back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kritika letrare nuk është shërbëtore! – nga Behar Gjoka

Gazeta

Studiuesi Behar Gjoka
Studiuesi Behar Gjoka

Kritika letrare nuk është shërbëtore!

nga Behar Gjoka

Zoti Gjoka si e shihni gjendjen e kritikës letrare? – Kritika letrare po përflitet nga njerëz, të cilët nuk e dinë se çfarë është dhe ka një vrapim se kush mund ta marrë në përdorim sa më parë. Të ndërtosh një raport të tillë për kritikën letrare, pavarsisht se si botuesit flasin se si duhet të jetë kritika dhe pavarësisht autorëve, poetë apo prozatorë, të cilët e mendojnë kritikën si një gjë, që nëse shkruan për ta ekziston dhe nëse nuk shkruan për ta nuk ekziston. Pavarësisht kësaj situate, mjerane, në thelbin e vet, nëse thua një gjë që ka të bëjë me tentativat për ta zhvilluar letërsinë shqipe, nga ndikimi i letërsisë prej menaxhimit të tregut, është një përpjekje sizifiane. Të merresh me figura të tilla, si Kadare dhe Agolli, si janë hyjnizuar, se duke patur këtë marrëdhënie, tashmë janë pengesë për fjalën e kritikës dhe ndonjëherë zgjohet akti i avokatisë, që në shoqërinë e lirë nuk ka të bëjë me të drejtën e shprehjes. Të flasësh vetëm për ata, të organizosh veprimtari vetëm për ata, e të heshtësh për shkrimtarët e tjerë, përveçse dhunimi i modelimeve letrare, është të mbetesh në vendnumro në lëmin e shprehësisë letrare. Në këtë kuptim unë do të thoja, që të gjitha përpjekjet, që bëhen për ta konceptuar dhe për ta menduar kritikën sipas nevojave, janë hije dhe mjegullima të mohimit të pranisë së saj. Në këtë kuptim do të doja që të thoja edhe nga ana mediatike, ka raste që merret përsipër të bëjnë letërsi. Të gjithë janë lëshuar të bëjnë letërsi, të bëhen të famshëm, gati po kthehemi në popull shkrimtar, e po kaq në popull që pak lexojmë. Reklama e tepërt, është molo që e bren letërsinë, madje siç tërhiqte vëmendjen Umberto Eco, se “reklama më ndihmon për të mos blerë libra pa vlerë…”
Kritika, së pari është një nga fushat e shkencës së letërsisë, që ndjek botimet bashkëkohore dhe evidenton vlerat, por nuk është kritika letrare heshta për të goditur autorët. Ka një konceptim të gabuar, sikur është denoncim, goditje, më tepër është vënia re e prirjeve të lëvrimit të letërsisë, kahjeve ligjërimore. Kritika e denocimit ka qenë dikur, si formë për ta udhëhequr letërsinë. Tani kritika letrare, vjen pas letërsisë, si një shoqëruese që ndjek proceset letrare.

A mendoni se ekziston kritika e mirëfilltë letrare tek ne?  – Kritika letrare është reagimi i parë, që ka të bëjë me tërësinë aktuale, me atë që shkruhet në gjuhën shqipe. Reagimi me formën e kritikës letrare, të metatekstit kritik, është për të pohuar vlerat apo për të vënë në dukje mangësitë, por mendoj se kurrsesi kritika nuk është për t’u përdorur si prokuror, për t’u thënë autorëve, që ke apo nuk ke vlerë, sepse bjerrja e kohës në mungesa do të që marrëzi. Janë disa organe që rreken të vijojnë betejën e funksionimit të saj. Së dyti, kritika letrare ka si funksion, jo vetëm në Shqipëri, por kudo tjetër, që të evidentojë dukuritë aktuale, tipologjitë mbizotëruese. Pra, ato fenomene shkrimore, që kanë vlera në poezi dhe në prozë. Mos të themi se në këto momente letërsia shqipe është në një situatë të tillë, që ka autorë me më shumë çmime, me përkthime poezish në të gjithë botën, me gjenì që vetëshpallen, por me vlera të dyshimta. Ka institucione, si dikasteri qëndror i kulturës, të cilat kanë bërë ç’është e mundur që letërsia, të jetë në zgrip ekzistencial, në grahmat e mbrame dhe gjithë kohën punon për rrezbitur vlerat. Ideja e hedhur tash së fundi në Panarin e librit në Tiranë, është që të mos shkruhet më në gjuhë shqipe dhe për këtë unë mendoj se është një situatë alarmante, që të përkujton Tradukin që e promovon letërsinë shqipe si pjesë e gjuhëve sllave. Teksa dëgjon botues, që shkojnë nga njëra-studio në tjetrën, për të thënë se si duhet që të jetë kritika letrare pa e ditur si është në të vërtetë, se si rreken të zbërthejnë vlerat letrare, kur detyra dhe misoni i tyre, është që ta botojnë librin, ta shpërndajnë, të bëjnë marketingun, po jo të bëjnë sikur po zëvendësojnë kritikën letrare.

Studiuesi Behar Gjoka
Studiuesi Behar Gjoka

Po diskutimet, që bëjnë botuesit për kritikën letrare, si duhet që ta vlerësojmë? – Në këtë kuptim do të thoja se marrëdhënia me letërsinë është e tillë, sepse vetë institucioni i kulturës për shumë kohë e projektoi letërsinë shqipe, si marrëdhënie me letërsinë e huaj, pra si marrëdhënie me përkthimin dhe jo me letërsinë creative, duke e lënë në rënie të lirë fatin e librit shqip. Po ashtu për shumë kohë shumica e atyre që merren me letërsinë shqipe, arritën deri aty sa thanë se nuk ka fare letërsi shqipe. Në këtë kuptim do të thoja se shumë nga ata që marrin përsipër që të promovojnë faktin, se letërsia na qenka mall dhe panairet shërbejnë, si shitore të mëdha, banaqe kioskash, shumicë e tyre, do të thoja se këto diskutime nëpër studio, janë të ngjashme me të enjtet e parlamentit shqiptar, që ne shohim në fytyrë për secilën javë, atë që jemi me tërësinë e vet. Në këtë kuptim, botuesit që promovojnë botimet e tyre, analizojnë dhe vlerësojnë librat e botuar, duhet të heshtin. Ata nuk mundet, që ta masin dhe tipizojnë kritikën me sasinë e shkrimeve që janë bërë për ta, sepse kanë konflikt interesi. Ne kemi një problem të madh, që lidhet me botuesit, sepse autori shqiptar është pa të drejt autori. Në qendër të panarit, të veprimtarive për librin, është botuesi edhe mediat, jo lexuesi dhe jo libri, duke krijuar një marrëdhënie absurdi. Përkujdesja për ta shmangur autorin real jo gazetarët dhe mësimdhënsit, opinionistët dhe politikanët, apo njerëzit, që kanë një pozicion të caktuar në një vend tjetër dhe këtë pozicion e shfrytëzojnë për të bërë spostime të marrëdhënieve të dyfishta me letërsinë, të gjitha oraganizohen dhe udhëhiqen nga botuesit dhe media.

A gjendet kritika letrare në këtë situatë, për shkak të situatës ku gjendet dhe letërsia shqipe?  – Në këtë kuptim shumëçka që ndodh rrotull nesh, shumë përpjekje për ta marrë në përdorim kritikën letrare, për ta shpallur fajtore, nëpërmjet botimeve të ndryshme letrare që ne kemi, është një përpjekje për ta përdorur kritikën për nevoja klanore, për ta përdorur kritikën letrare, si dritare për të shpallur armiqtë e radhës dhe jo për ta matur se ku është letërsia shqipe. Letërsia shqipe nuk është në kulmin e vet, por kritika hap pas hapi është bashkëshoqëruese e letërsisë. Heqja dorë nga klanizimi dhe klonizimi i viteve letrare, ku njerëz të ndryshëm, mësimdhënës apo funksionarë aparatçikë, pa libra, pjesë e burokracisë letrare dhe kulturore, kanë marrë peng mendimin për të dhe lëshojnë rrufetë e zemërimit mbi letërsinë, mbi veprat letrare, udhëhequr nga ideja e sundimit të mendimit letrar. Nuk është kritika e realizmit socialist që e godiste letërsinë, që i thoshte se çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk duhet bërë, që udhëhiqet mënyrën se si duhet të shkruhej letërsia. Kritika letrare është recesioni dhe reagimi i parë në nivelin e kauzës së zbulimit të shenjave më me vlerë të letërsisë. Pra, të mos kërkojmë “qiqrra në hell” dhe të shpallim kritikën fajtore pa faj, sepse shija jonë është kritike, në nivelin e mohimit të tjetrit, e mohimit të shenjave më përtej klanit. Siç është shkolla shqiptare pa degë kritike, pa një program, por merrtet në përdorim nga organe të ndryshme, ashtu është dhe kritika. Në këtë kuptim trancizioni në ekonomi dhe politikë nuk është i barabartë me trancizionin në letërsi. Letërsia ka disa ndryshime të tjera dhe thelbësore, prandaj kur them këtë kam parasysh ata që kanë konflikt interesi, autorët, botuesit, që të jenë shumë të kujdesshëm, sepse nëpër këto vite kanë kontribut të madh për të deformuar kritikën letrare, në dobi të interesave. Përsa i përket kritikës është e dështuar dhe tregon se ne jemi në një marrëdhënie konstruktive dhe jo në letërsi. Botuesit janë institucion i evidentimit të vlerave të qytetërimeve dhe kështu duhet që të funksionojnë. Nuk mund që të jepen çmime pa u lexuar librat, për veprat që nuk kanë lidhje fare me atributet e letërsisë shqipe. Shqiptarët, ende nuk e kanë sensin e marrëdhënies me kritikën dhe me letërsinë që është shumë e brishtë mes tyre.

Çfarë duhet bërë për të ndryshuar kjo situatë? – Duhet që të hapet një degë, që të përgatiten studiues dhe kritikë, ashtu siç përgaditen mësuese. Duhet gjetur një revistë që të jetë e paanshme, sepse klanizimet me sallone, po bëhen si një betejë topaluftash. Në fund fare, siç është letërsia është kritika letrare, sepse e para është letërsia, e dyta në radhë është verikifimi me anë të metateksteve kritike. Ne mendojmë që të gjejmë kritikë shtrigash, por të shtrembërosh letërsinë në një marrëdhënie të tillë, në një institucion, ky është një mjerim, që më kujton idenë e Paulo Coelho: “Njerëzit flasin sikur të njihnin gjithçka, dhe kur i pyet, nuk dinë gjë prej gjëje!”
Marrë nga muri i Fb Behar Gjoka, 26 Nëntor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.