back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Kupe Danja… poemë nga Arshi Pipa (1950)

Gazeta

Arshi Pipa në studion e tij
Arshi Pipa në studion e tij

Kupe Danja…

poemë nga Arshi Pipa (1950)

Në këtë foto të “Fototekës Marubi” është Kupe Danja, një figurë e njohur në Shkodër,
e përmendur për një gjest shumë fisnik që kreu në kohën e pushtimit osman…
Kur Kupe Danja pa udhës dy asqerë osmanë që po ngacmonin një grua katolike,
edhe pse i besimit mysliman, ai i doli zot zonjës dhe mbasi përplaset me ushtarët turq i vret të dy!
Pra Kupe Danja edhe pse i të të njejtit besim me osmanët qëndroi
dhe vrau zabitet për një grua të tjetër besimi! Sepse ishte shqiptare!
Ky burrë edhe sot evokon shqiptarizëm tek ne sipas motos “Feja e shqiptarit asht shqiptaria!”
…M’u kujtua kjo figurë e madhe tek po lexoja disa shkrime
që gjenden nëpër internet lidhur me fenë dhe kombin!
Arshi Pipa, poeti dhe intelektuali i madh i ka kushtuar
një poemë Kupe Danes për at akt aq burrëror… Po e sjell! Ilir Seci
.
Kupe Danja
Kupe Danja

Kupe Danja…

Poemë nga Arshi Pipa

Kû bân brryl kah Arra e Madhe
rruga e Tepes për livadhe
kishin ndenjë tue pí duhan
nji çaush, nji djál azgan,
bashkë me j tjetër mâ të rí,
turq të dy e suvarí.
Vjen nji grue me branavekë.
Fluturon, thue nuk i prekë
n’tokë pashmânga… posi krahë
letë shkon kindat tue ja rrahë
era e mbrâmjes, degërmís.
Fjolla flokësh prej shamís
nëpër báll i janë përdarë…
“Mbrâmja e mirë, moj nusja e mbarë!
Kam nji shoq, âsht pak qyqár…
Fort maraku n’ty e ka kapë:
lidhja sŷtë e bân seváp!”
Dredhon rrugë, nusja nget vrap
Xhagajdurët hap për hap
E gërgasin, donë me e ndalë…
“Paska qenë gjarpën e jo ngjalë!”
 
“Pse më lodhë, moj, kish ta dishe,
shega e âmbël devedishe!
Pse më lodhë e pse më bjerrë!
Bâhem gjarpën n’u bâfsh ferrë!
Bâhem zog n’u bâfsh qershí
fluturoj, mbi gem të rrí!
Ato duer, mori sulltanë
s’janë për vegjë e për gjylpânë!
Në mi dhânsh, moj, gjinj e gushë
me flori kam me t’i mbushë,
me flori e me inxhí,
e kam babën kujunxhí,
ja grabis, t’i bâj dhantí!”
 
Nalt n’minare thrret akshami;
vjen tue hjekë tespijt imami.
Ngjiten burrat prej pazari,
vijnë te pusi bri çinari.
N’patalok kû losin fmija
te bakalli, simiçija
me kausha me tepsija
ndrrohen gjindja tash e parë;
shkon talim nji tubë ushtarë.
 
Kupe Danja n’ato fjalë
mbyllë tarabat, shkon m’u falë.
E qet rruga andej me rá,
shef me sŷ, nuk don me pá.
Shef me sŷ, vjen tue u ndezë:
“Turp e mârre! Faqe e zezë!
Kaq u bâna, kët hatá
s’e kam ndie as s’e kam pá!”
Kupe Danja llafepaku
tha nji fjalë, e ndjeu sokaku:
“S’âsht për búrr me ngucë çarçafë,
me i rá kot të vorfnit n’qafë!”
Nuk pat sosë kur briti grueja:
“Mjera vetë qi ndodha e hueja!
Mjera vetë ndër gjith kta njerz
qi m’la turku sot pa erz!”
Kupe Danja hodhi krahun:
“Mosni burra, pashë Allahun!”
Kthen çaushi si n’mahí:
“Dashke gjobën ti, daí?
Kû po t’hiqet ashkël tye?”
Gjimon trimi tue shpërthye:
“Páç nishane, ngrì qofsh n’ár
i thonë erz, s’blehet n’pazár!
I thonë erz, nuk i thonë krande…”
“Kupe Danja, n’dore tânde…!”
Kupe Danja dorën n’brez:
“A po shkoni, faqezez?”
Vrret çaushi shokut t’vet:
“Bjeri qenit se na mbet!”
Mâ s’e ngjati, i hoqi gisht…
“Ndihmo Zojë e Jezu Krisht!”
Krisi pushka, u kuq kalldrâmi:
Kupe Danes i mbet nami.
.
Dorshkrimi i poemës "Kupe Danja"
Dorshkrimi i poemës “Kupe Danja”
“Kupe t’dalshin mendt e krésë,
çka t’u desht ty kjo ngatrresë!
Báne hasmin tánd me qeshë
vrave turk për nji kaurreshë!
 
“Agallarë, ju mos u idhnoni!
Feja, fé… por âsht zakoni!
âsht kanuni qi la i pari:
mârre e dhunë nuk bân shqiptari.
Më rá ndore, ndodhi grue…
Kush e kah s’âsht punë për mue.
Se qilloj për katolik:
i ndihmoj kur âsht n’rrezik,
e kam shoq s’e kam anmik.
I ndihmoj si m’ka ndihmue:
sot atij e nesër mue.
Ndryshe kém Bajram e Pashkë
besë e nderë i kemi bashkë!
Kët rrezik s’e deshta i ngrati,
m’u bâ borxh… qilloj sahati.
Nuk jam trim qi bâj trimní,
nuk kam emën, pasuní.
Jerevi më ka lanë baba
kam dugâjë me trí taraba.
Po s’e thotë as robi, as Zoti
me u poshtnue kotnasikoti,
me durue qi n’votër tande
kur i teket kur i kandè
nji kopuk prej Anadollit
me t’i ba paçavër sqollit
gjithshka ma për zemër ké,
qi pa to, e bafsha bé
kot me bâ hije mbi dhe!”
 
Mori fjala mal e kodër.
Qofsh e parë gjithmonë, o Shkodër!
Të lumtë pushka, Kupe Dane!
Kânga jote m’katër ane!
 
Nget bimbashi, nji harap:
“Do ta rjepi posi sqap!
Zênje Kupen gjallë a vdekë:
ka guxue n’asqer me prekë!”
 
Thrret kasneci, bie nji lodër:
Qitnje Kupen mori Shkodër!
S’e qet Shkodra kurr Jakupin
se vrau t’flligunin, magjupin!
Mos e mbajshin ana e vet
e mban prifti njizet vjet
me fërrlik e me sherbet!
 
U çue pasha e prej inati
i muer gjindt ja hallakati,
i vû zjarmin me çka pati.
U çue prifti, vendi mbarë,
shehërlij e katundarë,
me t’ungjillit e t’islamit,
turrevrap ju gjegjen dâmit.
Po n’at plâng e n’ato troje
mâ të bukur mbi rrënoje
ja goditën nji konak
me nji qoshk përmbi çardak.
.

Arshi Pipa – Burg i Gjirokastrës, 1950
(Marrë nga Faqja e Fb e Ilir Secit: 10 tetor 2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.