back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Kronika e fundit të paralajmëruar! nga Gjergj Hani

Gazeta

Gjergj Hani
Gjergj Hani 

Kronika e fundit të paralajmëruar!

nga Gjergj Hani

Ashtu si një trup njerëzor shfaq simptomat e sëmundjes, po ashtu edhe shoqëria lëshon rënkimet e saj!
Çdo ditë shohim dhe dëgjojmë në një bombardim mediatik të paprecedent, kronologjinë e kronikës së zezë të mbushet me histori të një brezi të djegur! Ky është brezi i atyre që në vitet ’90 ishin fëmijë, dhe i atyre që kur hapën sytë në këtë botë, dëgjuan vetëm anën e rremë të “lirisë” t’u këndonte ninullat e saj mashtruese! Panë spektaklin e trishtë të “panairit të kotësivë” në tërë shkëlqimin e tij! Ku të dukesh ai që në të vërtetë nuk je, është kthyer në imperativ egzistencial, e që përpiqet të mbushë humnerat shpirtërore me fragmente vezulluese të një shkëlqimi të rremë material.
Mobilizimi total i dhunës e i mashtrimit, mbush të gjitha hapësirat e këtij spektakli kriminal që ai vetë prodhon! Kjo shkrëtetirë vezulluese është kaq imponuese e kaq influencuese për këto mendje të varfëra e të brishta, sa arrin të anullojë çdo alternativë humane që është e kundërta e saj! Siç është mirësia, bujaria, kurajoja e inteligjenca. Veti këto të fundit që ndihmojnë individin dhe shoqërinë të shohë përtej iluzioneve të arrivizmit material.
Kjo shoqëri e dhunshme, që duket aq triumfuese dhe e sigurt në vetvete sa shëmbëllen me harenë e marrëzisë, arrin deri aty sa të duket si pafajësi fëmijërore, ku ligji i vetëm i saj, duket se është perçmimi dhe mohimi i çdo ligji! Karakteristika e saj thelbësore është mohimi i shoqërisë, dhe triumfi i individit që guxon! Që është cinik e pabrerje ndërgjegje! Po shohim çdo ditë e me shumë që ky brez i djegur mbush faqet e kronikës së zezë me detaje të frikshme nënash që braktisin fëmijët, baballarësh që vrasin nëna e lenë fëmijët jetimë, fëmijë që i vënë zjarrin shtëpisë, helmojnë prindët e inskenojnë rrëmbime për të zhvatur një copëz nga ikona e të gjithëpushtetshmit Zotit Lek!
Këtu bëhet fjalë për një lloj tjetër kriminaliteti. Të ndryshëm nga ai që lind nga varfëria, mjerimi dhe disnivelet sociale! Ky është krimi i shkuma-party-it. Herojtë e rinj të këtij krimi janë anti-herojtë e moralit. Bij të familjeve të mesme e të pasura, që nuk e dinin se ishin të aftë të kryenin akte kaq mostruoze deri në çastin që i kryejnë ato! Nuk e di nëse më pas pendohen a jo, por fakt mbetet që bëhen të famshëm për një ditë e shtyjnë të tjerë që t’i imitojnë në çmendurinë e tyre.

Rini e Rrenuar...
Rini e Rrenuar…

Nuk mund të themi nëse u shtynë nga varfëria, nevoja apo uria. Ata i shtyn kompleksi i inferioritetit përballë modeleve që kjo shoqëri u ofron! Ku, për të qënë i dukshëm e të shpëtosh nga anonimati, duhet të kesh vithet e Kallashit bashkë me drogën, orën e Taulant Ballës, pasurinë e përfolur të Ridvan Bodes, apo të krysh salton e Edvin Ramës nga sahani i makaronave të Parisit në sarajet surrealiste të Surrelit!
Ata janë viktima të pavetëdijëshme të arrivizmit që mediat imorale amplifikojnë, duke sjellë vetëm kronologjinë e krimit të shoqëruar me garnityrën e pështirë të drithërimave të motrave Kajtazi, ecejaket bredharake të trimerëshës së Trimit, dhe natën hot, në hotelet e kodrave të liqenit nga 18 vjeçarja, ndërsa inskenonte rrëmbimin, pa u kujdesur të ofrojnë asnjë lloj filtri moral, apo kriter gjykimi mbi sa ndodh! Ata janë viktimë e dekadencës së moralit! E modeleve të pamoralshme të politikës, dhe të anti-vlerave që mediat u ofrojnë me një bombardim të pandërprerë. E ku anti-vlera ka zëvendësuar çdo lloj morali, e si një rit solemn, propozon adhurimin e triumfit personal, jashtë, mbi dhe përtej shoqërisë e përkufizimeve të saj mbi të mirën e të keqen.
Zoti na mëshiroftë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.