Kunora e Bylbylave – poezi nga Dom Ndre Zadeja

Dom Ndre Zadeja (1891-1945)

Dom Ndre Zadeja (1891-1945) 

Kunora e Bylbylave - poezi nga Dom Ndre Zadeja

…e pak rreshta për Marsin…

Pranverën, Poezinë dhe Poetin Martir

Nesër asht mars...
pra e fusim majën e kambës në Pranverë,
dhe i kthehemi edhe nji herë riciklimit të katër stinëve,
tuj fillue prej ma së parës: Pranverës,
të cilën po ju a përcjell me nji perlë të lirikës shqiptare
nga martiri Dom Ndre Zadeja…
ndër ma të parët që do ta niste tragjedinë komunizmit
dhe të pushkatimeve pa gjyq…
Ndoshta s’asht fort mirë me hy në Pranverë me dhimbje, po mundem me thanë
se perla lirike e Zadejës asht plot dritë dhe plot dashni, plot pranverë…
Veçse mars e pranverë ishte edhe kur e vranë Dom Ndre Zadejën 54 vjeçar,
e pra, në kët mars të kësaj poezie aq te bukur, asht edhe Marsi i Trishtë
i 70 vjetori i vrasjes së këtij poeti aq të ambël…
Mirse vjen i dashtun mars…
edhe në nderim të këtij Martiri të Gjuhës Shqipe… dhe vargjeve të tij!
jozef radi, 28 shkurt 2015

Origjinali i poezisë së Dom Ndre Zadejës

Origjinali i poezisë së Dom Ndre Zadejës

Kunora e Bylbylave

poezi nga Dom Ndre Zadeja

Leht’ i prekë me fletë zbunimi
zemrën zemrave tuj qasë
ndin se rrahin prej mallnjimi
se janë fry e duen me plasë.

Këndon bylbyli, ban se s’ndjeva,
Shkundet puplash, ban se s’pa,
Po kur dorën mbrendë e ktheva,
Me ty bashkë bylbyl kam kja…

Zoga të bukra, delni, eni
Sot prej prindve do t’u dajë:
Gja s’po merrni gja s’po keni,
Bukurija e vetmja pajë!

Rrokni babë e puthni nanë,
Të dyvet lypni hallall,
Me sy matnje anë e m’anë
Shpinë që sot u qet me mall.

I përcjellë kafazi i vjetër:
Udhamarë bylbyka të mi!
Shkoni e gjeni ‘i kafaz tjetër
Shkoni e gjeni prind të ri…

Besabesë fort jam idhnue
E k’saj jete s’di çka me i thanë
Zemra zemrën me largue,
Syni synit lot me i dhanë!

D. Ndre Zadeja
Shkrel, Prendverë 1933
(Marrë nga muri i Fb. i Bep Cobës)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj, Gazeta  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook