back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Kthimi i të dëbuarit… Dine Dine (Dielli 1994)

Gazeta

Aleksander Sozhenjecin (1918-2008)
Aleksander Sozhenjecin (1918-2008)

Kthimi i të dëbuarit…

nga Dine Dine (Dielli 1994)

Aleksandër Sollzhenicini me veprën e tij bëri një kërcënim të tillë pushtetit sovjetik sa ai e dëboi menjëherë pas publikimit të “Arqipelagut Gulag”. Por edhe për njerëzit në Perëndim ai u bë dëshmitar i një audience që e kundërshtoi për pikpamjet e tij pa kompromis.
Në mëngjesin e 7 janarit 1974, udhëheqësi i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Leonid Iliç Brezhnjev, mblodhi Politbyronë dhe përpiloi plane lufte kundër një kërcënimi të rëndë ndaj pushtetit dhe ideologjisë komuniste nga ana e një shkrimtari dhe vepra e tij. Ai e filloi mbledhjen me këto fjlaë: “Shokë, sipas informatave që kemi nga burimet tona jashtë dhe nga shtypi i huaj, A. Sollzhenicini ka publikuar në Francë dhe në  SH.B.A. një vepër të re: “Arqipelagu Gulag”. Dhe vazhdoi: “Askush s’ka pasur rastin ta lexojë këtë libër, po esenca e tij tashmë njihet. Ajo është një shpifje e ndyrë antisovjetike. Në bazë të ligjit i kemi të gjitha dispozitat ta dënojmë. Ai është përpjekur të minojë gjithçka kemi të shenjtë: Leninin, rendin sovjetik, pushtetin tonë dhe çdo gjë të dashur për ne. Huligani Sollzhenicin ka dalë jashtë kontrollit”.

Stalini dhe Gorki 1931
Stalini dhe Gorki 1931

Juri Andropov, në atë kohë kryetar i K.G.B.-së dhe pasardhës i fronit, qe i pari që e kuptoi rrezikun e madh të kësaj vepre. Pa humbur kohë, pas leximit të një sërë dokumentash me stampën “Top secret”, dha rekomandimin e tij në këtë mbledhje.
Më 1962, Nikita Hrushovi për të diskretituar epokën staliniane miratoi botimin e veprës së Sollzhenicinit “Një ditë nga jeta e Ivan Denisonit”, por udhëheqësit komunistë e ndaluan daljen në dritë të saj.
Në 1964, Hrushovi dha dorëheqjen. Ndërkaq shumica e pjesëve të Gulagut, që bazohej në qindra letra e kujtime të të burgosurve, pas daljes së Denisonit, që po përhapej me shpejtësi dhe në mënyrë masive çështja e gjashtëdhjetë milionëve të terrorit sovjetik. Andropovi s’kishte dyshim se kjo vepër do ta rrezikonte aq shumë pushtetin sovjetik sa i gjithë arsenali nuklear perëndimor. Kryeministri Aleksej Kosigini, një “liberal” në sytë e shumë analistëve, propozoi ta dërgonin në Verkhojansk, përtej Artikut. Ndërkohë Sollzhenicini, që mësoi për botimin e Gulagut nga lajmet, ndjeu një kënaqësi të veçantë – çuditërisht ai kishte qenë i aftë të vriste botën, botën e Byrosë Politike, të denoncimeve, të censurës.
Pasditen e 13 shkutit të vitit 1974, vonë, Sollzhenicini arrestohet, dërgohet në burgun e Lefortovos, akuzohet për tradhëti dhe të nesërmen rojet e K.G.B.-së e nisin për Frankfurt. Vili Brandi kishte shprehur dëshirën ta pranonte Solzhenicinin.
Më vonë ai shkoi në SH.B.A. ku jetoi për 18 vjet në shtetin Vermont, në një shtëpi të veçuar e të rrethuar me gardh me tela. Atje ai punoi intensivisht, pa pushuar asnjë ditë. Nga fundi i vitit 1991, Sollzhenicini përfundoi katër vëllimet e veprës “Rrota e kuqe”, që kapin mbi pesë mijë faqe. Vitet në Vermont ishin më të pasurat në punën e tij krijuese dhe më të lumturat e jetës së tij.
Kush është Sollzhenicini? Ka lindur më 1918. Gjatë luftës së Dytë Botërore qe kapiten në frontin lindor të Prusisë dhe mbijetoi; më 1945 u arrestua se kishte tallur Stalinin në letrat me miqtë e tij dhe u dënua me tetë vjet në Gulag dhe me dëbim të përjetshëm në Kazakhistan dhe prap mbijetoi. Vuajti nga një kancer në stomak dhe shpëtoi – doli fitues mbi pushtetin sovjetik dhe Byronë Politike.
Sollzhenicini jetoi gjithë jetën si një otshelnik, si heremit, si murg. Ai nuk deshi të ekspozohej si një mendimtar i madh në Perëndim, sepse kjo nuk ishte detyra e tij në jetë. Ai ishte në luftë kundër pushtetit sovjetik, shkrimtari kundër diktaturës. Ky ishte misioni i tij dhe këtë e kreu si askush tjetër. Në kuptimin e misionit historik që ai i ngarkoi vetes. Sollzhenicini është shkkrimtar zotërues i këtij shekulli.
Cili tjetër mund të krahasohet me të? Orwell? Koestler?
Sapo arriti në SH.B.A., ai pranoi ftesat të fliste në sindikatën e madhe të punëtorëve AFL-CIO në New York dhe Washington, në Institutin Hover të Kalifornisë, dhe, më 1978, në Harvard. Në këto fjalime ai kritikoi ashpër Perëndimin për dobësinë në negociatat me B.S. dhe për një rënie qytetare e kulturore në përgjithësi. Fjalimet ishin të rrepta dhe me një ton inkuizitori që rrallë ishin dëgjuar në Perëndim.
Kritikat i erdhën nga të gjitha drejtimet.
Ja disa nga ato: Knigh-Ridder – Sollzhenicini s’është tjetër veçse një carist i neveritshëm”. Guardian i referohej si “autori qimeashpër” dhe “polemisti leshtor”. Daily Mirror shkruante me gërma të mëdha “Sollznenituit”. Sunday Times duke recensionuar essenë “Letër udhëheqësve sovjetikë” flet me një përçmim total.
Më 1993, një ish korrespondent i Moskës botoi në një kryeartikull me shkronja të mëdha: “Mbylle gojën Sollzhenicin”. Romancieri komik Voinoviç, që jeton në Gjermani, e portretizoi në romanin “Moska 2042” si një “kombinim i një imami dhe i një të marri të shenjtë…”
Fyerja arriti deri në sferat më të larta, kur u ftua më 1975, nga presidenti Ford, i cili, i shtyrë nga sugjerimet e këshilltarëve të tij, veçanërisht nga Kissinger, e anulloi ftesën. Kur u pyet më vonë për këtë incident, Fordi e shpjegoi arsyen njerëzisht me nevojën e shmangjes së një ofeze ndaj Kremlinit dhe për të mos acaruar bisedimet në lidhje me uljen e tensioneve.

Gulagu Kizny
Gulagu Kizny

Askush s’u kënaq më tepër me përplasjet e zymta të Sollzhenicinit në Perëndim se sa persekutorët e tij, që bënë zhurmë të paparë në shtypin rus. Por ajo që s’e kishin marrë me mend Andropovi dhe K.G.B. qe ana tjetër e pritjes që iu bë atij në Evropë. Veçanërisht në Francë, botimi i Gulagut dhe vetë dëbimi i autorit të tij ndryshuan pikëpamjet e intelektualëve, aq sa mendimtarët e mëparshëm marksistë si Andre Glucksmann dhe Bernard Henri morën qëndrime të forta antikomuniste, gjë që nuk e bënë plotësisht amerikanët, një pjesë e të cilëve jetoi me iluzione rreth natyrës së pushtetit sovjetik. Koha provoi të vërtetën historike të 60 milionë viktimave që amerikanët, duke gjykuar nga kolltuqet e rehatshme, për një kohë të gjatë s’mundën ta konceptojnë si një realitet të pamohueshëm…
Vitin e kaluar, Sollzhenicini pati takime me Nikita Struven në Paris dhe Papën Gjon Palin e Dytë në Romë, dhe përshëndeti miqtë e vjetër në Zvicër e Gjermani. Mbajti fjalime në Lihtenshtein dhe Francë. Në një qytet të Francës, ai foli para tridhjetëmijë vetëve që përkujtonin masakrën e nëntëdhjetëmijë francezëve të vrarë gjatë Revolucionit Jakobin në vitet 1793-1795. Atë ai e krahasoi me shtypjen e kryengritjeve fshatare në Tambov dhe në Siberinë Perëndimore nga bolshevikët.
Shpejt do të dëgjoheshin këmbanat e një pajtimi me Kremlinin. Më 10 janar 1994, një komision i ri qeveritar për reabilitimin e viktimave për të përndjekurit politikë dha një raport ku dënoheshin Lenini dhe bolshevikët për shtypjen e rebelimit të Kronshtadit më 1921. Aleksandër Yakovlev, kryetari i komisionit provoi se terrori bolshevik ishte kontributi i vetëm i Leninit në Rusi, dhe se Stalini ishte vazhduesi i denjë i mësuesit të tij.

Solzhenjicin (Portret - Borrello)
Solzhenjicin (Portret – Borrello)

Sollzhenicini, i pari, parashikoi përmbysjen e B.S. dhe deklaroi se ajo ishte e domosdoshme. Jo vetëm Gorbaçovi, por edhe presidenti Bush s’kishin dëshirë të dëgjonin për këtë – ata kishin mendimin se Rusia duhej të mbetej e paprekur. “Gorbaçovi – thotë Sollzhenicini, – nuk kish në mendje mohimin e socializmit. Edhe kur u kthye pas dështimit të grushtit të shtetit në gusht 1991, ai tha përsëri se e vetmja zgjidhje ishte socializmi… Gorbaçovi dhe rrethi i tij u mbyllën në ideologjinë marksiste, ata ishin dritëshkurtër”. Përsa i përket “Luftës së Ftohtë”, Sollzhenicini thotë se: “Atë e fitoi Regani, kur ndërmori programin  e luftës së yjeve – Gorbaçovi s’kishte zgjidhje tjetër veçse të dorëzohej!”.
Përgjithësisht Sollzhenicini ka përkrahur Jelcinin. Ai e aprovoi Presidentin rus më 1990, kur doli nga kongresi, dhe në gusht 1991, kur lexoi amendamentin trimërisht nga maja e një tanku, “Jelcini sinqerisht donte t’i priste lidhjet me Partinë dhe të bënte gjithçka të mirë. Por menjëherë pas gushtit 1991, ai kreu një sërë gabimesh dhe bile tepër serioze. Në shtatorin e atij viti ai mund ta shpërndante lehtë Sovjetin Suprem dhe sovjetet lokale dhe të ndalonte aktivitetin e Partisë Komuniste. Ishte një valë entuziazmi atëherë! Të gjithë e dëshironin, por ai s’bëri asgjë. Dy vjet më vonë, në dhjetor 1993, u detyrua të bënte atë masakër të tmerrshme në Moskë. Më 1991, do ta kish bërë me duar të pastra”.
Sollzhenicini bëri vërejtje edhe për kufijtë, kufij që nuk korrespondojnë me kufijtë etnik. Ai kritikoi në aspektin ekonomik, politik, shoqëror edhe reformën, që po sillte vetëm varfëri. Lidhur me këtë, ai foli për një zhgënjim mbarëpopullor, duke kujtuar qindra letra të dërguara nga populli i thjeshtë rus, dhe tha se reforma s’ishte tjetër veçse një bashkim oligarkik i nomeklaturës komuniste.
Tek “Rrethi i parë” Sollzhenicini bëri një vërejtje të përsosur: “Në një tirani, një shkrimtar është si një qeveri e dytë. Si në rastin e Pushkinit, Tolstoit, Hercenit nën carët, ashtu edhe të Ahmetovës, Pastërnakut ose Mandelshtajnit nën bolshevikët, roli i shkrimtarit ka qënë i njejtë…”

Putin dhe Solzhenitsin
Putin dhe Solzhenitsin

Gjatë viteve, kritika ka bërë vlerësime të ndryshme për veprat e zgjedhura të Sollzhenicinit. “Një ditë nga jeta e Ivan Denisonit” është kryevepër e padiskutueshme; Gulagu gjithashtu përgjithësisht konsiderohet kryevepër; “Rrethi i parë” dhe në një farë mase “Pavioni i kancerozëve” janë vepra të rëndsishme, jo vetëm nga pikpamja e komenteve politike, por edhe realiste. Çka është më pak e qartë janë kujtimet, analizat politike dhe proza dokumentare. “Rrota e kuqe” ka qenë qëllimi i jetës së tij. E filloi ndryshe, por kur pikpamjet e tij u qartësuan në burg, ai përmbysi gjithçka. Eventualisht Sollzhenicini, arriti në bindjen se Revolucioni i Tetorit, i festuar në mitologjinë bolshevike si një revoltë mbarëpopullore, s’ishte tjetër veçse një grusht shteti i kryer në rrethanat e një kaosi të plotë. “Rrota e kuqe” ka ngjallur diskutime nga më të ndryshmet.
Këtë vit, Sollzhenicini u kthye në vendin e tij, në Rusi, nga ku u dëbua njëzet vjet më parë. Ai e kreu misionin e tij si shkrimtar disident me dëm të pamasë për sistemin komunist. Tani ai po përpiqet, siç ka pohuar vetë, të përmbushë detyrën ndaj shoqërisë në çdo aspekt që të mundet.
Gazeta Dielli January-September 1994

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.