back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Kudret Kokoshi – Poeti atdhetar që përballoi me optimizëm diktaturën

Gazeta

Kudret Kokoshi (1908-1991) Nderi i Kombit
Kudret Kokoshi (1908-1991) Nderi i Kombit

Poeti atdhetar që përballoi me  optimizëm diktaturën

kushtuar 30 vjetorit të vdekjes se Kudret Kokoshit

Kudret Kokoshi u lind 18 shtator 1908, në gjirin e një familjeje të madhe qytetare në Vlorë. Arsimimi i tij qe tërësisht perëndimor. E nisi në Romë shkollën fillore dhe po atje u diplomua më 1933, Doktor në Drejtësi.
Në vitin 1941, me porosi të kryeministrit të kohës Mehdi Frashëri sipas vizionit kombëtar të shtetit të bashkuar shqiptar, Kudreti shkoi në Kosovë për të ndihmuar në organizimin e gjyqësorit atje dhe në formimin e kuadrit të nevojshëm profesional. Fillimi i vitit 1942, e gjeti kryeprokuror në Prizren. Më 28 nëntor të atij viti plagoset prej policisë italiane, sepse ndodhej në ballë të demonstratës së Prizrenit. Falë ndërhyrjes dashamirëse të një oficeri kosovar pranë xhandarmërisë, Kudretin e kthyen në Shqipëri, ku qëndroi rreth tre muaj në gjendje kome në spital të Tiranës.
Pas marrjes së pushtetit prej komunistëve, diktatura e arrestoi Kudretin (1945), duke e akuzuar për “bashkëpunim me pushtuesit”. Mbetet model avokatie mbrojtja e tij ndaj akuzave të pa baza, duke recituar në gjyq poezitë që kishte shkruar kundër fashizmit e nazizmit gjatë viteve të luftës dhe duke cituar organet publicistikë ku i kishte publikuar ato. Megjithatë e dënuan pafajësisht me pushkatim, si shumë e shumë intelektualë të shquar nacionalistë, që luftonin për një Shqipëri të fortë e të bashkuar me Kosovën. Për arsye të kërkesave mbarëshqiptare (veçanërisht prej Prizrenit) që t’i falej jeta këtij intelektuali e atdhetari të mirëfilltë, dënimi me pushkatim iu kthye në burgim të përjetshëm e, më vonë, në 21 vjet burg. U lirua nga burgu më 1964. Vuajtjet e privimet nuk iu ndanë ndonjëherë, por poeti atdhetar i përballoi me një optimizëm që u jepte zemër edhe atyre që i ndodheshin afër.
Kudret Kokoshi ndërroi jetë më 26 prill 1991, duke mos e provuar zhgënjimin prej “demokracisë” neokomuniste, që do ta kishte tronditur sërish shpirtin e tij të ndjeshëm poetik. Trashëgimia e tij letrare është e pasur në poezi “Drithmë Jete”, si edhe në shkrime me vlera të spikatura intelektuale e sociologjike.
.
Vlora e viteve '30
Vlora e viteve ’30

Poezi nga Kudret Kokoshi

.

Një ditë vjeshte…*

Unë pash’ një ditë vjeshte një flamur bër’ çika-çika,
Një Flamur me Zhgab’ të zezë, që qé prer’ me një mijë thika,
Një Flamur me bojë gjaku, që valonte pa pushuar
I përcjell nga disa burra, që të gjithë duke kënduar!
 
E përcillnin një mij trima me shkopinj e krraba n’dorë
Kokëlidhur, krahëthyer… unë i pashë një ditë n’Vlorë!
Ata, Luftëtar’ legjende… Ata, Lajmëtarë lirije,
Q’i dhanë fluturim Shqiponjës, pas pes’ shekuj robërije!
 
Oh, thanë zëmrat, oh sa bukur, përmbi Vlorë Zhgaba valon
Unë pashë një ditë vjeshte, Epopenë e Kombit Tonë…
.
*Bëhet fjalë për 3 shtatori i 1920-tës, kur luftëtarët shqiptarë hyjnë si ngadhnjimtarë në qytetin e Vlorës. Poezia është e viteve ’30, dhe krejt rastësisht më ra në dorë.
.

Të dua, Shqipëri!

Për majat e thepisura, që ngrihen
Porsi fortesa gjer në qiell krenare;
Për bukurinë e fushave, që shtrihen
Pjellore nënë rrezet ledhatare.
 
Për pyjet që kurorë e gjelbër t’janë,
Për lumenjtë, që vullshëm të përshkojnë;
Për detet dhe liqejt, që më çdo anë
Qiellin tënd të kaltër pasqyrojnë.
 
Për sytë e zes të vashave të tua
Që i japin jetën nur dhe bukuri,
Për vuajtjet që ke psuar. Atdhe, të dua!
Të dua, t’adhuroj, o Shqipëri!
 
Të dua, t’adhuroj për krenarinë
E bijve t’tu, që s’iu përkulën kurrë
Rrebesheve të kohës dhe lirinë
Me gjak e mbrojtën dhe lavdi të thurë.
.

Mid’hat Frashëri

Ne dhè të huaj larg shqipes me gjak lyer,
Që Ti me ankth aq shumë e dashurove,
Ne dhè të huaj prej fatit të zi ndërkryer,
Atdheut të vuajtur jetën i dhurove.
 
Babai i kombit ndër beteja mplakur,
Ti zemrat tona me ideal i ngrohe,
Rrugën e jetës tonë të përflakur
Hyjnor, Promethe ti na e ndriçove!
 
Ndër male e fusha nga veriu në lindje,
Gjëmon jehona e thirrjes shpëtimtare
“Vrapo, vrapo Shqipëri për në Rilindje!”
Thërret Mid’hati “Shqipëri e Shqipëtarëve!”
.
Burgu i Burrelit, Tetor 1949…
.

Vegim Epik

Për fatin tënd, Europë, vringëllojnë
Shpatat në Shqipëri dhe dyndet dheu,
Ndërsa princat e tu nga larg vëzhgojnë
Me ankth shtrëngatën që egërsisht shpërtheu.
 
Ushtrit’ njëra mbi tjatrën po sulmojnë
Dhe gjaku me të kuq tokën e ngjeu,
Vetëtijn’ armët, kokat fluturojnë
Zbehet Murati, e qeshet Skënderbeu!
 
O si mbi male e kodra e mbi rrafshina
Nga gjokset ngrihet britma fitimtare
Që thellë ushton nëpër lugina
Të mundura me turp ushtrit’ barbare
Rrugën e kthimit marrin, po Kanina
E Kruja e Rozafa janë krenare.
Këngën më të bukur të këndoj!
Oh, ndjej në zemër rrahje djaloshare
Dhe gjakun përvëlonjës nëpër deje
Edhe tashti që larg un’ jam prej teje,
Në dhè të huaj, tok’e shenjtë amtare!
Edhe tashti që s’kam gëzim as prehje
Në larget rob i një ushtrie barbare,
Më qesh vegimi i epopes’ shqiptare,
Që djeg e ndrit si shkrepëtimë ideja.
 
Ndërsa përditë shuhem në mjerim,
Me drit dhe me gjak vargun brumoj
Dhe me zjarrin e ngjesh të shpirtit tim.
Nën kërbaçin teuton si skllav jetoj,
Po zulma jote, Atdhe, m’ep frymëzim.
Dhe këngën më të bukur të këndoj.


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.