deponim kundra tij, s’asht jashtë profilit të tij si shkrimtar. Bahet nji luftë e jashtëzakonshme me ia zhgulë figurën e Shkrimtarit e me e shndërrue në nji të çmendun ordiner… Po si duket atë e ka ndihmue jashtëzakonisht lavdia e shkrimtarit që e ka pranue vdekjen dhe lufton veç me u ringjallë.
.
Kasem Trebeshina (1926)

Kasem Trebeshina (1926-2017)

***

Shpesh asht folë e përfolë se s’ka, s’ekziston o s’gjendet askund nji Promemorie e Trebeshinës drejtue diktatorit.
Kam mbrojtë idenë se s’ka mundësi të mos jetë e mos të gjendet nji Promemorie e tillë… Fakti që ende sot s’asht i protokolluem nji dokument i tillë, mundet m’u dhanë të drejtë të përkohshme o relative, atyne që e kërkojnë dokumentin… Veçse ka nji problem thelbësor, që i ndryshon kartat në lojë dhe lejon me arsyetue. E gjitha çka asht shkrue në Promemorien Trebeshina, në nji formë a në nji tjetër asht e gjitha në Dosjen e Sigurimit 1338 – Trebeshina. Faktet se duhet të ekzistojë nji Promemorie janë… Të dyja palët janë futë në betejë në vitin 1953, kur Trebeshina dhe sivllaznit e tij të letrave Mark Ndoja e Mehmet Myftiu, hidhen haptas në kundërshtim të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe atyne që përkrahen në rrugë okulte, prej Pushtetit. E dyta, beteja me emnat dhe veprat e përfoluna si në Promemorie edhe në dosje të Sigurimit janë po ato. Shtrohet pyetja: pse fill mbas të quejtunës “Promemorie”, nis kalvari i burgjeve dhe vuejtjeve të Trebeshinës dhe zgjat deri sot?! Edhe sikur vetëm ajo çka shkruhet në dosje të Sigurimit, asht shumë ma tepër se nji Promemorie e Hallakatun, po ama e deklarueme. Sigurisht, shtabi i ngarkuem me e relatue problemin në instancat ma të nalta, i ka përmbledhë me kujdes krejt tekstet e Trebeshinës dhe u ka dhanë formën rebeluese të Objektit dhe përfundimi janë tre vite burg veç për konfliktin e Shkrimtarit me Lidhjen e Shkrimtarëve, pra Sigurimi bahet palë me Lidhjen… e Trebeshina merr burgun… Pra, pasoja e lejon të besohet në Promemorie, lejon të besohet se ajo kryesi që luftonte Trebeshina sundoi prej 1953 deri në 1974, pra për 21 vite pushtet absolut, sundim që u realizue duke shkelë ma së pari mbi Trebeshinën e sivllaznit e tij të mendimeve e letrave, të cilët s’pranuen që letërsia t’ishte e Partisë dhe vetëm e asaj. Në kët betejë që Trebeshinës i zgjati nji jetë e përtej, Ai na dha modelin Intelektual të nji Sokrati modern që ishte gati me e rrufitë kunupen, në mbrojtje të së vërtetës. E kjo nuk asht pak, asht madhështor si kumt!
Edhe nëse s’ekziston nji Promemorie e vërtetë e Trebeshinës, (edhe në dosje s’flitet për diçka të tillë), fakti se beteja ka nisë bash prej atij çasti, asht në favor të qenies së saj. Ajo nisi si nji betejë e gjatë, e hapun, tinzare, e pabarabartë, joleale, e cila në të vërtetë solli rrënimin e jetës së këtij personazhi endemik, po për fat nuk e cënoi produktin që ai do t’u lente letrave shqype…
Ai e jetoi midis dy ndërtesash jetën e tij; në shpinë e vogël e meskine t’nji t’përditshmeje të ndytë e të pocaqisun dhe në pallatin hyjnor të artit dhe kulturës, me nji fuqi të përbindshme e të pabesueshme. Kjo tregon se idenë e Promemories edhe n’se s’asht e shkrueme, ai e ktheu n’nji Promemorie të Folun, që e shpaloste kudo ku i jepej mundësia, qoftë kjo edhe midis atyne veglave mjerane e t’përdhosuna të Sigurimit të Shtetit.
-
Kasem Trebeshina - Pjesë nga vepra e botuar

Kasem Trebeshina – Pjesë nga vepra e botuar

***

Kur shef se midis asaj çka asht botue dhe asaj çka pritet me u botue asht nji pyll veprash letrare, shtrohet pyetja: Si asht e mundun nji gja e tillë?! dhe: si mund të vazhdohet kështu?!
Në mbyllje të këtyne pak rreshtave mendoj se Trebeshina asht beteja ma e madhe e letrave shqipe me mbijetue, dhe asht betejë e fitueme. Kjo gja nuk mundesh me u realizue ndryshe pa çmenduni. Vetë kjo Shqypni e çmendun kështu ka mbijetue ndër shekuj. Midis asaj lukunie ujqish që kanë lypë me e zhbi, dhe atyne pak të çmendunve idealistë që kanë vendosw piketat e mbijetesës dhe s’e kanë lanë kurrsesi kët vend pa Modele! Trebeshina asht model guximi, model humanizmi, model letrar, model heroik (edhe pse vetmitar), rreth të t’cilit duhet m’u mbledhë e m’i ba dritë së nesërmen sonë, edhe pse sot jena t’zhytun e t’rrënuem n’trishtime të pafundme…
8 gusht 2018

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Proza  Etiketat: , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook