back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Kronikë e shkurtër për Lagjen e Vjetër nga Shpresa Vrana

Gazeta

"...kjo zbrazësi e ka emrin mall..."
“…kjo zbrazësi e ka emrin mall…”

Kronikë e shkurtër për Lagjen e Vjetër.

nga Shpresa Vrana

Zakonisht të gjithë ne, herë pas here marrim pak kohë nga e tashmja, për t’i hedhur sytë tek e shkuara, asaj së shkuare që regëtin e pluskon në palat e kujtimeve, dhe këtë e bëjmë pa ndonjë skedar të detajuar me kujdes, e bëjmë thjesht sepse ndihemi si të vetmuar nën rrjedhën e furishme të minutave që ikin e lënë pas një lloj zbrazësie gri.
Thjesht e hapur, kjo zbrazësi e ka emrin mall.
Askush nuk shpëton nga kjo ndrydhje shpirtërore, askush nuk është aq i pazemër sa të mos e ndiejë mallin… kudo që e ka piketuar rastësia yllësore… në qytete zhurmëmëdha, në male të egra, në shkretëtira, apo në brigje ku uji rrjedh e bekon me bollëkun e tij çdo gjë.
Edhe tek unë vjen e troket ky mall për lagjen time të vjetër Muradien…
I ndiej takat e mia që trokasin nëpër kalldrëmet e saj… I shoh edhe pellgjet e shiut pas një rrebeshi të furishëm, që ka trokëllitur tërë natën mbi llamarinat e dyerve të oborrit të fqinjëve, të cilët jetojnë një pëllëmbë larg pallatit tonë. Më vijnë ndërmend (jo ditët e verës, ato të mbushura me diell e vajtje të përditshme në plazh), po ditët e vjeshtës, atëhere kur qyteti zvogëlohej nga ikjet e pushuesve dhe i tërë qyteti, e tërë lagjja bëhej e jona.
Kur ngrije kokën e shihje qiellin, mbushur me re dhe ndieje atë erën e fortë, që shpesh ta kthente çadrën në një kupë të stërmadhe uji, sepse të zgjeroheshin mushkëritë, ajri i pastruar të dukej një bekim dhe as që e vijë re që, këpucët me takat e ngrëna nga kalldrëmet dhe të ecurit e vazhdueshëm në këmbë, mbusheshin me ujë. vrapoje tek Dyqani i Sevos dhe, kur merrje një copë djathë, që ai me mundim e peshkonte në fund të vozës, sikur fluturoje për të vajtur tek shtëpia jote e ngrohtë, për të bërë gati tavolinën për familjen.

Lagja Muradie - Vlore
Lagja Muradie – Vlore

E mblidheshim rreth tavolinës e fasulet e ngrohta lëshonin një aromë të hatashme, dhe midis ritmin të lugëve e gojëve të mbushura dilnin edhe fjalët, të cilat bëheshin herë herë biseda e ditës, ose më mirë raporti i çdo pjestari të familjes, ashtu siç ishte tradita dhe duhet të jetë edhe në vazhdim. Mundohem ta përcjell këtë bashkëbisedim të ngrohte familjar me pjatën e thjeshtë “të fasuleve” edhe tek djemtë e mi, të cilët jetojnë prej vitesh në Amërikë dhe oraret dhe fastfoodet ua bjerrin gjithmonë e më shumë këtë ritual të shenjtë. Por kur vijnë e shtrohen në tavolinë tonë, ata dhe fëmijtë e tyre, e mbushin gojën plot me gjellët shqiptare, që unë vazhdoj t’i gatuaj çdo ditë, e biseda rrjedh e ngrohtë, dhe e vogla Nina, që është veç dy vjeçe, edhe ajo rehatohet në karrige, me një jastëk poshtë, dhe me lugën që shpesh i vallëzon dhe bën sofrabezin me gjellë… të gjithë ndihen “rehat” dhe… se si një ditë njeri nga djemtë tha: “Ma më duket sikur jemi në lagjen tonë, në shtëpinë tonë, sa po më shijon kjo gjella”
“Mundohuni ta vazhdoni ritualin e ngrënies në tavolinë, të gjithë bashkë, edhe nëse nuk mundeni nga oraret e punës, por të shtunat e të dielat të jenë të shenjta, aty në tavolinën e shtëpisë, kjo quhet familje, kjo quhet Shqipëri apo Vlorë… Sarandë, Korçë, Kosovë, Maqedoni a Mal i Zi… me një fjalë quhet strehëza jote e ngrohtë që tashmë e kemi lenë… braktisur për të marrë arratinë.
Se si na lindi ajo ideja e arratisjes rri e shtrydh veten nën mokrrën e fajit, po im shoq më thotë se kështu erdhën punët… U lodhëm atje, nën qemerin e strehëzës sonë dhe kërkuam ta gjejmë atë përtej oqeanëve e detrave.
po duket se ky pulsi i arratisë, ky emigrim-shtegtimi rreh në gjakun e gjithkujt dhe vjen nga muzgjet e purpurta, kur shpirtërat tanë rrugëtonin, me torbën e shkalafitur në kurriz drejt dritës, ngrohtësisë, gjelbërimit e ujrave, që rridhnin e rridhnin pa frikë mbarimi, dhe ne më të guximshmit, më kokëkrisurit, më ëndërrimtarët u sulëm përpara, dhe harruam të kthejmë kokën e të shohim se ç’kishim lënë pas.
Më bien ndërmend, fjalët e Pierre Simsisë, shkruar në një tregim se… “lashë pas shtëpinë treqind vjeçare prej guri e kapërceva malet drejt vendeve të panjohura!”
Gjithë ata që kanë marrë arratinë, kanë lënë pas një mal me gurë e tjegulla, ku ende qëndron firoma jonë, ku ende regëtijnë të rrahuart e zemrave tona. Ato nuk janë thjesht gurë… janë diamante, që për fat na dërgojnë ende dritën e tyre… për ta na ngrohur ca shpirtin.

Bulevardi i Portokalleve - Vlore
Bulevardi i Portokalleve – Vlore

Dilja në mëngjeset e bekuar dhe vrapoja të arrija në kohë në shkollën ku jepja mësim. Dilja nga rrugica ime e derdhesha në rrugën e vjetër që dikur ishte një bulevard i ngjeshur plot njerëz, kaloja Merkaton e Vjetër, një simbol i njohur për këdo, kapërceja pallatin e madh që e kishin emrin “Kapelja” e për tre minuta hyja në shkollën e mesme “Halim Xhelo” ku jepja letërsinë, këtë lëndë të bukur, e cila të çonte në pothuaj gjithë skajet e botës.
Në kthimin e pas pune, lagja gumëzhinte nga njerëzit… Përshëndesje, jepje dhe merrje buzëqeshje dhe dita filtrohesh nëpër spektrin njerëzor… dhe ti nuk e dije sa me fat ishe, pse ndiheshe pjesë e asaj bashkësie të larmishme… dhe kjo ishte… ndodhte aty… në lagjen tënde si një pjesë, si një vazhdim i strehëzës tënde.
dhe kur mbrëmja afrohej këmbëlehtë, e mbi kalldrëme binte drita e hënës, seç nderej një dlirësi paqeje dhe heshtjeje mbi çatitë dhe dukej se lagja përgatitej për çlodhjen e madhe, për gjumin e paqtë… dhe ëndrrat atje… ah, ëndrrat ishin ylberë të pambarimtë, ujvara që rridhnin e rridhnin e të derdhnin nëpër damarë një lëng të magjishëm, adn-në e magjishme të të qenit në shtëpinë tënde të bekuar…
Boston, 11/24/2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.