back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kujtoj Totën time… Viola Doko (në dy variante)

Gazeta

Viola Doko
Viola Doko

Kujtoj Totën time nga Viola Doko

(në dy variante dialekti i Kosovës dhe Standarti)

(Dialekti i Kosovës)
Kaheri nuk isha dalë nëpër qytet me u shetitë se veç e nxanun me punë, e dimnit tuj kenë e hikun, veç që e duhet me i than falemnerës nji shoku qi erdh prej larg, dola e u hasa me të njoftun e të panjoftun e diku nji kafe, diku nji muhabet e u shetita për qef temin.
Paj s’di pse prom mu kujtu dada a tota jeme se e kam pas nji tote qi m’ka rritë asht kenë prej Peje e metun vejush e pa thmi, Gjyl e kish emnin e vet veç un totë e kam pas thirr, e tota rrijke tuj u menu e folke pak, e veç e kaiher thojke: “…fatin e kurvës me pa pasë, ish kon ma mirë…!” E ka e nijsha m’vike habi, se aja ish krejt e urtë e une si thmi i thojsha: “O totë, po çka je ka flet bre, se marre po asht qajo fjalë…!” e tota jeme e mirë mu kthejke: “Çikooo, asht t’u ardhë moti i dreqit e s’po ban fajde kurr njisen e kurrkushi me faqe t’bardhë…!” E kqyrsha krejt habi totën teme e ajo niste nji bisedë paj ma shumë e bante me vedi se me mu, se ncek s’ja vejsha veshin… “Çikoo, moti i dreqit po avitet e ti boll dreq je me kenë, po për t’zezë tande se jam ka t’kqyri me qato libra nëpër dur e jam ka t’i nij fjalt qi je ka flet, veç Zoti pastë mshirë për munin tem e jetë tanden, veç amanet ta lo ma s’mirti me pasë emën se jetë… oj loçkë, mjerë unë për qat kry tanin… po mrapsht bre e kie…” e un kah i dijsha tana kto fjalë qi do m’i thojke tota, fillojsha e kcejsha nëpër sob e nalesha veç kur me nji za vaji tota niste me knu kangën e motrës Hajri.
E sonte tuj u shetit nëpër qytet krejt shetinë e bana me totën, e si kurrë ma parë nuk nisa me kcy e as me knu, po e niva si me pa kenë e para her njaja bisedë tuj u bamun e n’fun pashë se sytë ishin rrëmush me lotë.
Po bre totë, mirë je ka thu: paç fat kurvet!!!! Veç për besë t’Zotit, o tota jeme, emnin e kam… Viola…

Viola Doko
Viola Doko

(Shqipja e Standartit)
Kisha shumë muaj që nuk kisha dalë të shëtisja nëpër qytet, gjithmone në punë e me orarë të zgjatura verës dhe dimrit duke u larguar, e për këtë shetitje me duhet të falenderoj një shok që më erdhi nga larg dhe ai u bë shkak pasi kish dëshirë ta vizitonte qytetin. Në daljet e disa mbrëmjeve ndesha të njohur dhe të panjohur, e diku një kafe, e diku një bisedë por që vërtetë i shijova ato mbrëmje, e sonte isha vetëm në shetitje dhe s’di pse m’u kujtua dadoja ime, por që unë e thirrisja gjithmonë: Totë! Ajo ishte nga Peja, e mbetur vejushe dhe pa fëmijë: Gjyle, e quanin dhe ajo u mor me rritjen time… ishte e urtë dhe fliste pak, e herë herë e thyente heshjen e vet me një fjali që mua më bënte me dije se çdo të dëgjoja më pas: “Fatin e kurves të kisha pasur, më mirë do t’kishte qenë…” Habitesha dhe i kthehesha: ” Tote, po është turp pse i thua këto fjalë, por ajo vazhdonte… “Vajza ime, është duke ardhur koha e djallit, po ti mjaft djallzore je, por për të keqen tënde, se po të shoh gjithë ditën me libra në dorë dhe po t’i dëgjoj mendimet që ke në kokë, veç Zoti pastë mëshirë për mundimin tim, për ty por dhe për jetën tënde, veç moj bijë nji fjalë po ta le amanet; më mirë me pasë emër të gjatë se jetë të gjatë pa emër… O zemër, e mjera unë për atë kokën tënde të prapë…!” I kisha dëgjuar aq shpesh këto fjalë dhe kur tota niste fjalimin siç e quaja unë, nisja dhe kërceja nëpër dhomë duke kënduar dhe ndalesha vetëm atëhere kur një zë si vaj niste dhe këndonte këngen e motrës Hajrie…
E sonte isha në shetitje me totën time, dhe si asnjëherë nuk këndova e as kërceva kur ajo nisi bisedën, vetëm e dëgjova si të ishte e para herë që e dëgjoja dhe verejta se sytë më ishin mbushur me lot… “Po, o tota ime, mirë po thua paç fat kurve… veç unë o totë, për besën të Zotit emrin e kam… Viola…”
2 shtator 2013 fb.

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. I lexova të dy variantet e Violës, dhe të them të drejtën më kënaqi më shumë ai në dialektin e Kosovës… Ma pruni në vesh pak babën tim… Jo gjithmonë, po kaiherë i rrëshkiste kosovarçja…
    Një tregim i shkurtë, i thjeshtë dhe njikohësisht një mesazh i bukur në të…
    Tashti më kujtohet edhe Viola, dhe tregimi siç e thotë edhe ajo vetë bash i përshtatet….

  2. I vlërsoj shumë ata njerëz që janë vetvetja… që me atë heshtjen e tyre dinjitoze, pa aspak mburrje dhe zhurmë na shprehin herë mbas here, se sa shumë vlen mendimi dhe talenti i tyre!
    Më jep mjaft gëzim çdo gjë që lexoj prej Violës… Përgëzimet e mia!!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.