back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Kur nderohen spiunët… rrëfime nga Kujtim Cekani

Gazeta

Kujtim Çekani 2015
Kujtim Cekani 2015  

Kur nderohen spiunët…

rrëfime nga Kujtim Cekani

(Rrno për me tregue…)

Ishte viti 1987…
e dija që për mua nuk kishte të ardhme në Shqipëri… e megjithatë mora një vendim të rrezikshëm në atë kohë… vendosa të trokas në zyrën e Komitetit të Partisë në Librazhd… dhe pse ajo derë për mua nuk u hap kurrë… Doja me çdo mënyrë të vazhdoja shkollën e lartë… Arrita të trokas në atë portë… kur ndjeva papritur se dikush me kapi për triken time dhe më tërhoqi aq fort sa ma grisi… Pastaj më kapi për krahësh më shtyu nëpër shkallë derisa më nxori jashtë në trotuar…
-Ik o kulak, – më tha – Ik o nip i Nezir Muzhaqit, se vetëm burgu ju pret juve… Fillova të qaj e t’i shtërngoja fort në duar fletoret e mia të poezive… kur papritur ndjeva dikë të më afrohej… dhe të më vinte dorën mbi kokë… Kthehem ashtu i përlotur… dhe shoh një burrë me kostum e kollare…
çke, – më thotë – pse qan…
Me triken time tashmë të grisur fshiva lotët, dhe po shikoja burrin që kisha afër… I them: “Po ja, unë dua të vazhdoj Shkollën e Lartë, por nuk më lenë…!” Pashë që sytë e tij u drejtuan tek fletoret e mia që ende i shtrëngoja fort ndër duar…
-Si e ke emrin dhe nga je? – me thotë
-Kujtim, Kujtim Cekani më quajnë, dhe jam nga Polis Gurshpata – i përgjigjem.
-E pse nuk të lenë të vazhdosh shkollën? – më pyet ai sërish
-Sepse gjyshi im ka vdekur në burg – i përgjigjem – dhe dajët e mi i kanë pushkatuar…
Menjëherë pashë se burri me kostum e kollare u nxi më shumë se ç’ishte, dhe vërejta se po shihte rreth e përqark me bisht të syrit… pastaj m’u drejtua
-Pra, ti qenke kulak?!
-Po – i them – Po ç’faj kam unë!! Në shkollë unë mësimet e Partisë mësoj!
Dhe ai m’u përgjigj: “E di Partia pse nuk të çon në shkollë… More vesh! Po ato në dorë çfarë i ke??
I them: “Un shkruaj… shkruaj poezi… Shkruaj çdo natë… për zogjtë, për lulet, për pranverën… !”
-Po për Partinë a shkruan?!
-Po ja, si të them, kur nuk më lenë të shkoj në shkollë…
-Dëgjo këtu djalosh – më thotë, – do të mundohem të të ndihmoj, por me një kusht… Do të m’i lesh fletoret e tua t’i lexoj unë, pastaj ti do të vish e të më takosh dhe flasim bashkë. Unë jam Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të rrethit të Librazhdit…. E kam emrin Koçi Petriti…

Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Poetet e Librazhdit Blloshmi dhe Leka

-Në rregull, – i them – Ju lutem më ndihmoni, dhe i keni kujdes fletoret e mia të mos më humbin…
-Mos ki merak fare – me thotë dhe u ndamë…
Ishte shtatori i vitit 1987… Shkollat kishin filluar, kur u nisa në drejtim të fshatit tim, nën shiun që binte me gjyma, me trikon time tashmë të grisur dhe pa fletoret e mia… Vetëm kur shkova në shtëpi në 5 të mbasdites u kujtova se isha i pangrënë. Nëna më priti me lot ndër sy dhe më tha…
-Hë more bir, shyqyr që erdhe. Se nuk e ke ç’e do shkollën e këtyre qenëve!! Imagjinojeni si ndjehesha… Nuk më hiqej nga mendja nga Njeriu me kostum e kollare të zezë që m’i kishte marrë fletoret e mia… Nuk më hynte më asgjë në sy… Afrohesha te bufeja që kishim në dhomën e pritjes ku unë mbaja ato pak libra që kisha mundur t’i blija… Më kujtohen edhe sot “Iliada”, “Odisea”, “Shtëpia e shpirtrave” etj.
U bë natë shpejt, ngaqë binte edhe shumë shi. Më kujtohet si tani, që m’u desh të ngjitesha mbi çati për të zënë nja dy-tre cika shiu që dërrasat e vjetra e të çara nuk mbanin më
Mbasi nëna na dha për të ngrënë darkën. Vëllai dhe motra e vogël u shtrinë të flenë, kurse nëna u ul për të bërë çorape. Unë mora një fletore te re dhe fillova të shkruaj…

Kujtim Çekani dhe Nena e tij
Kujtim Cekani dhe Nena e tij

Nëna më pa që po shkruaja dhe më tha:
-Po hë o Kujtim, lexoja nënës çfarë po shkruan. Ajo ishte gjithmonë e para që dëgjonte çfarë unë shkruaja, dhe më thoshte: “Të keqen nëna, o Kujtim, o zemër, o trim…” dhe kur më zinte gjumi mbi librat e mi, nëna më thërriste: “Po ngrihu tani se vajti vonë!” – dhe unë i përgjumur futesha pranë vëllait tim që të ndiheshim ngrohtë bashkë, dhe herëpashere ndjeja nënën që vinte dhe na mbulonte…
E nesërmja ishte njësoj si e djeshmja… pa ngjarje, veç me trishtimin dhe frikën se a do mund të hanim atë ditë dhe a do mundë të siguronim ndonjë palë çizme, edhe të vjetra e me pulla, mjaft të mos na lageshin këmbët! Me kujtohen sandallet e mia që ishte vështirë të kuptoje ngjyrën orgjinale duke ngjitur copa meshini sipër ngaqë këputeshin pambarim… çdo ditë më duhej të shkoja të merrja bukë te furra e kooperativës, edhe ky qe një nga problemet më të mëdha, mbasi duhej të merrnin bukë të gjithë të tjerët dhe mua më jepnin ajo ç’ka ngelte, më e zeza ose më e dvrmuara… “Ti kulaku, – me thoshte ajo që shiste bukë – nuk mund të marrësh bukë para të tjerëve” ngaqë ajo ishte dhe komuniste. Shumë herë nuk ngelte asgjë… ç’të bëja!! Futesha në furrë ku gatuhej buka. Furrxhiu që e dinte historinë, më kthente krahët dhe bënte sikur nuk më shikonte. Unë merrja dy a tre bukë në stivë dhe ikja me nxitim. Ajo darkë qe siguruar… një poezi trishtimi më shumë, një natë që mbetesh pas… një ditë tjetër për t’u përballuar.
Jo më larg se 5-6 ditë, nga dita që ai tipi me kostum dhe kollare të zezë, më kishte mbajtur fletoret në Librazhd, vjen korrieri i fshatit më lajmëron dhe më thotë që të kërkojnë tek zyrat e fshatit… Shkoj te zyrat e kooperativës dhe më ndalon operativi i zonës.
“Ti je Kujtim Cekani – më pyet me ton
-Po! – i them.
-Hajde këtu, më thotë, dhe më futi në një zyrë dhe m’i nguli ata sytë e kuq, – Ti je ai problematiku i Partise në Gurshpatë. Degjo këtu, do ta shohim mirë kët punën tënde.
E pashë me përçmim dhe i thashë: “Nuk kam bërë asgjë…
-Pusho të thashë! – ulëriti – Duart mbrapa! dhe u ngrit me nxitim dhe më ve hekurat… O zot kërcitja e prangave më bëri të më dridhet trupi… Atë çast u hap dera, dhe filluan te hynin njeri pas tjetrit… përgjegjsi i sektorit, kryetari i keshillit, komunistja e përbetuar shitsja e bukës, kryetari i kooperativës, kryetari i këshillit të bashkuar, dhe nje person shumë i afërt i imi… I pashë fytyrat e tyre me rradhë… Ç’të shihja! Donin të më përpinin me sy…
-Hë mor bukurosh, – më thotë kryetari i këshillit – ja arrite kësaj dite!
-Kulak i qelbur! – kërceu një person tjetër nga fshati i dajave të mi… T’ia dini për faleminderit kësaj Partie… se po të ishte për mua unë do t’ju piqja të gjallë në hell juve…!
E mblodha veten. iI pashë një për një, pastaj u thashë:
-Nuk kam bërë asgjë! Ç’keni me mua!
-Pushoooooo – më bërtiti në fytyrë njeriu im – Merreni dhe futeni në burg, i kthehet ai operativit – Ky po na shkatërron rininë! Në burg, vetëm atje e ka vendin…
Pse i thashë që “jam nipi i babës tënd…” ai u turr të më qëllojë, por dikush i doli para dhe e mbajti… Mes ulërimash dhe sharjesh me mbajten aty nja një orë me hekurat mbas shpine, pastaj dolën një nga një dhe kur mbeta vetëm me operativin, ai m’i hoqi hekurat dhe më tha:
-Do me rrish në dispozicion se me ty kam goxha punë…
Dal nga zyra e kryesisë dhe nisem në drejtim të furrës së bukës. Kryetari i këshillit të bashkuar, një djalë i ri, më thotë: “Dëgjo Kujtim, të ka ardhur emri për në burg. Unë nuk kam ç’të bëj, do më detyrojnë të firmos! Ti e di çdo të bësh. Gjej një rrugëzgjidhje vetes!” E pashë po nuk i fola. Ndalova në këmbë dhe fillova t’i shoh gjithë njerzit rreth dhe përqark… Të gjithë po mëe dukeshin si miza… bagëti! O Zot, çfarë urrejtje më hypi, sepse në të vërtetë askush s’më fliste… Po kush guxonte t’i fliste një kulaku… Nxitova në drejtim të furrës ngaqë filloj një shi dhe nisi të bjerë mjegulla. Futem brenda, dhe i them furrxhiut, që ishte njeri i mirë. “Më duhen tre bukë sot, dhe nuk i kam lekët por do t’i bie!” Nuk më dha asnji përgjigje, por më ktheu kurrizin… I mora bukët dhe dola me nxitim. Nuk di si e bëra rrugën deri tek shtëpia. Sapo u futa brenda nëna më thotë “A erdhe o shpirt i nanës?! Sa shumë u vonove vdiqëm për bukë!”
-Eh moj nënë – i them, – po ja, mezi i gjeta lekët për bukë… dhe nuk i tregova se ç’më kishte ndodhur…
Historia me operativin dhe hekurat vazhdoi edhe për shumë kohë, por unë kurrë nuk ia tregova nënës… çdo ditë e më shumë mendoja ikjen nga Shqipëria, nuk i flisja më askujt dhe i urreja ato fytyra që më dilnin përpara…

Fshati i Lindjes - Gurshpata
Fshati i Lindjes – Gurshpata

Eh, ato vite, nganjëherë i mbyll sytë dhe kam frik t’i hap… Vallë a ka ikur me të vërtetë ajo kohë?!? Eh sa kohë të vështira, sa kohë të dhimbshme… Aq shumë dua të tregoj dhe të flas, për ato kohë të vështira… nuk dua të më shpëtojë asgjë, as edhe një presje… Rinia ime e shkretë, e varfër, pa pantallona, pa këpucë, me gishtrinjtë e këmbëve të zbardhur nga lagështira, ma ca sandale plastike të ngjitura saqë ishte e vështirë të dalloje ngjyrën e vërtetë të tyre, me pantallonat gjithë arrna… Eh rinia ime e shkretë, me barkun që më gërrhiste gjithmonë nga uria… eh rinia ime si u kacavirre për të mbijetuar, por çdo gjë e keqe, e ka një të mirë. Nëna ime babai im, që më donin, ma mbushnin boshllëkun… Nëna ime… e Mira Nëna ime… një fjalë e saj më mbushte me shpresë: “Epo kjo natv e errët do tv mabrojë një ditë… edhe ti Kujtim i Nënës do të shkosh në shkollv një ditë e do të bëhesh dikushi, prandaj shkruaj të keqen Nëna shkruaj…!”

Te varri i Nenes
Te varri i Nenes

Ah moj natë e errët sa shumë zgjate… E hëngre jetën e prindërve të mi dhe mua ma more fëmijërinë… Ah moj natë e errët sa e zezë ishe, aq sa e zeza jote ka ngelë gjithandej dhe vështirër se lahet… Ah moj natë e zezë sa të zeza ke sjellë në kët vend… Ishe vetëm fëmijë dhe më shtrëngove të iki nga vendi im… Edhe unë kisha një ëndërr, por të shohësh ëndrra në net të zeza është tmerr… Endrra ime të bëhesha student në moshën e rinisë nuk u realizua kurrë… fletoret e mia të vargjeve u lexuan nga errësira… rreshtat e mi u vranë sytë faqezinjëve, që deshën me çdo kusht të më përpinin në humnerën e tyre të zezë! Ata nuk e donin dritën se drita i verbonte, i vdiste… por unë tashmë vendimin e kisha marrë…
Duhet të shpëtoja para se të më përpinte errësira…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.