back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Gazeta

At Giuseppe (Zef) Valentini (1900-1979)At Giuseppe (Zef) Valentini (1900-1979)
At Giuseppe (Zef) Valentini (1900-1979)

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin

nga librat e Lazër Radit

Kanuni dhe teza e doktoraturës

Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të mirë të mendueme – sikur m’u lehtësuen gjitha të këqijat njiherit. Pesë provimet e tjera që duhej me i dhanë, s’i kisha aspak problem.
Mbrenda tri javësh i dhashë edhe provimet e tjera, kështuqë u lirova nga barra e randë e asaj vere qe po vinte. Tash më duhej me u marrë “a tempo pieno” me tezën e doktoratës.
Me thanë drejtën, punimi i Tezës së doktoratës më hangri shumë kohë, shumë ma tepër se e kisha mendue… Edhe pse konsultimet e materialeve i kisha nisë shumë kohë ma parë, edhe pse landën e kisha grumbullue pothuej krejt, e s’më mbetej veçse me e hjedhë në të pastër. Po duke e shkrue në makinë e duke e plotësue herë mbas here shkrimi u zgjat mjaft.
E vërteta asht, se at punë e kisha nisë qysh në prill sëbashku me Feden: unë ia diktoja, ajo e shkruente në makinë. Si daktilografiste ishte aq e kujdesshme sa në njiqind e sa faqe të shtypuna nuk gjeta asnji gabim shtypi. E kjo më habiti jo pak!
Teza e doktoratës ishte: “Le consuetudini giuridiche, come attività spirituale del popolo albanese”. (Doket zakonore si prodhim shpirtnor i popullit shqiptar.)
Idea ishte se nji popull që jeton aq i izoluem – pa nji qeveri e pa nji administratë të rregullt për periudha historike, asht i detyruem me krijue ligje e rregulla lokale për me sigurue bashkëjetesën në shoqni, n’at shoqni pak a shumë natyrore e primitive. Ligje të tilla të ngjashme ne gjenim edhe ndër fiset e pazhvillueme të Afrikës. Përfun-dimi ishte se në Shqipni nuk ka pasë nji ligjvanës ose nji mbret siç kanë pasë popujt e tjerë, i cili përveç si administrator e despot që njihej të ishte vendosës e zbatues ligjesh.
Doket dhe zakonet tona janë përmbledhë nën titullin: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, ku në disa vizatime të punueme në tush, shfaqej Leka me nji pergamenë, sigurisht duke shkrue ligjet kanunore. Po, kjo asht thjesht nji fantazi. As para e as mbas tij, në vendin tonë, nuk ka dalë ndonji ligjvënës. Kemi pasë ruejtësa e zbatuesa të Kanunit. Bajraqet kanë pasë pleqtë e tyne që i dinin përmendësh krejt nenet e Kanunit dhe i zbatonin në raste konkrete kur u shfaqeshin problemet. Ma vonë, qysh me Lleshin e Zi, fillon e iu la nji shpie, interpretimi dhe zbatimi i ligjeve kanunore. Kjo ishte Kulla e Gjonmar-kajve të Mirditës.
Kur nji çeshtje nuk zgjidhesh dot prej pleqnisë, atëherë fjala e fundit, vendimi, i mbetej Derës së Gjomarkajve. Kjo shpi funksiononte si nji lloj Kasacioni apo Gjykatë e Naltë, e cila i jepte fund grindjeve te vjetra kanunore.
Duke u mbështetë në këto të dhana, mbrrija në përfundimin se në historinë e Shqipnisë, vërtet s’ka pasë nji ligjvënës, po vetë populli, u organizue me jetue në nji bashkësi solide, duke krijue ligjet kanunore si rregullatore të jetës së tij. Pra, krejt ai thesar i grumbu-lluem, nga njerëz të shquem si Patër Shtjefën Gjeçovi, dritë pastë, apo ato të përmbledhunat që njifen me emnin “Kanuni i Lekë Dukagjinit” apo “Kanuni i Skënderbeut” etjerë, janë fryt i nji veprimtarie shpirtnore të vetë popullit shqiptar, i cili e përcolli kët traditë gojë m’gojë e brez mbas brezi – deri n’ditë tona.
Nji tezë të dytë që u përpoqa m’e shtjellue në studimin tim ishte edhe: “Populli shqiptar me këto ligje kanunore e garantonte lirinë e vet individuale apo e skllavnonte edhe ma tepër atë?!”
Derisa në bazë të mendimit filozofik të popullit qën-dronte koncepti se liria e ime mbaron aty ku nis liria e tjetrit dhe, derisa si bazë, etiko-morale ishte mendimi: “Mos ia ban tjetrit at çka nuk dëshiron me ta bà ty…” – ishte e qartë se edhe nenet e kanunit që delnin nga mendja e tij do të përpiqeshin me qëndrue mbrenda caqeve të kësaj filozofie e mbrenda kufijve të këtij morali.
Marrja nën besë dhe pasja e besës – asht nji institucion me karakteristikën ma të theksueme shqiptare – që ishte edhe garanci ma e plotë e sigurimit të lirisë individuale. Po të shkelej Besa, atëhere krejt shoqnia e grupit solidarizohej me dënimin ma të randë t’atij që prishte o e shkelte Besën e dhanë.
Nisun nga fakti se shtyllat e moralit fisnor ishin tri: Besa, Nderi e Burrnia. Mbi kët bazë mbështetej krejt jeta dhe filozofia e atyne fiseve që ishin të detyrueme kolekti-visht e në marrveshje të plotë mes tyne, me rregullue e administrue jetën e tyne të përbashkët. Pjesa ma e madhe e normave të Kanunit pasqyron psikologjinë e malsorve, e them malsorve, se pikërisht n’ato zona u krijue, u zhvillue dhe u mbajt në kambë ky kod i lashtë. Kanuni veproi në Dukagjin, në Malësi të Lezhës, në Mirditë, në Rrafshin e Dukagjinit, në Malsi të Madhe, në Kosovë, në Shalë e Shosh, në Nikaj-Mërtur, në Lurë, në Dibër, etj. Aty përshkruhen e çohen në qiell virtytet ma të mira të popullit shqiptar si: Besa, Burrnia, Mikpritja, Nderi, Trimnia, etj. Nji pjesë tjetër e kanunit, shërbente si Kod Civil i vërtetë, përmes të cilit rregulloheshin marrë-dhaniet patriarkale – ku trajtohej prona private, e drejta familjare, e drejta penale e drejta procedurale.
Gjatë hulumtimeve të mia kisha ndjekë disa ligje kanunore të pashkrueme të popujve primitivë të botës, prej Afrike e deri në Azi, prej popujve autoktonë të dy Amerikave e deri në Australi. N’asnji prej atyne kodeve nuk spikat, si në Kanunin e Lekë Dukagjinit, origjinaliteti kombtar shqiptar.
Kur shkelet nderi dhe e drejta e nji individi e, sidomos kur ky asht i paaftë me mbrojtë vedin – ose tradhtisht asht krye nji veprim i ulët ndaj nji tjetri, atëherë – krejt katundi, i tanë fisi çohet në kambë me e vu drejtësinë në vend.
Asnji lloj skllavnie s’mundesh me e hasë në Kanunin Shqiptar. Ka pasë tendenca të tilla, ku asht mendue se po të vritej biri i nji fisi të mirë, hakmarrja mendohej të ishte tre o katërfishtë. Në Kanun diçkà të tillë s’asht lejue sepse ka preferue në bazë të këtij ligji me vendosë konceptin moral se: “I miri dhe i keqi – shkojnë nja për nja!” – çka do të thotë se për Kanunin s’ka privilegje dhe se të gjithë, pa përjashtim, mbeten të barabartë duke përfshi në kët thes edhe krenët fiseve dhe bajraktarët.
 
***
Dita kur diskutohet teza e doktoratës së çdo studenti shpallet në disa vende të posaçme të universitetit, dhe kur teza paraqiste ndonji interes të veçantë, at’herë ajo rekomandohej nga vetë Profesori, ose prej Katedrës ku studenti ishte regjistrue.
Nji gjà të tillë, e kishte bà me tezën time edhe Profesori i Filozofisë të së Drejtës, c. Ai e kishte rekomandue si nji studim të vlefshëm e tejet interesant temën e trajtimit tim mbi zakonet ligjore të nji populli të mençun e filozof, i cili për shekuj e shekuj pushtimesh, kishte mbrritë me organizue jetën e vet me doke ligjore të vlefshme e të përsosuna sa habisin edhe legjislatorët modernë ma të njoftun të botës.
Kisha vërejtë se profesor Cesarini-Sforza e kishte studiue thellë tezën time dhe jo vetëm dëshmonte nji simpati të veçantë për mue, po edhe mjaft vlerësim, mbasi isha ndër të paktët studentë që e mbroja tezën e doktoratës në nji landë aq të vështirë e aq me pretendime siç ishte Filozofia e së Drejtës.
At ditë kur i shkova në selinë e tij për konsultime më tha:
-Zoti Radi, ke bà nji punë shumë të mirë si në pikpamjen letrare, edhe në pikpamjen e thellsisë filozofike e studimore. Do të kisha dashtë që ditën e diskutimit tand të vijnë sa ma shumë njerëz me të ndjekë. Profesorëve u asht dhanë teza jote. Çdonjeni prej tyne e ka në vedi. E çova me ta riprodhue në dhjetë kopje.
-Oh, ju falenderoj shumë Profesor, për tanë ndihmën që më keni dhanë. Kjo fushë që shtjellova asht diçka e re, diçka e parrahun siç duhet, në krejt fushën juridiko-etnologjike të kohës.
-Edhe kjo qëndron! Pa komplimenta, punimi juej përveçse asht interesant, asht edhe letrarisht i shkruem në formën ma të përsosun.
Menjiherë më shkoi mendja te Fedja, shoqja e ime e dashtun që kishte derdhë në punën time krejt aftësitë e saj letrare.
Fedja pa qenë poete as shkrimtare, shkruente nji italishte me ia pasë zili. Pra… nji pjesë e suksesit të asaj teze, i dedikohet përkushtimit dhe kambnguljes së shoqes sime fort të dashtun, ndër ma të rrallat e jetës sime: Fede Cimas…
 
***
Ma në fund, qershori me vapën po na merrte shpirtin!
Mbasi i kisha dhanë pesë provimet – plus atë të Proce-durës Civile, më kishte mbetë vetëm diskutimi i Tezës, i cili do të mbahej nga aty në fund të qershorit të ’42.
Ishte nji sallë e veçantë – mjaft e hapun. Në krye ishte nji podium me nji tavolinë të gjatë sa krejt hapsina – siç janë zakonisht sallat e gjyqeve. Hymja e profesorave bahej prej nji porte të vendosun mbrapa. Në orën e caktueme, hynë të 11 profesorat, gjithë të veshun me tunikat e zeza, që n’at rast i jepnin atij diskutimi pamje solemne. Para katedrës qëndronte nji tavolinë e vogël me nji karrige të vetme. Ishte vendi i kandidatit që kishte radhën me diskutue Tezën e asaj dite. Menjiherë mbas karriges së kandidatit, vinte nji parmak që ndante atë nga rreshtat e karrigeve ku do të qëndronin ata që do të ndiqshin “diskutimin”.
Vuna re se ushieri (kujdestari i sallës) solli dy karrige dhe i vendosi në krahun e djathtë, mbrenda parmakut ku isha unë. Mbas shpinës sime kishte plot njerëz. Ma së pari ishin gjithë shokët e mi të kursit po edhe kolegë të universitetit, mandej kishte edhe njerëz nga të gjitha moshat. Më ranë në sy edhe të moshuem – disa prej të cilëve edhe me mjekra – personalitete të interesuem për studime të tilla me karakter etimologjik e folklorik. Për ta ishte nji temë e re, diçka që s’e kishin ndeshë ma parë. Ndërkohë erdhën edhe profesor Namik Resuli, i shoqnu-em nga pater Giuseppe Valentini. Profesor Namiku shkoi e u përshëndet me trupën e profesorëve që kishin zanë vend në katedër e po diskutonin mes tyne me zà të ulët – sigurisht për ndonji pjesë të veçantë… Me profesorët u përshëndet edhe patër Valentini, të cilin e prezantoi profesor Namiku. Ma në fund, edhe ata dy zunë vend në karriget pranë postit tim.
Për ata ishin mbas, as për njimbëdhjetë profesorët që ishin në grand-uniformë s’po mërzitesha fort, prania e patër Valentinit dhe profesor Resulit, më trazoi jo pak me thanë drejtën, më bani me m’u dridhë leqet e kambëve. Pse e dija fort mirë se patër Valentini, ishte nji studiues i jashtëzakonshëm, dhe njoftës i thellë i zakoneve e traditave shqiptare. Edhe në vitet e Shkodrës e kisha njoftë dhe e kisha çmue si njeri me kulturë të gjanë e studiues nga ma të mirët e psikës shqiptare.
.
Lazer Radi e Gino Lanzillotta - Rome 1941
Lazer Radi e Gino Lanzillotta – Rome 1941
Kisha vendosë që diskutimin ta vërtisja rreth zakoneve dhe virtyteve të popullit shqiptar, me qitë në dritë jetën e popullit tonë dhe natyrën njashtu të pastër e fisnike siç e kërkonte Platoni peripatosin e tij, apo Zhan Zhak Russoi te Emili. Me gjithë primitivitetin tij të natyrshëm, në ballancë të etikës e moralit – populli i ynë qëndronte ma nalt se shumë popuj të tjerë që e konsiderojnë veten të qytetnuem, ndërsa janë të zhytun në nji falsitet jete, në nji hipokrizi shembullore e në vese të shumta që s’janë tjetër veçse karikatura të modernizmit dhe qytetnimit fasadë në gjithë tiparet e tyne.
Për fat, mbasi profesor Vidar Cesarini-Sforca, bani hymjen, pra relacionin mbi librit, – duke përdorë nji gjuhë të zgjedhun e fjalë nga ma vlerësuese për popullin shqiptar, shprehu edhe tanë simpatinë e tij jo vetëm për doket dhe zakonet ligjore, po për të gjithë ato virtyte të çmueshme e fisnike – sa mund të ishin nji nder dhe nji pikë referimi për cilindo popull të Europës së qytetnueme. Në mesjetë e këndej, njerzimi ka asistue ndër masakra e inkuizicione të tilla që s’i nderojnë aspak ata popuj që i kanë krye, e jo vetëm vetes së tyne, po krejt historisë së njerzimit i kanë vu njollën ma të zezë. Kam frikë – tha profesor Cesarini-Sforca – se qytetnimi që po i imponohet këtij populli, me hir ose me pahir, ka me e plagosë dhe me ia vra këto virtyte të lavdishme, të cilat sot ia kanë zili shumë popuj të botës.
Instinktivisht m’u dha me i duertrokitë fjalët e fundit të profesorit relator. Duertrokitja qe e përgjithëshme e frenetike.
Isha në shteg të mirë.
Fjalët e profesorit për vendin tim ishin të ngrofta dhe entuziaste, e lanë nji përshtypje të thellë te gjithë auditori i shumtë.
Profesor Cesarini-Sforza ishte autoritet i njoftun dhe i respektuem në At’heneun e Romës, bile edhe të Italisë. Përveç profesorit relator, kishte ardhë edhe kolegjiumi i profesorave – krejt autoritetet dhe titullarët e landëve të ndryshme të Fakultetit të Drejtësisë.
Mbas relacionit, profesori relator pyeti profesorat e tjerë, nëse kishin ndonji pyetje o ndonji vërejtje, fillimisht për relacionin e Profesorit. Ata deklaruen se do t’i banin pyetje kandidatit në kohën e volitshme.
Dhe vërtet më erdhën mjaft pyetje:
Pyetja e Parë: “Vlera moralo-etike e virtyteve shqiptare: Besë, Nderë e Burrni”.
Pyetja e dytë: “Si sigurohet liria individuale mbrenda normave të dokeve ligjore shqiptare”.
Pyetja e tretë: “Si organizohet administrimi i fiseve shqiptare pa i cënue marrëdhaniet individuale?”
Nuk ia vlen me u zgjatë në përgjigjet që iu dhashë atyne pyetjeve meqë këto gjenden me hollësi në tezën time të doktoratës. Di vetëm se iu përgjigja me detaje e në mënyrë të plotë. Përgjigjen e vlerësoja te fytyra e profesorave, të cilët shprehnin kënaqësinë e tyne duke aprovue përgjigjet e mia.
Përveç përgjigjes strikt të pyetjeve që m’u banë, u përpoqa me folë sa ma gjansisht duke nxjerrë në reliev anët pozitive të popullit tonë, pa lanë anash edhe vërejtjet. Në kët mënyrë krijoja nji atmosferë të favorshme simpatie si për kulturën shqiptare ashtu edhe për vendin tim.
Debati vazhdoi për ma shumë se nji orë. Në fund profesor Vidar Cezarini-Sforca, bani përmbledhjen, duke shprehë edhe njiherë krejt simpatinë që ai ndjente për popullin shqiptar dhe Shqipninë. Mbasi bani konkluzionet përmbledhëse, dhe marrë vlerësimin e secilit profesor, në emën të Kolegjumit më deklaroi Doktor Juris, me maksimumin e votave 110/110.
Nën duertrokitjeje të stuhishme, u drejtova kah Katedra, e falenderova ma së pari profesorin relator andej krejt profesoratin, të cilët më uruen suksese në jetë e në punë. Mandej u ktheva te profesor Namik Resuli dhe patër Valentini. Me sytë që u shndrisnin, më përgëzuen të dy për punën e vyeme dhe serioze që kisha bà. Mandej me shokët e shoqet u puthëm dhe u përqafuem gjatë… Prej aty shkuem në barin e Universitetit ku i qerasa gjithë ata që kishin marrë pjesë në festën ma të madhe të jetës sime, por ajo që meritonte ma së shumti përqafimet e mia ishte Fede Cima, hija e saj ma kishte përndritë at vepër të randsishme të jetës sime, që për fat të keq, si shumë gjana të shtrenjta të jetës sime, do ta përpinte në vitet e mavona flaka e terrorit…
 
***
Me kaq i kisha dhanë fund jetës universitare – asaj jete aq të bukur që njeriu s’mundet m’e harrue kurrë. Tash më duhej me iu futë rrugëve të vështira të jetës. Dëshirat dhe andrrat ma të bukura të rinisë tash duhet të përballeshin me njimendësitë e vështira që, zakonisht s’puqen kurrë me at çka synon e dëshiron njeriu, e sidomos i riu, që aq me zell përpiqet me mësue për vite e vite, me jetue herë mirë e herë keq, me ba njimijë sakrifica, me kalue ndër privacione të shumta, vetëm e vetëm me ia mbrritë asaj dite të cilën, unë po e gëzoja…
Asaj dite e asaj ore kur njimbëdhjetë profesorë të universitetit të Sapienzas, të veshun në granduniformë – me tunika të zeza, u çuen në kambë, duke më dhanë verdiktin e tyne final. E ti, me të dridhun shpirti pret atë fjalën e fundit të profesorit relator. Ai që s’asht pregaditë si duhet ka me u kënaqë edhe me nji notë kaluese… kurse ai që asht pregaditë seriozisht e ka punue me kambëngulje, pret maksimumin votës e, ndonjiherë edhe “Me lavde” – siç e kishte marrë dikur edhe profesori im i dashtun, Koliqi me tezën e tij famshme mbi eposin e Kreshnikëve, duke korrë nji sukses të rrallë…
.
Marre nga libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)
 
At Zef (Giuseppe) Valentini (1990-1976)
At Zef (Giuseppe) Valentini (1990-1976)

Në Bibliotekën Orientale të Romës

Njena prej rrugëve ma të bukura të Romës, mban emnin e lashtë “Via Nomentana”. Asht ndër rrugët ma elegante të qytetit, e në çdo kohë, aty mund shofësh nji lum drite që derdhet ndër rrugët e tjera e përthith prej tyne dinamikën e qytetit të madh.
Tue kalue andej pari, të duket sikur hecën mbi andrra kohnash të lashta e të reja që s’dijnë kurrë me perëndue, aq sa e ndjen vedin diku pezull midis qiellit e tokës!
Në kët rrugë të stërlashtë, syni gjen nji blerim të përhershëm në dy krahët e saj, e si nji burim i fuqishëm mali, Nomentana gurgullon me nji dritë të përhershme, që shndrit ngjashëm pothuej në tana stinët e vitit.
Edhe ditët, edhe netët aty duken të njillojta. Edhe tramundana që në qytet e ndër rrugë frynte me nji forcë të dukshme, aty as perceptohej fare. Shpesh ndodh që njeriu tue kalue kësaj rruge humb konceptin e kohës. Dhe unë, sa herë doja me iu shkëputë tokësores e problemeve të rinisë, merrja kët rrugë, e përshkoja tejembanë me kënaqësi dhe gjeja shpëtim te ajo.
Pikërisht, diku n’nji fragment të kësaj rruge, ishte Biblioteka Orientale.
 
* * *
Biblioteka Orientalete ishte nji ndërtesë e vjetër, jo fort e përshtashme për punën që kryente. Si bibliotekë, ajo ishte e begatë e mund të gjeje materiale konsultimi të pafundme.
Kisha fillue me e frekuentue gjithnji e ma dendun at Bibliotekë, qysh se nisa me përgaditë Tezën e Doktoraturës. Më duhej me konsultue libra të shumtë dokumentesh kohnash të ndryshme, mbasi teza ime kishte të bante me doket zakonore e ligjore të Shqipnisë, kështu që isha i detyruem me gërmue materiale për fise e popuj primitivë, me pà si e kishin rregullue jetesën dhe mbijetesën, me mbrritë deri te shoqnitë ma të organizueme. Më nevojitej me bà ma së shumtì nji studim krahasues! Kështu që, jo vetëm iu vuna studimit të jetës dhe kulturës së popujve primitivë, po edhe organizimit të tyne, që kishte qenë edhe ma primitiv se ai i Shqipnisë së dikurshme. E theksoj, në veçanti më nevojitej material informativ. Kështuqë, Biblioteka Orientale për mjaft kohë m’u ba e përditshme dhe e dashtun së bashku me rrugën Nomentana. Me gjetë pjesë të atij materiali që më lypsej, më ndihmoi shumë edhe Padre Giuseppe Valentini, i cili n’at institucion ishte ma mirë se në shpi të vet. N’atë godinë, Padre Valentini njihte çdo skutë të saj, e me fjalën e tij, m’u caktue edhe nji tavolinë e veçantë, e cila gjatë gjithë kohës së studimit ishte në dispozicionin tim.
Punoja çdo ditë mbi katër-pesë orë! Kur lodhesha, o kur më tekej për nji cigare, e lija studimin dhe dilja në korridor. Pranë nji dritareje, atje në fund të korridorit, mbështetesha e tymosja në qetësi. E ndërsa ndiqja fjollat e tymit, i hidhja nji sy edhe lulishtes që shtrihej nën dritare. Lulishtja ishte e bukur, dhe vetëm tue e soditë çlodhesha e më vërshonin energji të reja me vazhdue punën!
Lulishtja më shfaqej si nji qendismë e përsosun. E pame njashtu prej nalt dukej si nji sixhade e punueme prej duerve të nji artisti mjeshtër. Ato forma gjeometrike të shumta e të përsosuna, me nji llojshmëri mahnitëse lulesh e ngjyrash ma grabisnin vëmendjen. Përpiqesha me i numrue llojet e luleve që hijeshonin at lulishte, po shpejt e kuptoja se ishte futë n’nji marrëzi e kandshme, veç me vra kohën. Më krijohej përshtypja, se s’mund të gjendej vend ma i përshtatshëm për përsiatje poetike e për reflektime filozofike si ajo lulishte. Nji dorë mjeshtri kopështarie me shpirt artisti e shije të hollë qëndistari, e kishte stolisë njat vend si piktor i vërtetë.
Ç’ka më habiste ma shumë ishte se asnjiherë s’kisha vërejta kend të gjallë tue lëvizë asaj hapsine të qëndisun, aq sa shpesh shtyhesha në kureshtje me e pyetë vedin: “Si ishte e mundun?! Nji lulishte kaq e bukur bahet e mbahet prej njerzish a jo?! A duhet ta shijojnë e ta gëzojnë nji bukuri të tillë, apo thjesht asht m’u soditë prej s’largu! Përndryshe, ç’kuptim do të kishte ato kopshtije aq të bukura, punue me aq dashni, mos m’u shetitë e mos m’u shfrytëzue prej askujt! Nji punë e tillë aq e hollë nuk bahet kotnasikoti – veç me qenë nji dekor formal! – vazhdoja me mendue me vedi.
E jo vetëm e bukur, po edhe jashtëzakonisht e pastër! Askund s’të shifte syni nji fije bari tepër, nji degë lulesh të çakërdisun a sqetullore të thata. Gjitha degët ishin të krasituna ambël e të preme sipas rregullash estetike rigoroze. Përhumbesha n’at bukuri të saj, e andrroja sikur njat lulishte ta kisha diku afër shpisë ku jetoja, e ta shfrytëzoja për përsiatjet e mia poetike, e pse jo edhe ma shumë…
Diçka e panjoftun, nji shtysë e mbrendëshme, gjithnji e ma dendun më joshte me i lanë konsultimet të hapuna mbi tryezë e me shkue atje në fund të korridorit me e ndezë cigaren e rradhës, me e çilë dritaren e me soditë pafund… tue u derdhë mendimesh. E pra shifej qartë se vaditja e luleve, lamja e zallishtes që gjarpnonte anash vllajve – ishte krye prej nji dore, dikush ishte përkujdesë për at lulishte, edhe pse e padukshme ishte njaty pari…
Po kush?! Burrë a grue? Në ç’kohë kishte ndodhë, që s’kisha rastisë qoftë nji herë të vetme ta shifja? Doja ta përshëndesja e ta përgëzoja për at punë të bukur e artistike që bante njashtu në heshtje. Doja me ia ba me dorë, e ta falenderoja për at kujdes të qendisun. Pse vazhdimisht e shifja punën, po asnjiherë njeriun, i cili tashma qe shndrrue n’nji mister të vërtetë. Ndoshta, pak çaste ma parë se me e hapë dritaren, mund që ai ta kishte mbarue detyrën e vet prej kopshtari, o mos ishte diçka magjike e vetë natyrës!? O ndoshta dikush i padukshëm për sytë e mi, i kryente gjitha veprimet, aty nën hundën time, e unë s’do mund ta shifja asnjiherë… Ditë mbas dite, kopshtarin e asaj lulishte nisa me e mendue nji hije, përndryshe s’kishte si shpjegohej ai mister lulesh e hijeshie, që përditë e ma tepër ma kishte turbullue kureshtjen. Daljet gjithnji e ma e shpeshta në korridorr, nisën me i ra n’sy edhe kujdestarit të sallës së leximeve. Për mue kjo e kishte nji shpjegim krejt të thjeshtë: Po lodhesha e dilja n’korridor me e ndezë nji cigare, jo me shue ndonji kuriozitet e aspak me zbulue ndonjë “mister” – që ma së shumti as ekzistonte…!
.
Lazër Radi - “Vorbulla të Jetës Universitare” - Roma
Lazër Radi – “Vorbulla të Jetës Universitare” – Roma
***
Nji ditë, mbasi dola për pushimin e zakonshëm iu afrova dritares. Tue e hapë shof aty pranë Padër Valentinin, buzqeshja e të cilit e kishte pyetjen nga mbas:
-Si shpesh po vjen te kjo dritare, mor djalë?! – tha tue m’bà edhe përshëndetjen e tij karakteristike.
Ia diftova lulishten dhe i fola gjatë për kureshtjet e hamendjet e mia! Mbasi më ndigjoi me vëmendje, e m’la me vazhdue derisa e mbarova mendimin, e më tha:
-Zakonisht kjo dritare nuk hapet. Ajo lulishtja që sheh njaty poshtë i takon njasaj shpisë me grila krejt të mbylluna.
-A jeton kush n’at shpi? – e pyeta pa e lanë me mbarue.
-Prit, mos u ngut! Ende s’e kam përfundue fjalën! Jetojnë! Posi, s’jetojnë! Aty jeton nji komunitet shumë i nderuem grash! Banojnë të quejtunat “Le sepolte vive”! (Të vorrosunat për s’gjalli).
 
Në të vërtetë, kisha ndigjue diçka për nji komunitet të tillë. Në rrugën Palestro, ku kisha banue vitin e parë, më kishin kallzue për nji ndërtesë dritaret e së cilës shifnin mbi rrugën kryesore, e që ishin gjithnji të mbylluna me grila! Tue e pà nga jashtë, domethanë prej rrugës Palestro, m’jepte përshtypjen se ajo banesë ishte krejt e shkretë e aty s’banonte kërkush i gjallë. Ma vonë, mora vesh se ajo ndërtesë ishte kuvendi i murgeshave “Të vorrosuna për s’gjalli”.
Tash para asaj lulishteje, dhe para mendjes sime u shpalosën tjera mendime e tjera kureshtje! Si do të ishin ato murgesha: Të reja? Plaka? Po të jenë të reja, çfarë kërkojnë njaty? Ku patën kohë ato, në nji moshë kaq të njomë me pësue zhgënjime kaq të fuqishme, sa me hjekë dorë prej gëzimeve të jetës. E kuptoja, që kur njeriu i përkushtohet nji qëllimi të naltë e fisnik – m’i shërbyer njerzimit ndër spitale o vende tjera të vuejtjeve dhe mjerimit. Po, me vdekë vullnetarisht, m’ishte diçka e pabesueshme.
Mirëpo, aty isha para nji realiteti të prekshëm! N’at ndërtesë, siç më kallzoi ma vonë at Valentini, jetonin njerëz. Ishin të ngujueme vajza të moshave nga ma të ndryshmet, të cilat në mënyrë të vullnetshme, pa asnji shtysë, pa asnji nxitje të jashtme, pa asnjë detyrim – kishin hjekë dorë nga çdo gjà toksore dhe ishin përkushtue nji ideali qiellor, të cilin ne njerëzit e shekullit – siç isha edhe unë – asnjiherë s’do të mbrrinin me e kuptue si dhe sa duhet.
Ky ishte ai vetmohimi, në kuptimin ma të thellë të fjalës!
Me hjekë dorë prej gëzimeve të jetës, prej asaj gjallnie të moshës, prej argëtimeve të shlirta e moskokçarëse, ma merr mendja se as ma idealisti i kësaj bote s’do t’ishte në gjendje me e kuptue e as me e pranue nji gjà të tillë… Ja pra, paska edhe shpirtna të tillë, të fortë, paska edhe vullnete të tilla të çelikta që munden me hjekë dorë – pa asnji vështirësi – njashtu lehtë… lehtë… prej gjithë të mirave toksore, bile edhe prej atyne ma të natyrshmeve. Ja pra, paska edhe heroina të tilla që dijnë m’u ndrye në vetvedi, që dijnë me jetue n’lavdi të andrrimeve e përkushtimit të tyne shpirtnor! Çdo gjà, ato e kthejnë në të kaltër, çdo gjà e bajnë me qenë qiellore…
Shpesh herë e mendoja jetën e atyne heroinave të gjalla. E kam admirue forcën e shpirtit të tyne, e kam adhurue vullnetin e tyne të jashtëzakonshëm me jetue n’nji mjedis të qetë, të pastër… në mjedisin e andrrimeve ma fisnike njerzore që shpesh i kalon kufijtë e toksores. Ndoshta, ndër çaste meditimesh në vetminë e kioskave e lulishteve të tyne aq të bukura e romantike, mundet të mbrrijnë edhe zànat gazmorë të rinisë, të cilat, n’ato rrugë pranë Kuvendit shpërthenin natyrshëm e pa u kuptue, si klithma të hareshme e kangë erotike rinore… siç e ka zakon rinia, me shpërthye pa e vra mendjen n’entuziazëm e hare, për gjana krejt të thjeshta! Ato zàne të hareshme i kapërcenin ledhet e nalta dhe mund të mbrrinin edhe në veshët e atyne murgeshave të kuvendit, “t’vorrosuna për s’gjalli”, e ato, pa asnji tundim shpirtnor, pa u trazue aspak, vazhdonin në lutjet e tyne, vazhdonin n’at jetë të përkushtueme sakrifikimi, aty n’at vetmi hyjnore.
Marrë nga libri Novelistika i Lazër Radit, Novela “Murgesha dhe Poeti”

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.