back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Ku janë Saharov-ët tanë?! – nga Klodi Stralla

Gazeta

Andrej Sakharov (1921-1989)
Andrej Sakharov (1921-1989)

Ku janë Saharov-ët tanë?!

nga Klodi Stralla

Si sot, më 14 dhjetor 1989, vdiq Andrei Saharov, babai i bombës atomike me hidrogjen, laureat i çmimit Nobel për Paqen, njëri ndër disidentët më të njohur të epokës sovjetike, krahas Sollxhenicin-it dhe Pasternak-ut. Ai mundi, ndonse për pak ditë, të shohë me sytë e tij shpërbërjen e regjimeve komuniste në Europën Lindore, regjime që ai, për shumë e shumë vite, i kish denoncuar si antihumane dhe joproduktive.
Disidenca apo kundërvenia publike ndaj regjimeve autoritare, diktatoriale apo totalitare ka qenë një dukuri e kahershme e mendjeve më të ndritura të njerëzimit, të cilët shihnin te këto regjime dhunuesit e lirive dhe të drejtave të njeriut, atrofizuesit e nisiativës të lirë, armiqtë më të egër të popujve, të përparimit material dhe moral të tyre. Disidenca asnjëherë nuk ka qenë e lehtë, ajo ka dashur sakrifica materiale e morale, aq më shumë kur regjimet diktatoriale kanë përdorur ndaj tyre “shkopin” dhe “karotën”, pra frikën dhe joshjen me privilegje shtetërore.
Duke shfrytëzuar këtë ngjarje nuk mund të mos reflektojmë për disidencën tonë, jo atë të kohës të komunizmit, për të cilën nuk bëhej fjalë sepse ne përjetuam dhunën më të egër shteterore nga të gjithë popujt e tjerë, por atë të sotme, që nuk kërkon asnjë sakrificë nga ato të mëparshmet. Sot askush nuk të fut në burg për fjalën e lirë, askush nuk të internon familjen, askush nuk ta pengon femijën tënd të shkojë në shkollën e lartë apo të të pengojë të emigrosh jashtë vendit.
Kur protesta e studenteve shqiptare ka hyrë në ditën e 9-të dhe sot gjendet para dyerve të Parlamentit, asnjë personalitet i lartë i vendit, akademik, shkencëtar, shkrimtar, mjek apo ushtarak i njohur, nuk prononcohet publikisht për kërkesat e drejta të tyre; askush prej tyre nuk sinjalizon shoqërinë shqiptare se shkaqet më të thella të gjendjes aktuale duhen kërkuar tek sistemi politiko-ekonomik që kemi ndërtuar, pa ndryshimin e të cilit nuk mund të shëndoshet as arsimi, as shëndetësia, as ushtria dhe as fytyra e shtetit tonë në mardhëniet e jashme.
Ku janë ata që pretendojnë çmimin Nobel?
Vijnë në Panairin e librit veç për të firmosur dhe arkëtuar ca para për librat e tyre të shitur dhe pastaj futen në kullën e tyre të fildishtë. Ku janë anëtarët e Akademisë të Shkencave, që pretendojnë buste pas vdekjes, ku janë Prof. Dr. që i kemi me shumicë, më shumë se çdo vend tjetër i botës? Ku janë artistët, që mburren se vunë në skenë me sukses “Harpagonin” e Molierit, kur Shqipëria jonë është e mbushur plot e përplot me biznesmenë Harpagonë?
Askush nuk ndihet. Sa Turp!
Ky vend ka vrarë fuqinë morale të elitave të veta dhe kjo është humbja më e madhe që nuk di sesi mund ta riparojmë. Ne nuk kishim Saharovë, por fatkeqësisht nuk kemi ende dhe dyshoj se edhe për shumë e shumë vite të tjera nuk do të kemi të tillë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.