Kuje… Elegji për Tomorr Shaqir Kaloshin – nga Ilir Spata

Tomorr Shaqir Kaloshin

Tomorr Shaqir Kaloshin

Kuje…

Elegji për Tomorr Shaqir Kaloshin

nga Ilir Spata

Ilir Spata - Autori i elegjisë

Ilir Spata – Autori i elegjisë

U mblodh terr’i natës e u fsheh n’ata sy!
Lotët rrodhën çurk, kah erdhën s’e di?
Perëndoi një jetë ndën ato qerpikë!
Fryma e jote e fundit trupin la me ikë!
.
Kurrë buzët e tua s’do të qeshin mà!
Kurrë ne që t’deshëm s’do ta dëgjojmë at zà!
Kurr’mà mbi Ҫanakas s’do hidhet ai shikim!
Kurr’ma kamba jote s’do të bredhë në Sinë!
.
Duart kallo mbushun s’do të lëvizin, shtrihen,
Netëve pas pune të lodhuna, të shpihen!
Krahët që s’pushuan punë e përqafime
Do lshohen t’këputun mbramje e agime!
.
Kot ti nuk e kishe emrin nga një mal
Mal me dashuri Ty Zoti t’kish falë.
Kujt s’ju gjende pranë n’të mirë a të keq
Rrugave të Botës t’u rropatë e heq?
.
At thirrjen gazmore s’do ta dëgjojmë kurrë!
Qierzës e Gjalicës do ngrijë bashkë me gurë!
Setës e Harlecit do ushtojë ndër net’
Për një shpirt të dashtun që larg i ka mbetë.
.
Për birin e saj që e desh aq shumë
Do vajtojë me ligje, lotët derdhi lumë.
Malli do ta gërryejë dekadash që vijnë.
Do t’u lutet ernave, netve frymë ta bijnë.
.
Hidja ku pushon do t’shohë me habi,
Shaqirin ta zgjojë e të presin Ty.
Mes lotësh e britmash këtu na le Né
Në kët mes Qershori të pushosh nën Dhé!
Flora t’rri te kryet mbledhun sa një grusht.
Qan hallet e jetës që s’ia hoqi kush.
.
Mbledh vehten mes lotëve, të ndahet me Ty.
Fjalë e derte derdhin, lumë lotësh ndër sy.
Mbledhë nga anë e anës e qajnë sot mbi ty!
Ah! Kjo ditë Qershori sa shumë ka sjellë zi!
.
Ky çast kaq i hidhun sa shumë paska lot!?
Vdekja, mal me dhimbje që s’u mbajtka dot!
Mbledhë i madh e i vogël t’prekin edhe qajnë.
Gazi u ka ngri e lotët dot s’i mbajnë.
.
Kërkojnë buzëqeshjen, buzëve dot s’e gjejnë?
Zbehtësinë e vdekjes ato e mbërthejnë.
Ngjyrat e qefinit derdhun mbi fytyrë.
Ftohtësi dëbore, e akull i ngrirë!
.
Heshtje si e vdekjes, as tingull, as fjalë!
Arratisun fryma që të mbajti gjallë!
Aty n’kambë të Qierzës do pushosh i qetë.
Si frymë me puhizat t’bredhësh nëpër netë.
.
Peisazhe te Dibres

Peisazhe te Dibres

Grykës së Gjallicës përcjellja gjëmimet
Me rrebeshe lotësh, derdhi ngashërimet.
Malli do të t’marrë, do t’na marrë dhe né.
Ndonëse je kaq pranë, nën një shtresë dhé!
.
Me dhé Shqipërie, plis e bar në Sinë.
I qetë do të ndjehesh ta harrosh vetminë.
Ra kjo ditë Qershori e na ndau përherë
Buzëqeshja jote mbi ne të gjithë, nderë.
.
Zani, fjala jote, ma i ambli kujtim!
Ndarja s’na besohet, endet si vegim.
Kurrë ma sa t’jemi s’do të t’shohim Ty!
Kurrë ma dritë s’do ketë në të tutë sy!
Kurrë ma s’do të shkrijë e t’flasë ajo gojë!
Kurrë ma agimet tua flladi s’do t’i zgjojë!
.
Aty ku ti pive, qumësht e ujë bashkë
Do të t’tretet trupi në trojen e lashtë!
Pate emër mali, të thirrën Tomorr!
Malet nuk lëvizin, me të mbajtë asht zor!
Grimca, grimca fjalësh nëpër lotët tretë,
Ndonëse me trup ikun, me ne rron përjetë!
.
Ilir Lazim Spata – 5 Qershor 2011 NY
.
Pergatiti per botim Jozef Radi.
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook